back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Universiteti i Pirogoshit dhe Komisari i xhenjos – nga Niko Ljarja

Gazeta

Universiteti i Pirogoshit dhe Komisari i xhenjos

nga Niko Ljarja

Diku poshtë këtyre shkëmbinjve kam kryer Universitetin e Pirogoshit… i barasvlershëm me atë të Kembrixhit…! Sepse me atë… të Kembrixhit kush e kishte mbaruar, mund të hynte edhe në burg…. kurse me këtë të Pirogoshit mësonje se ç’është jeta në realitet, dhe si ta përballoje…
Mbas një periudhe nja dhjetë mujore që kisha mbaruar gjimnazin… më 22.12.1969, nën një temperaturë – 18 gradë mora rrugën për në Universitetin e Pirogoshit… në degën e Xhenjos pa armë, me specialitet tunele…
Universiteti ishte hapur atë vit, me përzgjedhje studentësh të dalluar…
Ju të gjithë që kini erdhur në këtë Universitet na theshte komisari, jeni që të gjithë me fat e të privilegjuar… si nga forma ashtu dhe nga përmbajtja…
Dhe vërtet, në të gjithë e dinim, që ishim të privilegjuar në këtë repart, nëqoftese mund ta quaje repart ushtarak…
Punoheshe 12 orë në tunel… 12 orë ditën… e javën tjetër 12 orë natën…
Kur shkuam tek ai i ashtuquajtur repart, për të fjetur gjetëm një si punë kapanoni që më përpara nesh kishin fjetur dhitë… Po ishte me çati e anash qe thurur me thupra e në mes të kësaj sajesë kalonte një vijë uji mes për mes…
Ishte janari i vitit 1970, e kur mblidheshin në darkë për të fjetur, të gjithë sa ishim e me një barrë qejf ia mirrnim, asaj këngës popullore… O po kjo shtëpia e plakës/ thurur moj me purte – purteka… etj. etj…
E kështu krijoheshe një kor shumë i bukur, i cili ngjasonte me korin e të vuajturve tek opera Nabuko Donosor… e Zef Jeshilit… alias Giuseppe Verdit!
Përpara, se ta inaguronim e ta shijonim 12 orshin e të punuarit në tunel, punuam për rreth ndonjë muaji nga 15 orë në ditë, për të ndërtuar dy fjetore të reja e moderne…..
Me trarë prej druri si bazament e të rrethuara me purteka, të suvatuara me baltë e të ngjitura me gazeta…
Unë në burg nuk kam qenë, por mendoj që ne ishim pak më mirë!!
E mbas një muaji e gjysmë kur hymë brenda, na u duk vetja sikur flinim në hotel me 5*****!!
E nga kënaqësia, nuk këndonim me këngën e kasolles së plakës…. por
atë këngën frymëzuese që ishte atëherë, e që e këndonin ushtarët për frymëzim…
“Jam ushtar e jam pa leje/ Lilin s’di unë a do ta gjejë etj. etj… që për atë kohë ishte shumë frymëzuese për ushtarët…
Shumë interesante ishte edhe përbërja atë vit në këtë Universitet! Aty përmblidheshin tre lloj grupimesh. Dy grupimet e para qenë të dhjerë fare… po jo në brekë, jo… në biografi!
Grupimi i parë ai më i dhjeri qe ai i politikës… kurse grupimi tjetër qenë ata të garipllëkut… në këtë grup kishte nga ata që kishin ardhur për të mbaruar masterin, mbasi Universitetin e kishin bërë në repart tjetër…
Kurse grupimi i tretë ishin të gjithë me raporte mjeksore, që fillonin nga ata me një sy e deri tek ata që shkruheshe në raport “me të meta…” e kjo ishte një përbërje që i paraprinte globalizmit të sotëm… e që të tërë jetonim nën një çati! Dhe erdhi e t’u mësuam e t’u bëmë që të tre grupet njësoj… Sikur na kishte bërë një nënë. Kjo ishte forca e Globalizmit që ne atëhere nuk e dinim… Njeri më i mirë se tjetri, e të gjithë u bëmë garipë…
Nejse, u zgjata pak shumë… se llafi nxjerr llafin… po muhabetin e kisha në vend tjetër!
Siç treguam edhe me lart, ky repart kishte dhe komisar… i cili shërbente si engjëll mbrojtës për ushtarët, me sqarimet një herë në javë që na bënte në format e edukimit…
Gjithmonë na jepte tri këshilla shumë të vlefteshme komisari, që ne të mos shkisnim në rrugën e gabuar, se dhe të rinj ishim e mund të gabonim!
E para këshillë ishte që në asnjë rrethanë në nuk duhesh të tregonim se në sa pjesë ndahesh pllaka e bukës në repart… se armiku me anën e disa shumëzimeve mund të zbulonte se sa ushtarë ishim në repart!! – e kështu dilte sekreti… e dyta, ushqimi që hanim ishte fasule, pilaf, supe dhe çaj për ditë… Partia, na theshte komisari, mund t’ju mbajë edhe me mish të pjekur përditë, por ajo këtë nuk e bën për të mirën tuaj… që ju të kaliteni… dhe vazhdonte: Ja duroni, se muajt ikin shpejt, ja do liroheni e do shkoni ne shtëpi e në shtëpi do hani mish të pjekur përditë deri sa t’ju mërzitet!!
E këtu ushtarët nën efektin e lagavitjes sa dëgjonin fjalën mish i pjekur… nuk e përmbanin dot veten e nga entuziazmi fillonin të duartrokisnin e të brohorisnin për partinë tonë të lavdishme e trime… Kurse këshilla e tretë ishte ajo me kryesorja këshillë që ushtarët e dëgjonin me gojë hapur e tërë qef… se, ajo kishte brenda elementë dashurie…
Edhe me mendje të tërë ushtarët theshin ishalla, kjo të mos jetë gënjeshtër si, ato dy të parat! Po të jetë e vërtetë…
Kohët e fundit, na theshte komisari, – armiku, për të zbuluar sekretet tona, ka filluar të përdorë një taktikë të re… përdorin elementin femër, për të joshur ushtarët tonë trima e pastaj… pastaj duke ju afruar femra, ata tentojnë që t’ju marrë sekretet tona ushtarake…
Dhe këtu tregonte me shembuj se si ushtarët tanë trima ju kishin treguar vendin atyre femrave armike, të cilat më anën e joshjeve që ju kishin bërë ushtarëve, kishin tentuar që t’ju nxirrnin sekrete ushtarake…
E kur e mbaronte këtë tregim komisari… ushtarëve u hipte një frymëzim i madh shumë…..
E të gjithë ashtu të frymëzuar ju drejtoheshin tuneleve me këngë në gojë… për të nxjerrë 40 vagonët që kërkonte norma… E gjatë kësaj kohe të gjithëve na rrinte mendja tek ajo vajza armike… që na theshte komisari…
.
Marrë nga muri i Fb, i Niko Ljarjas, 11 shkurt 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.