back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Trifon Xhagjika (1932-1963) – Biografia dhe pjesë nga vepra “Stina Mendimi” – nga Andrea Llukani

Gazeta

Andrea Llukani  “Biri i Peshtanit - Trifon Xhagjika”
Andrea Llukani “Biri i Peshtanit – Trifon Xhagjika”

Trifon Xhagjika (1932-1963) –

Biografia dhe pjesë nga vepra “Stina Mendimi”

nga Andrea Llukani

Trifon Xhagjika (29 prill 1932 – 23 dhjetor 1963)

Poet pa Varr – “Martir i Demokracisë”

Poeti disident Trifon Xhagjika ka lindur më 29 prill 1932, në Peshtan të Tepelenës. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes dhe në vijim tek “Lidhja e Prizrenit” në Tiranë. Studioi në pedagogjiken e Elbasanit (1947). Në vitin 1951, filloi punë si shef redaksie në Revistën “Pionieri”. Më 1954, mbaroi Shkollën e Bashkuar në degën Artileri Kundërajrore. Ka punuar në Degën e Rregulloreve në Ministrinë e Mbrojtjes. Gjatë viteve që shërbeu si oficer, Trifon Xhagjika ka botuar cikle me poezi në shtypin e kohës, në revistën “Nëntori”, “Letrari i ri”, “Zëri i Rinisë” etj. Më 1959, boton librin e tij të parë “Gjurmët”.
Trifon Xhagjika “rebeloi” shumë shpejt, sepse donte lirinë dhe poezinë.
Fillon të bjerë në konflikt të hapur me regjimin diktatorial dhe më 6 dhjetor 1963, dënohet për agjitacion e propagandë. Gjyqi e dënoi me vdekje, ndërsa Trifoni në sallë recitoi poezinë e tij “Atdheu është lakuriq”.
Trifon Xhagjikën e pushkatojnë më 23 dhjetor 1962, në moshën 31 vjeçare. Mbas rënies së diktaturës janë botuar librat e tij “Atdheu është lakuriq” (1994) si dhe një përmbledhje me poezi (2002). Gjithashtu Trifon Xhagjika ka lënë në dorëshkrim librin “Stina mendimi”.
Poeti i pushkatuar,Trifon Xhagjika, mund të konsiderohet si një meteor drite në poezinë shqipe.
Në vitin 1994, Trifon Xhagjika është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin e lartë “Martir i Demokracisë” me këtë motivacion:
“Disident politik dhe letrar, kundërshtar i hapur i diktaturës komuniste, dënuar me vdekje dhe pushkatuar prej saj”.
.
Trifon Xhagjika në shkollën 7-vjeçare  (me rreth)
Trifon Xhagjika në shkollën 7-vjeçare (me rreth)
***
Në vitin 1959, Trifon Xhagjika ka botuar librin e parë me poezi: “Gjurma”, në të cilin ka shkruar lirika delikate me hovet e moshës. Libri përmban gjithsej 27 poezi, një poemë dhe një legjendë.
Ky libër është ndarë në tre pjesë. Pjesa e parë ka njëmbëdhjetë poezi, ndër të cilat mund të përmendim “Miqtë e rrugëve”, të cilën ia kushton shokut të tij Bardhyl Misjes, “Lulëkuqja” për patriotët e rënë, “Trimëria Kastriote”, etj. Në vjershën “Vjosa” shkruan: E ke zhurmën të llahtarshme/ Po në shpirt më jep guxim. Buzë Vjosës ai kishte lindur. Me sytë e një fëmije ndiqte valët që thërmoheshin në brigje dhe thurrte vargje…
.
Trifon Xhagjika - Memoriali në Peshtan të Tepelenës
Trifon Xhagjika – Memoriali në Peshtan të Tepelenës

Nga vepra e Trifon Xhagjikës – Stina Mendimi – (pa maskë)

Mendimet e mia kanë ndryshuar si stinët e vitit. Kjo ka ndodhur jo shumë për karakterin tim kontraditor, sa për shkaqet e jashtme, të cilat ndikuan në fuqinë time shpirtërore që në moshën e njomë, shkaqe këto që më deziluzionuan për vite me radhë…
Fshati ku linda është plot shkrepa e gurë. Po ka edhe livadhe të vegjël, ku mbijnë shumë lulëkuqe. U bënë lulëkuqet për mua simboli i shpirtmadhësisë e i zemërgjerësisë njerëzore. Që 7-8 vjeç, baritja nëpër fusha të mblidhja lulëkuqe, se në to do të gjeja njerëzit e mirë, që t’u thoshja të ndihmonin nënën e babën tim.
Një ditë e dëgjova tim atë të thoshte: “Të gjithë njerëzit janë të këqij”. “Po ku janë njerëzit e mirë”? – pyeta nënën. “Janë nëlulëkuqe” – m’u përgjigj ajo. Që atë ditë, shkova e kërkova në çdo lulëkuqe, por…
Por vitet më bënë 14 vjeç. Në çdo vit isha i heshtur e i turpshëm. Më tërhoqën një ditë “për hunde”. Ishte natë atëherë, natë e shkurtit të 1947-ës. Ecja në një korridor të errët e të ngushtë, që mbaronte në një derë të hapur. Më futën brenda. Dera u mbyll. Gjithnjë ishte errësirë. Atje dëgjova: “Shtoje besimin që kemi për ty, prandaj bëhu hije dhe gjurmoi shokët, pa e ditur që të kanë pranë”. Unë heshtja, habitesha dhe torturohesha. Duart, që më dridheshin nga të ftohtit e frikës, nuk dija ku t’i futja. Më kot kërkoja në errësirë fytyrën e atij që më fliste. Një dritë e imët shkrepseje ndezi në cep të dritares një qiri. Por tani nuk mund t’i shikoja më sytë e kuq të atij që hante fjalët me dhëmbë.
Qiriri, me atë dritëz të vogël e të kuqrremtë, më ngjante si lulëkuqet e lëndinave.
Lulëkuqe! Kërkoja në të njerëzit e mirë. Por tani e kuptova që çdo gjë ishte e kotë. Mendimet e mia sikur m’u dogjën në flakën e qiririt. M’u dogjën, ndaj nuk mendoja më. “Është mirë të mos mendosh!” – më tha Sykuqi: “Ti duhet të keshë parasysh që ç’pe dhe ç’dëgjove të mos ia thuash njeriut, përndryshe… përndryshe… mund të të kujtoj vetëm kaq se mbrëmë pushkatuam një moshatarin tënd, pasi i brodhi zagarja më parë nga mendja!”. Dhe një buzëqeshje skeptike i mbiu në cepin e majtë të buzës. “Pra kije parasysh, – filozofi dhe njëherë Sykuqi, – se heshtja është kasneci më i mirë për fitoren tënde!”
Shuplaka e madhe, që ma vuri mbi shpatullat e mpira, më nxorri në errësirën e rrugës…
Unë të bëhem hije? M’u kujtuan tre majmunët e pikturuar mbi kutitë e shkrepseve, që shiteshin në kohën e pushtimit fashist. Njëri nga ata kishte zënë sytë, tjetri veshët dhe i treti gojën. Unë pra duhet të jem i tillë: asgjë të mos shoh, asgjë të mos dëgjoj, asgjë të mos flas…
Jo! Për njerëzit nuk do të bëhem hije.
Sykuqi më takoi dhe tri herë të tjera. Të tretën herë më tha: “Ti je i paaftë!”. Dhe iku për të mos më takuar më kurrë. Por heshtjen ma la peng…
Kjo heshtje vulosi zemrën. Nuk guxoja të prekja asgjë të gjallë në jetë, se kisha frikë mos e zbuloja me hijen time.
Më mirë larg! Larg! Larg!
Tre majmunët më dalin përpara.
Unë asgjë s’shikoj, asgjë s’dëgjoj, asgjë nuk flas.
Larg! Larg! Larg!
Shuplaka e Sykuqit më rëndon mbi shpatulla… Ende më duket vetja si në një shpellë. Me mundim më ngjan se arrita në një grykë të ngushtë. Prapa le errësirën e një tragjedie të kobshme popullore, e cila po shkrin me frikën e me vajtimin e njerëzve pa gjurma në jetë. Përpara shoh një det dritash, si në përrallat e gjyshes. Dua të hidhem nga gryka e ngushtë. Ndoshta më dalin krahë dhe fluturoj. Pra, kështu e kam një farë shprese. Më mirë shpresoj në të pamundurën e në errësirën e shpellës. Frika e saj më shtyn përpara…
Njoha në këtë shpellë shumë njerëz të tjerë. Këtu jam përpjekur të provoj edhe dashurinë. Dhe sa herë që e kam ndjerë, bëhesha më i urtë, më punëtor e më i sinqertë. Dashuria ka qenë për mua, ndofta, shaka që e kam takuar udhës, por s’kam ditur ta kap, ndofta, pabesi, por s’kam ditur ta lëshoj. Megjithatë kam qenë gjithmonë i qetë për sjelljet e vajzës që kam dashur, edhe nëqoftë se ajo bëhej imja, edhe në qoftë se ajo përfundonte në krahët e ndonjë tjetri (për rastin e parë bëhesha i lumtur, për rastin e dytë shpëtoja nga një e keqe). Në përgjithësi, kam shpëtuar nga këto të këqija, por i lumtur nuk kam qenë asnjëherë…
Ndofta këto që më kanë ndodhur më shtyjnë të kem një kuptim të tillë për jetën: Rro vetë dhe leri të tjerët të rrojnë sipas dëshirës së tyre.
E pra dëshirat, mendimet dhe pikëpamjet e heshtura e të fshehta mundohem t’i shpreh në vargjet e mija…
Sigurisht në këto vargje jam përpjekur që të nxjerr në plan të parë çështjen e nderit… (këtu teksti nuk lëçitet) si dhe të jetës time intime, asaj private dhe shoqërore, duke pasur gjithmonë parasysh botëkuptimin tim. “Vepra e artit duhet të jetë në përputhjeme botëkuptimin e autorit, sepse kjo e ngre vlerën artistike të saj” – thotë Engelsi. E që t’ia arrij një gjëje të tillë, më duhet të studoj veten, të shtyp mërzitjen e zemërimin e ta ushqej veten me gas për jetën e me optimizëm.
Kjo është e vërteta që më ka ndodhur e që më mundon. “Dhe e vërteta duhet të përsëritet gjithnjë, sepse edhe gënjeshtra përsëritet kurdoherë…” – thotë Gëte.
.
Marrë nga libri i Andrea Llukanit, “Biri i Peshtanit – Trifon Xhagjika” (faqe 77-82)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.