back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Tridhjet vjet më parë dhe tridhjet vjet më vonë! – nga Mana Dine

Gazeta

Herman Dine
Herman Dine

Tridhjet vjet më parë dhe tridhjet vjet më vonë!

nga Mana Dine

Në shkurt të këtij viti u bënë plot 30 vjet nga largimi i familjes sonë, të Sazan Dines nga Shqipëria. Asnjë nga familjet e të dyja anëve, (nënës dhe babait) s’e kishin njohur emigracionin përpara futjes se komunizmit në Shqipëri. Ajo çka i ndodhi familjes së babait dhe nënës përpara por edhe përgjat komunizmit, mund të mbushë një roman e ndoshta më shumë. Por, sot s’do shkruaj për atë lloj kujtese, por për një tjetër, shumë të veçantë, e cila nuk duhet të ndodhte kurrë në një vend vërtet demokratik, ashtu siç u paraqit Shqipëria mbas ndrrimit të sistemeve që ndodhi zyrtarisht mbas 1992.
Ishte viti 1990. Sapo kishte dalë ligji i liberalizimit të pashaportave, diçka që ia mundesonte çdo shqiptari daljen nga Shqipëria, e cila deri atëhere ishte rreptësisht e ndaluar për qytetarët e thjeshtë, bile çdo kalim kufiri bënte vepër penale deri në dënim me vdekje. Mbaj mend babanë që u hodh në veprim menjëherë posa dëgjoi lajmin në televizor. Nuk dua të zgjatem shumë këtu, pasi pak muaj më vonë siguruam pashaportat dhe në shkurt të vitit 1991 u larguam në drejtim të Greqisë. Prej aty, disa muaj më vonë erdhëm në Amerikë me statusin e azilantëve politikë, ku u bashkuam me pjesën tjetër të familjes së të dyja anëve…
Mbaj mend babanë kur na thoshte: “Nëse ikim nga Shqipëria do të shkojmë në Amerikë, e në asnjë vend tjetër të botës, për vendet e tjera më mirë rrimë këtu!” Babait dhe xhaxhait u ishte mbushur mendja se ai vend nuk bëhej më, prandaj bënë përpjekje të palodhshme për të siguruar largimin e familjes në mënyrën më të sigurtë. Mund të them, se të dy kanë patur një lloj largpamësie për ngjarjet që do të shpaloseshin prej ’90 e deri në ditët e sotme.
Koha na tregoi, neve që jetuam dhe jetojmë me ta, që kanë patur një intuitë impresionuese. Tani dua të dal tek thelbi i shkrimit.

Dine Dine, Ahmet Kolgjini me shokët e kampit (Naim Staravecka, Sazan Dine, Evgjen Merlika, Dine Dine, Genc Bajraktari, Ernest Dosti, Tomor Dosti, Ahmet Kola, Sokol Miraka)
Dine Dine, Ahmet Kolgjini me shokët e kampit (Naim Staravecka, Sazan Dine, Evgjen Merlika, Dine Dine, Genc Bajraktari, Ernest Dosti, Tomor Dosti, Ahmet Kola, Sokol Miraka)

.
Ishte viti 1993. Një familjar i imi shkoi në Shqipëri për të folur me autoritetet lokale, rreth së drejtës së pronave të familjeve tona, të cilat ishin trashëguar me dokumente, me dëshmitarë, me data, vula e firma.
Një ditë mblidhet këshilli i autoritetit lokal dhe mbas hedhjes në votë u vendos që pronat t’i ktheheshin pronarëve të ligjshëm. Këto prona u ishin konfiskuar familjes, mbasi i kishin dëbuar prej aty, që me futjen e komunizmit në Shqipëri… Ndërkohë, dikush njofton Tiranën për çka po ndodhte aty. Sali Berisha, atëhere president i Shqipërisë, merret personalisht me këtë çeshtje. Ai dërgon Azem Hajdarin për t’i përcjellë këshillit të autoritetit lokal, mesazhin se: “Tokat e bejlerëve Berisha ua ka falur fshatarëve!” Aq e rëndësishme ishte mosmarrja e tokave nga pronarët e ligjshëm për Berishën sa ai nis krahun e tij të djathtë, i cili udhëtoi disa orë me makinë për të dërguar këtë mesazh kaq të rëndësishëm te autoritetet lokale. Me një fjalë “jam unë Zoti i gjithë Shqipërisë, edhe i çeshtjeve tuaja lokale. Unë e kuptoj shumë mirë ndërlikimin e kthimit të pronës tek pronari mbas 46 vjetësh, por akti i Berishës ishte në të njëjtën vijë me luftën që iu bë elitës së parakomunizmit dhe pasardhësve të tyre nga diktatura komuniste. Plani afatgjatë që praktikohet edhe sot ishte mos mëkëmbja e të ish-persekutuarëve, përçarja, sabotimi dhe ndalimi me çdo kusht dhe përdorimi i çdo mjeti për të penguar futjen e tyre në politikëbërje ose krijimin e ndonjë partie politike opozitare të vërtetë. Diçka e tillë do të ishte vetëvrasje për klasën sunduese, e cila do të ia kalonte stafetën partive simotra PS dhe PD të ngarkuara me detyrën e sabotimit të demokratizimit të vendit, mosrealizimin e dekomunistizimit dhe ruajtjen e ‘dinastisë’ që kishe drejtuar shtetin shqiptarë për 46 vjetët e komunizmit. Kjo ngjarje na e përforcoi bindjen se tranzicioni në Shqipëri ishte një farsë e vërtetë dhe se Sali Berisha ishte i përzgjedhuri i Ramiz Alisë. Nuk vonoi shumë për ta vërtetuar këtë gjë për ata që ndiqnin ngjarjet e asaj kohe me vëmendje dhe sy dyshues. Në një nga mitingjet e asaj kohe, mes euforisë dhe shpresës që ndryshimi po sillte tek shqiptarët, Berisha ose rrëshqiti ose provokoi kur tha se duhet t’i jemi mirënjohës Ramiz Alisë për gjithçka që ai ka bërë për këtë vend, duke filluar që nga kontributi që ai paska dhënë gjatë L2B.
Në anglishte është një thënie shumë e goditur: “Djalli shikohet tek detajet.” Pra, gjërat duhen parë gjatë e hollë. Njeriu gjykohet për ai çka bën gjithë jetën dhe jo vetëm për një apo dy akte. Kjo është e vërtetë edhe për sistemet e politikës dhe partitë e ndryshme politike. Jeta e njeriut është relativisht e gjatë për t’u gjykuar përfundimisht, kurse ajo e politikës është më e shkurtër. 30 vjetë janë mese të mjaftueshme për të gjykuar sistemet e qeverisjes. Dhe këto 30 vjete kanë vërtetuar se partitë që kanë qeverisur jo vetëm që nuk kanë punuar për përmirësimin e vendit por kanë punuar për të kundërtën. Për këtë nuk mund të bëhet dhe aq fajtor populli sepse populli adaptohet me çdo ndryshim sidomos popujt që kanë lindur dhe janë rritur për disa breza në sisteme autokrate, në fakt duhet të ndodhi e kundërta por ja që kjo është natyra e njeriut të ngjizur në sisteme të tilla. Faji bie mbi kryetarët e partive që kanë drejtuar atë vend. Dhe nuk mund të justifikohen dot me disa gjëra që kanë bërë me të cilat bëjnë fushatë zgjedhore, si për shembull; futja e Shqipërisë në Nato, e cila ka nevojë më shumë për ushtarët tanë se në për ata. Liberalizimi i vizave, i cili nuk ka asnjë vlerë për një popull që edhe sot 30 vjetë me vonë, një pjesë e madhe e së cilit po ta kishte mundësinë do ikte për gjithmonë nga ai vend. Fakti që vërteton këtë është numri i madh i Shqiptarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë, dhe ky nuk është fenomen i vetëm 8 vjetëve të fundit por përgjatë gjithë ‘tranzicionit’. Ashtu siç nuk mund të justifikohen 46 vitet e diktaturës komunistë me përmendjen e ‘ndërtimin e hidrocentraleve, elektrifikimi i vendit ndërkohë nuk kishim drita shumicën e kohës, u zhduk analfabetizmi, ndërkohë që shqiptarit iu mësua si të urrente atë që nuk ndiqte vijën e Partisë dhe politikës së kohës, diçka që ndodh edhe sot, sigurisht pak më e zbutur por që akoma egziston, ose deklarata se rradhitja e ‘komunistëve’ me aleatët siguroi sovranitetin e vendit, ndërkohë gjysma e Shqipërisë u la jashtë trojeve etnike. Edhe këto arritje, nëse mund të quhen arritje ndryshimet e natyrshme që vinë me kohën, u vunë në shërbim të diktaturës enveriane, e cila u kujdes veçanërisht për varfërizimin shqiptarit, që luftonte për mbijetëse, e të mos kishte takat të mendonte për gjera madhore siç janë e drejta e njeriut apo demokracia.
E kam thënë edhe më parë se i kuptojë arsyet përse disa nga shtresa e ish të persekutuareve përkrahin Berishën. Arsyeja shpjegon, nuk justifikon, megjithatë kjo është e drejta juaj dhe nuk dua të ju hy në pjesë. Por kur “ju” me shkruani në faqen time në FB dhe mundoheni të më tregoni se kush është Berisha dhe arsyet përse ai duhet përkrahur e kam të pamundur të mos ju tregoj për Berishën që njohim “ne” atë të vërtetin dhe jo atë që doni të shikoni ju!
Lulzim Basha është i përzgjedhuri i Berishës dhe për mua mjafton për të patur dyshimet e mia për të! Kjo nuk do të thotë se unë përkrah Ramën, në asnjë mënyrë. Unë mbase kam lluksin të mendoj e të shkruaj lirshëm atë që mendoje se nuk jetoj aty, tashmë prej 30 vitesh, por më duket shumë e padrejtë përkrahja e Berishës 30 vjet më vonë, sidomos përkrahja e ish të persekutuarve që nuk jetojnë më aty.

Themelimi i Partise Demokratike
Themelimi i Partise Demokratike

Rotacioni është diçka e mirë, është i domosdoshëm për ruajtjen e demokracisë në vendet me sisteme demokratike të vërteta, kurse në Shqipëri përdoret për të bërë “sikur”. Po të kisha të drejtën e votës nuk do të votoja as për njerit e as për tjetrin. Për mua kjo është protesta më e madhe e më paqësore që dikush mund të bëjë kundër një sistemi të “ndryshkur” si ai i Shqipërisë, sidomos nëse bëhet masivisht! Megjithatë shpresoj të jem gabim dhe lutëm që “fatbërësit” e Shqipërisë të vizitohen nga “ndërgjegja” në pleqërinë e tyre, të bëjnë diçka të mirë për atë vend. Gjëra më e mirë që ata mund të bëjnë është lënia e vendit në duart e atyre që duan të çojnë drejt demokratizimit të vërtetë. A është ky Basha? Shpresa është grackë për ata që nuk kanë gjë në dorë. Ndaj edhe unë që kam dyshime të forta për Bashën po zgjedh të shpresoj të jem gabim rreth bindjes që kam krijuar për të! Këtë do ta tregojë vetëm koha.
Tridhjetë vite më parë ndodhen shumë gjëra në të gjithë Europën, sidomos në Europën lindore pjesa më e madhe e së cilës sot është në BE. Tridhjetë vite më vonë Shqipëria bëri një vrimë në ujë, ka mbetur në vend! Vetëm kaq duhet të mjaftojë për të gjykuar drejtë, ndershmërisht, dhe me guxim duhen treguar fajtorët dhe përgjegjësit për sabotimin e demokratizimit të Shqipërisë!
Ju uroj shëndet dhe mbarësi në këto kohë të vështira që po përjetoni atje, si nga pandemia, nga trazirat që mund të krijohen këtë vit zgjedhjesh!

.
New Jersey, shkurt 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.