Tuj shkelë gastare yjesh… nga Jozef Radi

Jozef Radi 2015

Jozef Radi 2015

Tuj shkelë gastare yjesh…

nga Jozef Radi

(skicë për nji poemë të nesërme)

Ata që dashurojnë s’pjestojnë asgja me botën,
pse ata vetë janë botë jashtë bote
Tjetër s’kërkojnë veç tjetrin te vedi
tjetër s’dhurojnë veç vedin te tjetri…
Ata s’kanë kurrë kohë me hupë ndër data të përlyeme kalendarësh
dhe as i rrijnë n’pritë ndonji dhurate –
pse ata vetë janë dhurata hyjnore n’pritje…

S’përfjalem me ata që recitojnë dashni n’jehona teatri,
as për ata që e shkruejnë emnin e saj
me gërma kapitale pa zbardhë drita,
hiç e hiç atyne që ju derdhet i kuqi i buzve
ndër drandofille letre
e shpallen fitimtarë t’nji beteje që s’mbaron kurrë…
Ata s’janë veç pikza shiu, që shpërfillin dritën
o pikla nafte që rreken me i dhanë ngjyra nji liqeni alpin…

Janë po njata që vezullojnë çdo Shën Valentin,
sikur nguten buje me e trembë Shën Shejtanin
që ua ka mbushë barkun e sakatue shpirtin…
njashtu si dje ai amerikan i rishtë i jetës sime
që mbasi ia nisi me postë tufën e luleve
dashnisë se vet dymijë e sa kilometra larg
s’mujt me i grahë makinës pa e thanë fjalën Bitch!!
Oh, sa m’trishtuen njato lule që s’mujshin me folë…!

Meditime dashnie...

Meditime dashnie…

Dhe kujtova se dikur edhe unë kam dashtë
kam dashtë aq shumë sa s’dijsha me e lexue as vedin si duhet,
ndërdyshesha ndër fjalë ma të lehta se ajri
e vrapoja ndër shikime ma të shpejta se drita
me e thanë çka kurrë s’thuhet e plotë
me derdhë prej shpirti çka kurrë s’shterret…
Dhe shkrueja me bukurshkrim dashnie
letra që s’patën kurrë përgjigje…
pse dashnisë s’i nevojitet nji përgjigje – po veç nji gjest!
pse dashnia asht nji vetvedi që udhëton pa nji adresë të saktë
dhe pa nji kthim kurrë mbrapsht…
Edhe nëse kemi dhanë gjithçka – asht veç pak prej asaj çka asht ndër ne…
Dhe sot kqyri seri ata që luten ndër Shën Valentina
me iu dhanë nji ftyrë njiqind ftyrave e paftyra të dashnisë së tyne…

Dhe vazhdoj me ecë majgishtash ndër terre mesnate
dhe vazhdoj me shkelë ndër gastare yjesh e pluhun hane,
dhe vazhdoj mos me e kuptue nëse duhet mbrritë diku
a me ecë përjetsisht përtej çdo andrre…

E trishtohem, si mundet dashnia me nji ditë të vetme
si mundet asaj me i mjaftue nji shenjtor mbrojtës
kur çdo sekondë e kësaj jete dashni duhet të jetë
e çdonjeni prej nesh ma i madhi shenjtor i dashnisë së vet…

Jo shpirti i askujt s’ka nevojë për shenjtën
Ajo vetë asht shenjtore që zbathun ecën përmbi ujna
Dhe ne mbas saj majgishtash ndër terre nate
vazhdojmë e shkelim ndër gastare yj’sh e pluhun hane

Florida, shkurt 2015

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare, Poezia  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook