back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Unë, Qytetari i Lubonjës… nga Meti Fidani

Gazeta

Meti Fidani
Meti Fidani… në moshe të rinisë

Unë, Qytetari i Lubonjës…

nga Meti Fidani

Veç budallallëqeve tjera të kohës, ishin edhe ca nga ato që u thoshnin “Nisma Revolucionare…”
Në kongres’n e 7-të të Partisë, aty nga viti ’76, na doli një nismë për ta bërë “fshanë si qyteti…” Kjo nismë, gjoja e masave, ra në vesh të Partisë na i dëgjonte me vëmendje masat… se ishte e shkruar me të madhe nga të hidhje sytë: “Ç’thotë Partia – bën populli dhe çdo populli – bën Partia…!” Dhe popullit fshatar na i qe mbushur mëndja (eh o t’u mbylltë e mëndjes) ta bënte fshanë si qyteti… Pse mos ta bëntë xhanëm!!?
Dhe deshte s’deshte Partia, do ta dëgjonte popullin nga parulla e shkruar me të mëdha e më të kuqe.
Por si do bënej fshati qytet?!
Po ja, do dilnin ca vullnetare, ca punëtorë apo ca kuadro të qytetit, do ta merrnin llafin në ca mbledhje të zgjeruara, për të shkuar të punonin e të jetonin në fshat… Mjaftonte njeri të shkonte nga qyteti në fshat, në mënyrë vullnetare, dhe fap si me magji fshati do na bëhej qytet… Po edhe atyre që dilnin si vullnetarë, vullnetarë u thëncin… Ç’ishte ay që e linte qytetin dhe shkonte në fshat, apo e kishte marrë malli për baltën apo për ndonjë krodhe buke misri…?!
Po edhe ay i Madhi Ynë, se ç’kish thënë më të madhe: “Po të isha njëzet vjeç, do të veja të jetoja e të punoja në fshatin e ri socialist!!!” Dhe… vuu njerzit me të rrahura të duarve… Po pse t’i vriste duart i Madhi Ynë, a s’i kishte tre fëmijët aty rrotull të njëzetave!? Epo le të venin ata…! Epo kujt ia mbante t’ia thoshte… Prandaj të shkretët njerëz as që mund të mendonin e jo më të thoshnin gjëra kësisoji…
Në çdo ndërmarrje, bëheshin mbledhje të gjata ku diskutohej për iniciativën e re dhe prisnin të dilnin vullnetarët për në fshatin socialist…
Edhe në Ndërmarrjen tonë të Ndertimit, u bë një mbledhje e tillë: në zbatim të vendimeve të Kongresit të 7, dhe përvjetorit të themelimit të Partisë… Po kush ishte ai që e linte qytetin?! Kuadrot jo e jo, se ata të Ndërmarrjes tonë, ishin përgjithësisht të krishterë denbabaden korçarë, me shtëpi karakteristike, të bukura, të stolisura e të mobiluara sipas traditës… Si t’i linin ato e të vinin të “hanin dynjanë” në fshat…!!!
Ama… të gjithë diskutonin dhe brritnin me të madhe që fshati kështu, e fshati ashtu, që ajri i fshatit të zgjeron mushkëritë, se fshati do bërë si qyteti, por askujt s’ja mbante, ta lëshontë qytet’në…
Më detyruan të diskutoja dhe unë… ç’të bënja! Guxo e të mos flitnje. Dhe unë u kapërdiva, rregullova ca zënë dhe:
-Ta bëjmë, ce të mos e bëjmë! – Megjithëse unë pe fshati isha, po për arsye se kishnja ca vite që punonja në qytet, kisha marrë një çikëz aromë kllase punëtore… dhe vazhdova me dërdëllimën e llafeve…
Mbas mbledhjes u futëm në “Zaharai” një lokal pijetore-restorant, i shtetëzuar, pronarit të të cilit i kishte mbetur vetëm emri, se kockat nuk dihej se nga ia kishin degdisur, se Partia i kishte fort për zemër këta pronarët… e kur ishin të mëdhenj i plastë xhani për ta!!!!

Mëngjes në Lubonjë...
Mëngjes në Lubonjë…

-Na pëlqeu shumë diskutimi tend mor djalkë – me thanë… Je një i ri, që na ke nderuar gjithnjë ndërmarrjen… Qe edhe shefja e kuadrit Rudnije Agolli, aty… Ajo rrinte më shumë e veshur më të zeza. Qe ca si e shtyrë në moshë, por as e martuar as me fëmijë e të zezat e veshjes nuk ia kuptonja.
-Nesër të vish pak në zyrë! – më tha Rudnia
Që në mëngjes herët i rashë derës dhe hyra!
-Organizata e Partisë, e ka pritur me kënaqsi, dëshirën tënde për të shkuar në fshat… Aq më mirë – thanë – që edhe organizata e rinise kërkon të japë shembëllin e saj…!
U mpiva. M’u bë sikur më ra tavani mbi kokë!
-Unë vërtet thashë ta bëjmë fshanë si qyteti, por jo të shkoja unë. Se unë nuk kam aftësi qytetare, pastaj ju e dini, s’ka ca vite që i ikur pe fshatit jam…!!
-Ja djalë, këtu në protokoll të mbledhjes kështu është e shkruar, që “…nga ndërmarrja jam gati të shkoj unë të jetoj e të punoj në fshat!”
Ma kisnin kurdisur aq bukur proçkën… Me mua fshatarin e hidhnin lumin përpara Partisë ata të ndërmarjes, dhe më rikthenin në fshat, po tani as në atë timin po ku kishte nevojë partia! Kësaj i thonë e hidhnin lumin… dhe dilnin matane pa u lagur fare
-E në ç’fshat e keni lënë të shkoj?!
-Në Lubonjë. Në kooperativë të Vithkuqit!

Lubonje...
Lubonje…

Hapu dhè të futëm brënda! Nga t’ja mbaja… Apo s’më kishte qejf Partia mua. Po të bëja kundërshtim më të vogël të mundshëm, hapej qitapi i armikut. E qepa! I qesha shefes, dhe e qava veten!!!!
Të nesërmen pa zbardhur, bëra valixhen gati dhe u nisa. I hipa një “Zis” nga të druve, i cili shkonte të ngarkonte në Gjanç… Përsipër në karroceri, si shumë të tjerë edhe unë… Bënte një i ftohtë që të priste dhe karoceria kishte një shtrese të hollë bryme. Me t’u nisur mjeti, bryma, tallashi dhe bulashkat e dyshemesë bënë një rrotullim në ajër, si për të treguar se të gjithë duhej të kishin kujdes sytë, e të mbroheshim nga ndonjë ashkël
-Si të duket fshati, – e pyetën një burrë që rrinte ulur mbi gomën rezervë. Nga veshja, burri dukej i mbajtur, dhe dukej gjithashtu që ishte nga qyteti…
-Mire fare… Bellovoda ka njerëz të mirë dhe nuk e ndjej mungesën e qytetit… ç’të thoshte i ziu… Kishte dalë vullnetar nga Korça, për të punuar dhe jetuar në Bellovodë… Kish dalë… nga e keqja a nga e mira, atë askush nuk e dinte. E në kishte dashur vetë, nuk e di që gruaja dhe fëmijët do të kenë qenë të të njejtit mendim..:?!Por, si duket ai e kuptoi të keqen shpejt dhe zuri Bellovodën, 15 km larg qytetit, po unë…?! Unë… aha, dyfishin e largësisë së tij, 30 km larg pe Korçës!
Në Lubonjë, më lëshuan një dhomë në qendër të fshatit… Në atë dhomë rrinte dhe një tjetër qytetar… Ai kishte disa muaj aty… Llambi Sovjani i thoshin… Llambi ishte mjeshtër në ndërtimin e rezervuarëve dhe kishte erdhur për të hapur rezervuarin mbi fshat… Edhe pse punimet ishin ndërprerë për shkak të motit, ai vazhdonte të qëndronte aty, duke pritur të rregullohej koha… Llambi ishte një njeri i thjeshtë, edhe pse e kishin graduar Hero të Punës Socialiste!!
Ishte një gjahtar i apasionuar dhe thuaj çdo dite gjuante për shpend të egra të disa llojeve, të cilat guzhinierja e kooperativës, na i gatuante! Ceverme u thoshnin, një si pilaf me lëng mishi… Rrinim ngjitur me mencën dhe nga era e kuptonim se ushqimi ynë ishte gati… Dhe guzhinierja gatuante në mënyrë të përsosur!
Si qytetar, (qytetar i thënçin) se vija nga ndërmarja e ndërtimit, më caktuan në brigadën e ndërtimit të fshatit. Asokohe ndërtohej mulliri i fshatit…
Sapo kishin dalë nga themelet dhe shpejtonin se mos i zinte dimri… Muret ishin prej guri. Po çfarë guri se rrumbullak fare. Ku t’ia gjeje anën e ta vije në mur… Unë kisha punuar pak mur guri, në Tiranë dhe në Korçë, por ishin gurë të punueshëm, gurë me 40 faqe siç i thoshnim në ndërtim. Aty u turpërova fare edhe pse kisha kategorinë e 5-të..
-Je mesuar me tulla, ti mor djalë, por këtu nuk ka tulla -me thoshin me shaka ustallarët, që ishin shumë më të vjetër se unë në moshë.
-Do punoj unë, me këtë djalin – tha Ali Ramo, – një usta i vjetër i cili ia gjente vendin gurit symbyllur… Ai vetëm gurë deshte dhe baltë, të cilën e sillnin disa gra… Unë punoja nga brenda.
-Ti vetëm më sill gurë, pa i vendos unë, mos u bëj merak – më thoshte Aliu.
Ai i kishte duart shpuzë, kur thonë… Unë s’e kisha problem për të ngritur gurët, sado të mëdhenj të ishin…18 vjeç djalë… Dyshes tonë i shkonin punët vaj, dhe kur e vinte punën përpara, Aliu ja merrte ndonjë kënge skraparlliçe.
Mbasditeve lexoja ndonjë libër, po ashtu edhe Llambi lexonte shume… Isha disi i huaj dhe nuk kisha bërë shoqëri akoma… Në fakt, fshati kishte aktivitete, mbasi ishte fshat mjaft i madh, me shkollë të mesme (e mbrëmjes), ku mësonin nxënës të fshatrave përreth… Kryesisht mësuesët ishin nga fshati, me drejtor Tosun Hoxha, mjaft i përgjegjshëm, Tekiu, Resmiu, Lekua që ishte dhe mjaft inteligjent, Fatriu, etj… Të gjithë ishin të përkushtuar, për procesin mësimor.
Të parën shoqëri e lidha me një bashkëmoshatarin tim Selfo Shaqe. Selfoja ishte punëtor, fjale pak dhe i qeshur… Ai me ftonte shpesh në shtëpinë e tij. Dajlani, i ati dhe e ëma, ishin njerëz mikpritës, pasardhës nga një familje patriotike e Kolonjës… Atje ndjehesha si në shtëpinë time.
Në atë fshat kisha të martuar dhe kushërirën time: Fatikon.. Ajo ishte martuar në familjen e Kuqove… me Sadikun, një burrë punëtor dhe i urtë… Shpesh mendoja se mos ishte ndonjë kurth që më dërguan në Lubonjë, që të shihnin qëndrimin tim ndaj Fatikos dhe familjes së saj… Fatikua ishte dobësuar sa nuk njihej fare! Ajo kishte asokohe babanë në burg, me gjithë vëllanë e madh Muhametin… kurseë nënën dhe motrën të internuar, për të cilët thuajse nuk dinte asgjë as se ku ndodheshin, as si ishin?! Ata ishin një familje e mrekullueshme… Sabriu i kishte rritur të 6 fëmijët duke shitur qymyr, pishe dhe govata, dhe askujt nuk ja kish zgjatur doren. Por fati i të mirëve dihej në ato kohra!!
Ishte dhjetor. Sapo kish nisur të zbardhte pak dëborë. Llambi me ngrinte shpejt se duhet të shkonim për gjah.
-Nuk punohet sot – me thoshte – nuk zihet guri me dorë… dhe dilnim fushës për fëllëza, cërre,mëllenja, rabecka, çfarë të gjenim… Unë ngulnja këmbë që të ngjiteshim lart për ndonjë lepur, por ai nuk deshte.
-Lepura!!!! Ç’thua bre!!? Ku ka lenë lepura, Papi i Elmazit… I korriti të tërë… Sikur u bën magji… I zë me tel bari, me leqe… Po dolëm ande, le lepura nuk do vrasim, por do na mbytet zagari në ndonjë leq…
Ku puno e ku mos puno, për shkak të dimrit, po mullirit hidhte shtat… Unë nuk i ndahesha Ali Ramos… Sikur në pension të dilte ai Ali Ramua, në pension do dilnja edhe unë. Por një ditë dërguan një letër nga dega ushtarake. Sa nuk me ra të fikët, se e dija që ishte nga Dega e Punëve të Brendshme, me të cilën nuk kisha dhe shumë marrëdhenie të mira… Më kishin thirrur disa herë, po për fat më thirrën për ushtar… U gëzova të them të drejtën. Por dhe ndjeja një farë trishtimi. Më duhej që të ndahesha nga ata njerëz, me të cilët isha miqësuar, për aq pak kohë. Nga brigada e ndërtimit e Lubonjës, nga ata mjeshtra duar-rreshkur, qe ishin zotër të gurit të rrumbullakët, nga ato gra të stërmunduara që sillnin baltë me tezga, nga ata njerez, që atë 50-lekshe në dite e nxirrnin me gjak, nga ata njerëz të palodhur… Rrota e solli që pas disa vitesh, të punoja me shumë lubonjarë, por këtë rradhë si të barabartë, punëtorë të fabrikës së bakrit, me një pjesë prej tyre shkuam dhe në Mirditë për specializim, në fabrikat e Kurbneshit, Repsit, etj. Punova me Petrit Himen, Kudret Xhixhon, me laboranten e shkëlqyer Luiza Hoxha, me Albert Xhakollarin, me Haki Beqollarin, me te ndjerën Nasipe Tusha, të cilën e thërrisnim “nëna e fabrikës”, me Lake Mbrocin, me të paharruarin shokun tim të ngushte Bexhet Mbroci, me Tomorr Cenkon ndjesë pastë, punova me Lul hollandezin e çuditshem, me Selim Kolecin, Ylli Murati, e plot e plot të tjerë, që krijuam një shoqëri solide e të vërtetë
-Do shkoj – i thashë, Llambit – ti si do bësh, apo do rrish të të bëjnë dy herë të Hero te Punes Socialiste… Ai ndenji akoma, ndoshta kishte frike se mos ja merrnin dekoratën!?
Unë ika atë funddhjetori. Fat që erdhi thirrja për ushtar, se do të isha bërë qytetar nderi i Lubonjes… Fat dhe për ata kuadrot e ndërrmarjes sime, që ja hodhën mirë lumit dhe e zbatuan direktivën dhe nismën e Partisë, që fshatin ta bënim si qytet… E çfarë qyteti do ta bëja unë i ziu, apo Llambi Sovjani, Lubonjën?! Ne siç e gjetëm ashtu e lamë… Me 50 lek për ditë pune i gjetem, me 50 lek për ditë punë i lamë; me bukë misri i gjetëm, me bukë misri i lamë… Po mbi tëra hallet atje… ishte edhe ajo makina e kryetarit të kooperativës, që kishte targën KO 50-50… Sikur deshte të tallesh që nga 50-lekëshi për ditë pune nuk do të lëvizni kurrë… sa të rronte e të ishte kooperativa!!
As unë një çunak mustaqe padirsur, as Llambi si Hero i Socializmës, po as e gjithë Korça po të mblidhesh aty, nuk do të mund ta bënin fshatin qytet!!
Po çfarë qyteti them dhe unë…

Meti pas 40 vitesh sërish në Lubonjë
Meti pas 40 vitesh sërish në Lubonjë

Lubonja qytet kish qenë para Korçës, para Voskopojës, pse mbantë rekordin e kishës më të vjetër për rajonin, me një vendosje strategjike, me një fushe plot gjallëri përpara. Por luftërat, pushtimet dhe aq më keq kolektivizimi, e fundosën në 50 lek për ditë pune… Minimumi i jetesës.
Po të deshën ta bënin fshatin si qytet, le të hante dhe qyteti bukë misri, 2-3 muajt e dimrit, ose po ta deshën Lubonjën si qytet, le t’i dërgonin ku dhe ku, ndonjë makinë me bukë gruri, se e kishin me racion, edhe pse fusha e Lubonjës ishte aq pjellore, si të ishte palcë e Myzeqese. Ajo ishte një nismë budallaqe e Partisë shtet, për të tërhequr sadopak vëmendjen e masave, për t’u mbyllur sytë njerzve, e për t’i kërcënuar ata!
Me atë nismë të Partisë, mua më shkëputën për ca kohë nga rrjedha e përditshme e qytetit, pra humba për pak kohë këtë rrjedhë, por fitova një miqësi të përjetshme, një miqësi që nuk do ta harroj kurrë, me një fshat perlë, një fshat që natyra i ka falur të gjitha mundësitë saj, ne rrëzët e Malit të Zi, dhe përballë Gramozit.
Ajo nisme e dikurshme fantazmë, thoshte që ta bëjmë fshatin si qytet, por me pak kujdes nga qeveritë e sotme qendrore dhe vendore, mund të thuhet me plot gojën, se a mund ta bëjmë qytetin, si Lubonja…
Historia dhe natyra janë gërshetuar aq bukur, në këtë vendbanim të lashtë mesjetar, aq sa Lubonjës i takon të jetë qytet… Unë them e ka merituar, e meriton dhe do ta meritojë… po jo ashtu si deshte ta bënte komunizmi!!!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.