Te Vilsoni dhe Genci në Bërzeshtë – ese nga Yzedin Hima

Yzedin Hima te kulla e Blloshmëve në Bërzeshtë

Yzedin Hima te kulla e Blloshmëve në Bërzeshtë

Te Vilsoni dhe Genci në Bërzeshtë

ese nga Yzedin Hima

Lumi Shkumbin rrëshqet si lot në këmbët e Bërzeshtës. Në përgjithësi, lumi është i shenjtë për poetët. Poeti kërkon përherë rrjedhën, kaltërsinë, freskinë dhe sidomos, synon hapsirën, sikurse lumi detin, drejt të cilit shpejton. Poetët i grish pamja e shpinës së lumit që merr me vete peizazhet, teksa vrapon drejt detit, sikurse imazhet e bukura, te shpirti i poetit.
Nëse mund të formonim një antologji poetike për lumin, besoj se do të kishim një mrekulli poetike, ku rridhnin lumenjt e botës, të cilët pihen plot etje nga dete e oqeane. Poeti shkon shpesh te lumi, edhe kur ai është ujëpakët dhe kur është ujëshumë. Dikush shkroi se donte që lumin e pranverës ta merrte dhe ta “fshihte ndër dejet e tij”, për shkak se nuk e shkonte dot në verë tek zvarrisej i holluar, i hutuar apo edhe më keq, i tharë. Ndërsa një tjetër, shkruan se kur hodhi grepin në lumë, në vend të peshkut, “kapi” veten e tij.
.
Statujat e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit në Librazhd

Statujat e Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit në Librazhd

Ndërsa kalova Lumin Shkumbin, m’u kujtua akuza e ngritur nga diktatura për Vilson Blloshmin dhe Genc Lekën, dy poetët e Bërzeshtës, dy poetët e Shqipërisë, dy poetët e Botës. Krahas akuzave të fabrikuara kundër tyre, ata që nuk kanë ditur kurrë se çfarë është poezia dhe çfarë është poeti, ata që janë të dënuar përjetësisht të mos e mësojnë këtë në jetë të jetëve, vunë kundër tyre, më të dashurin, më të dlirin, atë që rridhte së pari brenda qenies së tyre… Lumin.
“Të pandehurit Vilson Blloshmi dhe Genc Leka! Keni sabotuar. Keni derdhur plehun kimik, superfosfatin në lumin Shkumbin, për të dëmtuar kooperativën!”
Lumi përballë Vilsonit dhe Gencit!? Si dëshmitar kundër tyre. Barbarët nuk e kishin problem për të sajuar lloj-lloj dëshmitarësh, por deri te Lumi?! Çfarë mendje diabolike! Vilsoni dhe Genci do të pranonin të dëshmonte kundër tyre, këdo edhe njerëz të afërm, por Lumin jo. Nuk ka fyerje më të madhe për poetin dhe lumin. Natyrisht, poetët nuk iu zemëruan Lumit. Në vend të tij foli dikush që pretendonte se qe fshehur te një ferrë pranë Lumit…
.
Te Kulla e Blloshmëve në Bërzeshtë - poetë e shkrimtarë

Te Kulla e Blloshmëve në Bërzeshtë – poetë e shkrimtarë

Diku mbeta, diku mbete,/ Ndofta s’qemë as ti, as unë…!
Shkel e shkon mbi cifla jete,/ Ikën koha rrjedh si lumë…
 
Shkruan Vilson Blloshmi në një poezi të tij.
Duke u ngjitur, i pari “banor” i Bërzeshtës që “të përshëndet” me krahët në erë, është Rrapi i Bërzeshtës, shekullor, me përmasa të pazakonta. Ai brof nga toka për të përqafuar qiellin, ndonëse nga larg duket sikur varet nga qielli drejt tokës. Ç’monument i hatashëm natyre! Çfarë komunikimi tokë-qiell! Më kujtohen krahët e brishtë të Vilsonit, krahi i tij i thyer nga hetuesit barabarë, të cilin e ngrinte me dorën ende të pathyer për ta vendosur mbi gju në atë gjyq, shkruar me aq dhimbje nga poeti Sadik Bejko në monografinë e tij për dy poetët. I vetmi mëkat i krahut të thyer qe se kishte shkruar poezi të mrekullueshme, se kishte përkthyer poetët simbolistë frëngë, se priste Ahe në Stravaj, se korrte “arat e mbjella me lesh, apo qethte iriqin në arat e varfëra të Bërzeshtës…”
Rrapi shekullor i Bërzeshtës

Rrapi shekullor i Bërzeshtës

“Ky rrap është monumenti i poetëve” – mendova. E ka bërë Zoti për ta, në kujtim të shpitrave të lartë, vrarë nga të pashpirtët.”
Duke u ngjtur për te shtëpia e Blloshmëve, ndesh një buronjë. Sa njerëzi kanë shuar etjen te aty, midis tyre edhe djemtë e Bërzishtës, Vilsoni me Gencin! Aty, të përkulur pinin ujë e qiell, po etjen nuk e shuan kurrë… Vetëm një poet i etur, tejet i etur për ujë, gjelbërim poezi, liri, jetë drejtësi, dashuri, mund të shkruante një tekst poetik si “Saharaja”:
 
As dhe një s’e di si është katandisur/ Me këtë plagë mbi shpinë rruzullimi,
Por se thonë në botë është stisur,/ Kur i duhej njerëzisë mallkimi.
 
Shtëpia e Blloshmëve gjendet në ballë të Bërzeshtës, me dy kate dhe plot dritare si sy, që shohin nga dielli. Shkrimtari Virion Graçi, flet i habitur se si kjo e shtëpi e braktisur prej dekadash qendron në këmbë, sikur banori i fundit të qe larguar dje. Bedri Blloshmi pret pelegrinët e ardhur nga larg për të nderuar në ditëlindjen e tyre, më 29 mars, Vilsonin dhe Gencin. Lindën në një ditë, por në vite të ndryshëm dhe ikën nga kjo botë në të njëjtën ditë, të përshkuar nga plumbat e urrejtjes në Përroin e Firarit.
Lumi Shkumbin, atë ditë, “i përgjakur” dhe i fyer vrapoi drejt detit, ndërsa miqtë e tij, poetët e Bërzeshtës, poetët e Shqipërisë, poetët e Botës, u ngjitën drejt qiellit.
Ecim në rrugët e ngushta të Bërzeshtës, ku dikur linin gjurmët e tyre Vilsoni me Gencin. Gjurmët e tyre janë zbehur, tretur në tokën e ashpër të Bërzeshtës, ndërsa atje lart, qielli i ruan si meteorë.
 
“Ndërsa vërsulet globi në honin e pamatë/ Me njërën faqe, ditë dhe me faqen tjetër, natë.
Dhe zgjuar shpesh bashkoj unë mbrëmjen me mëngjezë…/ Eh botë faqe-bardhë! Eh botë faqe-zezë…!
 
Shkruan poeti Vilson Blloshmi. Vendi që vret poetët, pra shpirtin kombit, është vend faqezi, në jetë të jetëve do ta vuajë këtë mëkat.
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook