back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

U kruhet fundi i shpinës n’dëshir të nji kulltuku… – Ernest Koliqi i shkruen Karl Gurakuqit

Gazeta

Ernest Koliqi (1903-1975) - Shejzat
Ernest Koliqi (1903-1975) – Shejzat

U kruhet fundi i shpinës n’dëshir të nji kulltuku…

Ernest Koliqi i shkruen Karl Gurakuqit

Pensione Flora – Asiago (Provinca Vicenza)
18-VII-1952
I dashur Karl,
S’ka tri dit qi erdha këtu me familje. Jam si gjymsë i ftuem prej Lodo Pistullit, kushrinit t’em, qi banon në nji qytet afër: në Bassano del Grappa. Vend i freskët Asiago, rrethue me male plot halë. Erë rrëshine ndiehet n’ajr e mushkënit zgjanohen. I solla fëmijt këtu m’u prinë në shëndet e shpresoj se nji muej ndejë në kët rrafshnaltë do t’u bâjë mirë. Ka 20-ta e gushtit do të këthej në Romë.
Edhe un kishem nevojë për pushim në qetësi e në bjeshkë. Jeta plot kuçkarike e Romës më ka lodhë. Kundërshtarët s’po na lanë m’u marrë me punë t’onë, por na përzihen gjithkund. Nuk u mjaftojnë rrogat e majme në dollarë, apartamentat luksoza qi s’i kanë pa as n’ândërr, mikeshat të cilave u bajnë sevda e u blejnë gjoje në vend qi me ndihmue vllazënt në skam, por na vërsulen me tërbim a thue se u kemi nxânë dritën e diellit. E pave numrin e fundit të Flamurit? Kapidanin, Kolë Bibën, Cordinianon e shkretë, t’an e dekun t’Ismailit, e mue na sulmojnë poshtërsisht. I shpallin botës se jem qenë fashista! Po kush e ka mohue? Qëllimi asht tjetërkund: me i a mbushë menden të huejvet të fuqishëm se 7 prilli asht nji krim i kryem nga Gjon, nji Kolë, nji Ernest: nga katolikët. Përmendin Shefqet Vërlacin pse i biri bashkëpunon me ne. Mos të qindronte me ne, do ta zgjidhshin edhe atë fajesh si Mustafa Kruen qi i u përul Zogut, Hasan Dostin pse u nëshkrue në Ball, si njiqind të tjerë qi u kërtylen në të mira në kohën e Italis dhe sot i biejnë mohit. Përpiqen kopilin e trathtis’ me na e lanë në derë të katolicizmit. E përkrahsa në kët shtrembnim të historis kanë mjerisht edhe do priftën katolikë kryekcyem. Druen se heroizmi i krahinave katolike, në kohën më të mënersheme qi kaloi vendi ynë, mos të miret se er parasysh nga të huejët. Atëherë përpiqen me hjedhë baltë mbi prisat e atynë krahinave, Kapidanin e Mirditës dhe Kol Bibën, qi e kanë fitue me gjak të njerzvet të tyne të drejtën me qenë në prijsi të çdo veprimtaris’ kombtare. Nuk lëviz ma ndër shkodranë ai dell krenar qi e ndriti emnin e qytetit t’onë dikur. Përndryshej do t’u çonte dikush me protestue. Kishte m’u lypun qi Kapidanit e Kolë Bibës, çdo shkodran e shqiptar i ndershëm t’i shkruejshin, tue stigmatizue veprën ç’njerëzore të Ballit e tue pohue energjikisht qi kush prekë ata prisa prekë në nderë të maleve, përbuzë flijen e qindra fatosave antikomunistë, mohon burrnin e fisnikërin e rracës sonë, qi ata me plot të drejtë simbolizojnë e përfaqësojnë.
.
Karl Gurakuqi (1895-1971)
Karl Gurakuqi (1895-1971)
Po atyre horave së… nuk do t’u ecin gjithmonë kungulli mbi uj’. Kjo vepër e fundme në vetvete, tregon ligështin se pozitave të tyne pranë të Huejvet qi i mbështesin. Këtyne (të huejvet – shënim i redaksisë); kanë nevojë me iu kujtue se na jem qenë kundërshtarët e demokracis. Shifet se ballistat agrarë janë në dijeni se Blokut (Bllokut Kombëtar Indipendent – shënim i redaksisë) po i naltohen akcjonet. Sidoqoftë, telegramet dërgue Musolinit janë qenë me qindra e jo vetëm tre. Ai i Kapidanit, mbasandej, dihet se asht falsifikue prej Giro-s. Kapidani n’Asemble, qi u mblodh me 12 prill 1939, qe i vetmi qi me guxim i qortoi Italjanët për fjalë të hangme. Tha, mjesa të gjithë prisnim heshteshin, se fjalët ishin qenë me zëvendësue Zogun me nji Princ të Shtëpis Savoja. Po të kishte nënshkrue Kapidani në kallnduer 1939, kërkesën për Viktor Emmanuelin në fron të Shqipnis, si mujte në prill me përmendë premtimin e nji Princi? Në kallnduer 1939, Duçeja nuk e kishte çpikë ende formulën e bashkimit të kunoravve!
Telegrami i em asht autentik, por i drejtuem Duçes me 13 prill, mbas zbarkimit të trupave italjane (7 prill), mbas vendimit t’Asamblesë me i ofrue kunorën e Skandërbeut Mbretit të Italis (12 prill). Prandaj un konfirmohem në gjendje të krijueme, s’kërkoi as ndrrime as ndërhymje. Telegrame si i emi janë nisun me mija nga Shqipnija: prej çdo Bashkije e prej çdo njeriu në nji funkcjon pak si të naltë.
Ata qi shkruejnë kundra nesh, të gjithë kanë veshë divizën fashiste dhe i kanë shërbye regjimit, sot të shamë, deri në ditën e tij të fundit. Asnjani nuk dha dorhjekje. Patriotizmi i tyne filloi kur në Stalingrad Hitleri ngeli. Deri n’at ditë, na u lëvyrshin e na brohoritshin.
Ti e din mirfilli se na këta i kemi pasun në dorë me i asgjansue; përkundrazi u kemi ba nderna, i kemi gradue, ndihmue me bursa e me shpërblime të jashtëzakonshme. Shifi, tashti si sjellen me ne! Mbahen si fituesa të luftës, ndërsa Enveri po e shqynë kombin t’onë, Enveri qi e muer fuqin me ndihmën e këtyne patriotave të mëdhenj! Na, s’paku, bame Shqipnin e Madhe: ngjati pak vjet, po ai fakt i madhnueshëm do të jesi si preçedent në histori të Ballkanit. Ata shka bane? U kruhet fundi i shpinës në dëshir të nji kulltuku. Plasën m’u ulë në nji shkamb sundimi. Kalojnë mbi kufomen e t’et për me arrijtë në nji post ministri!
Po me P. Cordignano-n e shkretë, tash qi ka dekë e hy në dhè, ç’kanë? Ajo punë, q’i ndjemi bani, u harrue. Pse m’ngjallë? Nji artikull, qoftë edhe i pavend, nuk mund të rrzojë vlerën e sa e sa vëllimeve të çmueshme qi pasunojnë studimet albanologjike dhe zdrisin thesarin e kulturës shqiptare. Le qi s’kanë ndiesi në zemër, as për të gjallë as për të dekun, pra nuk u kanë mbetë dy fije tru në kaptinë: të tillë shkrime na ulin para të huejvet dhe lanë gjurmë të damshme në shpirtnat të Shqyptarvet. Ty si të duken këto punë?
Nderime Hannit. Të fala Gilbertit dhe djelmvet aty.
Ty të përqafoj
Ernesti
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.