Transmetimi i Koncertit Tashko-Paluca në katund – nga Hasan Farka (1939)

Hasan Farka, - 1939 - "Pa shoqëni, në gjithësi s'ka lumni. Miqësisht, kët kujtim shokut tim të përhershëm,Ismail Vathit.

Hasan Farka, – 1939 – “Pa shoqëni, në gjithësi s’ka lumni.
Miqësisht, kët kujtim shokut tim të përhershëm, Ismail Vathit.

Transmetimi i Koncertit Tashko-Paluca në katund

nga Hasan Farka

(Bulk Përparimtar, gazeta “Java” 1938-39)

Javën e kalueme, posa që mora vesht se koncerti i zonjushavet Tashko dhe Paluca do të transmetohesh me radio, me gëzim thirra katundarët fqinjë të ndigjojnë nga radio e jeme që punon me bateri, se edhe ata më ndihmojnë si bujk i ri që jam.
Në dhomë, përveç Dullës plak i motshëm dhe krejt i thij qenë edhe nja dy-tre pleq të tjerë, dhe katër a pesë të rijë, të cilët i qëndrojnë lodhjes së ditës prendverore plot punë, po sa për tjerët, të lodhur e të këputun, nga puna e randë kishin ra me fjetë.
-Hô mrê, – tha Dulla tue çelë bisedën, -Ç’thonë kaurrit? – tue vështrue radion me kureshtje, kur unë po gjejshe stacionet.
-Kaurrit a? Aaa! Ata bâjnë qejfë o Dullë, – i thashë, – s’janë si na qi punojmë gjithë ditën dhe në mbramje bijmë me fjetë përnjiherë me pulat. Ata e kanë rregullue kohën e punës. Punojnë 8 orë në ditët, dhe mbasandaj lahen e shpërlahen, vishen edhe ikin me bâ qejfë në kino të katundit apo në ndonji vend tjetër. Edhe rrojnë mirë qerratallarët! Han’ e pinë mirë dhe dreka e tyne s’shkon pa nji poç me venë…
-Allahallaa! Kina shku kot vallahi! – tha Djaloshi, qi po rrinte prânë Dullës.
Në bisedim e sipër, tue luejtë shtizën dëftuese të stacionevet, befas ndigjuen:
-Hallo hallo, Radio kinema Gloria Tiranë, – dhe fëtyrat e katundarëvet u çelën kur ndigjuen fjalë shqip nga – ai alet dreqi – sikundër e quen Dulla radion! Mandolinata e Strehës filloi Hymnin Mretnuer kur befas Câni, nji djalosh i ri, briti me të madhe, po pak si me turp: “Rroftë Mbreti!”… “Rrooft! – ia pritën pleq e të rijë bashkë.
Kur filloi kanga e dytë, kangë kombëtare qi mësohet në shkolla e kazerma, nja tre katundarë qi kishin krye shërbimin ushtarak e që s’kishin çelë gojë deri atëherë, filluen me e imitue kangën me mburrje si me dashë me thanë se edhe ata kanë bâmë dishka.
E ndijet veten të lumtur tue i pá katundarët aq të kënaqun pranë zjarrit e pranë radios tue ndigjuem me vërejtje dhe disaherë sa memzi merreshin frymë për të mos prishë qetësinë.
Tash këndon Zonjusha Paluca, edhe më tepër me kërthëri u them: “Shëët!! – dhe me të vërtetë Maria, me zanin e saj të ambël i dehu katundarët e mij, të shkretët që dehen edhe pa pí fare me ksi punësh, dhe njani s’u mbajt mâ po bërtiti: “Of, of aman, qejfim tamam! – Përshtypje të madhe bâni ndër katundarë edhe kanga shqipe e zonjushës Tashko:
.
Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko, Marie Kraja.

Jorgjia Filce-Truja, Lola Gjoka, Tefta Tashko, Marie Kraja.

Ishin dy kunata moj zoje/ shkojshin si dy motra.
 
Kjo kangë këndohet shumë ndër këto ana, sidomos prej “Sufit” qi âsht tenori i katundit. Kur Zonjusha Tashko po i epte fund kangës “Tu Bacci” dhe zâni i saj mbrrinte kulmin, – Paa paa pa! Ku u shkëlye – ia bânë katundarët!
Shumë i mallëngjeu katundarët edhe dialogu “Nana e Djali” dhe them a do ta hekin benë e keqe qi bajnë kur thonë “Nje Turk!” – Pse mer jahun s’ká përherë shqip! – më pyetshin katundarët, sepse muzikën europjane s’e duen fare, i zen gjumi kur ndigjojnë. Unë u thashë se edhe ajo ditë do të jetë e afërtë.
-Si t’bôj emër Mreti, se ç’sen bôhet fët fët, – thanë me plot besim. Dhe me të vërtetë katundarët e adhurojnë me fanatizëm Prijsin e tyne, dhe na duhet të mburremi për këtë nderim qi kanë ata ndaj Mbretin, sepse âsht e vetmja mënyrë me i futë në rrugë të përparimit.
Këtë përfundim pati koncerti Vokal Tashko-Paluca në katund.
Nga cikli: Jeta në katund, Gazeta Java
.
Hasan Farka - Gazeta Java - 1938-39

Hasan Farka – Gazeta Java – 1938-39

 
 

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook