Tri sfidat e një intelektuali! nga Rezart Palluqi

Lazër Radi - Romë 1991

Lazër Radi – Romë 1991

Tri sfidat e një intelektuali!

nga Rezart Palluqi

Hakmarrja më e madhe e Lazër Radi
pati natyrë humaniste dhe artistike.
Hakmarrja e tij ndaj diktaturës hoxhiste
dhe fqinjve tanë gllabërues,
nuk e pati fytyrën e xhelatit,
as vrazhdësinë e kamzhikut primitiv,
por fytyrën e diellit, dhe rrezeve të tij.
Xhelati, fle gjumë rehat,
vetëm kur viktima i ngjan atij.
Po, xhelatët komuniste
kurrë nuk e gjetën fytyrën e tyre shtazarake,
në sytë dhe zemrën e Lazër Radit,
dhe kjo i tërbon ata pafundësisht!
Lazër Radin, unë do ta mbaj mend
si një ndër intelektualët e paktë shqiptarë,
që urrejtjes diktatoriale nuk iu përgjigj me urrejtje,
por me art dhe humanizëm.

Rezart Palluqi

Rezart Palluqi

Drama e poetit, eseistit, gazetarit dhe intelektualit, Lazër Radi, është drama jonë mbarëkombëtare, kjo parë, si kronologjikisht, ashtu edhe gjeografikisht. Lazër Radi, u dëbua nga qyteti i Prizrenit, atëherë, kur Serbia i kishte përveshur mëngët e saj prej xhelati mesjetar për të dëbuar me dhunë popullatën shqiptare prej hapësirës së Kosovës.
Lazër Radi, kur ia ktheu kurrizin qytetit të tij të dashur, ka ushqyer me siguri ëndrrën e madhe që të kthehej atje sa më shpejt e mundur. Këtë ndjesi ai e ka ushqyer, të paktën deri në vitet 1945, atëherë, kur rrjetat barbare enveriste e ngërthyen dhe izoluan për afro gjysmë shekulli. Mbas dëbimit nga Prizreni, ai u vendos në qytetin e Durrësit, e më vonë në Shkodër kreu gjimnazin. Atje u njoh me personalitete të njohura të viteve 30-të dhe 40-të, si Migjeni, Ernest Koliqi, Skënder Luarasi, Eqerem Çabej e të tjerë, të cilët, nga historianët janë quajtur edhe si frymëtarët e Neoshqiptarizmës. Ata kaluan nga fryma romantike e rilindasve tek ajo racionale, zgjidhja e kauzës shqiptare duke disponuar të gjitha kapacitetet intelektuale, artistike dhe politike.
Mbasi e lexova tërë biografinë e Lazër Radit, arrita në përfundimin se ai, është në rradhë të parë një intelektual në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Lazër Radi, ashtu si dhe shumë nga brezi i tij, jetuan në një shekull sa të shenjtë aq edhe vetvrasës. Të shenjtë, sepse ai lindi katër vjet mbas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe përjetoi frymën romantike të rilindjes sonë kombëtare… Vetvrasës – sepse ai njëkohësisht ndoqi herë nga afër e herë në distancë pushtimin e Shqipërisë nga Italia e Greqia e Serbia, deri në vetvrasjen e plotë të Shqipërisë, me ardhjen e kasapit mizor, Enver Hoxha.
Dihet botërisht, se intelektualët e vërtetë, ashtu si edhe kapitenët e mëdhenj, shkëlqejnë në kohë të furtunta. Aq më tepër, kur ata përfaqësojnë një popull të çoroditur, me trupin e mbushur plot prej plagëve të hapura prej kafshëve të ndryshme: kafshime krokodili, tigri, luani, nëperkash, kobrash. Atëherë, barra që intelektuali mbart mbi shpinë është më e rëndë se sa e tërë pesha fizike e atdheut të tyre. Pra, nuk mjafton t’i japësh popullit tënd sinjale në kohën e duhur, por të duhet edhe të sakrifikosh në rrugë të ndryshme.
Beteja e parë morale, i trokiti atij në portë në një moshë shumë të re, një moshë kur njeriu sado i ditur dhe mendjekthjelltë të jetë, e tundon për pushtet, lavdi e sukses artistik.
Në vitin 1936, Lazër Radit iu desh të distancohet me kokën lart, prej lëvizjes internacionaliste serbo-malazeze. Kjo e fundit, ruante nën rrogoz një plan mjaft djallëzor. Nga njëra anë Ajo trumbetonte  me të madhe për një botë më të mirë, me më pak të varfër e njerëz të shtypur, nga ana tjetër, donte që të fuste nën kontroll ajkën intelektuale shqiptare të viteve ’30-’40 të shekullit të njëzetë. Lazër Radi, mbas shumë meditimeve e mirëpeshimeve me vetveten, vendosi në momentin e duhur që t’i thotë lamtumirë grupit intelektual të lartpëmendur. Kjo ishte sprova e parë, e madhe, ku ai reflektoi shpirtin, mençurinë dhe dashurinë e tij të madhe për kauzën shqiptare. Por njëkohësisht, ai po rrëshqiste edhe drejt një izolimi të madh, që i karakterizon gjithnjë njerëzit vizionarë, që artin poetik a prozaik, e përdorin kryesisht si mjet sensibilizues dhe syhapës ndaj shoqërisë, dhe shumë më pak  për famë personale.
Mbas shumë përpjekjeve dhe ndërhyrjeve të miqve të tij të vyer por edhe të paktë, ai arriti të sigurojë në çastet e fundit një bursë  në Romë. Prej Romës, ai do të ndiqte pushtimin fashist me zemrën e ngrirë dhe mendjen e pagjumë. Prej hidhërimit atëherë ai vuri edhe cigaren. Nuk ngurroi të akuzojë jo vetëm Italinë fashiste, por edhe  popullin shqiptar, i cili në një kohë mjaft të shkurtër, po sillej ndaj pushtuesit të ri, sikur ai kishte ardhë me pushime në Shqipëri. Ai satirizon edhe gjestin sa qesharak aq edhe tragjik të Tiranës, duke i akorduar kurorën e Skënderbeut, mbretit fashit, Musolini.
Me dhimbje të madhe ai konstaton çdo herë ndryshimet kolosale materiale dhe shpirtërore midis Italisë me Shqipërisë. Këtë ai e përjeton gjatë studimeve të tij në Romë, sa herë që kthehej për një kohë të shkurtër tek prindët, në Durrës. Ky qytet, atij i dukej atij përballë Romës, një fshat i vogël, i ndriçuar keq dhe me infrastukturë të rrënuar.

Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij - Saver 1989

Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij -
Kampi i Savres 1989

E megjithatë, kauza e bashkimit kombëtar për Lazër Radi, mbeti përgjithnjë një ëndërr magjike, një ishull të cilin ai donte ta shkelte medoemeos, qoftë kjo duke notuar e rrezikuar jetën. Patriotizmi i Lazrit, ia gërrici fort sytë Jugosllavisë së atëhershme. Ambasada jugosllave  bëri një notë proteste ndaj qeverisë shqiptare ngaqë Lazri botonte rregullisht në shtypin shqiptar ese, analiza, studime serioze, ku ai skanonte plagët e popullit të tij në një shekull çmendurak. Prej skanereve të tij, dallonin paq kafshimet në trupin e shqiptarit. Dukeshin qartë edhe kafshimet e serbo-malazezëve. Ndaj dhe Lazër Radi e pagoi shumë shtrenjtë, kur terroristi Enver Hoxha, e burgosi në vitin 1945, përmes famëkeqit Gjyq Special. Serbia donte ta shihte të prangosur Lazër Radin dhe cilindo intelektual tjetër të kalibrit të tij. Dhe Serbia ia arriti qëllimit që Lazër Radin dhe shumë si ai t’i kryqëzojë për së dytën herë, brenda një gjysëm shekulli. Burgimi i Lazër Radit, ishte në nji tjetër dritë edhe burgim i Kosovës në qelinë hoxhisto-serbe. Paçka se diktatura enveriste e akuzoi për filo-fashizmin e tij. Lazër Radi, kishte parasysh një Shqipëri të bashkuar, dhe kurrën e kurrës flirtime me shpirtin fashist. Ai besonte se vendet e vogla kanë nevojë për përkahjen e fuqive të mëdha. Dhe vërtet, Kosova, nuk u çlirua pa fuqinë e tyre, po kët herë qe Amerika, e cila, jo rrallë herë reflekton ndaj disa vendeve te tjera me një fashizëm të sofistikuar. Tirana e sotme, fashizmin e Musolinit e dënon, ndërsa fashizmin e sofistikuar amerikan e gëlltit me hipokrizi.
Lazër Radi vuajti 46 vjet burgim të pamerituar, ashtu si edhe e tërë Shqipëria. Sepse kur burgoset intelektuali, izolohet një vend i tërë. Por Lazër Radi, ashtu siç ndodh me burrat e mëdhenj, u përkujdes që inteligjencën e dashurinë për shqiptarin e lirë, të mos e infektojë me urrejtje ndaj xhelatit hoxhist. Dhe kjo s’është aspak e lehtë. Jo, Jo! Duhet të jeshë ngjizur me një mendje të kthjellët, zemër oqeanore, për të mos e urryer kasapin, që ta kamzhikon kurrizin nga mëngjesi deri në darkë. Të torturon ndërsa ti ecën me këmbët në llucën e akullt, apo lëkurën që të përcëllohet prej diellit të gushtit, në arat e punës së detyruar. Pikërisht këtu dallon intelektuali. Ai, ka vetëm mëshirë për xhelatin. Ndjen keqardhje dhe përbuzje ndaj trurit të tij të sëmurë, dhe shpirtit të të infektuar prej egërsisë përbindëshe.  Ndërkohë që xhelati, fle gjumë rehat, vetëm kur viktima i ngjan atij. Epo, xhelatët komunistë kurrë nuk e gjetën fytyrën e tyre shtazarake, në sytë dhe zemrën e Lazër Radit, dhe kjo i tërbon ata pafundësisht!
Teksa lexoja biografinë e Lazër Radi, momenti kur u përlota ka qenë ai i kthimit të bashkëshortes së tij dinjitoze, do të thosha me shpirt poeteje, Vitore, e cila, parapëlqeu të refuzojë jetën e lirë dhe të kthehej tek i shoqi në kampin e internimit. Më mirë pranë dashurisë e ngrohtësisë së bashkëshortit, se sa të jetosh e lirë në një shoqëri paranojake – ka menduar ajo si një grua fisnike, duke bërë dallimin e madh me kurvat partiake hoxhiste.
Lazër Radi e solli dhe e rriti familjen e tij në kampet e internimit.

Sfida e dytë për Lazër Radi, trokiti   në nëntorin e vitit 1957, kur kryetari i Degës së Brendshme të Vlorës, Petrit Hakani i ofroi mundësinë për të rifituar lirinë, duke u bërë spiun i Sigurimit të Shtetit. “Ti, njeh pesë gjuhë të huaja, je inteligjent, i pashëm dhe fizikisht i fortë. I plotëson të gjitha kriteret. Mendoje mirë. Nëse refuzon, nuk ke për ta parë nënën tënde, që është duke vdekur!”- e kërcënoi Hakani.
Por Lazër Radi refuzoi të çante ferrën nga burgu, duke u bërë spiun i një shpure kriminelësh. Kjo, falë edhe gruas së tij, e cila i tha: “Më mirë të vdesim rrugave me dinjitet, se sa t’u shërbejmë kasapëve të Enver Hoxhës!”. Jo më kot thonë: mbas një gjeniu fshihen gra të mëdha.

Lazër dhe Vitore Radi - Tiranë 1992

Lazër dhe Vitore Radi – Tiranë 1992

Sfida e tretë, dhe e fundit, e nxorri kokën e saj prej nepërke, mbasi diktaturës së Enver Hoxhës, i ra të fikët për disa orë, në vitin 1992. Do të thoja, se Lazër Radi, e ka përjetuar këtë periudhë, pra atë të mbas ikjes së tij nga kampi, sa me eufori aq edhe dëshpërim. Nga njëra anë ai bëri të pamundurën për të mbushur vakumin letrar dhe intelektual që i krijuan 45 vitet e burgut, duke shkruar, përkthyer shkrimtarë botërorë, filozofuar, e përkrahur artistët e gazetarët e rinj, ndër të tjerët, edhe gazetarin  Blendi Fevziu, dhe ana tjetër zhgënjimi i përfaqësuesve të PD-së, por edhe prej shoqatave të të përndjekurve politikë, të cilat, i harruan shpejt vuajtjet e tyre në burgun e zi enverist, dhe bënë kompromise morale e kombvrasëse.
E Lazër Radi, s’mund të rrëshqiste më në këtë jetë. Atij nuk i shkau këmba kur ishte i ri, dhe jo më, tani që i kishte kapërcyer kaherë të shtatëdhjetat. Këtu shohim përsëri fatin e një intelektuali të betuar. Përsëri izolim, ose përçmim, edhe pse nën rrogoz. Por metodat tashmë janë më të sofisitikuara. Aq më tepër, që Lazër Radi, i mbrujti fëmijët me vuajtjet e burgut, moralin e një shoqërie të ndërgjegjshme dhe virusin poetik. Ashtu siç e kanë thënë edhe të tjerët, përreth Lazër Radit, u soll i tërë fisi. Dhe ai, i mbrujtur me natyrën e tij humaniste dhe idealiste, ua dha atyre dorën, ndërkohë që në fiset shqiptare shpesh, i yti prej zilisë dhe smirës ta bën gropën, përveç Lazër Radi. Ai inkurajoi çdo nip e mbesë, po edhe çdokënd tjetër, që ushqeu ambicie artistike apo humaniste. Jo më kot, fisi i Radë-ve është një minierë artistësh.
Hakmarrja më e madhe e Lazër Radi, pati natyrë humaniste dhe artistike. Hakmarrja e tij ndaj diktaturës hoxhiste dhe fqinjve tanë gllabërues, nuk e pati fytyrën e xhelatit, as vrazhdësinë e kamzhikut primitiv, jo… pati fytyrën e diellit dhe rrezeve të tij. Ka qenë i vetëdijshëm, se kësaj Bote i duhen breza të rinj, artdashës dhe humanistë. Ia arriti edhe pse me vuajtje të paimagjinueshme, që djalin e tij, Jozef Radin, i cili edhe u rrit në kampeve, ta mbrujë me moralin intelektual dhe letrar.  Post-hoxhistët e nuhatën këtë, ndaj edhe i kanë shpallur birit të tij më të dashur, Jozef Radi, një heshtje vrastare. Po, po! E kanë përjashtuar prej shkollave, prej botimeve prej botës së tyre letrare, sepse ai nuk e përdhosi vuajtjen e babait të tij. Por ai shkoi një hap më tej. Bën atë çka babai i tij bëri një jetë të tërë. Përqafon çdo lloj vlere historike, letrare dhe humaniste, pa reflektuar at xhelozinë vrastare qe e ndeshim tek poetët e artistët hoxhistë.

Lazer Radi - Shpresa vdes e fundit - Poezi Tirane 1996

Lazer Radi – Shpresa vdes e fundit
Poezi – Tirane 1996

Ndërkohë që Sot, shumë bij të ish të përndjekurve të tjerë politikë, jetojnë në luks, të mbushur me lavdi e nderime të ndryshme e i mëshojnë me fanatizëm  suksesit të tyre personal.
Këtu dallojmë përsëri shpirtin dhe fytyrën e një intelektuali. Ai është gjithnjë i përjashtuar, e megjithatë, fryma dhe mendja e tij, është një kometë e cila fluturon mu sipër kokave të maskarenjve dhe kasapëve, qe edhe sot, heshtin ndaj veprës dhe ditlindjes të njëqindtë të tij.
Kjo botë nuk ka ecur përpara në sajë të artit, por intelektualëve. Arti e bën këtë jetë më pak monotone, ndërsa intelektuali me guximin dhe formimin e tij të gjithanshëm, hap shtigje të reja.
Ndaj, kjo botë ka nevojë për modele të njerëzve të mëdhenj, dhe jo talente që ushqejnë narcizmin skizofrenik.
Lazër Radin, unë do ta kujtoj si një ndër intelektualët e paktë shqiptarë, që urrejtjes diktatoriale nuk iu përgjigj me urretje, por me art dhe humanizëm.
Fryma e intelektualit, si ajo e Lazër Radit, edhe mbasi largohet prej kësaj jete, është e prekshme, jo vetëm në veprat e tij prej letre, por edhe njerëzve që ai lë mbrapa, si në rastin e dhjetra artistëve, përfshirë këtu, edhe Jozef Radin, i cili e përfaqëson, si rrallë bij të tjerë viktimash, vetveten dhe babanë e tij, me një  dinjitet dhe humanizëm admirues.
Sinqerisht, sa i lumtur që do t’isha sikur im bir ta bënte këtë! Të shprehte përjetë humanizëm, dashuri dhe respekt ndaj njerëzve dhe botës përreth!!
Me këtë rast, unë i uroj prej thellësive të shpirtit, Lazër Radi, Gëzuar përvjetorin e  të Njëqindtë…
25 janar, 2016 Amsterdam, Holandë

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook