back to top
13.5 C
Tirana
E martë, 23 Prill, 2024

Tungjatjeta Lazër Radi! Llazar Vero (1992)

Gazeta

Dr. Lazër Radi (1916-1998)
Dr. Lazër Radi (1916-1998)

Lufta mediatike e Dr. Lazër Radit

nga Jozef Radi

Ky shkrim i gazetarit Llazar Vero, u botua me 14 maj të viti 1992 në gazetën e asokoshme “Bashkimi”, dhe i bënte jehonë asaj interviste programatike që Dr. Lazër Radi i kish dhënë gazetës “Zëri i Rinisë” me 2 maj 1992. Intervista në fjalë u lexua dhe u falenderua mjaft, dhe mund të konsiderohet ndër ma koherenten dhe ma largpamset që nji i përndjekur politik, mbas nji gjysëm shekulli persekutim sistematik, i ka dhënë shtypin shqiptar… Por, mbas këtij shkrimi mjaft promovues dhe falenderues të gazetari Llazar Vero, falangat komuniste do të përgatiteshin për nji sulm frontal, të paskrupullt e të paprinciptë ndaj Dr. Lazër Radit… po ajo çka mbetet ma interesantja, shumica e këtyre shkrimeve dhe fyerjeve, edhe pse u shfaqën me nji larmi emrash (të gjitha pseudonime!!) janë pothuaj të nji dore, të nji stili dhe sigurisht të nji personazhi mjaft të njohur të letrave të zeza: nji sigurimsi klasik… në shenjestër të të cilit kishte qenë për shumë vite Mërgata Shqiptare, e në veçanti “Mërgata Intelektuale Shqiptare…” 
Në vazhdimësi, do të përpiqem t’i paraqes të gjitha këto shkrime, kët paftyrësi akuzash cinike nga më të ulta, ku Kryqzata e Kuqe, do të shfaqesh fillimisht përmes Kryegazetës së Krimit Shtetëror: “Zërit të Popullit” dhe do të pasohesh nga lukunia e klyshkave të saj, të cilat përdoreshin si pisqolla kaubojsash prej komunistëve të thekur dhe sigurimsave të rafinuar, siç ishte personazhi në fjalë… të cilëve Dr. Lazer Radi iu përgjigj jo vetëm haptas dhe me dinjitet, po edhe në shpërfillje të plotë të atij llumi të shumtë që ata po derdhnin gjithkah mbi të…
Dr. Lazër Radi mbas kësaj, vazhdoi të shkruajë pa u ndalë, për Koliqët: (Ernest dhe Mikel), për Fishtën, Vinçenc Prennushin, Fiqiri Dinen, Mirash Ivanajn, Dom Ndre Zadejën, Lazër Shantojën, Musine Kokalarin, Ndue Vorfin, Selman Ndreun, Taf Përvizin, për Kosovën, për Gjyqin Special, për Migjenin, për Shkodrën, për komunitetin Mysliman… nji pafundësi shkrimesh dhe intervistash, që mbeten dokumente të gjalla, duke dëshmuar se sa i paepur qëndronte Ai përballë kësaj lukunie ujqish të regjur qimekuq… dhe me sa për zemër e kishte Ai çeshtjen e emancipimit dhe tolerancës të kulturës në mediat shqiptare, dhe çeshtjen kombtare…
Kanë kaluar, më shumë se dy dekada prej këtyre sulmeve, por jo çka vlen të nënvizohet prej gjithë kësaj historie, është fakti se për ta çuar përpara të vërtetën duhet shumë forcë, shumë kurajo dhe shumë dinjitet… dhe Dr. Lazër Radi (edhe pse ishte 77 vjeç në at kohë), dëshmoi se kishte edhe forcën edhe kurajon, po mbi të gjitha kishte dinjitet të lartë për ta vazhduar deri në fund… betejën ma të madhe të jetës së vet…
19 qershor 2013

Gazetari Llazar Vero
Gazetari Llazar Vero

Tungjatjeta Lazër Radi!

nga Llazar Vero (1992)

Të shtunën, më 3 maj, në mëngjes u njoha me një Njeri, me një shqiptar, me një intelektual, me një patriot… Ma prezantoi gazeta “Zëri i Rinisë”. I falemnderit…!
Shumë mendime më zgjuat me fjalët tuaja Dr. Lazër Radi. Tani më shumë se kurrë, kemi nevojë për fjalën e njëri tjetrit, për fjalën e urtë dhe të mençur. As shqiptarin e mërguar, që ka mbi shpinë përvojën e botës me të cilën duam të bashkohemi, dhe dashurinë për mëmëdheun, as mikun e huaj që të jep një këshillë të çmuar, as vëllain që të thotë se pa rend, pa rregull dhe pa punë nuk bëhet asgjë, as mikun e ditur që të thotë, se më parë se të kërkosh se çbëjnë të tjerët për ty, kërko se çfarë bën ti për vete! Nuk duam të dëgjojmë as dijetarin tonë, që thotë se së pari duhet të merremi vesh mes vedi, as atë njeriun e thjeshtë që thotë i bindur se të mirat nuk vijnë në një ditë, se ato duan më shumë punë e djersë.
Nuk jam kundër kërkujt që do të flasë, por po shoh që flasin më shumë ata që nuk dinë dhe heshtin ata që dinë: po flasin e po shkruajnë më shumë ata që flisnin dhe shkruanin dje dhe nuk po u lënë rradhë atyre që iu ndalua kjo gjë: po flasin e shkruajnë: siç thoni ju Dr. Lazri “të përkëdhelurit dhe mediokrit e djeshëm!”
 Nuk kam ç’tu them tjetër: Flisni e shkruani çfarë të doni, por për kapitullin e vuajtjeve le t’ia lemë radhën Lazrit me shokë…
Të gjitha këto mendimi m’i zgjuan fjalët tuaja Dr. Lazri: “Heshtja në kohën e diktaturave është diçka krejt normale dhe e zakontë, por heshtja me të cilën të mbulon edhe demokracia është e tmerrshme… Të dalësh nga Heshtja duke ulëritur, duke kërkuar të ngjitesh në piedestal persekutimin tënd, nuk më duket diçka e arsyeshme për cilindo intelektual… Sot për mendimin tim, flamurin e persekutimit, kanë nisur ta ngrenë lartë të përkëdhelurit, ose mediokrët e djeshëm… Prandaj kam zgjedhur heshtjen përballë kësaj lufte, ku shumkush rreket të mbajë flamurin…” Nuk ka si t’i shpëtosh këtij gjykimi, ti profesor i Luftës së Klasave, ti shef me spaleta, ti studiues a shkencëtar, ti qytetar i përkedhelur midis të mjerëve dhe aristokrat midis njerzëve si Dr. Lazër Radi… Ai të flet të gjykon me përvojën e pasur e të hidhur të njeriut që e mati deri në fund thellësinë e pusit të mjerimit dhe të vuajtjeve dhe përsëri qëndron dinjitoz si shqiptar… Me guxim, me thjeshtësi, me dinjitet… ai që provoi burgun dhe internimet e panumërta për dekada të tëra thotë vetëm kaq: “Nëse është një kor i madh i përmasave të një populli që akuzon dhimbshëm, unë jam vetëm një zë i këtij kori…” Flet kështu njeriu që në çdo kohë mund të buçiste dhe të tjerët të heshtnin… Po ku të lenë zilkat të dëgjohen këmborët dhe këmbanat…!?

Dr. Ymer Dishnica - Prof. Hazir Shala - Dr. Lazër Radi - Krujë 1996
Dr. Ymer Dishnica – Prof. Hazir Shala – Dr. Lazër Radi – Krujë 1996

Ju, i nderuar zoti Lazër, e bashkoni thjesht, me bindje dhe mençuri veten në këtë kor, dhe me po kaq thjeshtësi thoni: “Sot kam dëshirë që gjithnjë e më pak të flas për këtë kohë, në mënyrë që vetë heshtja të japë përmasat e një largësie sa më të madhe…” Nuk pritët ditën që do të bënit aktakuzën mbi padrejtësinë duke mbrujtur brenda vetes vetëm urrejtjen, hakmarrjen, por prisje ditën e realizimit të shpresës tënde demokratike. Dy tre libra me poezi, disa studime dhe përkthime nga gjuhë të ndryshme, kujtime, etjerë… nuk janë pak… Pa e ditur se ç’vlera kanë, përsëri për punën tënde, për shpresën tënde flasin edhe më shumë…
 “Sot është koha e provës dhe e aftësive… Nuk mendoj se ka fitimtarë dhe të humbur… të gjithë jemi fitimtarë nëse do të dimë të drejtojmë kët anije brigjeve të Europës… Fitimtarët janë përballë provës, të mundurit përballë si Opozitë. E domosdoshme është konvergimi i të dyjave palëve në interes të popullit! Duhen luftuar formalizmat dhe përpjestimi dhe të futen realisht në punë individë kompetentë dhe të aftë për të përballuar detyrat e mëdha të kohës…“
Po Ju citoj së tepërmi Zoti Lazër, sepse s’e kam bërë kurrë më parë. I kam gjurmuar fjalët e mençura të njerzve të thjeshtë. Aty është përvoja dhe kultura e njeriut, e njerit dinjitoz, por sot në fjalët e tua gjeta përgjigjen e sinqertë të shumë problemeve, që nga ato të një rëndësie kombëtare, e deri te çeshtjet e ditës, të punës së Parlamentit tonë të ri, të vendimeve më të fundit të tij… Gjeta shpirtin e nji patrioti që e ndjen shqetësimin në çdo qelizë të jetës së popullit… Fjalët tuaja nuk kanë nevojë për koment. Ato janë gjithë tharmë e mençuri… flet mendja dhe zemra bashkë. ato janë të mbrujtura me shpresën e madhe: “Sot besoj se nji ditë jo të largët ta shoh edhe Shqipërinë e vërtetë! Kjo kërkon jo vetëm durim e qëndresë, por duhet të përgatiten edhe kushtet e kësaj dites. Nëse do t’i japim shpejt trajtën shtetit demokratik, nëse do të arrijmë t’i forcojmë lidhjet tona me botën, nëse do të merremi vesh mes vedi, kjo ëndërr e trazuar do të jetë pranë realizimit… Kësaj ëndrre sot i kam kushtuar gjithë energjitë e mia!…”
Ky është nji mesazh i vërtetë atdhetarie…
Fjalën e zemrës dhe të shpirtit të një patrioti të vërtetë, e një njeriu me kulturë, të përndjekur dhe të persekutuar, dëgjoje dhe lexoje i dashur lexues…
Ato janë një pasuri me vlerë…
Të falemnderit dhe Tungjatjeta Dr. Lazër Radi!
Gazeta Bashkimi, 14 maj 1992

Related Images:

More articles

5 KOMENTET

  1. Pjetër Delia
    Duke parë këtë fotografi, kushdo që e ka njohur dhe jetuar me të ndihet krenar… edhe pse nuk është më fizikisht, ai jeton me ne, sepse është rrënjosë në ideologjinë tonë… lindi i lirë, jetoi i persekutuar dhe vdiq i lirë…
    (marrë nga muri i fb, 20 shkurt 2014)

  2. Të faleminderit zoti Jozef Radi!
    E kujtoj me respekt atin tuaj të nderuar edhe sot pas gati 22 vitesh.
    Të nesërmen e botimit të shkrimit, ai trokiti në zyrën time në gazetën “Bashkimi” dhe pasi u përshëndetëm mv pyeti nëse mund të pinim një kafe së bashku. Zbritëm në klubin e gazetarëve dhe biseduam për rreth një orë sv bashku.
    Nuk e harroj atë ditë. Me respekt, Llazar Vero

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.