Torturat e përdorura ndaj grupit të deputetëve dhe intelektualëve në vitet 1947-1948 nga Kastriot Dervishi

Gjyqi i grupit të Deputetëve 1947

Gjyqi i grupit të Deputetëve 1947

Torturat e përdorura ndaj grupit të deputetëve

dhe intelektualëve në vitet 1947-1948

nga Kastriot Dervishi

Procesi ndaj grupit të deputetëve dhe intelektualëve të tjerë është zhvilluar nëpërmjet një procesi të tmerrshëm torturash. Gjatë periudhës së hetimit vdiqën nga torturat e rënda, këta të pandehur:
-Ali Begeja, ish kryebashkiak i Tiranës (procesi i parë), vdiq më 18.8.1947. Për të u shkrua se gjoja “vdiq në burg duke u hedhur nga dritarja”.
-Stanislav Zuber (procesi i parë), për të cilin mungon data e saktë e vdekjes, pavarësisht se të dhëna të ndryshme ka.
-Ferit Hysenbegasi, jurist (procesi i dytë), 17.9.1947
-Avdul Bani (procesi i dytë), roja i Islam Radovickës
Torturat kryesore (ka edhe të tjera që do njihen në postime të tjera) të përdorura ndaj grupeve të deputetëve dhe intelektualëve janë dëshmuar në disa burime. Njëri nga hetuesit ka dëshmuar “arsenalin” që ka njohur (shih më poshtë). Për këtë arsye procesi hetimor dhe ai gjyqësor është në masën 90-95% i pavërtetë dhe i manipuluar, efekt i torturave të mëposhtme ku më kryesorja ka qenë ajo e prerjes së mishit.
.
Dëshmia e një njeriu të Torturave makabre

Dëshmia e një njeriu të Torturave makabre

Unë i nënshkruari Naun Berhami, deklaroj sa më poshtë:
Po rreshtoj më poshtë torturat e ndryshme që u janë bërë të burgosurve, sidomos gjatë vitit 1947-1948. Për të gjitha këto Koçi Xoxe, Vaskë Koleci dhe të tjerët kanë pasur dijeni dhe s’kanë marrë asnjë herë ndonjë masë kundra atyre që i bënin, bile këta vetë na inspironin dhe mësonin të vepronim kështu, megjithëse në dukje tregoheshin disa herë kundra (nja dy telegrame që kishin bërë se gjoja ndalohesh druri)
Janë përdorur këto forma torturash
.

Torturat Komuniste

Torturat Komuniste

Lista e torturave

1-Jeleku (tortura më e tmerrshme, njeriu lidhet pas një huri dhe merr pamjen e një qingji që piqet në hell).
2-Kamxhiku dhe druri.
3-Të lënët pa bukë, pa ujë, pa gjumë dhe më këmbë me ditë të tëra.
4-Korrenti elektrik deri sa i binte të fikët.
5-Hedhja në qafë e zinxhirëve me peshë të rëndë.
6-Lidhja me duar nga pas në dritare ose në ndonjë dru varur deri sa t’i priten gishtat.
7-Thyerja e kockave dhe ndukja e mishit me darë (kjo u përdor sidomos pas dënimit me vdekje të Shefqet Bejës dhe kundra tyre).
8-Kripa në gojë.
9-Shpifnim gjoja sikur do të ekzekutoheshin ose do të vareshin dhe u shtihej në ajër ose shpiheshin te litari.
10-Tortura morale në lidhje me familjen: do të burgosim, do të t’i vrasim, bile në Shkodër për të thyer rezistencën e Dulo Kalit shpunë në një dhomë ngjitur me të dy të burgosura vajza dhe dy të burgosur burra dhe ato bënë gjoja sikur ishin vajzat e tij dhe i kishin prurë t’i çnderuar
11-Futja kokëposhtë në vozë plot me ujë.
12-Një herë Myftar Tarja (hetues-shënim) i futi një Toptanit nevojë në gojë dhe çorape të palara.
13-Djegia e mishit me cigare. Në fund kundra një provokatori të Kukësit i është hedhur alkool në duar ose në leshra dhe i vihesh shpyrtua (shkrepsja).
-Gjellë me kripë e lënia pa ujë.
-Futje në ujë dhe lënie me tesha të lagura në dimër.
-Pakësim i ushqimit gradual për të vdekur brenda 1 ose 2 vjetëve
-Lënia pa gjumë në këmbë.
Naun Berhami (firma)
Trupa gjykuese me Niko Cetës (me profesion furrxhi) anash kapiten I Nexhat Hyseni kapiten II Mustafa Iljazi.

Trupa gjykuese me Niko Cetës (me profesion furrxhi) anash kapiten I Nexhat Hyseni kapiten II Mustafa Iljazi.

Për 5 deputetët dhe 11 intelektualët e ekzekutuar më 10 tetor 1947

Sot në përkujtimin e të ekzekutuarve të procesit të parë të deputetëve dhe intelektualëve të asaj që u pa sot në Kuvendin e Shqipërisë më jepet rasti të them disa të vërteta në lidhje me atë proces dhe dokumentimin e asaj që ka ndodhur në atë kohë. Ceremonia e Kuvendi me përjashtim të përkujtimit të datës 10 tetor, nuk kishte asnjë tjetër që të ngel në kujtesë. Siç ka thënë edhe një anëtar i Autoritetit, ky i fundit po promovohet përditë e më shumë si institucion shfaqjesh, në përfundim të të cilave i “gostit” të ftuarit me nga një dosje digjitale. Për fat të keq, Autoriteti nuk ka asnjëherë kohë të lexojë dhe kuptojë gjërat që shkruhen nëpër dosje. T’ua vësh publikut në këtë formë, pa asnjë sqarim, është njësoj si të thuash se të dënuarit e kanë merituar ekzekutimin me vdekje sepse vërtetohet me dokumente.
Janë trashëguar vetëm dy dosje formulare, por edhe ato nuk kanë lidhje me këtë proces sepse ai është sajuar me të shpejtë, si dhe dosja hetimore-gjyqësore nr.2224.
Ndërsa dosjet formulare nuk kanë asgjë të rëndësishme, dosja hetimore-gjyqësore është e manipuluar nga hetuesia. Fare pak fletë të saj bartin të vërtetën mbi personat që u dënuan me vdekje apo me privim lirie. Për ta kuptuar këtë të vërtetë, kërkohet shumë energji, duhen krahasuar dokumentet, si dhe çdo informacion tjetër në lidhje me këtë çështje në arkiva të tjerë. Këtë dosje që prej vitit 1992 e kanë kërkuar për ta lexuar familjarët e të dënuarve. Për aq sa unë kam pasur në dorë, në të gjitha rastet, duke e njohur teknikën e hetuesisë, u kam sqaruar me durim se fare pak të vërteta ka brenda dosjes dhe nuk duhet t’i paragjykojnë të afërmit e tyre me ato që kanë lënë hetuesit e diktaturës.
Hetuesia në shumicën e saj është e manipuluar. Është përdorur tortura dhe mjetet e tjera shtrënguese me kërcënime për jetën e familjarëve. Në të gjenden fare pak deklarata të vërteta. Madje në një rast është përdorur djali kundër babait.
Edhe procesi gjyqësor (i botuar qysh në vitin 1947 në gazetën “Bashkimi”) është gati i pavlefshëm. Përbëhet nga manipulimi i deklaratave të 20 të pandehurve. Vetëm nëpërmjet deklaratave Shefqet Bejës, Selaudin Totos, Ramë Markut dhe Abdyl Kokoshit, të cilët nuk kanë pranuar asnjë akuzë, mundet të lexohet e vërteta. Ja dy shembuj të thjeshtë:
-Gjatë zhvillimit të gjyqit, Xhevat Xhafa mohoi të ishte kryetar i komitetit të Kavajës. Mirëpo dy të pandehur të tjerë, thanë që ai ishte. Në përfundim Xhafa tha: “Përderisa thonë shokët, paskam qenë kryetar”.
-Ramë Marku deklaroi se me Tefik Deliallisin nuk flisnin prej vitit 1934 për çështje hasmërie, ndërsa akuza pa e ditur këtë histori të tyre i kishte bërë bashkëpunëtorë në “organizatë”.
Nuk ka pasur kurrë “grup deputetësh”, por proces të parë. Është sajesë e Sigurimit ky format sepse procesi që përfundoi më 27 shtator 1947 është rastësor për sa i takon bashkimit të personave që u dënuan dhe atyre që vdiqën gjatë hetuesisë si deputeti Kolë Kuqali, Ali Begeja, Baba Myrteza Paja, Ali Begeja, etj. Ai është pjesë e arrestimeve të nisura nga viti 1946 kundër inteligjencies së vendit. Ata që ishin deputetë nuk përfaqësonin opozitën sepse ishin deputetë të Frontit. Në gjyq Shefqet Beja, ndër të tjera deklaroi:
“…thamë që t’i kundërshtonim (reformat-shënim) në parlament, por nuk vendosëm, kështu këto pikëpamje tona nuk i kemi parashtruar në Kuvend asnjëherë, pasi nuk e gjenim të nevojshme dhe nuk i konkretizonim në mos tonë me qenë se pikëpamjet tona nuk pajtoheshin”.
Dhe një përshtypje e fundit. Në anën e mëngjër pashë dy deputetë që janë drejtpërdrejt nipat e dy hetuesve kryesorë të këtij procesi. Në legjislaturën e kaluar po anën e mëngjër ishte djali i kryehetuesit e kryexhelatit të procesit në fjalë. Ujërat rrjedhin gjithnjë atje ku duhet.
 
 

 

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook