back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Unë protestoj… Jozef Radi

Gazeta

Jo - armëve kimike siriane!
Jo – armëve kimike siriane në Shqipëri!

Unë protestoj… Jozef Radi

Sot asht ditë proteste, po edhe ditë protestash ndër gjithë shqiptarët.
Futjeve së mbetjeve toksike kimike, nga regjimi i Sirisë në Shqipëri, për të parën herë ka sensibilizuar në mënyrën ma të plotë krejt opinionin shqiptar, i cili ma të shumtën e rasteve ka mbetur i ndarë midis politikës, interesave, grupimeve, ndërsa protestat që nisën sot kanë atë spontaneitetin e tyre të pazakontë… Janë jashtë partive!! Sepse në Shqipëri, kanë qenë partitë politike dhe interesat politike ato që i krijonin opinionet dhe jo problemet dhe shqetësimet publike që krijonin opinione… Ne gjithnji, kemi menduar dhe pretenduar që problemet t’i zgjidhim nëpërmjet politikës dhe vetëm nëpërmjet saj… kurse në të vërtetë është politika ajo që i ka zgjedhur krejt problemet e saj në dëm të qytetarëve.
Atherë kjo protestë e sotmja dhe e ditëve që do pasojnë duhet të unifikohet në nji thirrje të vetme në të cilën bashkohet edhe zëri im dhe në qetësinë ma të plotë mund të them: “Unë protestoj!”
Kjo protestë dëshmon për të parën herë se opinioni publik shqiptar, sensibiliteti i qytetarit shqiptar, vetë qytetari shqiptar po bahet i përgjegjshëm përballë fatit të vet, dhe përballë fatit të vendit të vet. Ma në fund fati i qytetarit dhe fati i vendit të tij janë bashkë, dhe sot ky fat i përbashkët ndodhen nën kërcënim, në nji udhëkryq të rrezikshëm, mbasi politika postdiktaturë në ma të shumtën e rasteve, e ka shpërfillë opinionin qytetar dhe ka vepruar: o në padijeni të opinionit, o në shpërfillje të opinionit. Në të dyja rastet si në padijeni edhe në shpërfillje, janë veprime të cilat në mënyrë sistematike e kanë përjashtuar qytetarin nga e drejta e shprehjes së vullnetit të vet, jashtë konceptit të votës! Sepse partitë politike shqiptare, në momentin që marrin votën nga qytetari fitojnë autoritet absolut të marrjes të të gjitha llojeve të vendimeve, jashtë kontekstit të atyre që e kanë votuar, po edhe të atyre që s’e kanë votuar partinë në pushtet, (thua se ata janë pjesë e një bote që s’u përket atyre).
Pra protesta e sotme, e cila sigurisht do të pasohet edhe nga protesta të tjera, dhe ku është kërkuar në mënyrë specifike dhe të prerë mospjesmarrja e politikës dhe politikanëve, e sidomos këtyre politikanëve të 23 viteve postdiktaturë, mbasi kanë dëshmuar nji pandjeshmëri të thellë ndaj opinionit qytetar! Ata duhet të rrinë sa ma larg kësaj proteste mbasi krejt opinioni i cilëson ata si shkaktarë të kësaj gjendje. Sigurisht në raste të tilla shfaqen edhe tendencat cinike, ku pushteti kërkon të fajsojë opozitën, dhe opozita përpiqet të përfitojë pikë nga vendimarrja e pushtetit, duke mos marrë asnjëra palë barrën e përgjegjsisë, për këtë situatë të rëndë, që e ka krijuar pikërisht ajo: Politika! Duhet të theksohet: se të dyja kanë përgjegjsi të thella, dhe më së pakut të dyja duhet të rrinë në distancë të mjaftueshme për të mos manipuluar opinionet, sepse çdo manipulimi i opinioneve të sotme mund të shkaktojë zhgënjimin e madh, që opinioni publik shqiptar është gjithmonë i interesuar vetëm për opinionet e politikës të cilës ai i përket… dhe aspak për rendimentin politik dhe mirqenien kolektive që prodhojnë partitë e tyre.
Me pak fjalë, e gjej veten në këtë protestë, “kundër çdo mbetjeje kimike në territorin shqiptar” pse e gjej veten qytetar, e gjej veten njeri i shqetësuar për të nesërmen e vendit tim, sepse në të gjitha rrethanat dhe në të gjitha kohrat s’jam pajtuar asnjiherë me të keqen, pavarsisht se mbi kë rëndonte ma fort tehu i kësaj se keqeje. Kujtdo që t’i rëndojë ky teh i së keqes, Unë Protestoj si individ, si qytetar po edhe si intelektual dhe e vendos veten në pozitën e ma të thjeshtit dhe ma të prekurit qytetar prej këtij cinizmi politik, prej kësaj shpërfilljeje fyese që politika shqiptare në vazhdimësi i ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë qytetarit shqiptar.
Unë Protestoj!
14 nëntor 2013

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.