back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Tre vepra të Kasëm Trebeshinës – nga Agron Tufa – dhe një debat rreth tyre

Gazeta

Kasëm Trebeshina - Legjenda e asaj që iku - 1992
Kasëm Trebeshina – Legjenda e asaj që iku – Novela 1992

Tre vepra të Kasëm Trebeshinës

nga Agron Tufa

Stina e Stinëve

I botuar në vitin 1992 nga SH.B. Lidhja e Shkrimtarëve me titullin “Legjenda e asaj që iku”, janë përfshirë tre novela: “Stina e stinëve” (këngë fëmijërie), “Odin Modvalsen” (një histori dashurie) dhe “Fshati mbi shtatë kodrina” (kapriçio shqiptare).
E kam lexuar këtë përmbledhje para këtij botimi, pa këtë titull, një botim i shb “Buzuku”, Prishtinë. E lexuam me një frymë unë dhe një grup miqsh poetë të Fakultetit Filologjik.
E nisa këtë rilexim me frikën se rileximet shpesh m’i kanë zhbërë përshtypjet e mira dhe mahnitë e leximeve të para. Por jo! Janë vepra që ruajnë tharmin apo thelbin e jetëgjatësisë së freskët artistike, e siç kam bindjen, pas këtij rileximi, kështu do të mbesin këto novela: origjinale, të thella e të brishta, gjithë sharm e atmosferë për gjuhën, stilin, botët artistike autentike.
Është interesante kjo vulë origjinale e periudhës së parë letrare në krijimtarinë e Trebeshinës. Nëse është abuzuar shpesh vend e pavend me termin e R. Barthes-it “kënaqësia nga teksti”, atëherë një kënaqësi të tillë këto 3 tekste të Trebeshinës ma dhanë në magjinë e përfshirjes/ përpirjes në strukturën e rrëfimit organik ku zhduket ai kufi kritik, që të “bën me dije” se je duke lexuar një vepër letrare. Por kur ti lexon, shijon e s’ke të ngopur nga bukuria e natyrshme e rrëfimit, në një narrativë sugjestionuese, rrjedhëse, duke harruar se “po lexon”, atëherë do të thotë se përjetimi yt është i fortë dhe kufiri jetë/art është fshirë. Kjo më ngjau me rileximin pas 18 vjetësh të këtyre novelave.
“Stina e stinëve” është një pikturë, një pëlhurë e fëmijërisë së fshatit shqiptar myzeqar para L2B, që shënon rritën e një adoleshenti përmes shoshës së perceptimeve infantile-metafizike. Përfytyrimet arbitrare dhe skenat lakuriqe e të vrazhda përcillen me sytë e fëmijës që rritet, vëzhgon dhe përfiton dije e zbavitje të ndaluara nga flagrancat, diç e tillë si gjahu i qorrave. Skenat natyralistike të fshatit, misteri dhe çmeritja nga bota e zbuluar papritma e seksit, ushtrojnë trysni në pjekjen e parakohshme, mëkatnimin, por gjithashtu dhe për ruajtjen e thelbit idealist e fisnik të protagonistit adoleshent.
Nga kjo pikëpamje e botëparaqitjes dhe botëndjesisë, novela përafron me neorealizmin. Një Frederico Felini do të na kishte dhënë një film të mrekullt e sharmant mbi këtë vepër. Kristina dhe protagonisti me Mehdiun, janë personazhë felinianë të shiritit “Amarkord”.
Novela ka vitin e krijimit: Leningrad 1948-1949. Koha kur Trebeshina ka qenë student i fakultetit të dramës. Ajo që të bën të pyesësh është: në këto vite, në peisazhin e Letërsisë së atëhershme shqipe, a ka pasur vallë ndonjë vepër, që të mund t’i avitej kësaj novele?
Në dijeninë time kanë qenë botuar “Dritë”, një novelë e shpifur e Shevqet Musarajt, ca tregime idiote, novela “Tana” dhe romani skematik e kriminal “Këneta” i Fatmir Gjatës, disa novela të J. Xoxes – imitime të zbehta të Shollohovit dhe, tjerrja mërzimadhe e ashtuquajtur romani “Çlirimtarët” Shuteriqit. Po, të gjithë këto vepra, ose mishra të huaj ishin botuar. Tek të pabotuarit në këtë vit (1949) Kasëm Trebeshina ka veç një mjeshtër. Edhe ai me novelë. Edhe ai në burg. Edhe ai të pabotuar (të pabotueshme): Mitrush Kuteli. Është fjala për kryeveprën e Kutelit – “E madhe është gjëma e mëkatit” (1949). “Stina e stinëve” tok me novelën e Kutelit do të botoheshin në të njëjtin vit (1992-1993).
.

Odin Modvalsen (1955-1956)

Novela (për mua – romani) “Odin Modvalsen” është romani më i çuditshëm e më befasues jo për nivelin tejet të vobegët të letërsisë shqipe asokohe, por dhe për hapësirën letrare ballkanike e europiane. Një roman esencial antiutopik i rrëfyer nga një armik i sistemit, të cilin e kanë mbyllur në spital psikiatrik nga torturat e shumta në qelitë e Sigurimit. I çmenduri na rrëfen nga lentja e përshkënditur e një të alienuari totalisht, si një nënshtetas danez, i cili nuk para pëlqen të përzihet në punët e faraonëve të partishëm shqiptarë. Vizitat e shefave të sigurimit, që nuk i zënë besë çmendurisë së tij, përpiqen ta “zbërthejnë”, por kërcimet pindarike të tij i fusin sigurimsat në mal të “morekujesë”, në një pyll abstrakt alogjizmash. Është dashuria e një infermierjeje (Xhevrija) ajo që e bën të kthjellohet dhe t’i cekin këmbët në tokë. Edhe pas daljes nga spitali psikiatrik dhe martesës me infermieren, Odin Modvalsenin e sulmojnë vizionet: një kalorësi i hypur mbi një pilivesë të madhe i rrëfen për një tragjedi – vdekjen e një vashe në shkretëtirë dhe varrosjen e saj në rërë nga i dashuri. Janë parandjenjat e tragjedisë që mishërohen shpejt me vrasjen/ masakrimin e të dashurës së tij, infermieres, nga agjentët e sigurimit, duke e kredhur sërish personazhin në shtjellën e vizioneve çmendurake:
“Zot i Madh! Kush mund të duronte që t’i vdiste dy herë njeriu i dashur…!? Kush mund të duronte ta shihte përsëri atë në pellgun e gjakut të saj…!? A mund ta shikonte përsëri të mbuluar me një çarçaf të bardhë…!?
Oh…! Sa larg që ishte Danimarka…!”
Romani është shkruar në trajtën e “Shënimeve të një çmenduri” të Gogolit. Kjo duket në emërtimin rendor të kapitujve alogjikë e absurdë me një mishmash kronologjik, sikundërse bën dhe me emrat historikë, nga faraonët e egjiptit, te Lekë Zaharia e Lekë Dushmani, apo sekretarët e Partisë.
Ndërsa bota e homogjenizuar, piku i diktaturës shtypëse e survejuese është e tëra orëelliane. Sigurisht Trebeshina në vitet që ka shkruar romanin as që e ka njohur veprën “1984” të George Orëell. Po dhe sikur ta ketë njohur, kjo nuk e dëmton origjinalitetin e terrorit psikik totalitar shqiptar.
Është një roman që duhej të kishte zënë vend me kohë në krestomacitë shkollore për forcën artistike dhe mesazhin universal që përcjell.
.
Trebeshina - Në botimet e "Buzukut"
Trebeshina – Në botimet e “Buzukut”

Fshati mbi Shtatë Kodrina (1964)

Maniera e rrëfimit për historinë, bëmat, legjendat, përditshmërinë e fshatit të ndërtuar mbi shtatë kodrinat, është rrëfimi bisedimor, rrjedha plot huqe e kapriçio ku përthyhen kohërat, përzihet miti dhe përralla me njëmendësinë, sajohet guximshëm sipas tekës së kuvendarit qëndror në këtë novelë, i quajtur Rrapo Hardhia. Ndonëse e shkruar në traditën më të mirë të tregimeve të Ivan S. Turgenievit (vëllimi me tregime “Kujtimet e një gjahtari”), Nikollaj V. Gogolit (vëllimet “Mbrëmbjet e një fshati afër Dikankës”, “Panairi i Soroçinit”) apo rrëfenjat e Kutelit, novela e Trebeshinës është një fononovelë, ku bashkë me zërin, intonacionin dhe klithmat e vikamat, dublohet nga një rrjetë pantonimash, fjalësh shërbyese-parazitare, dridhjet e mustakut, këngët dhe pirjet epike të rakisë.
Teatraliteti, bufonafa, inskenimet shkojnë dorëpërdore me seriozitetin solemn. Fshati me shtatë kodrina me lagjet përkatëse në çdo kodër është një alegori, si minimum, e krejt botës shqiptare. Rrëfimet e Rrapo Hardhisë nga kohët e lashta deri në kohët e reja ndryshojnë sipas vendit ku shtrohet sofra: historitë kanë variantet e shumta sipas vendit ku tregohen: tjetër tregohet nën hijen e gorricës, tjetërsoj nën hije të manit, krejt tjetër në konaqet fshatare.
Imagjinata e tij është e pamatë dhe pashterrshme. Inkorporimi në rrëfim i një rrjeti të dendur demonologjie, qeniesh fantastike, alternohet me narratorin, që e ndjek i magjepsur Rrapo Hardhinë.
Rrëfimet e tij ia zgjerojnë botërat, e bëjnë të ëndërrojë. Së këndejmi kemi dhe shfrimet meditative të narratorit dhe atë shpërndarje, stërpikje e grimcim me ishuj e arkipelagë lirikë përgjat gjithë novelës. Projeksioni i rrëfimeve të Rrapo Hardhisë trasformohet e transfigurohet në ëndrra gjysmëreale tek narratori, pra, një efekt anësor estetik.
Rrapo Hardhia vritet në luftë, ashtu siç kishin vdekur në mbrojtje të vendit gjithë ata trima që i këndonte në këngët e tij. Por me vrasjen e tij në luftë, merr fund e gjithë ajo botë me bukuri sugjestionuese. Fillon manipulimi i gjithçkaje, periudha rrënuese e diktaturës.
“Fshati mbi shtatë kodrina” mbetet një model i përsosur i ligjërimit ritualo-bisedimor, që e përcjell filozofinë (urtësinë, mprehtësinë) me natyralizmin procesual polifonik të kuvendimeve të prajshme fshatare. Nuk mungojnë aludimet djegëse, pasi tërë novela është ngritur si model kundërshtimi i ligjërimit steril letrar të socrealizmit.
Në vitet 1949-1964 shkrimtari Kasëm Trebeshina krijoi këto tre modele në prozë të gjatë, të cilat nuk arritën ta emanciponin letërsinë shqipe, të dënuar në rrethin e ngallmuar vicioz të ideologjisë. Vetëm arti i përsosur origjanal i tyre, si model i një ligjërimi letrar sipëror, i bën këto vepra të gjalla, të freskëta e të pacënuara nga Koha.
Shkrimtarin fizikisht mund ta burgosësh: vepra e tij, kur shkruhet me dhunti e pasion, i thyen muret izoluese të çdo kohe.
.
Agron Tufa
Agron Tufa

…dhe nje debat rreth tyre

Koço Sterjo
Është bërë fjalë, këtu në fb, për një roman plagjiaturë të Trebeshinës. Nuk po më kujtohen të dhënat konkrete. Pak a shumë brendia e kësaj akuze është: Në një takim shkrimtarësh të botës në Zagreb, një përfaqësues nga Shqipëria mbante në dorë romanin e Trebeshinës. Një shkrimtar amerikan, i pranishëm aty, që e kishte lexuar romanin, tha se ky roman është plagjiaturë komplet e romanit të shkrimtarit gjermano- lindor XY…
Nëse do të ishte e vërtetë kjo, atëherë është shumë e rëndë për Trebeshinën dhe vë në pikëpyetje gjithçka.
Unë deri tani nuk kam mundur të lexoj asgjë nga Trebeshina.
Në fb nuk kanë marrë përgjigje pyetjet:
Duke qenë aq gjatë në burg, si u shkrua vepra e Trebeshinës? Si i shpëtoi kontrollit diktatorial? Si arriti të ruhet, të shpëtojë?
Bedri Blloshmi ka spjeguar në një intervistë se gjithçka lidhet me të qenit e Trebeshinës kushëri i afërt i Mehmet Shehut…
Mendimi juaj?…
 
Agron Tufa
Koço Sterjo, mua as më intereson fare, po fare fare ama, se si u shkrua, kush e lejoi, pse e lejoi, etj, etj… Në burgjet shqiptare e joshqiptare janë shkruar vepra pafund, e sidomos kryevepra. Një rast: Poema më e rëndësishme “Kanali” e Arshi Pipës (sipas meje “Ferri” dantesk shqiptar) është shkruar në burg, në një tefter letrash cigareje (si dhe libri i burgut, e disa vepra të tjers). Nuk ia vlen miku im, me u katandisë deri në atë derexhe, se të heqësh dorë nga argumentat letrarë e të merresh me anën e jashtme, jo letrare. Burgu që kanë bërë këta shkrimtarë ka qenë real, kushdo paçin qenë ata.
Sa për plagjiaturë, po të kishte qenë e vërtetë kjo, imagjino si do ta kishin grirë në mediat tona. Aq më tepër e një autori gjermanolindor, gjuhë të ciliën Trebeshina nuk e ka ditur. Pastaj ata që e kanë lexuar veprën e Trebeshinës, e kuptojnë menjëherë vulën origjinale jo vetëm të subjektit e mjedisit, por edhe idiomën e manierën e kuvendimeve toskërishte.
 
Koço Sterjo
Agron Tufa, edhe mua nuk më intereson fare Trebeshina, nëse vepra e tij do të jetë plagjiaturë. Jam i bindur që, po ka qenë e tillë njeri roman, ashtu janë dhe të tjerët…
Argumenti letrar, deri tani, mbetet plagjiatura, nëse kjo do të rezultojë e vërtetë. Nëse jo, i besoj kritikës suaj letrare dhe asaj të Petraq Risto, realizuar kohë më parë.
Romani i pretenduar për plagjiaturë mund të ketë qenë i shtypur atëkohë në rusisht…
Nëse e ke një shtrat të shtruar dhe je i asaj pune e kërkon lavdi të rreme, pastaj, gjetja e “origjinalitetit” dhe “idiomave toskërishte” është më e lehtë…
Ka qenë dhe një pyetje tjetër, nga ato që ju i quani të “anës së jashtme” dhe të “derexhesë”, qarkulluar në internet: Ishte “disident” pa hyri në burg apo hyri në burg, pa u bë “disident”?…
Nuk di se ç’tha Instituti që ju drejtuat për ato që thotë “Mosmarrëveshja” dhe, para tij, “Disidentët e Rremë”:
Ishte apo nuk ishte ky shkrimtar themelues i bërthamës së armës së sigurimit famëkeq të shtetit në vitin 1943 apo jo?
Vrau apo nuk vrau ky shkrimtar 2 partizanë, njeri prej të cilëve 20 vjeç dhe këtë të fundit te kodrat e Liqenit Artificial të Tiranës?
Librat thonë se është justifikuar para gazetarit se “e ka vrarë me urdhër”…
Edhe Drejtori i ISKPK, në vitet ’20 të shekullit pasues, me urdhër do të… (Mos e dhëntë Zoti kurrë!), jo nga vetë urdhëruesi…
Nëse në jetë ke kryer një krim, është e hapur udha për krime të tjera…
Nuk dua të besoj në komentet e bëra në fb, kohë më parë, kur u hap ky debat, se si shkoi për studime në BS, i mbaroi apo jo, shkaku i ndërprerjes etj.”anë të jashtme”…
Për anët e brendshme, kur të lexojmë veprën…
 
Agron Tufa
Koço Sterjo ore Sterjo, po si guxon dhe e zgjat këtë çështje more mik, fill pasi t’u vërtetua se sapo na gënjeve për “plagjiaturën”!? Na the se pyesni Merita Cangonj Bajraktarin, e pyetëm dhe të përgënjeshtroi! Ti vazhdon prapë! Ti qofsh! Oreks të fortë paske!
Në rusisht nuk ka një vepër si kjo. E di pse? Sepse do të kishte bërë bujë e do të dihej, kështu që e njoh unë atë anë bote letrare më mirë. Por kërkimi tashmë është një problem jo i imi, por yti, prandaj kërko, se kushedi, ndoshta e gjen. Ama mos ma ngec mua ta gjej çfarë thonë njerëzit e çartur. Si themi nga ana jonë një fjale: “Ja ma gje(n), ja ma ke!”.
Tani jashtë këtyre çilimillëqeve të prapa: -A e kuptoni në çfarë derexheje degradon problemi? Nuk guxon kush të shfaqë mendimin pastërtisht letrar për një vepër të lexuar!? Se të hudheni në fyt me njëmijë pretekste e shpifje ordinere që nuk kanë pikë lidhje me artin letrar! Ky more mik është mësimi dhe cilësia e lirisë që ju ka dhenë USA!?
Po ku më rruhet mua t’ia di për aspekte jashtë letrare? Çfarë burri ka qenë Euripidi? Po Aristofani? Horacit e Ovidit ia njihnit cenet? A e dini biografinë e Servantesit? Ju shkon pas shijes jeta intime e Verlenit, Prustit, Zhënesë? Po Selinit? Nëse lëmë veprat dhe kapim “notat në sjellje” të shkrimtarëve si njerëz, s’guxon të hapësh gojën se të dalin katastrofa, të lyer, ngjyer, zhyer e përlyer shumica (siç kam pasë privilegjin dhe epërsinë t’i njoh më mirë se ju). Dhe juve ju shqetësoka Trebeshina! Armiku i popullit… E di, e di shumë mirë kush ka qenë Trebeshina para dhe pas burgut… Po nëse nisim ndonjëherë biografitë e shkrimtarëve (pse jo, nëse kemi nge) të kohës së murtajës…. besoj më shumë se shumica dërrmuese do të fshihen vrimave, të mos dëgjojnë të vërtetat.
Po përderisa unë, si njeri i lirë, i guximshëm dhe trim lexoj çfarë të më teket, do reflektoj mbi leximin çfarë mendon koka e Ime, dhe jo k… i të tjerëve.
Ndërkohë kërkojeni e na e gjeni atë plagjiaturën.
P.S: ISKK që kam drejtuar unë ka pasë objektiva shumë më madhore publike, se sa të merrej ekskluzivisht me K. Trebeshinën, thjesht pse (vazhdimisht dikush merrej me të) me të është marrë diktatura dhe dikush tjetër… Po as ky nuk ka të bëjë me kursin e leximeve të mia letrare individuale (të padiktuara).
 
Ramiz Gjini
Koço Sterjo, me habiti logjika jote. Tamam si një raport-porosi, dalë nga zyrat e ish sigurimit të shtetit për ndonjë person që donin ta përndiqnin.
Merreni me lëvizjet e një shkrimtari, ku hyri e ku doli; me biografinë, jo me letërsinë e tij! Kur shkoi ne Rusi?! I mbaroi apo nuk i mbaroi studimet?! Ishte apo nuk ishte disident para burgut?! Dhe të tjera pallavra, që nuk lidhen fare me veprën letrare.
Imagjinoni, sikur bota, t’u hidhte veprat në plehra, Balzakut, se nuk paguante qeranë e papafingove ku banonte; se gënjente kur i shkruante asaj polakes se ishte i virgjër si një katërmbëdhjetë vjeçar, sepse po atë ditë, të motrës i shkruante, që sapo ishte bërë me një fëmijë të paligjshëm! Sikur t’ia hidhnin tregimet në plehera O’Henrit, se vodhi ca lekë në bankën ku punonte; Anjshtanjit, se nuk qe një bashkëshort i devotshëm; Tolstoit, se predikonte të mos hahej mish, ndërsa e kapnin miqtë duke pjekur byftekë në prush, etj, etj…
Çfarë janë këto budallallëqe, pashi zotin!
Lexojeni Kasëm Trebeshinën dhe flisni për veprën, jo për Kasëmin vete. Dhe nëse nuk keni lekë t’i blini librat, mos folni për të fjalë, që u a sjell era. Se nuk keni çfarë t’i beni veprës së tij. Të tjerë breza do të vijnë, do ta lexojnë e gjykojnë për t’i dhënë vendin e merituar. Fati i një shkrimtari nuk është në duart e një klani, por është në duart e qindra- mijëra lexuesve. Një shkrimtar, as nuk ulet, as nuk ngrihet me propogandë. Se nuk ka pasë ndonjëherë propogandë më të madhe për të ngritur të ashtuquajtura vepra të Enver Hoxhës. Po ku i ke sot, or tunxhatjeta?! Po për Fishtën, a nuk ia mohuan e ia zhdukën veprën me propogandë, dhe prap u shfaq me më tepër bujë e admirim?
Mos u lodhni kot, se nuk keni asgjë në dorë.
 
Faruk Myrtaj
Eshtë e vërtetë Koço se… Ne nuk jemi lexues te Trebeshinës, as te Camajt, as të Koliqit, as të Fishtës, as të Pashkut…
Ne jemi lexues të Shkrimtarëve të Shquar të Periudhës së sundimit të socializmit. Sepse këta na dhanë, këta përfshiheshin dhe vetëm këta analizoheshin nga tërë kritika zyrtare dhe në gazetat e në festat vepra e tyre vihej në skenë, dhe Çmimet e Republikës këta i merrnin…
Ne e morëm vesh që Lasgush Poradeci paskej qënë gjallë vetëm pasi ai ndërroi jetë dhe u përcoll si poet i viteve ’30! Ne nuk e dinim se një pjesë të madhe të jetës e kalonte në Tiranë, dhe studentët e letërsisë siç edhe kolegët krijues që lejoheshin të vinin nga Kosova, nuk këshillohehsin ta takonin… dhe intervistat e Dritës Pa drite dhe të Nëntorit të Festave bëheshin kryesisht me këta Ndihmës të Partisë që atëhere pretendonin se “ishin ata që do ta shkruanin historinë e letërsisë shqipe të socializmit” teksa tani më pas abdikuan nga trualli socialist dhe metodën e braktisen si vepër në sirtar!
Siç edhe Mitrush Kutelin… me të cilin jemi sjellë edhe më të rreptë si pushtetarë dhe si kolegë të tij, me përbindshëm akoma, se si sunduesit politikë… Ne i përdorëm si përkthyes dhe në krye të tyre ishte një njeri me Armë që mallkonte e rrekej të tallte Diasporën politike…
Ne jemi ende viktima komode… dhe ngrejmë funerale për viktimizuesit, njëlloj si bëmë për Mecenatin e tyre…
 
Agim Bajrami
Të uroj Agron për këtë vështrim kaq të thellë dhe sugjestionues të novelave të mrekullueshme të Trebeshinës. Edhe pse nuk arriten të reformonin letërsinë tonë skematike të asaj kohe, ato janë një arritje e madhe e autorit!
 
Balil Gjini
Urime Agron! Më shumë për gjestin, sepse edhe mua më duket se Trebeshina është mallkuar padrejtësisht. E kanë sulmuar ata që s’duan që suvaja e admirimit kolektiv të Kadaresë të ketë të çara. Por edhe vetë Kadareja që s’donte rival tjetër në kalërim. Për mua Trebeshina është më pak i molepsur nga strukturat dhe arketipet letrare së socrealizmit.
 
Ervin Nezha
Personalisht, kur kam lexuar novelën “Legjenda e asaj që iku”, kam rizbuluar të njejtat emocione, që pësova kur lexova “Tregimet ” e Kutelit për herë të parë. Mendoj se struktura është pika më e fortë e Trebeshinës, sidomos te romani Odin Mondvalsen. Projeksionet dhe kapërcimet e kuptimeve, janë të përsosura letrarisht!
Më ka zhgënjyer kur i kam lexuar ca tregime të shkurtra të hedhura, aty këtu!
Qofsh i palodhur prof. Agroni!
 
Agron Tufa
Ervin Nezha je shumë i saktë. Edhe unë atë refuzim kam pasë për veprat e vona, tregimet dhe novelat “Hija e shekujve”
.
Vepra e botuar e Kasem Trebeshines
Vepra e botuar e Kasem Trebeshines

Ramiz Gjini

Urime për shkrimin, Agron.
Ndaj të njejtin mendim me ju. Secilit hakun.
Mendoj, që tashmë ka ardhur koha, kur lexuesi shqiptar, sidomos, ai i moshës sonë, duhet të çlirohet nga mendimet-shtampë, krijuar nga ish makina propogandistike, që trumbetonte letërsinë e realizmit socialist, që në të vërtetë, vetëm realizëm nuk kishte.
Gjithashtu, lexuesi duhet të çlirohet edhe nga kakofonia e asaj kaste kritikësh të stisur, që ngritën në qiell vepra të dobëta, vetem pse i kishte shkruar ndonjë autor, që kur e sillte hera, zinte vend ne tribunë i qeshur pranë udhëheqesit.
Besoni, apo jo, mua ende më kumbojnë në vesh, zërat që vinin nga radio, televizori, mësuesi i letërsisë në shkollë, sekretari i partisë, e deri tek kryetari i këshillit, që ngrinin në qiell dy, apo tre tipa, me, apo pa talent, që udhëhiqnin gjithë atë zhgan propogandistik, të ngritur kasten për t’i shërbyer një sistemi të përçudnuar diktatorial.
Të gjithë në kor, i mëshonin fort idesë, që filan shkrimtar është i madh!
Me këtë kakofoni propogandistike kaq shumë të përsëritur, ne u rritëm, ndaj e kemi njohur mirë si fenomen.
Po tashmë, ajo kohë iku duke marrë me vete edhe bëzhdilet letrareske, që mund të vazhdojnë të lexohen vetëm nga nostalgjikët e asaj kohe. Misioni i tyre ka përfunduar me dështim. Kaq ishte.
Tani, unë nuk kuptoj, përse këta shërbëtorë, vazhdojnë edhe sot t’i bien trumpetës për të mbajtur në këmbë mite të rremë.
Përse e bëjnë? Mos, ndoshta e bëjnë për inerci?!
Nuk di ç’të them. Por një gjë e di mirë: sot, lexuesi i kualifikuar shqiptar, në Shqipëri, por edhe gjithandej nëpër botë, (disa edhe studiues ne universitetet më të mira), ka mundësi të lexojë kryevepra të vërteta të shkrimtarëve të mëdhenj, që e kanë patur letërsinë mënyrë jetese, produkt i një shtytje të brendëshme e të natyrshme, pa u ndikuar nga asnjë lloj diktati apo interesi meskin.
Ky lexues, mjafton t’i përqasë ata më “të mëdhenjtë” tanë për të kuptuar se si shkërmoqet e bie miti i tyre i rremë.
Në lidhje me atë plagjiaturën e Kasemit, padyshim, që duhet të jetë një shpifje dashakeqe e sejmenëve, që të vetmen mënyrë për të ngritur një shkrimtar, kanë, të ulin tjetrin përkundruall. Të ulin atë që u bën hije. Pra, ulin njerin për të ngritur atë që duan të ngrenë. Sepse për rastin e plagjiaturës së përfolur, nuk ka asnjë provë të qartë bindëse.
Përpos kësaj, unë di që Trebeshina, në vitet ’90-’91, nuk ka qene përkthyer në anglisht. Në çfarë gjuhe e lexoi ai amerikani?! Ne shqip? Pastaj, përse nuk thuhet cili është ai?! Po autori gjerman, cili është?! Po vepra e tij, së cilës, na i qënka bërë plagjiaturë, si titullohet?! Përse nuk na janë servirur në shtyp copëza nga teksti, për të bërë krahasime?!
Gjithsecili, që i ka dy pare mend në kokë, duhet t’i bëjë këto pyetje.
Shkurt muhabeti, unë mendoj, që këto janë punët e të vegjëlve, që i bëjnë për t’u shërbyer të “mëdhenjve” të katundit tonë.
Në mbyllje, dëshiroj të sjell këtu diçka mjaft domethënese.
Kur punoja te gazeta RD, i kam pas marrë një intervistë përkthyesit brilant, të ndjerit Pashko Gjeçi.
Kur e pyeta se çfarë e kishte shtyrë të përkthente Dante Aligerin, ai u mendua e tha?!
“Nuk e di. Ndoshta e kam përkthyer thjesht, sepse e doja. Megjithëse asokohe, e dija që nuk do të botohet kurrë, unë e përktheva. Po nuk mund te them ekzaktësisht përse e bëra!”.
Asokohe, Pashko Gjeçi, e përktheu Danten, teksa bashkë me qindra të tjerë, i mëshonte lopatës mes baltës për të tharë kënetën e Maliqit. Të tjerë, përkthenin dhe shkruanin nëpër qelitë e burgjeve dhe galeritë e minierave. Të gjithë ata, që e bënë letërsinë në këto kushte, meritojnë respektin më të madh.
Ndaj, kush shkruan me qëllimin për t’u bërë shkrimtar i madh, ai nuk do bëhet kurrë i tillë.
Le të flasim ne sa të duam; le të ulim njërin e të ngremë tjetrin, kurrë nuk ka për të funksionuar kështu
Koha i ka dhënë e do t’i japë gjithkujt çmimin që meriton.
Ajo ka qenë, është, e do të jetë e pamëshirëshme me saktësinë e saj.
 
Agron Tufa
Sqarim për Koçon dhe Gëzimin:
Unë, me indicien e Koço Sterjos iu drejtova Merita Cangonj (Bajraktarit) të na hidhte dritë mbi këtë plagjiaturën e Trebeshinës. Ja dhe përgjigja e saj, tekstualisht (po të doni jua sjell dhe me screenshot):
Z. Agron, përshendetje! Si jeni? Uroj të jeni mirë. Kam shkruar për ju kur u larguat. Zoti t’ju mbrojë familisht. Sa për këtë që ka shkruajtur Koçoja nuk kam idenë e kësaj bisede. Unë kam shkruar për Kadarenë diçka në artcafe vite më parë kur është diskutuar “Ura me Tri Harqe” dhe një librare tha ky libër është kopje e Librit të Ivo Andriçit. (flas për një mbrëmje në vitet 2004-’05) Për këtë rastin për Trebeshinën nuk e kam idenë.
 
Gezim Basha
Agron, nuk ke çfarë sqarimi të më bësh mua, aq më pak duke përdorur e përmendur njerëz që punët e letërsisë i kanë me të dëgjuar. Kjo është çështje shijesh, jo informacioni.
 
Agron Tufa
Gëzim Basha jo për shijet Gëzim, ato nuk i vë në diskutim, se nuk mund të kenë përputhje ideale as dy gjethe në botë (Platoni). Dhe lavdi Zotit që është kështu!
Fjalën e kisha për veprën dhe autorin e madh të plagjiuar nga Trebeshina.
Ndoshta ju keni të drejtë dhe ky fakt më hap një perspektivë meditimi e reflektimi për ta parë gjithçka ndryshe. Jo pak herë ka ngjarë kjo në historinë e gjeografinë e letërsisë.
Veç desha të di veprën dhe autorin nga ka kopjuar Trebeshina, nëse nuk janë sekret!
 
Ramiz Gjini
Agron Tufa, po hë, pra hë…! Se ky është kyçi, që i jep fund krejt lojes.
Të thuhet, cili është autori, dhe cila, vepra?! Kaq e thjeshtë është!
Dhe nuk ka pse të mbahet sekret. Le te ma thonë mua në vesh, dhe unë, si trim që jam, (atje ku qoftë)? Jo vetëm qe do e bëj publik faktin, por do i qepem aq keq Kasemit, sa të gjejë vrimë ku të futet. Po dua faktin, ama, se ndryshe, nuk ma var kush.
 
Belfjore Qose
Analizë shumë e rëndësishme profesor! Përgëzime! Trebeshina mbetet një risues i madh i prozës shqipe dhe për nga brendia është një rast i rrallë i guximit për të qënë me të vërtetën edhe kur ajo, të mbytur siç jemi në pseudomitet e komunizmit, nuk na pëlqen.
 
Elinda Marku
Më kujtohet si tani ku e kam blerë ketë libër të Trebeshinës! E kam blerë në një trotuar të qytetit të Lezhës, përballë berberhanes së famshme të qytetit! Isha me tim vëlla. Nuk e kisha idenë kush ishte Trebeshina! Dhe nuk e di se pse atë ditë unë bleva vetëm këtë libër. Kurrë as më parë as më vonë nuk kam blerë vetëm një libër! E kam lexuar si asnjë libër shqiptari më parë! Eshtë e kuptueshme se si lexuesi socialist një lexues po kaq mediokër e hajvan si autorët e realizmit socialit që ky roman t’u dukej “libër i jashtëm” dhe si ndryshe do ta shprehnin xhelozinë, urrejtjen ndaj një letërsie si kjo e Trebeshinës tek ky libër, përveçse duke i shpifur plagjiaturë!!
Mbas 7 vjetësh erdha në USA, mora një çantë me rroba dhe një valixhe me libra, asnjë libër të Kadaresë për be nuk ma zu valixhia, ndërsa këtë libër të Trebeshinës e mora në çantën e dorës!
Trebeshina duket shumë “pordhac” për të bërë plagjiaturë, madje aq pordhac e aq talent dhe aq i guximshëm sa nuk e rr… kurrë për Kadarenë!
Proza e Trebeshinës dhe e Kutelit janë e vetmja prozë mirëfilli e letërsi trandëse e viteve ’45-’90!
Ndërsa poezi gjatë këtyre viteve ka shkruar një Martin Camaj dhe një Frederik Rreshpja!
Agron, sinqerisht të falenderoj për shkrimin! Jo vetëm se më berë ta rilexoj, por sidomos se më në fund Ti që din dhe guxon t’i japësh hakun këtij libri, pa dashtë me ia dijtë nëse dikush ende tronditet e tmerrohet nga “armiqtë” e letërsisë mediokre të real soc’it!
 
Erion Kristo
Libër i bukur!
 


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.