“Tenxheret e larta thururo me tel…” – nga Shpend Sollaku – Noé

Shpend Sollaku - Noé

Shpend Sollaku – Noé

Një ditë fundvere, miku im i ditëve të hershme, erdhi nga Bolzano në Ancona,
me entuziazëm kishte vendosur te kthehej ne atdhe mbas 8 vitesh në ezil.
I dhimbshëm ky rrefim i dashur Shpend…
Po e plotësoj atë ditë kur erdhe me makinë në shtëpinë time
me gjithë idetë dhe besimin tënd dhe furgonin e mbushur plot…
Ndejtëm bashkë për drekë dhe folëm gjatë… ku mes të tjerash të thashë: Eshtë herët Shpend…
Pos tjerash, kishe në makinë nja 50 shpend të bukur, kanarina, gardalina, diamantina
dhe një cricetto, po mbi të gjitha një ëndërr të madhe për të bërë diçka të mirë
për qytetin tënd… ose më mirë tonin…
Dhe folëm e folëm gjatë siç flitet për ëndrrat…
E kam të gjallë entuziazmin tënd, ndërkohë, unë kisha më pak se dy vite që isha vendosur në Itali…
Vetëm sot kur i lexova këto rreshta trishtuese, mora të vesh të vërtetën e asaj kohe
dhe atë vendimin tënd të kthimit mbas 6 muajsh…
Më dhemb fakti që Shqipëria bëhet gjithnjë e më e pakuptueshme dhe më e pajetueshme,
për gjithë ata që një ditë mendojnë të kthehen e ta jetojnë vendin e tyre…
jozef radi, 15 prill 2020

93611346_3198506416835478_5005677649255727104_n“Tenxheret e larta thururo me tel…”

nga Shpend Sollaku – Noé

Atë vit, në verë të vitit 2000, vendosa të kthehem në Shqipëri. Kisha bërë një ndërmarrje botuese, me programe ende të papara në vendin tim; kisha sjellë nga Italia edhe compiuterat, materialet e makinat për shtypjen dhe shpërndarjen. Djalin e kisha regjistruar tek një shkollë pranë shtëpisë, në Lushnje, në klasën e shtatë. Nuk kam qenë dhe nuk jam akoma që gjithçka duhet përqëndruar në Tiranë. Aktiviteti dhe jetësa mund të kryhen shumë mirë edhe larg saj. Ndërkohë edhe krijon punë edhe traditë edhe për qytetarët e tu…
Sapo filloja të punoja, iknin dritat. Ndonjëherë edhe s’e kisha ruajtur materialin, kështu me duhej ta rifilloja nga e para… e megjithatë rezistoja.
Ndërkaq djali filloi të ecte shumë mirë me shqipen shkollore dhe kjo më jepte kurajë. Në fakt kish mësuar të shkruante dhe të fliste shqip para se të niste shkollën në Itali.
Një ditë, njeri prej mësuesve më thotë:
-E shoh pak të mërzitur tët bir.
Vendosa ta njoh me afër ambientin e tij shkollor.
Mësuesit dhe drejtuesit më njihnin dhe ma lejuan. Në klasën ku bënte mësim, im bir ishte i detyrurar të ndante një tavolinë me dy fëmijë të tjerë. Klasat ishin të fryra me nxënës deri në mosmbajtje. Ata uleshin mbi stola trevëndesh prej dërrase. Mbi sipërfaqen e tavolinës ishin gërvishur apo shkruar fjalë të ndyra femërore e mashkullore që një boje e shkuar përsipër më kot kishte tentuar t’i fshinte. Në vend të interuktorëve të dritave kishte tela të zhveshur që mund të rrezikonin jetën e fëmijëve sa herë që vinte korrenti elektrik…
Ishte ora e muzikës. Djali, qe në atë moshë në shkollën italiane studionte “Yellow submarine” të Bitëllsave, në ato çaste e gjeta duke kënduar “Tenxheret e larta thururo me tel…”.
-Ehiiii, – i thashë, nuk janë tenxheret, por penxheret, dhe i shpjegova ndryshimin, duke mbajtur lotët (e hidhërimit).
Për dreq atë ditë ai kishte edhe turnin për të pastruar. Ndërsa isha duke biseduar me kolegët që, në fakt, ishin munduar me aq sa mundnin t’i zbusnin sadopak pasojat e 1997-ës, kërkova ta marr tim bir në shtëpi, por nuk e gjeta në klasë.
-Po mbush ujë më thanë, për të larë çimenton.
-Ku? – i pyeta.
-Këtu prapa shkollës.
Shkova atje dhe gjeta djalin që përpiqej të mbushte kovën në një përrockë që mbante erë qeni të ngordhur, që lagjia jonë e quan Krakulli.
-Me këtë do ta lani klasën? – i thashë.
-Po! – më tha.
-Lëre, se bisedoj unë me mësuesit.
…Sapo u kthyem në shtëpi e pyeta: -Si thua, më mirë të rrimë këtu, apo më mirë të kthehemi në Itali?!
-Po të jetë për familjarët, më mirë të rrimë këtu. Për të tjerat, më mirë të ikim…
Nuk kish nevojë t’i bëja pyetje të tjera.
Që të nesërmen dola tek gjykata, para sheshit të së cilës shiteshin furgonat. Nxora gjithçka në shitje. Makina dhe mjetet e tjera.
Ishte pragu i Vitit të Ri 2001, dhe Lushnja po mbushej nga emigrantët e kthyer nga Greqia për festat e fundvitit.
E festova atë vit të Ri me të mitë dhe menjëherë u nisëm për në Itali.
Nuk mund ta harroj sjelljen e tim biri kur, pasi dolëm nga porti i Barit, kërkova të mbush serbatorin në pikën më të afërt te karburantit. Ndërsa unë hidhja benzinë makinës, ai rrëmbeu një boçe pishe të rënë mbi asfalt e nisi të lozte futboll me vetveten. Ishte aq i gëzuar sa gati të bërtiste: “Libertà, libertà!”
Në foto: Im bir në atë moshë me qentë e tij Sydney e Burt.
.
Marrë nga muri i Fb i Shpend Sollaku – Noé, 15 prill 2020

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook