back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Tefë Palushi apo humori si modus vivendi nga Vladimir Myrtezai

Gazeta

Tefë Palushi (1943-1985)
Tefë Palushi (1943-1985)

Tefë Palushi apo humori si modus vivendi…

nga Vladimir Myrtezai

Nëse ka një vend ku humori zë vend si zë i parë dhe përpjesëtohet në një shkallë të gjerë mbijetese, ky vend quhet Shkodër. Besoj se ka një arsye të mjaftueshme që të ketë tagrin ta mbajë mbi shpatulla këtë status ex vitae. Gjithnjë kam pasur një bindje që në themelet e të bërit humor, përpara se të shkaktohet, më është dukur që pak më parë ka ndodhur diçka e jetuar, që s’ka të bëjë mirëfilli thjesht me atë humorin rutinë për humor, kalimtar, por me diç gati më e thellë, që e ka ngjizur si të tillë. Dhe pa dashur ta përthyej daljen e humorit në sipërfaqen e shkakut të saj, do doja të identifikoja hapësirën veriore të qytetit, në skajin veriperëndimor të Shqipërisë, që e ka pasur humorin përmbi krye si një vello drite, ose si shpatën Demokleut.
Shkodra, një qytet disi i prirë për të na shfaqur së tepërmi damarin sipërmarrës dhe një protagonizëm të thellë, ka përndritur në kujtesën e këtyre anëve si një vend i qeshur, plot dritë e ngjyra. Sa e sa personazhe u munduan e nuk u munduan asfare, por natyrshëm skalitën fytyrën e qytetit të qeshur, me plot “hidh e prit”, me një natyrë çliruese së brendshmi e në dukje, pa kompromise me huqet e kthesat historike, të cilat nuk ia dolën që ta zbehin a ta tjetërsojnë të qeshurën e këtij qyteti.
Argumentin se pse ky qytet ishte dhe është aq i pasur e me humor nuk do e kërkoja te rrethanat mbipozuese natyrore, por thjesht dhe brenda llojit, si mekanizëm përtëritës jete, si dhe te shpirti gazplotë i njerëzve që përpara se të aktrojnë me humor, e jetojnë atë gjithë ditën e lume. Ndoshta format për të mbijetuar apo mënyrat e shumta të njerëzve si prirje natyrale për t’u vetëmbrojtur në një formë autodigresioni, dhe prirja për të çliruar frazeologji dhe fortifikime plot hare në kohë të ngjeshura me absurd, apo thjesht një situatë kalimtare, ku njerëzimi josh vetveten për t’u çliruar nga andrallat e ditës.

Piktori Vladimir Myrtezai
Piktori Vladimir Myrtezai

Nëse do e merrja me shumë seriozitet shpjegimin se nga mund ta ketë gjenezën forma për t’u argëtuar dhe për të bërë humor, do ishte një shkak jo serioz kjo ngarkesë, dhe aq më shumë në ballë të një inteligjence të lindur, që nuk se vjen e kontrolluar as nga shkencëtarë, as nga studiuesit, por nga një humus i gjallë dhe i pa stratifikuar, që lind dhe vdes në rrugë e kudo, duke e bërë edhe më legjendare atë lëndë aq popullore, siç është edhe humori.
Po ta vësh në radhë për ta mëvetësuar e ndarë në emra të përveçëm këtë lëndë, aq e zmadhuar në qytet, pa dyshim që do rezultonte një vijë e gjatë, që nuk ndalon për nga lloji dhe lojtarët e kësaj lënde, saqë nëse do ngulmonim në një krahasim që shkon dhe i rri bukur, të gjithë ata do na ngjanin me toreadorë që shtyjnë dhe yshtin humorin, ku legjendarët do qenë mjaft të veçuar e të vlefshëm për t’u përmendur në këtë shkrim. Por, më interesanti dhe më emblematiku për nga shenja fort e dallueshme në një qytet humori, do ishte pa dyshim Shtjefën Palushi, ose sikurse njihej nga të gjithë, Tefë Palushi.
Mbas kapërcimit të disa ngushticave që fitojnë artistët për të qenë të dallueshëm e të pranishëm në publik, fillimisht mendon se ata bëhen tërheqës duke bërë një shenjë që të lë me mbresa. Disa nisen nga tipi që krijojnë, disa të tjerë nga një formë e fortë për të bërë përshtypje, të tjerët duke mbjellë një legjendë rreth vetes, ndoca të tjerë duke zënë ngushtë opinionin publik për gjëra më të ndaluara e kështu me radhë. I vetmi dhe i papërsëritshmi, dallohej bash Tefë Palushi, ku për shkak të natyrës së pamëshirë, i dha kohës së tij një simbol të gjallë, që jeton me njerëzit në qindra forma. Për shkaqe që unë nuk i di, Tefa kishte një distrofi përfshirëse, me të cilën bujti në retë e humorit shkodran me një kufizim biologjik që u shndërrua në element unik për humorin e tij. Ishte një shpirt i stërmunduar në një trup të gjymtuar. Sikur natyra ia bënte qëllimisht të pamundur gjendjen anormale, duke e sakatuar gjithandej drejt një stërmundimi çnjerëzor. Shumë herë më është dukur si një grumbull kockash, që parakalonte buzë të tjerëve me një dashuri të pamundur jete, që me kohë e shndërroi në një humor pa kufi e të papërsëritshëm, i ngjashëm me digresionin e humorit të zi në kohë të ndaluar.
Për çudinë e të gjithëve, ai më shëmbëllente shpesh si modeli më i madh i një shfaqjeje kundërestetike, që e tejkalon standardin ideal fizik duke shpërfillur gjithçka me shpotinë e tij proverbiale. Larg në kohë më është dukur si një grafiti, apo si një shenjë me një prani të nevojshme, pasi e gjithë çka ai la mbrapa nuk kish asnjë lloj ngarkese të angazhuar karriere, misioni apo gjërash të mëdha, që shpesh thuhen për njerëz që kthehen në simbole të shoqërisë. Por, ai kishte diçka krejt gjeniale, mes formës së përzënë dhe thelbit të tij krejt të pazakontë. Pavarësisht se nuk donte t’ia dinte për të ashtuquajturën karrierë, pasi ai jetonte si në skenë, bashkë me plastikën e tij natyrale, do e kishin zili shumë aktorë të stërmunduar për një plastikë unike. Lojtarin me qendër, fjalën e groteskun therës, disa syresh do ta kishin zili bashkë me të përveçmet gjeste fatale.
Jo rastësisht Tefa gjezdis si një legjendë urbane e humorit, por edhe e një zgjuarsie të pakrahasueshme, për shkak se çdo gjë që sillej rreth tij ishte një lloj tharmi që i ngjan një kostumi joveshës, si një thashethemnajë ushqyese për një qytet të tërë. Ai vishej si një kostum anonim për syrin e gjindjes. E kishim zili se si më vonë lodronte në zëra të shumtë njerëzish, gati në të gjithë hapësirën shqipfolëse, si një mençuri popullore. Me ngadalë humbi gati autorësinë e gjithë gojëdhëna e humorit dhe u vesh me emrin e tij.
Po kush është në të vërtetë Tefë Palushi? A ka ai një portret të mbrojtur nga afër në kujtesën e shkodranëve? Pashmangshmërisht, po.
Qe një personazh i paharrueshëm, prej mishi e kockash, që jetonte si gjithë të tjerët, që gëzohej e hidhërohej, që ishte më normal se shumë anormalë që e rrethonin dhe që ishte i dhuntisur me një zgjuarsi të tejme natyrale, që i vinte nga brenda, si kompensim i mundshëm për ato gjëra që nuk i pozonte natyralisht dot. Gati në pamundësi fizike, kishte bërë të mundur dhe ishte në marrëdhënie normale me forcën e talentit, me ndjeshmërinë e marrjes pjesë aktivisht në gjuhën e karikaturës në vend, dhe me një forcë të shquari në opinionin e kohës, mjaft dukshëm dhe me një profil që nuk i shkonte shtatit të tij të gjymtuar. Duke qenë se e kam njohur nga afër, ndanim së bashku studion e tij, dhe më kish ftuar që të kisha mundësinë të realizohesha në një hapësirë krijuese. Një gjë e paimagjinueshme dhe e rrallë, se si punonte gati çdo ditë, dhe me një seriozitet të papërshkrueshëm. Nganjëherë, si për forcë zakoni, e krahasoja me ekspresionistët e kohës, e veçanërisht e ngatërroja në mendje me pikëllimet psikike të Egon Schiele-it, dhe me vinte për të qeshur se si nuk dorëzohet njeriu dhe se si mund të jetë kaq i ngjashëm me një vepër arti. Kishte shumëçka të pabesueshme në personalitetin e tij.

Egon Schiele - Autoportret
Egon Schiele – Autoportret

Pavarësisht famës që gëzonte në publik, në jetën e përditshme sillej fare shqeto, madje bëhej edhe dramatik e i ndjeshëm ndonjëherë. Nuk do mund ta ndaja Tefën nga simbolet e qytetit në famë si Kafja e Madhe, Arra e Madhe, Kafe Dibra, Dugajt e Reja, një mejhane në Rus maxhar, dhe një kafe tek ish-bashkimet profesionale ku pinim vermutin e atëhershëm.
Tefën e pata njohur në një shkëmbim kohe kur m’u duk se si një ditë të zakonshme, në mbaresat e tija të rezervuara konservonte jetën e të tjerëve, si një oaz të veçantë kërshërie të ngulët, gjë e cila më bëri ta besoj që kish rënë në grackë: në dashuri me një vajzë, të cilën e kishte përjetuar më shumë si një dashuri platonike. Më është dukur një nga dramat më të panatyrshme që mund të ndodhë vetëm në raste përplasjesh kontroverse, që të afron një jetë qeniesh si e tija. Për herë të parë kisha kuptuar që në interesin e tij, përveç kalkulimeve të metaforës dhe shkaqeve pamore, frynte erë njerëzore, dhe një erë e pazakontë, nga ato që rrëmbejnë mendjen e jo fiziologjinë njerëzore. Më është dashur të jem lexues në këtë dramë, pasi, dashje pa dashje, u përfshiva në atë botën e tij të fshehur, të cilën, siç ndodh me njerëzit, do donte ta fliste dhe ta ndante me dikë. Nuk jam ndjerë ndonjëherë më keq në raportin me një njeri që ndaja shumë kohë si kuriozitet dhe mik njëherësh… sepse e kisha të pamundur t’i thosha ndalo për një vegim apo vërshim dashurie të njëanshme – ndër ato të shumta drama të lexuara në hije përgjatë një rituali të përsëritur si amok, për ta parë e shoqëruar atë personazh që ai kishte projektuar dhe rënë brenda me gjithsej. Ishte koha që isha i sigurt që ai kishte rënë në dashuri, dhe ana tjetër e medaljes shpërfaqej para tij si vegim, me një shurdhëri vrastare, si fajtore pa faj, sepse as nuk merrte dhe as nuk jepte shenja mirëkuptimi e jete, dhe jo më ta merrte me mend që në krahun përballë ku ajo kalonte po ndodhte një dramë e pashpjegueshme dhe e pashprehshme. Ka qenë një nga çastet më të rralla, dhe për shkak të statusit të tij publik e të popullaritetit, që e gjitha të përtypej në heshtje, si një pamundësi për t’u bërë prani, apo për t’u ulëritur siç dhe bëjnë njerëzit normalë në zgjidhjen e një thirrjeje të pamundur.

Kafja e Madhe - Shkodër
Kafja e Madhe – Shkodër

Si personazh i madh i rrugës, Tefa e kish të pamundur t’i dorëzohej dobësisë së tij, dhe me kohë e kaloi këtë lëngatë të ëmbël njerëzore duke e ndarë vetëm me veten, si një dramë e shumëfishtë dhe e lodhshme, siç dhe ishte sëmundja e tij, që e bashkëshoqëroi dhe ia mbrujti karakterin përgjatë gjithë jetës. Në fakt, personazhe të tillë, të jashtëzakonshëm, janë më shumë sëmundje regjisorësh, si hulli për të parë në skutat e pabesueshme të jetës, për të puqur e tërhequr skajshëm në gjetje, që në këtë rast natyra dhe fati i kishin ngritur përpara syve dhe realitetit si një ngjashmëri mot a mot, ose si një gjetje e papërsëritshme rrëfimi asimetrik.
E kush do mund ta besonte se në krah të figurës së tij aq në qendër të vëmendjes qytetase, mund të fshihej një dhimbje njerëzore… Kur e mendoja në distancë humorin e tij, më feksnin e më përmbyseshin njëherësh shumë gjëra, por, në thelb, ai jetonte me mish e me shpirt – një njeri si gjithë të tjerët, me ndjenja e histori personale, me dhimbje shkëmbim njerëzor e gjithçka që përmban njerëzorja. Porse, fenomeni Tefë Palushi ka të bëjë më shumë se me një histori sentimentale, me famën e një humoristi të madh, të hollë, gaztor dhe herë të zi e tragjik, që kushdo mund të lexonte nën rreshta, do dallonte yshtjen e personalitetit dhe mprehtësinë e tij për t’u krahasuar me shenja të pashlyeshme, të dukshme të qytetit ku jetonte. Për shkak të kulturës dhe intuitës së njerëzve, Tefa do stampohej në kujtesën e tyre si një statujë që i ngjan veprës së tij; si një përputhje natyrore e fatale, që për shkak të krahasimit e humbet peshën dhe konstruktin fizik, duke i dhënë shkas fantazisë dhe projektimit dhe duke peshuar më shumë si ide sesa një shkak i qenies së tij. Dhe për këtë shkak, më shumë se një peshë sentimentale njerëzore është një shkak i nevojshëm i konsumit njerëzor në nivelet e popullaritetit të tij.
Qytetit do t’i shtohej një përvijim ose një karakter njerëzor në formë të shumëfishuar të legjendës së ngjizur në urinë e masës, duke e identifikuar me shkaqet dhe përcaktimin e madh të tij, pikërisht përmes humorit.
Shtjefën Palushi është një personazh i rrallë që nuk matet vetëm me atë çfarë ai la si trashëgimi fizike, si vepër, si karikaturist… por më së shumti si legjendë, së cilës i japin krahë njerëzit sa herë që e përmendin, duke e shndërruar kësisoj në një nga piketat e kujtesës urbane. Ky është një mision i kryer i një njeriu që nuk jepet përpara një sprove të madhe fizike, si e si për ta çuar në destinacion vokacionin e tij prej humoristi të urtë.

Tefa - Karikature
Tefa – Karikature

Ky ferment i ngjizjes mentale, herë-herë është më i dobishëm sesa vetë dokumenti apo copëzat e vërteta të vetë personazhit, dhe shumë më i vlefshëm sesa vetë dëshmitë okulare të miat. Nuk ka asnjë përputhje me shkaqe të konjukturës, apo me ndërtimin e heroit larg në masë, apo me një shkak njohjesh fatalisht krejt personale. Jo. Në të shumtën, personazhe të tillë janë më shumë shpikje e pavetëdijes ose e fantazisë kolektive, për t’u identifikuar si formë totale, por ka një përputhshmëri të prodhuar nga një personazh njerëzor, që u bë shkak i parakalimit të tij vetjak dhe shumë dramatik, për të mbushur pjacën e emblemës që ai la si rrjedhojë e inteligjencës, protagonizmit qytetas, talentit dhe nënndarjeve njerëzore që e bënë të mundur.
Do ishte krejt cinike ta largonim në kohë, duke e bërë thjesht dhe vetëm si një vëzhgim dokumentar, apo akt përkujtimor, apo forma të tjera që lyp një shkrim për një të njohur, apo si një veti e vetmuar e të qenit në profesion të dallueshëm si karikaturist, piktor apo amator i gjuhës së humorit. Jo. Por, në nder të tij, qytetit ku jetoi, si një dhuratë që e propozoi koha nga erdhi, për ta rreshtuar famën që e ka tejkaluar vetë atë, në favor të gjenisë krijuese që duhet të jetë mes nesh si një vlerë autentike për brezat që do rreshtohen më pas. Ai nuk do kuptohet si duhet pa e ndjerë mirë aromën e dheut të qytetit të tij. Tefa ishte nga ata që e ke të vështirë të dallosh se ku fillon humori e ku mbaron dhe rivjen vepra e unifikuar me emrin e Tefës si e njëjta gjë.
(marrë nga gazeta Mapo 7 qershor 2014)

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Tefën e kam pasë shok në rini. Në shoqni me: Ferit Osmanin, Tonin Armenin, Osman Krymin, Sabah Ramën. Rrinim shpesh deri vonë dhe e përcjellshim në shtëpi, pranë shtëpisë së kulturës. Humori i tij shumë i hollë e pa bastardime….

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.