back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Tradita të lashta shqiptare që jehojnë ndër ditët tona…

Gazeta

Nata e Buzmit
Nata e Buzmit

Tradita të lashta shqiptare që jehojnë ndër ditët tona…

Nata e Buzmit… qysh prej kohnave ma t’lashta

nga Ilir Seci

Sonte asht Nata e Buzmit, asht Natë e Lume dhe asht festu qysh nga kohnat ma t’lashta…
Kjo foto që e bana “Share” nga faqja e Pultit këtu ne FB, tregon se si ruhet kjo Traditë e Lutjes së Buzmit edhe sot…
Për Buzmin dhe traditën malsore, ma mirë se kushdo tjetër flet At Bernardin Palajt OFM: “Krishtlindja: Nata e Buzmit – Buka e Lamit.”
“Nga Nata e Buzmit kalojmë te Buka e Lamit, akt liturgjik që na çon përsëri në kohë të lashta, kur njeriu fliste me sendet që e rrethonin, e ma pas, në kohë më të reja, kur malsori shqiptar mësoi të fliste me Zotin që bëhet njeri edhe për të, e sidomos për të, për bukën e tij të përditshme të lamit e të shpirtit.

At Bernardin Palaj
At Bernardin Palaj

N’agshol të dritës do të bahet lami. E Zoja e shtëpís, mbas mjesnate do të gatuejë bukën e lamit. Prap nji akt liturgik, qi do ta kryejë i zoti i shtëpís në mjedis t’arës.
I zoti i shtëpís merr nji krah tallë dhe i shkepë në mjedis t’arës rreth vehtes, tue përftuem nji rrotullak, e pret prap kryq me tallë. Nji njeri i shtëpís i bjen bukën e nxehtë me nji pjesë djathë sypri më njenën dorë e më tjetrën majet e buzmavet të ndezun, të cilat në mjedis të lamit i a dorzon të zotit të shtëpís. Ky merr unat e ndezuna e tue i qërfatë 7 së pari përmbi bukë e djathë, thotë kto fjalë: Falna o Zot bukën e përditshme! Mandej tue u sjellë rreth atij lami, qërfatë pa pushim unat tue përsëritë kto urime: Gacë e karricë! Si të sillet gjithkund rreth talles, therë tokën për me mbytë urinë mos të bâjë dam. Then bukën e nji grimë djathë e ia nep ati qi e prûni, tjetrën e merr e shtjen në shtëpí e unat ia nep bariut. Ky ulet në burg të gjâsë e tue qërfatë unat rreth e rrotull, thotë vijanos këto fjalë: Gacë e delme, gacë e dhì, gacë e lopë, e kështu tue njehë nji nga nji emnat e gjâsë së gjallë qi dishron me ia falë Zoti në jetë të ré. Atëherë bariu njitet nalt e të gjith s’bashku n’agshol të dritës hanë bukën e lamit, bukën e jetës së ré.
Porsa të hanë bukën, dy burra shtëpie dalin jashtë; njêni merr do tallë e tjetri nji këmesë e nji gjylpanë të madhe në dorë për me trêmbë pemët e buta. Ai qi ka kmesën, porsa t’i afrohet pemës, i turret tue e pyetë shoqin tri herë rresht: A e pres? -Mos e pre, se bân, i përgjegjet tjetri. Mbas tri heresh bân kinse po e thérë me gjylpanë, tue pyetë shoqin prap tri herë rresht: A e theri! – Mos e thér, se lidhë. Mbas së tretës herë, ai qi ka tallën, e lidhë pemën qi të bâjë kokrra. Kështu i kërkojnë të gjitha pemët e buta me rend. Mbas përbetimit të pêmvet, të gjith do të lahen shtetsh në nji ujë qi hecë.
Ditën e Maranajvet, të gjithë pjestarët e shtëpís, në Dukagjin, nuk shtijnë gjâ në gojë deri të kthehet dita, pse zgjidhen shpirtënt e të vdekunvet n’atë jetë. Në fillim të secilës vjeshtë nëpër Dukagjin lutet dita e qiravet, për gjith fis me fërlikë për të vdekun të trollit.”
Buzmi, Kshnellat

At Marin Sirdani
At Marin Sirdani

At Marin Sirdani për Natën e “Buzmit”

Në Nikaj Mërtur, ndryshojnë prej Dukagjinit sjelljet dhe ceremonijet e “Buzmit”. Në të dy këta Bajrakë si të ndezet kah muzgu zjermi, merr i zoti i shtëpisë do unë hardhie e arre e bje në burg te gjaja e gjallë, e nësa robët bërtasin tuj u mundue me ia gjasue, sa ma me xenë
zanit të bagtive që kanë në vathë, kthehen me copa une, e i rue buzë votres. N’e nesre i merr me vedi në bashtinë, e ndezë nji flakada, vendon edhe ato copa kranje mbi tà, e si të shofin se kanë marrë zerm mirë, i merr e shkon e i shkrepë për shoqa shoqen në katër anët e bashtinës tue thanë setcilën herë: “Sa shkëndia dalin prej meje aq karriqa (barrë drithi) due prej teje”. Mandej u matet pemve ban lamin dhe kthehet në shpi.
Dit’t e Kshndellave së kan ndonji ndryshim tjetër prej kremteve tjera rrokull motit, pos meshës qi thohet në mjesnatë, Natën e “Buzmit” e laknorit, qi n’ato tri dit do t’i qitet setcilit shoq a mik, qi vje e piqet në shpi.

Dom Prek Ndrevashaj
Dom Prek Ndrevashaj

Dom Prek Ndrevashaj për Natën e Buzmit

Festa pagane e Buzmit u kristianizua edhe në Shqipëri; që shumë kohë para pushtimit otoman, u kremtua festa e madhe: lindja e Zotit tonë Jezu Krishtit që, siç shkruan Dom Prek Ndrevashaj, nuk harron me u ndalë çdo vjet mes rranxave të vetmueme:
“O Natë e Bardhë, me shekuj t’u bame flí/ te kto rranxa të vetmueme, në luftë me jetë,
E me duhma t’ortekut ktu për bri!/ Veç ti s’harron me u ndalë te na çdo vjetë!”

Dr. Bexhet Asani
Dr. Bexhet Asani

Festa e Buzmit te Shqiptarët Ortodoksë të Maqedonisë

nga Bexhet Asani

1.Buzm – Kërcu i madh. Buzm i trashë (i rrumbullakët). I shëndoshë si buzm. Pres një buzm.
2.etnogr. Kërcu i trashë që vihej në zjarr natën e Kërshëndellave. Nata e Buzmit – Nata e kërshëndellave. Buzmi bujar! Përshëndetje që përdorej  Natën e Kërshëndellave.
(Katolikët e festojnë natwn e 24 dhjetor ndërsa ortodoksët më 6 janar )
Ndër festat më të lashta pagane dhe më të përhapura ndër shqiptarët pa dyshim është Festa e Buzmit. Kjo festë është ruajtur deri në ditët tona vetëm te shqiptarët e Rekës së Epërme të Gostivarit, ndërsa në viset tjera të Maqedonisë ku jetojnë shqiptarët nuk gjejmë kurrfarë gjurme të kësaj feste, si duket është zhdukur shumë herët. Festa e Buzmit në fshatrat e Rekës së Epërme është e njohur si Dita e Benikut. Në veri të Shqipërisë dhe në disa vise në Kosovë buzmi kremtohet më 24 dhjetor kurse në fshatrat e Rekës së Epërme festohet më 6 janar dhe lidhet me Festën e Kërshëndellave Ortodokse.
Edhe te shqipëtarët e besimit islam në Maqedoni si në Kërçovë, Tetovë, Gostivar, Derven, Shkup, Kumanovë, Veles, Prilep etj., për këtë festë është mjaft e pëhapur kënga:
Bozhiç, bozhiç,/ Baj dru e diç,
Bluj e gatuj,/ Pi veni mo luj. (Zenku,1982:15)

Kurse në Desovë të Prilepit thonë:
Para bozhikut,/ mas bozhikut
ku t’jesh/ në shpai t’jesh. (Ibrahim,2003:24)

Buzmi apo beniku siç i thonë banorët e Rekës së Epërme është një dru rreth një metër, të cilin e presin në mal djemtë e rinj, por nganjëherë edhe i zoti i shtëpisë. Ata që e sjellin buzmin kur afrohen para shtëpisë dhe e thërrasin të zotin e shtëpisë ose ndonjë anëtar tjetër të familjes, midis tyre zhvillohet ky dialog:
-O zoti i shtëpisë!
-Kush vjen?
-Beniku.
-Kë na bie beniku?
-E vejmë në zjarr, të na lehen ma shumë gjem (djem) se vasha, fmija mashkull, shqerat femna. (Osmani,1997:16)

Ky dialog dhe këto përshëndetje në këto fshatra na paraqiten dhe në formë të vargjeve:
Ç’i na mbledhke panagjyr,/ Panagjyr e për nantë kishë,
N’mat ma shumë e trima t’ri./ N’mat ma shumë e nuse t’reja,
N’mat ma shumë e shqera t’njoma, oooih! (Osmani,1997:17)

Para se të perëndojë dielli buzmin e vënë në vatër që të digjet. Anëve të benikut hedhin nga nji lugë gjellë prej çdo gjelle të përgatitur për nder të kësaj feste. Pasi digjet buzmi, të nesërmen hirin e tij e çojnë nëpër rrënjët e pemëve me qëllim që pemët të japin sa më shumë fruta vitin që vjen. Festa e Buzmit apo e Benikut lidhet me pjellorinë dhe përtëritjen e diellit. Dy shembujt e mësipërm janë mbijetojat e fundit të festës së Buzmit te shqiptarët e Maqedonisë.

Klodi Stralla
Klodi Stralla

Në vigjilje të Krishtlindjeve – Kolendrat

Klodi Stralla – Kujtime vegjelie

Mbrëmje – 24 dhjetor, duke u gdhirë Krishtlindja. Jemi e gjithë familja në shtëpi, rreth bredhit të stolisur si nga mot. Rozi po përgatit diçka për darkën, djemtë dhe nusja po ndjekin një film televiziv, ndërsa unë, i ulur në shezlongun tim, humba në kujtimet e mija të vegjëlisë…
Ndonse kanë kaluar 56 vjet nga mbrëmja e 24 dhjetorit të vitit 1957, kur isha ende një fëmijë 6 vjeçar, e kam si tani para syve atë ambjent festiv të Korçës tonë, por sidomos të rrugës ku unë banoja. Që në mëngjez, së bashku me shokët e mij, bënim planet për mbrëmjen që mezi e prisnim të vinte. Ishte nata e Kolendrave dhe për komunitetin e krishterë të qytetit mesnata e 24 dhjetorit është koha e lindjes të Krishtit, një ngjarje që korçarët ortodoksë e festonin prej shumë brezash. Jemi 10 vite përpara nga ajo kohë e kobshme, kur shteti komunist e shpalli Shqipërinë si vendin e vetëm ateist në botë dhe ndaloj çdo lloj feste apo rituali me origjinë fetare.
Gjatë ditës gjyshja e ndihmuar nga mamaja, me përparse dhe hokllai në dorë, zinin brumin dhe, në astagaçin e lyer me miell, përgatisnin kuleçë të vegjël në forma të ndryshme, si shqiponja, lepurushë, yje e forma të tjera, shumë intriguse për ne fëmijët kureshtarë. Këto kuleçë të vegjël, të ëmbël, me forma të larmishme, quheshin Kolendra. Mbasdite babai solli disa vargje me fiq të thatë, gështenja dhe ara sipas zakonit. Kënaqësia ime qe e papërshkruar kur nxorri nga çanta Çomagen, simbolin me të cilin ishte e lidhur pazgjidhëshmërisht kjo mbrëmje e shënuar. Nata e Kolendrave nuk mund të kuptohet pa Çomagen. Ishte një send prej druri, në formën e një çekiçi, i ngjashëm me atë që përdorin gjyqtarët kur deklarojnë verdiktin, Ato i prodhonin zdrukthëtarët privatë të Pazarit të Korçës, që aso kohe ishte funksional me të gjitha zejet.
Aty rreth orës 7 të mbrëmjes grupi i vogël prej 4- 5 shokësh u mblodh në shtëpinë time. Binte një borë e imtë dhe ishte veçanërisht ftohtë. Të veshur me palltoçkat, dorezat (pa gishta dhe të lidhura së bashku) dhe kapuçet prej leshi (dukeshin vetëm sytë dhe goja), me çantën pas shpine dhe çomaget në dorë, morëm rrugët gjithë akull për tek shtëpitë ku do të shkonim për të sjellë “Lajmin e Mirë” të Lindjes të Krishtit.
Bam, bam, bam… godisnin pa pushim çomaget tona në derën e shtëpisë të një të afërmi tonë, të shoqëruara me këngën që ende, pas kaq vitesh, nuk ja kam haruar fjalët:

Kolendrat
Kolendrat

Isuj (Jesusi) për ne ka lindu-rë/ Ti bëjë mirë botë-së
Ka lënë lart, lavdinë e tij/ Erdh për të sjellë, Mirësi!

Bam, bam, bam… Hapej dera dhe i zoti i shtëpisë na përqafon, na puth, na uron dhe na jep secilit kolendrën, ara, gështenja dhe fiq. Është shumë i gëzuar që në shtëpinë e tij fëmijët (personifikimi i dlirësisë njerëzore) i sjellin lajmin e mirë, që konsiderohej si mbarësi për atë familje në Vitin e Ri që do të vinte pas pak ditësh. E lemë atë shtëpi dhe vijojmë më tej, tek familja e dytë, e tretë… kudo e njëjta gjë, e njëjta mikpritje, i njëjti gëzim në sytë e mikpritsit dhe pa dyshim e shumëfishuar në sytë tanë të vegjël, që shndrisnin aq më shumë, sa më shumë rëndohej çanta e mbushur me kolendra! Ende i ndjej ato emocione kur, secili nga ne fëmijët e vegjël, bënim bilancin e “gjahut” që kishim siguruar në atë mbrëmje magjike!
Klodi!… gjithçka është gati – u dëgjua zëri i Rozit. Ejani në tavolinë! Hapa sytë dhe ndjeva keqardhje për ato vite të largëta… Vogëlushi 6 vjeçar, tashmë është një burrë i thinjur; dëbora dhe rrugët e dikurshme me akull, kolovajzet dhe slitat nuk janë më; askush nuk trokiti me çomage në portën tonë të pallatit. Ndonse në tavolinë kemi kolendra, fiq, ara dhe çdo gjë të asaj kohe, të gjitha këto nuk më sjellin ato gëzime si dikur. Ndjeva nevojën ta shkarkoja këte emocion keqardhjeje dhe u përkula mbi tastierën e kompjuterit për të bërë zap përroin e rrëmbyshëm të kujtimeve…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.