back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Terrori i ’44, – ja 46 juristët që u pushkatuan dhe vdiqën burgjeve nga Rezarta Delisula

Gazeta

Avokatët e Gjyqit Special
Avokatët e Gjyqit Special

Terrori i ’44, – 46 juristët që u pushkatuan e vdiqën burgjeve

nga Rezarta Delisula

Në dy vitet e para të çlirimit u pushkatuan dhe u dënuan 46 juristë.
Referuar librit më të fundit të Tomor Alikos,
“Genocidi mbi elitën intelektuale të kombit shqiptar nën terrorin komunist”
në periudhën kohore 1945 deri më ’47, janë pushkatuar 13 juristë,
pesë rezultojnë të vdekur në hetuesi dhe
burg dhe 28 të tjerë të dënuar e më pas internuar.
Duhet theksuar fakti se numri real i juristëve të dënuar  është më i madh sesa 46,
megjithatë kjo është vetëm përmbledhja e parë e këtyre fakteve.
.
Gjyqi i grupit të Deputetëve 1947
Gjyqi i grupit të Deputetëve 1947 – shumica Juriste

Situata

Në prag të çlirimit të vendit më 20 tetor 1944, në Berat u mblodh Këshilli Antifashist Nacional Çlirimtar. Detyra kryesore e këtij takimi ishte kthimi i Komitetit Antifashist në qeverinë demokratike provizore, në krye të së cilës u zgjodh Enver Hoxha. Në muajt e parë të vitit 1945, SHBA dhe Anglia ishin mjaft të preokupuara për formën e pushtetit që do të merrte Shqipëria dhe insistimi i të huajve për të pasur një demokraci reale, vazhdonte. Por në konceptin e tij, drejtuesi i qeverisë së Përkohshme, Enver Hoxha mendonte se populli donte një parti, atë Komuniste dhe se liria e të shprehurit vinte mes strukturave të po kësaj partie, siç ishte fronti demokratik. Që në vitin 1945, Enver Hoxha u shpreh që për bashkëpunëtorët e pushtuesit, kriminelët, fajdexhinjtë… nuk do të kishte liri. Referuar qëndrimeve të prera të kryetarit të qeverisë demokratike të përkohshme, Enver Hoxhës, lufta kundra njerëzve që quheshin bashkëpunëtorë të armikut nisi që në vitin 1945, ende pa u bërë zgjedhjet e para. Në fakt eliminimi i personave që dihej haptazi se ishin kundërshtarë, nisi në fund të vitit 1944.
.

Fillimi

Në fund të ’44, ata që e pësuan të parët ishin eksponentët e Ballit e të Legalitetit, që në thelb ndryshojnë totalisht nga komunizmi. Koço Kotta, ish-prefekt i Korçës, kryetar i Parlamentit nga 1925-1936, dhe dy vitet pasardhës kryeministër i vendit u arrestua në dhjetor të vitit 1944, dhe u dënua me burgim të përjetshëm dhe vdiq pas dy vjetësh në burgun e Burrelit. Të njëjtin fat pati dhe Estref Myftiu, një nga eksponentët e Ballit për Beratin dhe Lushnjën. Viti 1945, shënon qëndrimin haptazi kundrejt të gjithë eksponentëve antiparti. Ministri i Ekonomisë në kohën e regjimit të mbretit Zog, Terenc Toçi, dënohet nga Gjykata e Lartë më 14 prill 1945 me pushkatim. Të njëjtin fat pati dhe shumë i njohuri atentatori i Zogut, Beqir Valteri, i cili u pushkatua më 1945, si dhe shumë të tjerë që u dënuan si armiq të popullit. Sipas autorit të librit, Tomor Aliko, kyçi i terrorit komunist ishin gjyqet speciale dhe ushtarake, ku u bë dhe masakrimi i vlerave intelektuale. I pari gjyq i tillë mori emërtimin Gjyqi Special i Tiranës në muajt mars-prill 1945. Në studimet e arkivave të kryera nga Aliko në proces u përfshinë “kokat e mëdha” dhe u dënuan 60 vetë, prej të cilëve 17 u pushkatuan, 8 u dënuan me burgim të përjetshëm, 10 u dënuan me 30 vjet burgim… me akuzën “armiq të popullit”. Referuar sërish materialeve të grumbulluar në këtë libër, Aliko i është referuar një shkrimi të botuar në gazetën “Republika”, të vitit 1991 ku gjeneral major Bedri Spahiu, prokuror i gjyqit special të Tiranës kishte deklaruar: “Ndihem i turpëruar që kam qenë në rolin e prokurorit të atij gjyqi…” Vetë autori i librit ka një histori të lidhur me komunizmin dhe me burgjet e diktaturës. Përkrahës i ideve nacionaliste që në moshën 17-vjeçare, Tomor Aliko në vitin 1945 arratiset në Greqi për motive politike antikomuniste ku bashkohet me forcat aleate në qytetin e Selanikut. Më 31 mars të vitit 1946, arrestohet në Janinë nga Asfalia (sigurimi) grek me akuzën si vorio-epiriot, por lërohet pas 7 ditësh pas ndërhyrjes së ILSO, misionit ushtarak anglez. Më 7 prill ’46, kapet në kufirin greko-shqiptar i spiunuar, ndërsa Gjykata e Tiranës e dënon me burgim të përjetshëm. Pasi bëri 17 vjet burg ai u lirua dhe më pas u internua deri më 1990.
.

Gjyqet

Si pasojë e gjyqeve speciale të Tiranës, avokatët mbrojtës të intelektualëve dhe nacionalistëve që gjykoheshin, patën të njëjtin fat. Myzafer Pipa, përfunduar studimet në Itali, merr përsipër të dalë avokat mbrojtës në Gjyqin e Parë Special në prill të vitit 1945, ku iu kundërvu kryetarit të gjyqit Koçi Xoxes dhe prokurorit Bedri Spahiu. Një vit më vonë ai arrestohet dhe vdes në hetuesi nga torturat. Të njëjtin fat kishin dhe avokatët e tjerë mbrojtës, të gjithë të mbaruar fakultetet e drejtësisë në Itali Suat Asllani, Ndrek Kakariqi dhe Haki Karapici. Suat Asllani u arrestua në janar të vitit 1946 dhe dënohet me 15 vjet burg dhe pas daljes nga gjyqi internohet familjarisht. Ndrek Kakariqi arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet me 20 vjet burg, ndërsa Haki Karapici arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet me 20 vjet burg. Kjo është historia e minimizuar e fillimit të regjimit komunist në Shqipëri pas vitit 1944, ndërsa do vijojmë me kategori të tjera intelektualësh të vrarë e persekutuar në ato vite.
.
Studente shqiptare ne Monpelier
Studentë shqiptarë në Montpellier,
mes tyre studenti Abdulla Ramì

Figura të drejtësisë shqiptare

Qenan Dibra – ka lindur në Dibër më 1916. Shkollën e lartë e kreu në Paris për drejtësi. Për një vit punon në Ministrinë e Jashtme. Kryeson grupin monarkist “Bashkimi Demokrat”. U dënua me pushkatim më 3 korrik 1946.
.
Sami Qeribashi – ka lindur në Gjirokastër më 1887. Studimet e larta i kryen në Stamboll për drejtësi. Në vitin 1940, ai internohet në Itali nga fashistët. Ndër liderët e grupit “Bashkimi Demokrat”, opozita e parë. Dënohet me pushkatim më 3 korrik 1946.
 
Tefik Shehu – lindi në Gjakovë më 1911. Ai u diplomua për drejtësi dhe ekonomi në Itali. Në vitin 1943, i vrasin të vëllanë. Ai punon disa kohë në administratën shtetërore. Pushkatohet në vitin 1951 si pjesëmarrës në bombën e ambasadës sovjetike.
 
Ali Qoraliu – lindi në Tiranë më 1890. Ai mbaron studimet në kolegjin juridik të Selanikut. Pjesëmarrës në lëvizjen antimonarkiste të Fierit. Në vitin 1945, si antikomunist iu ndalua e drejta e profesionit. Pushkatohet në 1951 për hedhje të bombës në ambasadën sovjetike.
 
Agathokli Xhitomi – lindi në Përmet më 1888. Kryen studimet e larta për drejtësi. Deputet i Gjirokastrës nga viti 1921-1923. Kryetar i Bashkisë së Korçës dhe deputet. Arrestohet në ‘46, si pjesëmarrës në grupin e deputetëve. Pushkatohet më 10.10.1947.
.
Avdul Kuçi – ka lindur në Kuç më 1883. Mbaron studimet e larta për drejtësi dhe gjatë gjithë jetës së tij u mor me ushtrimin e profesionit të tij, avokatisë. Ai arrestohet në vitin 1945 dhe dënohet me pushkatim si “armik i popullit”.
 
Zyhdi Herri – ka lindur në Tiranë më 1921. Kreu Liceun e Korçës e mandej vazhdoi studimet për jurisprudencë. Pas luftës punoi në gazetën “Bashkimi”. Arrestohet në vitin 1951, për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike dhe pushkatohet.
 
Mehmet Babani – lindi në Korçë më 1887. Mbaron studimet për drejtësi në Stamboll dhe më pas u kthye në qytetin e lindjes, ku punoi si noter. Arrestohet në prillin e vitit 1947, me Grupin e Deputetëve. Dënohet me pushkatim më 1948.
 
Muhamer Liço – lindi në Korçë më 1890. Ai mbaroi studimet e larta për drejtësi. Si shumë të tjerë me ide antikomuniste ai arrestohet në vitin 1945 dhe dënohet me pushkatim.
 
Estref Myftiu – lindi në Berat më 1898. Kreu studimet e larta për drejtësi. Arrestohet në dhjetor të vitit 1944, dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Eksponent i Ballit Kombëtar për Beratin dhe Lushnjën. Vdes në burgun e Burrelit më 1962.
 
Terenc Toçi – ka lindur në Kalabri më 1912. Studion në Romë për shkenca ekonomiko-politike dhe përfundon me rezultate të shkëlqyera. Gjatë drejtimit të shtetit nga Mbreti Zogu I, Terenc Toçi ka qenë për disa vite ministër i Ekonomisë. Ai dënohet me pushkatim më 14 prill 1945, nga Gjykata e Lartë.
 
Xhahit Koka – ka lindur në Larisa të Greqisë më 1906. Kryen fakultetin e Shkencave Ekonomiko-Politike në Bukuresht, ku merr dhe titullin “Doktor shkencash”. Në vitin 1936, nis punë në Ministrinë tonë të Jashtme. Anëtar i grupit të Legalitetit në organizatën “Bashkimi Demokrat” dhe pjesëtar në konferencën e Mukjes, ai dënohet me pushkatim më 3 korrik 1946.
 
Beqir Valteri – lindi në Mat më 1893. Kryen studimet e larta për drejtësi në Itali. Ai ishte përkrahës i revolucionit të Nolit më 1924, dhe deputet për pak kohë. Njihet si atentatori i Zogut në Parlament. Në vitin 1925, arratiset për t’u rikthyer në vitin 1943. Ai merr detyrën e kryetarit të Kuvendit Kombëtar dhe dënohet me pushkatim më 14 prill 1945.
 
Abdyl Kokoshi – lindi në Vlorë më 1910. Kryen studimet e larta për drejtësi në Itali. Ai rrjedh nga një familje me tradita patriotike dhe intelektuale, çka do të thonte persekutim në vitet e komunizmit. Si pjesëmarrës në Grupin e Deputetëve “Opozita e Dytë”, arrestohet më 1946 dhe pushkatohet më 10.10.1947.
 
Thoma Orollogaj – lindi në Korçë më 1891. Delegat në konferencën e Mukjes. Nga viti 1936-1939 ai punon si ministër i Drejtësisë. Anesti, vëllai i tij dënohet me 25 vjet burg dhe vdes në Burrel, e po të njëjtin fat pati dhe Thomai, i cili vdiq më 1947, në hetuesi nga torturat.
 
Myzafer Pipa – lindi në Shkodër më 1914. Ai mbaroi studimet për drejtësi në Itali dhe ishte avokat mbrojtës në gjyqin e parë special në prill të vitit 1945, ku iu kundërvu kryetarit të gjyqit, Koçi Xoxes dhe prokurorit Bedri Spahiu. Një vit më vonë vdes në hetuesi.
 
Ferit Hysenbegasi – lindi në Pogradec më 1911. Mbaroi studimet e larta për drejtësi në Beograd në vitin 1933, dhe ushtroi profesionin e gjykatësit në disa rrethe të vendit. Arrestohet në vitin 1947, për motive politike dhe vdes në hetuesi prej torturave.
 
Koço Kotta – lindi në Korçë më 1890. Diplomohet në drejtësi. Prefekt i Korçës nga viti 1921-1924. Më pas 1925-1936, emërohet kryetar i Parlamentit dhe kryeministër. Arrestohet në ‘44 dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Vdes në burgun e Burrelit më 1947.
 
Abdulla Rami – lindi në Delvinë më 1908. Kreu studimet e larta për drejtësi në Francë. Si anëtar i Qarkorit të Ballit Kombëtar në Gjirokastër arrestohet më 1944 dhe dënohet me burgim të përjetshëm. Lirohet në vitin 1963 dhe prej andej internohet familjarisht.
 
Suat Asllani – lindi në Libohovë më 1903. Kryen fakultetin e Drejtësisë në Napoli dhe pas mbarimit të luftës është avokat mbrojtës në Gjyqin e Parë Special të 1945-s. Arrestohet në ‘46 dhe dënohet me 15 vjet burg. Lirohet në vitin 1960, dhe internohet familjarisht.
 
Mit’hat Aranitasi – lindi në Mallakastër më 1912. Kreu studimet e larta për drejtësi në Francë. Arrestohet në vitin 1945, dhe dënohet me 15 vjet burg për pjesëmarrje aktive në organizatën “Balli Kombëtar”. Lirohet nga burgu në ’54 dhe internohet.
 
Haki Karapici – lindi në Tiranë më 1913, ndërsa studimet i mbaroi për drejtësi në Itali. Avokat mbrojtës në gjyqin e parë special në mbrojtje të personaliteteve politikë. Arrestohet në vitin 1947 dhe dënohet me 20 vjet burg. Lirohet nga burgu në vitin 1962.
 
Fuat Asllani – lindi në Libohovë më 1911. Pasi mbaroi studimet për drejtësi në Itali ai bëhet në vitin 1938, konsull i Shqipërisë në Angli. Arrestohet në vitin 1950, dhe dënohet me 10 vjet burg si antikomunist. Lirohet në vitin 1957.
 
Isuf Vrioni – një nga përkthyesit më të shquar lindi në Berat më 1916. Kryen fakultetin Juridik, Ekonomik dhe Filozofik në Paris. Në vitin 1946, ai arrestohet si shumë të tjerë me akuzën “armik i popullit” dhe dënohet me 20 vjet burg. Lirohet në vitin 1959.
.
Pushkatime...
Pushkatime…

Juristët shqiptarë të dënuar nga diktatura

Të pushkatuar
Terenc Toçi
Xhahit Koka
Qenan Dibra
Sami Qeribashi
Beqir Valteri
Abdyl Kokoshi
Tefik Shehu
Ali Qoraliu
Agathokli Xhitomi
Avdul Kuçi
Zyhdi Herri
Mehmet Babani
Muhamer Liço
 
Të vdekur në burg
Estref Myftiu
Thoma Orogollaj
Muzafer Pipa
Ferit Hysenbegasi
Koço Kotta
 .
Studentë të Jurisprudencës - Montpellier Francë 1937
Studentë të Jurisprudencës – Montpellier, Francë 1937

Të burgosur

Abdulla Rami
Suat Asllani
Mit’hat Aranitasi
Haki Karapici
Fuat Asllani
Baltazar Benusi
Isan Libohova
Lazër Radi
Selman Riza
Elmaz Libohova
Kudret Kokoshi
Fatos Kokoshi
Qazim Bllaca
Feladun Vila
Isuf Vrioni
Nikolla Kote
Nevzat Vila
Zafer Vila
Tomorr Ypi
Asllan Ypi
Mark Dindi
Tefik Mborja
Ndrek Kakariqi
Zef Benusi
Gjovalin Vlashi
Nedin Kokona
Xhelal Shaska
Koço Tasi
Marrë nga Gazeta Panorama

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.