back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Tue kujtue Át Gjergj Fishtën nga Gjin Duka (at Daniel Gjeçaj)

Gazeta

At Gjergj Fishta (1871-1940)
At Gjergj Fishta (1871-1940)

Tue kujtue Át Gjergj Fishtën

nga Gjin Duka (at Daniel Gjeçaj)

Në kujtim të shtatëmbëdhetë vjetorit të dekës të Poetit kombtár

(“Shêjzat” vj. I, nr. 4-5, 1957)

At Daniel Gjecaj (1913-2002)
At Daniel Gjecaj (1913-2002)

Shtatëmbëdhetë dimna kaluen, që se në dimën na la. Dimnat u shndërruen e pranëvera mâ s’na gëzoi.
Kujtoi Poeti, lodhun prej lëngatës, se bora cegëmprûse e asaj nade së hidhët të dhetorit ishte petkdarsmuer në trupin e hijëshëm të Rozafës dhe prej së shtruemes duel me e pá. Çili xhamat e kristalizuem prej akullit e shpijat kundroi pullazlpêta, mbytun më nji dét ngjyrë tambli. U knaq prej ajrit t’agsholit acar. Për tê ishte i mrami agim i tokës, qi e lindi e qi aq fort e desht. U rrxue rishtas në shtroje të bardhë e varrëvet morale, qi zemren ia kishin këputë, i u shtuen varrêt trupnore të jetës në prendim. Nuk u çue mâ. Në rektimet e mrame, në luftën e trupit vigâ me të kerthnestit, qi shkimej, diftoi, si perherë, qetsí shpirtnore. Mendoi trishtueshem deken, qi aq gjâll pershkrou në Burrnija e i u dha të terhiqte shtatin vjelltas për t’i pshtuem, por u tyrpnue prej ligshtís njerzore e tha: “Vetëm s’përkulet para dekës njaj trimi, n’zemer të cillit nuk randojn punë t’liga!”. E kuptoi tashmâ Kangatari arbnuer se motra dekë e Kangatarit asizjan ishte te kryet e e priti me buzëqeshje t’i a çilte dyert e vrrîjeve, qi s’veshken as nëmjes të kataklizmit të rruxullimit në Ditën e gjyqit. Kllapít e bân me këndue në jerm me vargun poetik. Pëshpëriti cungueshëm Marash Uca e Dedë Gjo’ Lula, Tringa e Pater Gjona, Oso Kuka e Ali Pasha, Jerina e Makabej.
Ju gjâ se shtegu i jetës n’udhtim ishte si ai i popullit të zgjedhun kah toka e premtueme. Lypi nji dorë të fuqijshme, qi tallazet kërcnuese të detit të pështjelluem t’ia dajte dysh e raven t’i a çilte përpara Gurrave t’Jordanit mistik për të kaluem pa të vështirë n’atdhén e dishruem. Dhimat e trupit të vet i krahasoi me ato të Mater Dolorosa e shtratin e dekës e zbuti me rruezat kokerrmdhá, të cillat deri në përhjekje të mrame suell nepër duer tuj përsritë belbzueshëm fjalët, qi shum vjet përpara i pat drejtuem Nanës së Zotit: “Birin tand për né Ti lute – mnín e Tij mbi né deh, zbute – qi n’Parriz t’gzojm t’bardhin fat…”.
Si babë i njaj familje patriarkale, plot djelm e nipa, të cillt vetë i mirërriti e perherë i desht, dëshroi me i pasë afër të rit e Provincës së vet shqiptare. Zhgunat ngjyrëmurrtë e rrethuen, rituem prej lotsh, nësá syt e tatës së letrave arbnore shëndriten si dikúr, kúr në ta përftyrohej zhenija e jeta në mâ të mirën kohë, fuqija e vrulli dinamik në kulmin e veprimit. Të rivet Fishta u la testamendin e mramë: “Duenje Zotin e Shqipnín, duenje Provincen e shoqisho’in, punoni s’bashkut për Atme e për popull: ky qe programi em, ky ideali i jetës, ky trinejshi, të cillin gjâ s’e këputë: Fé – Atdhé – Përparim!”.
Pat shum me thanë mbas, por gjuha s’i ndigjoi të vazhdojë e lypi pushim deri të nesermen. E nesermja s’e xuni. Diq at natë të paharrueshme të 30 Dhetorit 1940.
Në qiellën e zymtë të njaj toke, qi për kufij të trashiguem ka Tivarin e robnuem e Gusîn Shqiptare, Karadakun kreshnik e Shkupin e bjerrun, Monastirin e grabitun e Prevezën e qytetnueme, nji zâ u ndie si vigëm vajtuese në kalim. Në shkrepin e Troshanit, qi fushën e Zadrimës kundron, nji shkamb u rrxue e Kreshta e Maja e Velës ushtoi deri në kalân e Lezhës e atê të qytetit të Gencit. Deçiqi u dridh shi prej themelit e Biga e Shalës u trand. Ishin këto shêje qi vetëm zi niellëshin e kob të madh diftojshin.
Zani u hap si vetima e rriba e verit, qi prej shpellës së Katallâjve del e jetën e mrrudhë, nji fjalë shqiptoi si kushtrim: Fishta ka dekë. U shtërnguen atbotë gjamatarët e kombit e fiset e tana rrân rreth tij. Lahutat zâpermâllshme Poetët e Shqipnis mê nji i ujdisën e te kryet e të madhit Orfé, shtrî në drrasë, në log të Shkodërloces zûn me vajtuem mâ mirëse vajtoret në ruba të zeza mbulue. Kalin e lahutës fishtjane prej dihamësh e thyen, zhargun e kopen e qimet tubëkal i lik përmjet i këputen Koliqat e Poradecat, Çajupat e Floqat.

At Gjergj Fishta - Poradeci - Koliqi - Asdreni
At Gjergj Fishta – Poradeci – Koliqi – Asdreni

Mbi trup të tij të ftofun përmys u lëshuen e s’dijten me u çue vllazënt e vet: e Prennusha e Palaj e Zadêja e Shantoja e Harapa e Bardha e Kurta e Gazulla…
Prej malesh u dorgjen varg e vistër gjamatarët tjerë e Korçë e Gjinokaster, Prizrend e Pejë, Gusî e Ljarje njizanit britën tuj u gerdhishtë ilirçe: “I mjeri unë o tatë, shtyllë e Kombit e nderë e letrave shqiptare, i mjeri un ó!” Gjoksin e çeliktë, jelekçilët, e rrahi arbnori e lot e gjak fytyrën e bronxtë i a mbuluen, përsè në jeté kush mâ s’po jitte hallet me ia këndue si ai e trimnin me ia endë aq rrjedhshëm.
Me Fishtën Zana epike e Shqîpnis heshti e rojë vorrit ajo rreshtmira iu bâ, deri sa nji pinjuell i rímos të bîjë në vorr të tij e penden uhâ t’ia mârrë.
Me folë mbi Fishtën duhet nji Fishtë.
Na qi mbas tij tepruem, na qi gjall e njoftëm e me të jetuem, belbzojm para fëtyrës së tij vigane. Mbi vorr të tij të dhunuem – heu kob! – prej vetë Shqiptarëvet bastardha përvjete lot derdhim, kesh eshtent me ia zbutë para mnís barbare e zhgunin e bekuem, të përlloçun prej trathtarëvet, me ia lá. Drekë vaji përvjet përmállshëm ngrehim, e Arbnorët fat-paktë i grishim gjamën për me përsritë para petkut të Fratit të Madh, qi në mjes të zhgunave tjerë të përgjakun na janë dishmí e kjartë se i Bekuemi i Malit keqas âsht dhetue e se votra e kulturës ilirjane hurdhë gjaku âsht bâ e mjera dhe pa Uratë ka mbetë.
Do njerz perjudha historije bâjn e të mdhaj i quen njerzimi. Brêznitë pështeten mbi ta e gjurmët e tyne ndjekin. Në qiell të kombit të vet porsi kometë udhtojn e mrapa lân shllunga drite. Shtegun ia kallxojn nipnís kah lumnija e përparimi. Terrinat, ku populli i pasugurtë luhat për t’u përspjetë ke caku, ata i zhdavarisin e Hyllin e Dritës lajmojn. Daltë-ambel, si Fidia, bâhen e trajtën vizëpreme atdheut ia apin. Në farkë të vet tushjane çelik të kulluet veç shkrîjn e idén kombtare mirë e përcaktojn dhe me shembuj e shkrime fuqijshëm e mbathin.
I tillë âsht Fishta.
Leu e u rrit kur në kazân të Ballkanit elementat heterogen vlojshin, ziejshin, gufojshin per të dalun në vedi prej enës së ndryshkun me gjak të Turkis së vjetrueme. Ndjeu, që në fmini, kumbimet e harpës Leonardjane e u mallëngjye prej zanit të sajë. U preke tha: në Lahutë kam për ta kthye ketë harpë, përsè tek na lahutës din me i ra ilirasi. U edukue atje ku “axha” Pater, simbol i qe njai populli mbarë, trim e maluer e i fortë si ai i yni. “Guslen” atje shijoi e kangët rresht per rresht i nëxuni të Kaçiqave e Martiqave si ato Vukonjanet. Dishka të përbashkët më togjet, persè edhe këta Ilirë u quejtën motit e të njajtat ndjenja patën. Por këto, zemrën s’ia ngîn as afshin s’ia shafiten. Shllimet e tyne ndër vargje të mâvona ndoq, por shpirtin u a dha të vetin, qi as tij nuk qe, por i Shqiptarit.
I ambël e tingllues iu duk për vesh të tij të prehtë vargnimi i klasikëve të lashtë dhe shkrimet e tyne i shijoi si fmija fëtyrëqeshun tamblin e nanës. S’u vû me ua gjâ, persè as Homeri as Virgili, as Horaci as Ovidi krejt s’e ngîn dhe unshëm prej sofrës së tyne u çue. Ndër ta as burrnín s’e gjet të tirqve iliro-trakë, as virtytet e xhubletës tringëjane, as hieshínë e pastër të Tanushës, as fisnikín e mikpritjen thjesht arjane, as besën malore shkamb, as trimnín orteg, as doket tona shêjte, kahmot të trashigueme.
Mitologjín e të vjetërvet me ande kulloti, por fëtyrat e zotave me vese e epshe hyjnore nder ta e lodhen. Hieje të zbéta iu gjân hyjnit e Olimpít para Orëve e Zanave të Deçiqit, Vizitorit a Veleçikut, para Katallâjve synja e kulshedrave të Bigës, para drangojve të Dukagjinit orëmadh e shtojzovalleve, para floçkave shkumbuese e shauretave të përfrigueshëm të kangëvet tona popullore e prrallave kombtare. I squet, si i squet âsht zogu i Shqiptarit, formë të préme muer e kusht e bâni këto me i përshkrue në Lahutë, uhâ pá marrë kund njeti…
Tipa kërkoi At Gjergji ndër të mdhajt e letrave botnore, qi kohës së tij mâ larg a afër i rrijnë. U bind para bukurís së pamrrîjshme, me të cillën zhenit e shekujvet i paraqiten herojtë e vet. Drita e tyne, qi kavaljetet përshkoi pa u zbé, nuk ia muer syt as nuk e topiti. Pendën prej tute dore s’e lëshoi as kurr gjuha amnore e vorfën s’i u duk për t’u kapun nalt në Parnas të poetëvet. Në Jutbinën rapsodike, si në kangët trimnije qi n’unakë votrash shqiptare janë shkrue me zjarm, të papáshme për sy, por të ndieshme për veshë e të prekëshme nga shpirti, herojt e Lahutës i dau, e në burra u ndesh, sa lakmi mos me i a pasun Akilave as Uliksave, Djomedave as Hektorave, Eneave as Agamemnonave. Edda-n s’e njofti rapsodi ynë – tha Fishta lahutár – as Shahnamen s’e lexoi kurr në jetë, si s’dijti se në botë Nibelungen ká, Mahabharata a Rigveda, Fingar a por Chanson de Roland e prá si ata këndoi Gjeto Basho Muja e Gjergj Eleza e Osman Dizdara e Ajkuna e Omera. Pranë tij do të ndalem e në gurren e letrave shqiptare etshem kam për t’u ulë me pí. Do të harroj Dante e Petrarca, Tasso e Karduça, Miltona e Metastasa, Goethe e Shilera, Klopstoka e Viktor Hugo, Lamartine e Corneille, Manzona e Calderóna dhe shkrimet do të filloi aty, ku të mdhajt nisen të mdhaj me u njehë.
E ia duelë mâ së miri.

Lahuta e Malcis - anglisht
Lahuta e Malcis – anglisht

Lahutën Frati aq mirë e ujdisi, harkun asaj aq ambël ia lakoi dhe gishtat aq thekshëm e fortë ia dridhi, sá tingujt e saj përkoi zana baras me kangën e msuesave të mdhaj të letrave botnore, qi rrugë të gjata kavaljetësh rrahën para tij e nga miljona njerzsh u lindën.
Por Lahutës Fishta nuk ia ndrroi natyrën as vjolin, as harpë, kitarë as violonçel, s’e bâni.
Këtu âsht zhenija e Fishtës dhe këtu madhnija.
Njimend nji tjetër si ai mâ bukur do të kishte mujtë me shkrue dhe zanet mâ ambël do t’kishte mujtê me i limue në varg, por kurr Lahutë shqiptare vepra s’do t’i kishte dalë pa drûn e xjerrun në mal dhe mjeshtrín e msue me dhenë si ai dhe mrapa me këndue.
Porsi nji arkeolog i preftë, qi n’angrra të tokës popuj të harruem kërkon dhe qytetní të prendueme zbulon e me copa rrasash të gjetuna, me daltina të shkrueme, vegsha e poça të thyem, briçakë e heshta të ndryshkuna, trupore, gjymtyrësh e krenash cungue, nji histori të lumnueshme endë, ashtu At Fishta në popullin e vet të harruem elementa të parë kërkoi, dhe, shka mâ t’ambël në gjuhë fshatari pat e mâ fisnik ndër doke, më nji e ujdisi. Atje në male të vrashta të Veriut, ku pullazet pishore kulmhjelltë tym të bardhë veç qesin, ku fyelli bjen dhe lahuta këndon, ku lulet Skanderbeg nën borë, qi dêhet, çilin; atje ku zhguni vekatár del prej vajanicës mâ i bardhë se endi dhe burrnín e mbulon të malsorit, atje ku xhubleta si kaçota e halëvet e mshehë fisnikínë e Juditave shqiptare, me mjaltë si bleta dyllin e bekuem Auktori i Lahutës e mblodh dhe nji qiri të madh kulaç, shum okësh, në votër t’atdheut e ndezi, qi mâ përjetë s’do të shkimbet. Atje ku Kukelat shtathalë pushkën në krah e mbajtën dhe të lirë u ruejtën, ku blegtori ushtár dhe bulku strateg kangës përherë ia tha “tërthorçe e majekrahit”, ku Kanuni i Lekës u ruejtë dhe doket e tatave u mbajten mâ mirë se ligjet rrasore të Romës, ku urtíja në log të kuvendit shteg xû, ku baruti i zi e gjaku kufîjt e Arbnís i ruejti, Fishta xû gjuhën, muer uhâ frazeologjínë, mësoi gjallsín, e rrjedhshmenín natyrore, bani të vetat doket, përvehtësoi trimnín, guximin, dashunín për lirí e vatan, krenín shpirtnore, qindresen e vrrullin vullkanik të rracës ilirjane.
Kush jetën e At Gjergjit kundron, nji gjâ i bjen në sy me’i herë. Në misjonin e tij letrár as Iravniku aq s’i viejti as Sutiska as Livno as Bosnja marë, sa Famullija e parë Gomsiqja. Aty, ku i pavdekshmi Gjeçov rreshtoj të parat neje të kanunit doketár, Poeti shkrou të parat vargje t’Epopés Kombtare. E prej sè shkrimtari âsht aq mâ imadh, sa mâ ngjat t’i afrohet shpirtit të popullit të vet dhe këtê picak e të pâzhigla t’a paraqesë ndër shkrola, prandej i Fishta si vedin mbi shkrimtarë tjerë naltoi, persè shqiptarçe shkroi e popullorçe këndoi. Vetëm në ketë drejtim emnin e përjetsoi dhe në zemer të Shqiptarit me germa t’arta e shkroi, deri sá kjo zemër për Shqipní të rrahë.

Maska e Vdekjes së At Gjergj Fishtës
Maska e Vdekjes së At Gjergj Fishtës

Kangët e para Fishta, fshatit ia vuedh dhe fshatarëve ia dha. Fshatarët i mueren dhe të vetat i bân, persè të vetat ishin. S’dijtën me i da se që auktuer i qiti, por përmendsh i nxûn, si uratën, e malet e fushat, e bjeshka e vrrini, e kullat e stanet, votrat e mrizet me to ushtuen. Te qorrat e Kolgécat – larg permendë nder né – malacakvet u shkoi mendja, por u kujtuen me’i herë se në “xhebehane t’Osos” si në shkollen e “Mashit”, në burrnín e “Alís” si n’urtín e “Abdylit”, në trimnín e “Dedës” a në zemren e “Patër Gjonit”, në vajin e “Turkinës” a në fisnikín e “Tringës” nji dorë e msueme punoi, qi shkollare ishte.
Ishem krejt fëmí. Barí i vogël me çobâj të rritshëm e kalojshem ditën. Aso heret – në vjetën e largtë të 1923 – pak kushi ndër né të malit dijte me lexue. Mâ pak shkrolat me i qitë në letër. Të dijshëm e mbajshim, na blegtorët, vetëm atê qi te frati kish msue e librat me i shfletsue dijte. Më kujtohet, si sot, se njani ndër né na lexojte Lahutën, nësá dhít mallojshin zhareve a në hije mrizojshin. Vështrojshim me ande dhe fjalët i përpîjshim. Mbrapa rresht për rresht i përsritëshim. Dikúr ndër të mdhaj u nxé kuvendi. Te kangatari e kishin, qi kangët i kishte qitë. Fishtën përmendshin atëherë, për mue të panjoftun, por në godi s’bijshin të mdhajt, a ai do t’ishte a por ndo’i tjetër prej lahutarëve tanë. Dikúr u lidhen me baz dhe Fratin e fshatit per të pëvetë e dán, qi gjithshka din dhe petkun të përshtatshëm s’e ká me gënjye as me trathtue. E diellja erdh dhe Meshtarin pvetëm, Vetem atëherë barít xunë besë se kalemi i shkollarit aq mirë po mujte me e qitë dhe pastër me e përshkrue shpirtin e Shqiptarit.
Nji fenomen të bindshëm paraqet fshatari ynë, kandár i saktë dhe këcim shpejtë në peshën e shkrimtarit. Ai âsht letrâr i lindun dhe i pastër si fiskaja e krojeve, ku zanat rrijnë dhe lahen, kúr kush mos të jetë përbrî. Midja e tij letrare mallin e huej s’e bluen dhe, kur asaj s’i përshtatet, fjalë e frazë ndrron a por m’anesh e lên, për mos ta përçapun mâ.
Me shkrimet e Fishtës s’ndodhë këta.
Ato pêsëdhetë vjet po i kapin, qi ndër male e fusha këndohen, por germë s’u âsht hjekë as fraze ndrrue.
Kjo âsht vlera e shkrimtarit.

Pllaka te Varri i Fishtës
Pllaka te Varri i Fishtës

Kushdo i huej ai yni, sot a në t’ardhshmen, ka për t’u mârrë me Lahutë dhe me kandarin kritik a me shijen estetike ka për t’u vû me studjue në tê ata shka në rrymën e shekullit atomik shkon tuj u zhdukë ndër né: karakterin e Shqiptarit, temperamentin e tij, doket gjyshore, jetën private a të fisit, besimet, kanunin, virtytet, mentalitetin, zêjtorín baritore a bujqsínë, shkallën e qytetnís, etj., ka për të hetue pa të vështir nji gjâ: shpirtin dallues të nji kombi, i cilli në tana shfaqjet e veta jeton, lufton e des për nji ideal: për lirínë e vendit. Kjo âsht arsyeja, për të cillën Fishta – në poemin e vet dashtas per protagonist veprimi s’zguedh bajrak as vehtje, por Kombin marë.
Burrat e Shqipnís i mlodh prej katër anëvet e armë të çelikta e urtí e fjalë e pendë e Besë arbnore e dashuní vllaznore e gaz e vâj në gojë a dorë u vuni. Mjeshtër si ai, këta elementa më njâ i gërshetoi dhe mâ mirë i rradhiti se vetë vektarja dorëartë pëlhurën. Të purpurt fijen e parë e ngrehi dhe me lirí e mbylli, me njat lirí, qi në Vlonë u çpallë mâ së pari e fund i qe Poemit. E këtu shkollë kombtare u bâ Lahuta dhe mësues mbi mësuesa duel Shkrimtari.
Ndërgjegjen e Kombit mirë e përcaktoi, atëherë kur vështír me i dhanë formë të préme ishte. Për tê s’pat gogë as kaurra, s’pat turq as llatin: pat vetëm vllazën nji nane e nji trungu qi bota Shqiptarë i quen.
Themelet mbi shkambij katallâjo-ilirë të rracës arjane, mbi doke e gjuhë arbnore, qi shekujvet kërcnuesa me vnér e gjak u qindruen, ndiesísë kombtare ia vuni dhe gurt koçekë me bashkim e dashuní, me vllaznim e bashkëveprim i lidhi. S’ishte punë e lét as mahí poetësh puna e fillueme. S’qe i vetëm Fishta në ndërtim, persè kullë vetëm kush s’bân, as çardak s’ngrehet pá tjerë, por dibranë si atê vonë e vonë Shqipnija ka për të qitë.
Jo veç në Lahutë, por ndërshkrime tana mní e inád vllaznuer, fanatizëm qorr e dasí zhgatrruese, ndjenja krahinore e demelí e vese e ngatrresa e ligshtí të vullnetshme në forum të vet zharritës i shtîni e i dogj porsi digjen bangat e frashnís së krahishtueme kúr me tërfurq hiedhën në furrën e gëlqeres së kállun.
Qau me “Lot gjakut”, kúr padrejtsija e të mdhajvet dhe dhuna e të fortvet Hot e Grudë, Plavë e Gusî, Kosovë e Çamërí prej trupit t’Atdheut i dau; kushtrimin e lëshoi në marë Kombin me vigëm të pikllueshme lajmtari në “Mbaroi Malsija”; më Zot iu përbetue vllazenvet pushkën për ta lanë ndër veti e në mburojë të kufîjvet për ta përdorë; më topuz t’arsyes u ndei gati anmiqvet dhe shtatë pash nën dhé i shtini; fishkull thanë në Parnas ai nzuer dhe mistrecat kulima me tê i ndoq, sa herë këta gardhijeve a hiejes vere e vere veç bâjshin, kesh themelet me i agrisë bashkimit shêjt kombtár a por qytetní me i dhanë korës së ré, qi qytetní nuk ishte. “Anzat” ua lëshoi në shpinë pseudoatdhetarëvet rrenaakë dhe në “Gomar të Babatasit” i vuni pá samár, pá plis, pá thes dhe rrugavet të Shqipnísi stërkati trokçe derisa qefit i duelen vedit e kambët mâ s’i mbajtën ; dashunín për gjuhë ua shtîni atyne, qi turp u vite me folë në gjuhë të parvet dhe kordhat e harpës në “Gjuha Shqipe” aq mirë i preku, sá kumbim me dhanë tingllues e t’ambël për vesh të që do klasiku; zdramin e padijes e hoq e “Shqiptarin e qytetnuem” ndër kombe të përparueme e vuni; dyrek iu vërsul gabimit dhe të mdhajvet, ndejun në shkamb të lartë, “Gabove Hilë” u tha, sá herë këta e merituen; batakçít e vendit “tri herë shefer” i thirri e Lalat s’i la fortléhtas me shkrue e me vulosë si dojshin. “Oren e Malevet” në krah të vet e thirri dhe “Postën e Shqipnís” ai vetë për ta shpërndá dishroi, qi letrat mos të hupshin në xhepa të shkyem a por mos të qiteshin në kosh të ndonji hajni.

E prej sè me mësue âsht fort mâ kollaj se me bâ, kambët, ai i prefi e kudo e lypi puna e Shqipnís, endè në djep a në fmijní, atje u gjet si rrufeja dhe vendin e vet të rritshëm e të pjekun e paraqiti. Para tokës arbnore n’ekstazë u rrëmbye Poeti i dashunís kombtare dhe mâ e hieshmja vashë ndër vasha iu gja “Shqipnija” e i këndoi plot afsh:
Edhe hana do t’a dije,
Edhe dielli do t’ketë pá,
Se përqark ksajë rrokullije,
Si Shqipnija ‘i vend nuk ká.
Malli e muer për tê, sa herë préhnit të sajë iu largue si i “Dbuemi” dhe me zemër e plot gojë i premtoi se:

Dér sá t’ muj me ligjirue,
Dér sa gjáll me frymbë un jam,
Kurr Shqipní s’ kam met’ harrue,
Edhe n’vorr me t’përmendë kam.

Kjo âsht shkolla Fishtjane, qi Françeskâjt e mbajtën dhe qi deri në mâ të largtin sternip kambëzbathë e litárngjeshun kanë për ta mbajtë me krenarí arbnore.

"Shejzat" e Koliqit - ku u botua shkrimi
“Shejzat” e Koliqit – ku u botua shkrimi

***
Mjerisht n’ Atdhé, sot keqas të shkretnuem, Fishta âsht mbulue me mní trathtije, përsè trathtija atje sundon mâ e rrebtë se kurdoherë. Ideali i tij, binomi i shuguruem me gjak: Fé -Atdhé dhe deri ndjenja e dashunís për atme, qi ai përftoi ndër zemra e në dritë e nxori, âsht ndalue të përmendet. Zotin nuk duen me e njoftë të barsuemët me Marksa të huej e Lenina e Stala, as Kombin s’dijn me e dashun Judat e rí, me të puthuna qi e shiten. Votra, qi Frati trashigoi dhe zjarmi eshkë-bunge, qi në tê porsi vullkan e kalli, âsht shkimë me gjak Shqiptarësh, qi nderë n’ oxhak përherë e patën zhgunin. Mësuesat, qi Apostulli i letravet me kujdes i rriti në hieje të vet dhe vllazënt krah, me të cillt punoi në truell e tokë të trashigueme, janë zhdukë prej faqes së dheut. Eshtent e bekuem të tyne, relikve Shêjtensh e Herojsh – heu vâj! – janë dhunue, shka doke s’qe ndër né, qëse jeta me u endë filloi në breg t’Adries a në faqe t’Jonit. Lahuta e tij âsht thye copë copë e shêjet mâ s’i shifen. “Mrizet e Zanavet”, ku kangët e tij jehojshin në haré e shêj gëzimi, janë kthye në Rrmaj kryqa-thyem e qyqet atje vajtojn. “Vallet”, qi si në “Parriz” toksuer bjeshkë e vrrî, mal e fushë me gaz pranëvere mbulojshin, kanë mê. Kambën e tyne e kanë në zanë krroket e korbavet pendeljazë, hukamet e hútavezinjellsa a brima e kukúvasavet natë-friguese. Fortesat e të bijve shtatëshekullorë t’Asizjanit brî Rozafës ilire a në Lyssus të Skanderbegut, ku i madhi luftár i rracës premtimin muer “In hoc signo vinces” si muret shkamb të Rrubigut kulm e themel janë thye. Mbi gërmadhe të tyne krypë mnije, shkrîm me vnér, anmiqt kanë mbjellë. Rrasa e bekueme e vorrit tê Fratit, mësues fjale e kalemi, babë gjuhe e Atdheut, shkrolash âsht shlye barbârçe e deri emni kuptim-afert: Fishtë – Shqipni në binomin e turpshëm: Trathti – Rusi âsht ternue. Mbi bûcat, qi eshtent At Gjergjit ia randojnë, “Nji lule vjeshtet” me ia vnue kush te kryet s’guxon prej friget. Shkrimet Shkrojtarit ia dogjën vandalt e tërbuem e librat ia shkyen porsi shkyejnë hjenat në terr kufomat ndër vorre. Vllaznimin Atilat e Kuq, vampira të Kombit, e zëvendsuen me dasí zhgatrruese. Faren e mnís e t’inadit e të smirëse të hakmarrjes gjithkahë e hapen mrendë e jashtë kufinit. Bashkimin e zhduken – heu kob! – deri ndër né të mërguemët, qi rrugat e dheut, ngushtuem prej tyne, rrahim dhe ravgojm në terr larg atmes e këcéjm pádijtas, të dám si jemi, mbas ritmit djallzuer të lodrave Envero-Shehnjane.
Persè, sakt Fishta, po të çote kryet prej vorrit, kish me na mallkue dhe me na namë në mal të thát kish gjaku i Dishmorëve, qi krah për krah rán flîje Bashkimin për ta ruejtë, sá herë në né shofin e ndiejn, shka me u pá s’duhet, se prej fjalorit të shqipes – Bashkimin duem me e shlye dhe në lojë vêm burrat, qi për tê veprojnë.
Me gjuhën, qi Fishta na mësoi, na flasin burgjet, qi tanët i kalbin, fushat e përqandrimit, qi farefisit tanë jetën i a shkurtojn, prangat, qi rinís sonë n’atdhé të kërthnestit ia thájnë, si teli i ndryshkët pipakët e njomë, dhe Vllaznim na lypin…
Bashkim e dashuní vllaznore lypë Kombi mbarë para dokevet shêjte, qi në votra tona po zhduken, para gjuhës, qi dalë kadalë në siberjane po këthehet, para lirísë së trashigueme nga Herojt e Lahutës, para Shqipnís, para së cillës nji pjesë të kuqt e Tiranës e falen e tjetrën të huej e bane.
Medet, o Zot, medet!!…
Para këtij kobi, qi të dekun e të gjallë përpini e Kombin e pështuell në zi, prej vorrit të Fishtës nji zâ kushtrimi ushton:
Kushtrim! Kushtrim!
A gjállë me nderë a dekun grue e trim!
A por nji ankesë ban shpirti i tij i lum me vetë Perëndín, qi aq fort duron mbi padrejtsínë e njerzvet bisha:

Gjergj Fishta - Bust
Gjergj Fishta – Bust

O Perendí, a ndjeve?
Trathtarët na lanë pa Atdhé
E Ti rrin e gjuen m’rrufé
Lisat npër male kot. 
(Marrë nga faqja e fb “Koha Jonë”)
Postim i datës 31 janar 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.