back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Teatri i Politikës dhe Politika e Teatrit – një refleksion i sipërfaqëm po ngucës nga Jozef Radi

Gazeta

Arkitektura e Teatrit Kombetar 1940
Arkitektura e Teatrit Kombetar 1940

Teatri i Politikës dhe Politika e Teatrit

një refleksion i sipërfaqëm po ngucës nga Jozef Radi

mbi 80 vjetorin e një Teatri dhe një politike pothuaj 80 vjeçare

Kultura dhe Politika Kombtare

Betejat midis Kulturës me Politikën në historinë shqiptare janë të shumta e të pafundme… Në kushtet e vetmbrojtjes idenditare kultura ka një përpjekje të jashtëzakonshme, bile nëse figurës së Sizifit do t’i përshtatej diçka, pa as më të voglin dyshim do të thoja: Kulura Shqiptare. Gjitha shkatërrimet e pafundme të shumë prej vlerave të kulturës shqiptare i ka mbi supe politika E nëse do të më duhej t’i gjeja një emër simbolik i pari që do të më shfaqej do të ishte Neroni! Ai kërkonte të bëhej i lavdishëm përmes djegjes së Romës! Prandaj Beteja e rradhës në Mbrojtjen e Kulturës nga Politika është beteja për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, ku këmbëngulja për shkatërrimin e tij është bërë sport kombëtar e që më kujton asgjë më shumë se hedhjen ne erë të Kishës së Vaut të Dejës, një monument i magjishëm historie, që më pas me paftyrësi cinike na e kanë vendosur te 1000 lekshi jeshil, te monedha më e përdorur si për t’na dëshmuar se: “Vërtet e hodhëm në erë ama kujtimin ia ruajtëm…!” (deri në një prerje të re kartmonedhash…) Cinisëm i paskajmë!Teatri Kombëtar për fat po për fat të keq edhe politika është e çuar peshë me të gjithë artilerinë institucionale, dhe po vërtit përditë rreth tij minat njerëzore të rrënimit, prandaj edhe qytetarët shpësh e mendojnë veten si kështjellarë të mbrojtjes së kulturës shqiptare nga politika shqiptare e të mbeten në këmbë Teatri Kombëtar!
Pikërisht në këtë 80 vjetor të Teatrit më së pari po përpiqem ta lexoj Politikën që ka vendos ta shlyejë një institucion historik nën maskën e gjoja modernes dhe gjoja dashurisë për artin…
.
Godina e Vjedhur e Teatrit Kombetar
Godina e Vjedhur e Teatrit Kombetar

Teatri socialist i Rilindjes

Parti socialiste s’ka më…! Së paku do të dukej apo do të ndjehej ndonjë zë o ndonjë frymë rebele gjëkundi. Ka vetëm Rilindje, dhe suksesi më i madh i Rilindjes është fakti se ia mbrriti të asgjësojë Partinë Socialiste, dhe jo vetëm kaq po ta provokojë e ta fusë në krizën më të thellë Opozitën e përbërë nga PD dhe LSI… duke i nxjerrë praktikisht jashtë çdo funksioni juridik dhe çdo legjitimiteti.
Vera e vitit 2019, do të mbetet në histori se mbas 107 vitesh shtet, shqiptarët ndodhen në çorodinë më të thellë të shtetit të tyre, dhe në pamundësi për të ndikuar në ndonjë ndryshimin e tij.
Të paaftë dhe të mpirë për të guxuar të sakrifikohen përballë së keqes që ka grabitur dhe rrënuar krejt institucionet bazë të shtetit, dhe kërcënimit e shantazhimit të krejt një shoqërie që parandjen vdekjen dhe e pafuqishme të reagojë përballë së keqes… Kjo e sotmja është pothuaj aq tragjike sa 1913, e në mos më keq… Pse atëherë s’kishte institucione… po ama kishte shpirt sakrifice, kishte idealizëm dhe besim në ngritjen e tyre. Sot institucionet janë si ngrehina kufoma, kaq të deformuara dhe ndjehet një mungesë kaq e thellë koshience prej atyre që drejtojnë shtetin, sa që asnjë pushtues s’do të guxonte të linte një boshllëk të tillë juridik e institucional shtetin e shqiptarëve…
E gjitha kjo shihet si produkt i një njeriu të vetëm, me struktura oligarkësh dhe pushtetesh okulte, si dhe një bande prej katër-pesë pupacesh që shfaqen gjithkund me një rrotativë propagande monotone, të shpëlarë dhe acaruese të një pushteti të pakufi, ku gjithë ata që ëndërrojnë thelën, i shfaqen pushtetit si hijenat rrotull një kufome… E keqja nuk është kjo që ndodh në të vërtetë; e keqja është se kjo gjendje ka shkaktuar një rrudhosje kolektive shpatullash brenda partisë më të madhe, a thua se Njeriu i Gjithëpushtetit është një e keqe e natyrës, dhe se shmangia e tij është diçka pothuaj e pamundur…!!
.

Mbaro Teatrin -  Aleanca per Mbrojtjen e Teatrit
Mbaro Teatrin – Aleanca per Mbrojtjen e Teatrit

Teatri dramatik i Demokratikes…

Pyetja që më ka trazuar mjaft gjithë këtyre viteve, por besoj se edhe shumë prej atyre që e duan këtë vend, por që zhgënjimi i tyre ka formën e një orteku që sa vjen e bëhet më i madh e më i thellë nis nga pyetja: A mund të shpëtohet Partia Demokratike, dhe a duhet të shpëtohet ajo apo të braktiset në fatin e saj?! Përgjigjet e mia edhe pse mund të vërtiten rreth po-së, kanë shumë sfumatura!
Pyetja e parë që shtrohet: Po me hijet e këtyre 30 viteve si i bëhet hallit… prandej kur them edhe mund, edhe duhet… problemi është që nëse mbeten hijet, kemi përballë një film i parë dhe një histori e paragjykuar…
Pyetja tjetër që shtrohet është: Nëse Rilindja është në regres demokratik a do ta marrë edhe PD me vete, sepse shpesh ato të krijojnë përshtypjen se jetojnë në simbiozë me njëra-tjetrën… Situata ka dëshmuar se është pothuaj e pamundur që PD ta kthjellojë Rilindjen, ndërsa mund të ndodhë e kundërta… Rilindja kërkon ta bëjë sa më agresive PD dhe në greminën ku ajo po zhytet ta marrë edhe atë me vete… Pra, bëhet edhe më qartë, simbioza tragjike e këtyre 30 viteve, që po prek fundin.
Rilindja është strukturë spekullative që si bazë ka PS, e si origjinë ka strukturat Partinë e Punës dhe si bazë fosile në të gjitha shtresat e shoqërisë shqiptare një elektorat të verbër që vërtitet diku rreth 25-30 % e popullsisë… PD u ngrit si një shizmën nga PP, ruajti mjaft nga fryma e saj, por pati edhe mjaft nga ata që i dhanë frymë e shpirt lirie. Me gjithë privilegjet e pushtetit dhe zhgënjimet e pësuara elektorati i saj përbën një masë prej 15-20 % të popullsisë, pra në bazë të tyre këto dy parti rivale, dominon PS, që për korrektesë sot dominohet nga Rilindja, e cila me vullnet cinik e ka afruar mjaft frymën përçarëse të luftës së klasave, dominimin e shoqërisë prej një partie të vetme, mosrespektimin e ligjeve, dhe kultin e një individi spekullativ, i cili beson se sa më e madhe të jetë e keqja e shkaktuar aq më dhumë të gëzojë nënshtrimin ekstrem… Duket paradoksale, por nuk është edhe aq e tillë.
PD lindi si shpresë për ndryshim. Ajo asnjëherë s’ka qenë parti e mirëfilltë, por një Front politik, suksesi i të cilës është arritur pikërisht dhe vetëm në kohrat kur funksionoi si Front. Sot ai front nuk ekziston më! Sado të vërtiten iluzionet se është o se mund të bëhet, e vërteta e zhgënjimeve është aq e madhe dhe disfatat aq të dukshme, qoftë edhe duke marrë në konsideratë të mosnjohjen si duhet të asaj figure katallanase që ka përballë!!
.
Projekti I Teatrit Kombëtar
Projekti iTeatrit Kombëtar

Drama dhe tragjedia e Politikës…

Për të qënë korrekt me mendimet e mia, më duhet të thesoj se Partitë në Shqipëri dolën dhe u fuqizuan nga prona e madhe e Partisë së Punës, që më pas u shfaqën si interesa private të politikës të ndara sipas ligjit 7501. Asnjë parti deri sot s’mund të thotë se nuk ka qenë vegël e dy partive të mëdha, dhe të dyja veçmas dhe bashkë nuk e kanë kapërcyer faktin se ligjet më të rëndësishme antidemokratikë i kanë firmosur bashkë, pikërisht pse ishin të lindura prej një Partie që e urrente pluralizmin e ideve dhe pronën private. Por për pronën private, ato u kujdesën mjaft sepse prej tij u ruajt linja e pushtetit. Sot, të gjitha partinë politike janë prona private të individëve, drejtpërdrejt o tërthoras, dhe nuk ekziston asnjë parti që të ketë një harmoni ideshë dhe figurash që të jenë pjesë e një fryme të përcaktuar politike. Merreni cilëndo Parti dhe kqyreni thelbin e saj… Do të gjeni një njeri të vetëm… që ndrit e nxin, që vran e kthjell, që larton e gropos, që fillimisht brohoritet e më pas i kërkohet ikja! Habitem pse ua kërkojnë individëve ikjen, kur mund t’ua kërkonit partive këtë gjë! Apo partitë janë vende ku mund të fshihen krejt shpura e maskarenjëve të kësaj bote…?!
Partitë politike shqiptare të mbas ’90 kanë prodhuar të njejtin efekt që ka prodhuar ligji 7501. Ashtu siç është fragmentizuar toka, është fragmentizuar mendimi politik po edhe krejt frymën e nje shoqërie, e cila sot gjendet nën hijen e disa individevë dhe jo nën idetë apo programet politike. Kaq keq është mpleksur kjo puna e individëve sa në fushatat elektorale s’gjen më programe, por individë muhabtqarë klubesh, që çajnë kopalla me turma të porositura se kur është çasti për duartrokitje, si në një shfaqje teatri absurd…
Ky është edhe falimentim i një politike teatrale, hijet e së cilës qysh herët janë vërtitur ndër ne…
 
***
Nëse PD do të ishte një Parti energjike, koherente e të shihte larg, për situatën e krijuar, ajo duhej të jepte shembullin e një ndryshimi të shpejtë e thelbësor, duke ia djegur kartat ndër duar, një pushteti thellësisht të korruptuar dhe dhe tejet tragjik në atë çka po gatuhet dukshëm… Ndaj këmbëngul se të dy janë palët janë pjesë e një fryme të përbashkët dhe si e tillë, s’ka pse të ikë “ai që ka marrë votat!!!” dhe ta vazhdojë ai që e la përgjysëm projektin. Me gjithë diferencat mes tyre, në disa piketa thelbësore palët janë bashkë dhe i kanë mbrojtur interesat e tyre në vazhdimësi…
Sigurisht, dy-tri partitë e pushtetit me gjithë bishtrat e tyre demagogjikë, janë të detyruar të qëndrojnë së bashku e të pandryshuar në këtë pështjellim tragjik, për të cilin të tria palët janë bashkëpërgjegjesë… Prandaj besoja se një ndryshim fulminant i lidershipit të opozitës dhe një ristrukturim i idesë së Frontit do t’ia digjte kartat në dorë këtij pushteti të superkorruptuar, i cili s’do ta kishin edhe aq të lehtë përdorimin e atij zhargoni monoton e banal që ka marrë trajta dëshpëruese e asfiksuese… Unë mendoj se kjo lojë politike, i ngjan një marrveshjeje të heshtur: “Do të lemë derisa të rrëzohet vetë ky pyshtet i inkriminuar, dhe marrja e pushtetit të mos ketë alternativë tjetër, përveç asaj që tashmë është bërë e lodhshme. Po situata është më dramatike se e mendon çdonjëri prej nensh. Ndryshimet kushtetuese të prillit të 2008, sollën si “kurorë të artë” votimet moniste të 30 qershorit; një pushtet të frikshëm, por një pasqyrë të qartë ku krejt politika shqiptare e 30 viteve ta shohë shëmtimin e vetvetes…
Shtrohet pyetja: A mund ta ndërmerrte PD-ja një aksion të tillë guximtar?!Sigurisht që po po të kishte brenda saj vizionarë, Po nuk mund të ndodhte, sepse ajo është peng i një loje të përbashkët! (U derdh vaji e ra ndër lakra! – thotë populli) Ndaj ky mbetet edhe favori më i madh ndaj këtij pushteti të korruptuar gjer në qelizë… Ndërkombëtarët tashmë aq sa janë pjesë e kësaj loje të ndyrë, me të njëtën lehtësi bëjnë Ponc Pilatin, pse siç duket tregu i favoreve, dhe begatia e parasë informale në një formë a në një tjetër i josh edhe ata! Të gjithë presin që gjërat të ndryshojnë, po askush e askund nuk lëvizet që ato të ndryshojnë vërtet. Shqipëria sot nuk ka fuqi të prodhojë një lëvizje që të bëhet reaksion shoqëror në përmbysjen e kësaj fryme asfiksuese…
Amullia kënetore është aq e thellë, sa duket e vdekur dëshira e bonifikimit që duhej të niste nga ai shpirtëror. Dështimi i studentëve, squlltësia intelektuale, ku dominon tregu i influencave, ikja masive e atyre që janë energjia e kanë dëmtuar rëndë besimin në ndryshim. Paratë e drogës dhe korrupsionit duke mos prodhuar zhvillim ekonomik, prodhojnë konflikt shoqëror prandaj Beteja për Teatrit Kombëtar është skenari më i dlirë i këtij konflikti që merr dita ditës pamjen e një përplasje të madhe… Mbrojtja apo rrëzimi i Teatrit pak nga pak po shfaqen si vija e kuqe e Pushtetit me Armikun e Klasës, me ata që nuk e duan zhvillimin dhe të renë. Epitetet e përdorura në dëm të Teatrit janë pothuaj simetrike, me djegjen e Kullave të Veriut gjatë 1944, apo hedhjen në erë të kishave dhe xhamijave gjatë Revolucionit Kulturor, apo me rrënimet masive të ’90. Po ta shohësh pak me imtësi, vëren qartë detaje të kësaj barbarie, me një ngjyrosje emocionale ku antikombtarja na shfaqet paksa “trendy!”
I gjendur përballë një pushteti pakufi, por pa qetësinë e mjaftueshme për t’u shkuar zgjidhjeve në trajtë serioze, kryepushtetari dhe tre – katër sejmenët që ndjekin kujdesshëm jo vetëm humorin e Bablokut, po edhe lëvizjet e buzëve e të syve, flasin në unison të admirueshëm, si për Teatrin Kombëtar, edhe për avionët e vjeshtës e të dimrit, edhe për taksat që s’na qenkan mbledhur sa dhe si duhet, edhe për vendosjen në detyrë policërisht të atyre që u begatuan si pushtetarë të radhës pa rivalë e me përqindje qesharake votuesish…
Sot duket se e vetmja gjë që e bëjnë me kënaqësi të rallë është ajo e përballjes dhe përbaltjes mes artistëve ku Teatri shpreh betejat e gladiatorëve ku gishti lart apo gishti poshtë i Cezarit, do të përcaktonte tashmë jo fatin e Coloseut (ah, sikur ta kishte pasur nën hyqëm atë shkatërrinë: me katër kulla do ta kishte përndritur dhe stadium të lojrave me dorë…!!) po edhe fatin e gladiatorëve. Shoh se KM ka një kënaqësi prej Cezari ta nxisë konfliktin mes artistëve, si askush më parë… Çmenduria politike është në apogje dhe veç nxitja e një konflikti mund të shihet si shpëtim për situatën ku ka mbrritur kulmimi paselektoral i gjithëpushtetshëm! Prandaj shprehja: “nuk keni parë gjë akoma…”, nuk është humor, por një kërcënim serrioz! prandaj bëhet e këshillueshme qëndresa dhe rritja në progresion gjeometrik e një shumice, ku krahas legjitimitetit të kauzës të bëhet solide mosbindja civile ndaj abuzimit me pushtetin.
.

Legjitimimi i shfaqjeve ne Teatrin Kombetar prej dates 27 korrik 2019
Legjitimimi i shfaqjeve ne Teatrin Kombetar prej dates 27 korrik 2019

Teatri Kombëtar dhe Beteja Kombëtare!

Prej vitit 1999, kryeministri (atherë si kryetar bashkie) që e piketoi Teatrin Kombëtar si një begati të projekteve të veta… Prej asaj kohe e deri më sot, për fatin e keq të kulturës dhe ministrave shqerakë të saj, asnjë gozhdë s’iu ngul kësaj ndërtese historike, përveç “Gozhdës se Nastradinit”!! Prandaj edhe sikur të duash t’i pafajsosh ata që e kanë pasur detyrë ta mirëmbanin e ta selisin, e ke pothuaj të pamundur!
Këto ditë Teatri Kombëtar ka 80 vjetorin e jetës së tij stoike.
Në skenën dhe platenë e tij janë luajtur jo vetëm drama artistike por edhe mjaft dramat reale që morën përmasa tragjedish, e nëse ne do të donim ta përfaqësonim denjësisht atë, duhej që e vërteta jonë historike, me të mirat e të këqijat e saj, të kishte grumbulluar konsensus qytetar, e të shëndrrohej në feste, sepse në 100 vitet e Tiranës kryeqytet, me 80 vitet e tij, teatri ma merr mendja se përbën një ndër 20 objektet më përfaqësues të lavdisë së njërit prej kryeqyteteve më të reja të Europës. Pra, Ai duhej të qe vlerësuar, investuar, programuar dhe trajtuar si objekt historik dhe përfaqësues, ndoshta më përfaqësuesi në pikëpamjen kulturore të kryeqytetit, që siç këmbëngul edhe studiuesi Plasari, mbetet projekti italian i qendrës, i nisur para pushtimit, dhe në harmoni me atë qendër madhështore, që për fat Tirana e ka… Aty janë gjithë etapat historike të 80 viteve, me trajtimet që pësoi kjo ndërtesë, jo vetëm si e tillë po edhe si frymë emancipimi edhe si kontakt i ndjeshëm me kulturën botërore, po edhe si trushpërlarje me produkte realsoci. Ajo u shfaq si Kinema Kosova, të cilën shpejt regjimi dogmatik do t’i ndryshonte emrin, po më së parë i ndryshoi destinacionin e ku teneqexhinjtë shkëlqyen në gjyqet e famshme të masakrimit të elitës intelektuale përmes Gjyqit Special dhe Gjyqit të Deputetëve… Më pas shërbeu si Teatër Popullor, e mbas ’90 si Teatër Kombëtar. Kush e vlerëson kët teatër vetëm për veprat trushpërlarëse të realizmit socialit dhe anashkalon faktin pse aty janë luajtur shumë prej kryeveprave të letërsisë botërore dëshmon mjerimin e të mos qënit kurrë ulur në atë sallë, dhe trishtimin që kurrë s’ka ndjerë emocionet teatrore të suksesit. Ky është mjerim për ta… e asgjë më shumë.
Kjo ndërtesë, sot 80 vjeçare, ka nevojë të mirëmbahet jo vetëm me burime financiare po edhe me frymë arti e dashurie… Ka plot 20 vite që pushteti (veçmas dhe bashkë) përmes braktisjes së godinës dhe shfaqjeve, kanë krijuar idenë se kjo gjendje braktisjeje mund t’iu vlente, duke menduar se ndërtesa e amortizuar nga koha dhe shpërfillja e tyre, një ditë do të ishte begatia e tyre…!! Sikur politika të kishte qenë sado pak njerëzore e mos ta dëshmonte hapur babëzinë e vet korruptive Teatrit Kombëtar mund t’i qe kthyer kahera shkëlqimi e mund t’ishin nxitur grupet teatrore përmes rivalitetit artistik, të harrohej ai shërbim i detyruar që artistët i kishin bërë diktaturës… e të shihej larg e thellë për të vënë në skenë pjesë dhe drama që të dëshmohej e vërteta Njeriut të diktaturës, pse jo, edhe një “mea culpa” që artistët mund ta shlyenin si dëshmi e fisnikërisë së artit…
Ky 80 vjetor i Teatrit Kombëtar, do të kishte sot të tjera ngjyra dhe tjetër frymë dhe kurrsesi s’do të qe një mollë sherri e hedhur mes politikës korruptive dhe idealizmës qytetare, e cila i gdhin ditët e i ngrys netët aty nën muret e asaj Faltoreje Kombëtare, sepse ka me vete besimin dhe shpresën po edhe bindjen se e vërteta vonon, por nuk mënon…
.
vere e vitit 2019

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.