back to top
9.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Thjeshtësia nuk është vulgare – nga Elona Caslli

Gazeta

Elona Caslli
Elona Caslli

Thjeshtësia nuk është vulgare

nga Elona Caslli

Ju dëgjova pjesërisht dje në mbrëmje z. kryebashkiak. E nënvizoj faktin e dëgjimit të pjesshëm se nuk jam e aftë t’ju dëgjoj nga fillimi deri në fund të një bisede, për arsyen e thjeshtë se ju këmbeni vulgarizimin me thjeshtësimin.
Thjeshtësimi i një mendimi mirëpritet nga kushdo, vulgarizimi i një mendimi mirëpritet vetëm nga ithtarët e tij.
Mjafton të dëgjosh argumentin mbi ndërtimin e kullave në qendër të qytetit për të kuptuar se ju, jo vetëm i gënjeni qytetarët e Tiranës, por njëkohësisht fyeni edhe mençurinë e tyre.
Argumenti juaj, (ndonëse duhet një zemërgjerësi e madhe për ta ngritur në nivel argumenti mendimin tuaj pa brendi) për ngritjen e kullave në qendër të qytetit ishte:
“Dy autobusa plot me kinezë papritur gjenden në qendër të Tiranës, për një udhëtim turistik.
Tek hoteli në zemër të kryeqytetit, “Tirana International Hotel”, nuk ka mjaftueshëm dhoma për kinezët.
Atëherë duhet të ndërtojmë kulla, ku të flenë kinezët”.
Po të analizohet me vëmendje ky “argument”, rezulton se brenda jush ekziston prirja për të thjeshtesuar mendimin me shembuj konkretë, në mënyrë që populli ta kuptojë qartazi mesazhin që doni të jepni.
Së pari, duhet të kuptoni se thjeshtësia është tipar i mendjeve të shkolluara, të kultivuara dhe të vërteta.
Fakti që një gënjeshtër rrëfehet përmes kinezëve, nuk e bën këtë gënjeshtër të besueshme, përveçse e përforcon atë.
Së dyti, rrëfenja juaj mbi djalin e varfër që dikur shiste fiq, nuk është e thjeshtë. Është e rreme.
.
Kryebashkiaku Veliaj
Kryebashkiaku Veliaj
Kur blihen fiqtë në tregun e frutave dhe perimeve, njerëzit i njohin shitësit e tyre.
Nga terminologjia që përdoret në këtë mjedis, ekziston një shprehje që blerësit e shkëmbejnë si paralajmërim mes tyre për shitësit: – Kujdes se ai ta fut në kandar.
Le ta marrim të mirëqënë që ju keni qenë i drejtë me kandarin gjatë kohës së vështirë të fiqve, lind pyetja – Ky kapërcimi nga fiqtë tek studimet në Shtetet e Bashkuara si përligjet?!
Kjo hapësira që ndan fikun me studentin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pse nuk rrëfehet?
Të ketë qenë vallë shitja e fiqve një aktivitet kaq fitimprurës?!
Së treti, konkretizuat dashurinë tuaj disavjeçare, me “gjysmën tuaj më të mirë” (sikundër shprehet Kryeministri për individin me të cilin vendosim të bashkëndajmë ekzistencën) në një kështjellë të dekoruar plot përkushtim për ditën më të veçantë në jetën tuaj.
Keni deklaruar se kjo ceremoni ishte një dhuratë nga Zonja që ju ka mëkuar me gji!
Është paksa e rrallë në realitetin shqiptar që një prind të ketë qenë aq i zoti në administrimin e të ardhurave familjare, sa t’ia ketë dalë mbanë ta ketë menaxhuar me aq mençuri buxhetin modest familjar, për të sponsorizuar një mbrëmje të vetme që kushton me miliona lekë.
Nëse vërtetë ka ndodhur kështu, atëherë Zonja në fjalë, duhet t’i mbajë leksion gjithë njerëzimit mbi administrimin e të ardhurave familjare.
Së katërti, deklaruat me shumë “vendosmëri” se do ta shembnit Teatrin Kombëtar dhe se asgjë nuk do t’ju ndalte.
Hebrenjtë kanë një shprehje fort të mençur që thotë: – Kur ju bëni plane, Zoti fillon të qeshë!”.
Kam përshtypjen se Zoti ka nënqeshur edhe kur deklaruat para disa muajsh se pas dyzetë ditësh Teatri do të shembej.
Z. Kryebashkiak për fatin tuaj të keq dhe për fatin e mirë të këtij vendi, kanë mbetur ende individë cerebralë në këtë qytet, të cilët, nuk mund kurrsesi ta marrin harbutërinë për thjeshtësi, paditurinë për dituri, gënjeshtrën për të vërtetë dhe vesin për virtyt!
.
Erjon Veliaj gjatë mbjelljes së pemëve
Erjon Veliaj gjatë mbjelljes së pemëve
Me mbjelljen e pemëve të jepni përshtypjen e një bahçevani në krye të bashkisë dhe madje duket se këmbimi valutor në këtë qytet është: 1 pemë = 1 kullë.
Fotografoni çdo mbjellje peme për të faktuar “përkushtimin tuaj të përveçëm” ndaj qytetit.
Edhe fotografitë në thelb nuk kanë thjeshtësinë, por vulgaritetin.
Nëse kushdo në këtë qytet do të ndiqte logjikën tuaj, do të ndodhte që në profilin personal të çdo njeriu që punon në këtë vend do të ishte një seri fotografish dhe mund të përballeshim me imazhin e një mjeku me një zorrë shtojcë në dorë, me imazhin e një dentisti me një dhëmb në dorë e me shumë gjëra të tjera.
Nuk mund të bësh një fotografim të përditshëm të një pune për të cilën paguhesh dhe të cilën e ke detyrë ta bësh.
Së fundmi, pohuat se kritikët tuaj bënin veçse zhurmë.
Nuk e di se ç’kuptim ka zhurma për ju, por duhet një imagjinatë e shfrenuar të quash “zhurmë”, kundërshtinë për të mos prishur hapësirën e fidanishtes së vreshtave që shërben për zhvillimin e lëndëve laboratorike në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
A dini domethënien e fjalës Universitet z. Kryebashkiak?
Studimet e kryera jashtë vendit duhet ta kishin rritur ndjeshmërinë tuaj ndaj Institucioneve të Arsimit të Lartë në vend dhe përvoja e çmuar perëndimore duhet të ishte e pranishme qoftë në fjalën tuaj dhe qoftë në veprimin tuaj.
Post Scriptum – Në mënyrë që të mos ta ngatërroni më thjeshtësimin e një mendimi me vulgarizimin e këtij të fundit, po ju rrëfej një histori të shkurtër…
Dikur pyetën një shkrimtar të madh dhe i thanë: -Çfarë bën çdo ditë?
Dhe ai u përgjigj – Përpiqem të shkruaj diçka, që e kalon kufirin e një boce.
Ndaj z. kryebashkiak përpiquni të bëni diçka që e kalon kufirin e një kulle, të një fotografie, të një teatri të shembur, të një qendre didaktike të shkatërruar brenda në Universiteti dhe të një qyteti të gjymtuar.
.
Marrë nga muri i fb i Elona Casllit, 10 prill 2019!

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.