back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Tragjedia e “mendjeve te mbylluna” – nga Prof. Sami Repishti

Gazeta

Profesor Sami Repishti
Profesor Sami Repishti

Tragjedia e “mendjeve te mbylluna”

nga Prof. Sami Repishti

Në kujtimet e tij, historiani i ndjerë Arben Puto tregon se gjatë demonstratave studenteske të 8 Dhjetorit 1990, në nji vizitë tek e motra, Nefo Myftiu, bashkëshorte e kriminelit Manush Myftiu, – ish-kryetar i Komisionit për Internim Dëbimeve të familjarëve të personave të arratisun, kryesisht fëmijë, gra e pleq, – ajo e priti me britma histerike: “More Arben, ku të vemi tani? I kemi duart e lyera me gjak!” Vëllai, bani përpjekje me e qetësue, se nuk do të ngjante nji e keqe me ndryshimin e gjendjes.
Dhe ashtu doli! Asnji pjesëtar, përsëris asnji, nga anëtarët e familjeve të ish-udhëheqësve komunistë në Shqipëri, nuk u arrestue, burgos, torturue, internue, dënue e natyrisht as pushkatue. As edhe familja e diktatorit E. Hoxha. Shembull qytetnimi të njimendtë, dhe unë, i persekutuemi, jam kryenalt! Në Shqipëri, ky parim themelor i së drejtës civile (vetëm “personi” që kryen krimin asht përgjegjës për krimin), nuk respektohej. Në vendin tonë, komunistët kishin zgjedhë “të drejtën zakonore” që konsideronte “anmik” të gjithë familjen, dhe fisin e “fajtorit”.
Nji tjetër “udhëheqës”, mesjetari Haxhi Lleshi, edhe ai ish-kryetar i Komisionit për internimet, e përcaktonte: “Internohen të gjithë ata që kanë ngranë në nji sofër me fajtorin!”. Kështu veprohej në Shqipëri në fund të shekullit njizet. E pabesueshme! “Shembulli i qytetnimit të njimendtë” jepej mbas nji periudhe 45-vjeçare të diktaturës së proletariatit në vendin tonë: ma shumë se 7.000 shqiptarë, burra e gra, të pushkatuem me gjyq e pa gjyq, dhjetëra mijëra të burgosun e të torturuem, dhe ma shumë se 50.000 të internuem, kryesisht fëmijë, gra e pleq, mjaft prej tyne për nji periudhë 45-vjeçare! Nji bilanc i pabesueshëm për nji vend të vogël si Shqipëria jonë.
Shprehja e frikës së zonjës Nefo vjen nga nji person, që ka qenë plotësisht në dijeni të krimeve të bame në Shqipëri nga regjimi komunist. Si bashkëshorte e kriminelit, ajo ka pa dhe ndigjue ma shumë se të tjerët. Ajo e dinte se nuk ka pasë lagje qyteti, as fshat të rretheve e malësive tona ku të mos kishte nji ose ma shumë të vramë, arrestuem, torturuem, burgosun, internuem ose të shpronësuem me dhunë, kur “partizanët” zbritën nga mali dhe u vendosën me terror në shtëpitë e “reaksionarëve”.
Shprehja e zonjës Nefo ishte shprehja e frikës së përsëritjes së ngjarjeve të viteve 1944 dhe 1945. Për hir të frymës njerëzore që ushqejshin ish-të persekutuemët, ajo katastrofë nuk u përsërit. Nji fitore e madhe morale për shqiptarët! Heshtja që i mbuloi këto krime, ka qenë nji fyemje kriminale, vrasje e dytë për viktimat, nji qëndrim i pandershëm i “udhëheqësve” të vendit, pabesueshmënisht jokoshientë të seriozitetit të katastrofës së pësueme, të plagëve të hapuna, të familjeve të sakatueme për jetë… E për qindra mijëra jetë njerëzore të damtueme pa shpresë shërimi.
Akoma sot, këto viktima të terrorit të kuq nuk besojnë atë që shohin e ndigjojnë rreth e rrotull tyne. Kur e paprituna kalon kufijtë e arsyes normale, bota hyn në fushën e absurdit, ku gjithçka asht e mundun… edhe heshtja që vret e që mbulon krimin komunist. Ky asht absurdi që përballojmë sot në Shqipëri!
Në edicionin e ditës 11 prill, gazeta “Panorama” botoi opinionin e nji mendje të ndritun, atë të Dom Gjergj Metës, i Ipeshkvisë së Mirditës. Tue trajtue “absurditetin” e gjendjes së sotme në Shqipërinë sonë, ai shkruen: “Po! Ai sistem ishte kriminal, antishqiptar e antinjerëzor. Nuk duan të dorëzohen qoftë ata që ishin protagonistë në administratë apo në propagandë, e qoftë pasardhësit e tyne biologjikë e ideologjikë. Deri tani, një njeri kam hasur që ka qenë i qartë, i vendosur, fisnikërisht njeri me një sens përgjegjësie për t’u admiruar, e ky është Bashkim Shehu”. (Shënim: djali i kryekriminelit Mehmet Shehu-SR).
Ai shton: “Me vetëdije apo pa vetëdije, shohim nji përpjekje për krijimin e një nënstarti të ri, në të cilin idetë komuniste të vlerësohen përsëri e të kenë mundësi të ripropozohen edhe politikisht…”. Nji gjykim i matun dhe korrekt i këtill më kujtoi esejen e filozofit francez, Bernard Henry-Levy: “Të mbetun në kohën e errësinës”. Ai shkruen: “Unë jam i bindun se me kolapsin e kështjellit komunist, pothuej kudo në botë, në disa raste kemi pasë edhe efektin anësor e të papritun me shlye gjurmët e krimeve të tij, bile disa shenja të dukshëm të dështimit tij, që kanë lejue disa persona me rifillue andrrimet për nji komunizëm të papërlyem, të pakomprometuem nga krimet dhe të lumtun!”.
Në anormalitetin e gjendjes sonë, a ka mundësi të përjetojmë nji paturpësi të këtillë? Fatkeqësisht po! Sidomos me polemikat e këtyne kohëve të fundit. Për shumë shqiptarë që mendojnë dhe për shumë shqiptarë që kanë vuejtë randë nga krimet komuniste kjo asht nji tragjedi. Por, njikohësisht, kjo asht nji tragjedi, sidomos edhe për elementë me përgatitje intelektuale, por “mendjembyllun” (“close-minded”) që, tue mohue të kaluemen terroriste, “riandrrojnë” nji komunizëm të pafaj dhe të lumtun. Dhe ky fenomen asht shqetësues, me tone tragjike personale dhe kombëtare që rrjedh nga “pika e dobët” në formimin e andrruesve, shkaktare e tragjedisë së tyne të paevitueshme. Tragjedia, shprehjet e saja, u shfaqën që në ditët e para të qytetnimit.
Teorikisht, Aristoteli na mëson se ajo provokon terrorin dhe mëshirën. Mëshira lind nga fatkeqësia e pameritueme e viktimës. Dinjiteti i viktimës rritet nga fisnikëria e kauzës që ai mbron me rrezikun e jetës, qoftë ai qytetar i thjeshtë, qoftë si masë popullore që ngren kokën. Fisnikëria e kauzës na shërben si mësim i historisë, si nji shembull moraliteti suprem, si nji shpalosje e psikologjisë sonë që na udhëheq, dhe si fortësi e karakterit me ndjekë pa u lëkund imperativët e kauzës.
Nji fisnikëri të këtillë e kemi përjetue gjatë ditëve të pushtimit të huej, në vitet e Luftës së Dytë Botënore, në vitet kur rezistenca naltësonte shpirtin tonë të luftës për çlirim, në luftën kundër të huejit dhe kundër çnjerëzimit, që kërcënonte personalitetet tona. Kështu u krijue nji përkrahje e plotë e luftës çlirimtare nga zgjedha e të huejit me të gjitha zhvillimet tragjike që ajo luftë solli në vendin tonë, e që na pranuem me mendje të hapun e zemër të përgatitun për flijim. Kanë qenë ditët e lavdishme që premtuen të nesërmet plotë kangë, “bukë e paqë edhe liri!” e që realiteti komunist i mohoi mbas “çlirimit”, tue i zëvendsue me vajin, dnesën e ulurimën e viktimës së pafajshme dhe urrejtjen e përpunueme me shkencë.
Shumë shqiptarë të ndershëm ranë viktimë e kësaj kurthe monstruoze dhe e ndërtesës së re që i mbështjelli pa asnji mëshirë! Tragjedia asht edhe ma e randë për ata që janë të arsimuem, për ata që mendojnë si qenie të pavaruna, për ata “që dialogojnë me elementë që tejkalojnë forcat e tyne”. Në luftën e tyne të brendshme, ata përfundojnë ose me nënshtrimin tue pranue logjiken që jepet dhe aksionin që imponohet, për hir të nji jete me konforte, ose në nji konflikt të brendshme me njohë vetveten, e që përfundon “me nji dashuni për botën, e zbulimin e nji farë harmonie në mes vetes dhe botës përreth” (Jacques Morel).
Ose me nji akt revoltues, që i jep aksionit tonin e nevojshëm tragjik që merr përpjekja me u afirmue në momentin me nji akt të veçantë, që shpeshherë ka karakter dëshprimi. Tragjedia e përgjithshme përvetësohet nga heroi individ që pranon konfliktin e mbrendshëm, që krijon situatën kur ai ndërgjegjësohet me dhimbje për fatin ose fatalitetin që e pret, e natyrën e saj. Asht fryma e rezistencës kundër së keqes që na imponohet e nuk pranohet.
Me marrjen e nji aksioni që e shkatërron, qytetari rezistues kryen aktin ma sublim të jetës: luftën kundër fatit dhe siguron, qoftë edhe për nji minut, lirinë e tij absolute. Qenie e lirë! Kjo asht madhështia e shqiptarëve dhe shqiptarëve që ngritën krye në rezistencën kundër të huejit që i vrau gjatë pushtimit të vendit tonë, dhe ma vonë, e shqiptarëve dhe shqiptareve që ngritën krye kundër diktaturës së proletariatit që i dërmoi pa mëshirë!
.
Arben Shira - Pushkatimi
Arben Shira – Pushkatimi
***
Nji ndryshim i shpejtë nga nji botë e mbyllun në nji shoqëni të hapun nuk mund të kalonte pa rrjedhime negative, një nga të cilat ashtë fenomeni i “mendjeve të mbylluna” në kallëpin ideologjik ku ata u formuen dhe pranuen pa rezistencë. Kjo kategori asht, për vetë qëndrimin e tyne, i nji natyre “konservative”, pavarësisht se nominalisht ata kanë jetue nën “socializëm”, ide teorikisht përparimtare me rezultate zhgënjyese. Ky negativitet shihet në qëndrimet e tyne në kulturë, art, letërsi e tjera. Ata frikësohen nga spontaniteti ose ndryshimi i botës së tyne.
Personat “me mendje të mbylluna” mund të jenë si rezultat i nji sistemi politik të veçantë, që i prodhon ata ose përforcon tek ata ideologjinë e vet, siç asht rasti ynë “komunist”. Nga nji herë, kjo rrjedh edhe nga nji situatë traumatike në jetë; si rrjedhim, ata izolojnë veten nga emocionet, afeksionet e tjera. Për ma tepër, ata mendojnë ngushtësisht në “kategori” që nuk mund të hapen (e bardhë ose e zezë!) gjatë procesit të mendimit të tyne. (P.sh., të gjithë ata që ishin “ballistë” ose “zogistë” dje, ose “komunistë” sot, janë njerëz të këqij.
“Të gjithë ata që nuk binden, duhen ndëshkue”, e tjera) Psikologët mendojnë se “mendjet e mbylluna” nuk shërohen lehtë, sepse ata mendojnë që kanë të drejtë kur shfaqin nji mendim, nji qëndrim, nji ide, nji perceptim, etj. Por, ata duhet të ekspozohen me ndihmën e personave që kanë qenë viktima të nji regjimi të veçantë politik; ata duhet të ndigjojnë rregullisht historitë e njerëzve që kanë vuejtë. (Ky sistem quhet “hypothesis of contact” – hipoteza e kontaktit”). Ky asht nji sugjerim për shërimin e tyne, tue i ndihmue ata të vijnë në kontakt me realitetin. Megjithatë, dyshohet nëse ata kanë mundësi të “shërohen plotësisht”.
Pak ditë ma parë, unë tregova në këtë fletore dy raste ekstreme torturash çnjerëzore. Qëllimi? Me ndihmue “mendjet e mbylluna” të rikonsiderojnë pozicionin e tyne. Sot do të shtoj dy raste tjera, të njohuna ma shumë:
1)Në muejin tetor 1946, oficerët e Sigurimit, kolonel Vaskë Koleci dhe majori Zoi Themeli, torturuen avokatin shkodran, të ndjerin Myzafer Pipa, me hekur të skuqun në zjarr, të vendosun në shtyllën kurrizore. Zyrtarisht, “ai u vra sepse tentoi arratisjen”. Në vitin 1949, i pyetun nga gjykatësi, kolonel Koleci tha se ka marrë udhëzime nga Koçi Xoxe. I pyetun, “trockisti” Koçi Xoxe deklaroi se ka pasë “udhëzime nga komandanti…”
2)Mbas dënimit me vdekje të ish-admiralit Teme Sejko, (1961) u dhanë udhëzime të torturohet përsëri me qëllim që të nxirrnin të reja nga ai. Tre oficerë, kryekrimineli Nevzat Haznedari, nji nga torturuesit ma të frikshëm në Shqipëri, tregon se e morën viktimën (ishin tre shokë), e shpunë në nji shtëpi afër Shijakut, porositën disa shkopinj të fortë dhe e vranë fare. Për të qenë të sigurt se ka vdekë, shkruente ai në shtypin shqiptar të mbas 1991-it, ‘morëm nji kazëm dhe dërmuem kafkën e tij’. Përsëri, unë tregoj këto shembuj me ndihmue “mendjet e mbylluna” me ardhë në kontakt me realitetin.
.
Lin Delija - Krimet
Lin Delija – Krimet
***
Në fund të L2B, gjenerali D. Eisenhower, kryekomandant i forcave aleate në kontinentin europian, detyroi forcat ushtarake amerikane dhe autoritetet lokale gjermane, si dhe popullsinë e vendit, me vizitue kampet e përqendrimit dhe me dëshmue egërsinë e pabesueshme naziste; për ushtarët amerikanë me pa dhe me u njoftue me natyrën e anmikut nazist, kundër të cilit ata luftojshin. Efekti ka qenë i fortë dhe i paharrueshëm. Përse jo edhe në Shqipëri?
Le të zbulohen zonat e shumta të krimeve komuniste: qendra torture, ekzekutime, varreza, kampe internimi, faltore të shkatërrueme e klerikë të vramë, e pronarë të pafajshëm e të shpronësuem padrejtësisht me dhunë, djegie librash e biblioteka të shkatërrueme… e le të deklarohen ato “objekte shenjte” për popullsinë në përgjithësi, veçanërisht për nxanësit e shkollave. Le të bahen objekte pelegrinazhi e reflektimi, e sidomos reflektimi… për të gjithë!
Na do të zbulojshim shembujt ma fisnikë të historisë shqiptare dhe të karakterit sublim të shqiptarit, që guxoi të luftojë deri në sakrificë të huejin pushtues dhe shqiptarin shtypës të pamëshirshëm, shembullin ma të ulët e ma të urrejtun të shoqnisë shqiptare…! Le të organizojmë nji fushatë për mbledhjen, koleksionimin, klasifikimin dhe ma në fund paraqitjen publike të të gjitha krimeve komuniste, të çdo natyre qofshin ato, si dokumentacion të domosdoshëm me shkrue ndershmënisht historinë e trishtë të 45 vjetëve të terrorit komunist në vendin tonë. E mirë ose jo e mirë, ajo asht historia jonë dhe duhet ta pranojmë.
Ata që paguan me çmimin ma të naltë rezistencën e tyne, e kërkojnë! Dekomunizimin shoqnia shqiptare e kërkon; breznia e re në shkollat tona, e kërkon; dhe tekstet tona presin momentin kur ata të plotësojnë këtë mision. Nji veprimtari e këtillë asht nji imperativ kategorik! Nji përpjekje e organizueme nga Qeveria dhe organizatat joqeveritare me identifikue vendet, me ndihmue, me këshillue dhe me dhanë burime financiare-shtëpi, punë, pensione etj., – dhe sidomos me krijue mundësitë për arsim – kryesisht arsimin e naltë- për viktimat e familjet e tyne të harrueme, për të gjithë ata që dhanë çdo gja për vendin e popullin e tyne, ashtë nji imperativ kategorik.
Kështu, qëllimi i arsimit progresiv ka mundësi të ketë suksesin e pritun, vumjen e theksit në nxitjen e kuriozitetit tonë për ngritjen e zemërmirësisë sonë të brendshme dhe përjashtimin e mbrapshtisë së ideologjive totalitare. Në “Botën e Lirë”, tregu i ideve asht i gjanë dhe eventualisht zgjidhen ato që janë ma të “mira”, në shërbim të njerëzimit pa dallim, pa përjashtim, nji sistem që na sjellë në mendje “darvinizmin” dhe zgjedhjen e “ma të përshtatshmes”.
Por, në nji tregim idesh të këtilla, eksperienca na mëson se fashizmi, nazizmi, komunizmi, militarizmi japonez dhe “-izmat” e tjera me karakter totalitar, siç ishte ‘enverizmi’ në Shqipëri, forma ma e mbrapshtë e “humanizmit” marksist, nuk kanë vend. Ka ardhë koha edhe për me ba hapin e madh kualifikativ, me u ba “zot të vetvetes”, me fillue tranzicionin tonë nga faza fëminore dhe logjika e saj, në atë të burrënimit me sensin e plotë të përgjegjësisë personale; me arrijtë fazën e jetës kur kërkohet zotënimi i plotë i pasioneve të errëta dhe tentimeve satanike, efektet e të cilave, shqiptarët i njohin shumë mirë. Ka ardhë koha “me qetësue bishën që kemi përbrenda”.
Le të bajmë përpjekje me rindërtue modelin e karakterit të njeriut shqiptar, me nji kulturë që inkurajon identifikimin e “të metave tona”. Kjo asht rruga ma e mirë me evitue tragjedi të reja në vendin tonë martir. Identifikimi i “të metave tona” ashtë hapi i parë; hapi i dytë, ashtë identifikimi i “pikave të përbashkëta dhe bashkëpunimi me të gjithë”. Kështu mund të arrihet “pjekunia e shoqnisë shqiptare”!
.
*Ish-i burgosun politik (1946-‘56)
Marrë nga http://www.panorama.com.al/tragjedia-e-mendjeve-te-mbylluna/
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.