back to top
10.5 C
Tirana
E shtunë, 20 Prill, 2024

Terrori politik që pasoi 14 Janarin 1990, s’muejti me mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve – nga Filip Guraziu

Gazeta

Shkoder - 14 Janar 1990
Shkoder – 14 Janar 1990

Terrori politik që pasoi 14 Janarin 1990,

s’muejti me mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve…

nga Filip Guraziu

30 vjetori i Revoltёs kundra Stalinizmit Shqiptar
Nё kujtim tё revoltёs pёr shёmbjen
e Monumentit tё Stalinit, Shkodёr 14 Janar 1990
.
Pllaka Perkujtimore e 14 Janarit 1990
Pllaka Perkujtimore e 14 Janarit 1990
E sotmja në përgjithësi dhe momenti që jetojmë, përceptohet ma mirë, kuptohet ma thellë nëqoftëse harmonizohet me të kaluemen. E kaluemja kontribuon për konsolidimin e së sotmës dhe të dyja së bashku projektojnë të ardhmen.
Shqipnia para pushtimit fashist dhe sundimit komunist, me të vertetë ishte e vorfёn dhe me marrëdhanie shoqnore pak të zhvillueme, por ishte nji vend ku parimet bazë të moralit pozitiv mbizotnojshin jetën shoqnore.
Pikërisht në momentin në të cilin bota përparimtare shkatërroi bishën fashiste, një kulsheder prej lindjes ju vërsul Shqipnisё. Ngjyrën e kishte të kuqe dhe me gjak njollosi tokën arbnore. Me demagogji, por edhe me dhunë çoroditi mendjet naive të njerëzve të thjeshtë.
Për me sundue dhe për me i shërbye politikës së huej eleminoi me metodat ma të ulta mendjet ma të ndrituna të shqiptarve.
Historia e shqiptarve nuk kishte njofte ndonjiherë luftë civile si ajo që u zhvillue në vitet e luftës së dytë botnore.
Historia e shqiptarёve nuk kishte pa ndonjiherë përdhunime, poshtnime, tortura, burgje dhe vrasje si në vitet e diktaturës komuniste.
Historia e shqiptarve nuk kishte njoftë kurrë atë demonizim të vlerave morale të kombit shqiptar; njeriu i ndershëm u shpall i poshtëm, spijuni – hero, krimineli – qingj i bekuem, njeriu i Zotit shejtan dhe shejtani u shpall engjëll!!
Për gjysë shekulli, diktatura komuniste e Enver Hoxhës ushtroi metodat ma barbare për me shkatërrue çdo gjà të mirё dhe qytetnuese që përfaqësonte qyteti i Shkodrës.
Për me e mbajtë popullin e Shkodrës nën terror psikollogjik, në sheshin qendror të qytetit, aty ku demokracia ndërtoi monumentet e ‘Nanё Terezёs’ dhe ‘Luigj Gurakuqit’- dy figura të krenarisë kombëtare që simbolizojnë dashuninë dhe demokracinë, diktatura vendosi monumentin e urryem të Stalinit, simbolit të së keqes.
.
Bustet e rrezuara te Stalinit
Bustet e rrezuara te Stalinit
Diktatura komuniste u dukte e qetë, ajo gëzonte “fitoren”. Kishte kthye në skllavni ekstreme nji popull të tanё nën slloganin e krijimit të njeriut të ri: që rezultoi nji monstër e mbrapshtё e pa besim dhe e pa moral, që zëvendsoi dashuninë me urrejtjen, besën me tradhtinë dhe të vërtetën me rrenën.
Ngjarjet vёrtetuen se diktatura komuniste i pat ba gabim llogaritë, mbasi mundesh me zhdukë njerëz, me shkatërrue monumente, me grabitë prona dhe me shkrue histori të rremё, por kurrë nuk mundesh me pengue shpërthimin e ndjenjës së lirisë në shpirtin e të rijve.
Dhe shpërthimi ndodhi me 14 Janar 1990, ishte nji vullkan i fuqishëm nënujor që u pasue me nji tsunam të vërtetë politik, i cili shkundi në themel diktaturën: kohё mbrapa, monumenti i urryem i Stalinit u hoq natën mshehtas prej organeve të diktaturës.
Fatkeqësisht pasojat e tsunamit ishin tragjike: qindra qytetarë të arrestuem, një pjesë e madhe psoi tortura, dhjetë ndër kryesorët; Dedë Kasneci, Gjergj Livadhi, Rin Monajka, Kolec Hublina, Flamur Elbasani, Nikolin Margjini, Tonin Dema, Nikolin Thana, Klaudio Daka, Aldo Perizi u dёnuan me shumë vite burg, gjashtë të tjerë; Gjovalin Rolba, Gjovalin Zefi, Ndoc Leqejza, Pjerin Veli, Paulin Shtjefni, Viktor Martini u shtruen në psikiatri dhe shumë familje u internuen. Nji prej të burgosunve, i ndjeri Rin Monajka, me ardhjen e demokracisë, doli nga burgu ne gjendje invaliditeti ekstrem. Torturat shtazarake e kishin krye efektin makabёr!
Nuk mund të konsiderohet rastësi organizimi i demostratës se parë antikomuniste të 14 Janarit pikërisht në Shkodër.
Populli i Shkodrës me rrethina dhe i malësive për rreth edhe ma parë kishin demostrue se komunizmi ishte i huej për to. Ky popull që mbart në gene lirinë e njerëzve të maleve, i ndodhun historikisht në kontakt me kulturën perendimore nëpërmjet marëdhanieve tregtare dhe influencës së Kishës Katolike kurrë nuk kishte se si me e pranue diktaturën dhe dogmën komuniste.
Kujtojmë rezistencën e armatosun deri në vetmohim të udhëhequn prej Llesh Marashit dhe at të malsorve Kelmendas me në krye Prekë Calin, në Janar te 1945 si dhe kryengritjen e përgjakshme të Postribës në vitin 1946. Shembuj unikal në Shqipëri dhe jo vetëm.
Terrori politik që pasoi 14 Janarin 1990, nuk muejti me mposhtë shpirtin demokratik të shkodranëve, përkundrazi vala e protestave si një ortek u rrit dhe u ba ma e ashpër për me qenë shembull frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Historia e demokracisë shqiptare kujton me respekt revoltat e shkodranëve; 16 Qershorin 1990, 11 Nëntorin 1990, 13 Dhjetorin 1990 dhe 2 Prillin 1991.
Tue u përkulё me respekt dhe me mirnjohje për të gjithë ata qe u sakrifikuen në përpjekjet kundër komunizmit dhe fitoren e demokracisë, gjej rastin të ju rikujtoj historianëve faktin, “çuditërisht” të lanё në harresë, se historia e demokracisë post komuniste shqiptare fillon me 14 janar 1990, dhe kjo duhet të shkruhet dhe të përkujtohet jo vetëm në Shkodër!
Shkodranët ndërtuen themelet e demokracisë shqiptare dhe guri i parë, kryesor i themelit, ishte demostrata e 14 Janarit 1990.
12 janar 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.