back to top
16.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Themelimi i Bibliotekës Kombëtare dhe Muzeut Historik Kombëtar – nga Karl Gurakuqi – Shkëputë nga ditari i tij

Gazeta

Karl Gurakuqi - themelues i Bibliothekës Kombtare (1922)
Karl Gurakuqi – themelues i Bibliothekës Kombtare (1922)

Themelimi Bibliotekës Kombëtare e Muzeut Historik Kombëtar

nga Karl Gurakuqi – Shkëputë nga ditari i tij

Karl Gurakuqi themeloj Bibljothekën Kombtare – 28 nanduer 1922
.

Mbasi asht kthye në Tiranë nga Salzburgu ku kishte qënë për vizitë, Karl Gurakuqi… “me 10 nânduer 1920, u vûna me shtrue relacjonin mbí misjonin t’em n’Austrí të pjekjes me prof. Patsch-in ashtu edhe rregulloren e bibljothekës (30 faqe të daktilografueme), e cila në vjetin 1922 (shif mâ tutje) vlefti si bazë për krijimin e Bibljothekës Kombtare.
Sikurse u tha në f. 413 të këtij ditari, unë shkova n’Austrí në vjetin 1920 (korrik) për të studjue organizimin e bibljothekavet mbassi i kishim vû themelet bibljothekës së ministrís me librat e ish-Komisis Letrare të Shkodrës, qi unë i solla prej Shkodre në Tiranë. Rexhep Mitrovica, ministri i arsimit ishte njerí i kuptueshëm, puntuer i palodhshëm; e kishte shum për zemër përparimin e vendit me anë veprash kulturore, me hapje shkollash, me botim librash dhe rivístash.
Nën dikasterin e tij iu dha rrugë botimit t’organit të ministrís s’arsimit me titullin “Revista Pedagogjike”, numri i parë i së cilës doli me 1 shtatuer 1922, nën drejtimin e Salih Çekës, e mbas këtij, për nji kohë të shkurtë, nën atë të Nebil Çikës. Në vjetin 1925, e mora unë drejtimin, të cilin e mbajta për tre vjete, deri në fundin e vjetit 1927.
Rexhep Mitrovica e shpërnguli Ministrín e Arsimit nga shtëpija e Selim Stërmasit, e pa-dêjë për nji ministrí, në shtëpin e Abdi Toptanit, në Rrugën “Pjetër Bogdani”, të cilën mâ vonë e bleu italjani Viansone, qi e shëndrroi në hotel-restaurant “Hotel Continental”, e qi mâ vonë në vjetin 1943, u vendos komanda e ushtrís gjermane, ku e kishte zyrën komandanti i ushtrivet SS, gjeneral Fitztum.

Karl Gurakuqi duke four, ne rah Zef Valentini, Ernest Koliqi due Arbereshi Rozolin Petrota
Karl Gurakuqi duke folur, ne krah Zef Valentini, Ernest Koliqi dhe Arbereshi Rozolin Petrota

Shtëpija ishte e gjânë, me shum oda poshtë e nalt, me nji kopësht të madh përpara. Në pjesën përdhese ishte nji salon i madh nga ana e rrugës. Këtu patëm vendosë librat e bibljothekës s’arsimit, nji bibljothekë e vogël, por mjaft e pasun, për atëherë, me botime shqipe, sidomos me ato të botueme në Shkodër nga të trí shtypshkrojat e qytetit: “E Papërlyemja”, “Françeskanja” e “Nikja”; këto botime i kishem pasë mbledhë unë në Shkodër. Ndër këto bâjshim pjesë kolekcjonet e plota të revistavet “Elçija e Zemrës së Krishtit” dhe “Zâni i Shna Ndout”.
Me ministrin e poqëm mendimin qi kjo bibljothekë të bahej botore e të pagzohej “Bibljotheka kombtare”. Mbassi u pasunue edhe me vepra tjera, të cilat shkojshem tue i lypë andej e këndej nëpër privat, (Unë vetë i dhurova dyqind libra nga bibljotheka e eme private) e nëpër zyra, me 28 nânduer 1922 u bá inaugurimi zyrtár, ku muerën pjesë të gjitha auktoritetet, tue nisë prej ministravet, e nji shumicë populli. Fjalimin e rasës e bâni Rexhep Mitrovica e, fill, mbas tij, fola unë, tue theksue rândsin qi kanë bibljothekat për kulturën e njij populli. Drejtimin e bibjothekës e mbajta unë përkohësisht derisá u êmnue Visko Babatasi.

1922 - 2022 - 100 vjetori i Bibliotekes Kombtare
1922 – 2022 – 100 vjetori i Bibliotekes Kombtare

Prof. Karl Patsch në Tiranë – Themelimi i muzeut kombtar
Nji veprimtarí e gjallë vijon në Ministrín e Arsimit
Ministrija e Arsimit, nën drejtimin e Rexhep Mitrovicës, shkroi fletë të paharrueshme në historínë kulturore të Shqipnís, Sikurse u tha në fq. 415-417 të këtij ditari, në vjetin 1920, ishem takue në Vjenë me prof. Karl Patsch-in, i cilí proponimit qi i bâna për krijimin e njij muzeu kombtár në Tiranë, i pat përgjegjë: “se nuk i kishte ardhë ende koha”; me gjith këtê, do ta studjonte çâshtjen e do të rrînte në marrëdhânje me ministrín e arsimit të Tiranës.
Në fundin e vjetit 1922, Ministrija thirri në Tiranë prof. Patsch-in për të bisedue gojarisht çâshtjen e krijimit të muzeut. Në Ministrí vetëm unë flitshem gjermanisht, kështu qi krejt barra e ndërmjetsimit dhe e punimit me tê rá mbí mue, përveç përkthimit të raportevet, qi ai gadi çdo ditë i parashtronte ministrís; më duhej prá me punue edhe natën.”

Karl Gurakuqi me bashkëshorten Hanny Jurda
Karl Gurakuqi me bashkëshorten Hanny Jurda
Adela Perolla shpjegon se: Karl Gurakuqi (daja i babait te saj) me bashkëshorten e tij Hanny Jurda
.
Marrë nga Muri i Fb i Adela Perollës, 22  dhjetor 2021 
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.