Po i shpëtuam mërisë… – nga Elida Rusta

Të vdekurit flasin urtë...

Të vdekurit flasin urtë…

Po i shpëtuam mërisë

nga Elida Rusta

Gjithmonë kam parë yjet duke rënë. Ashtu e strukur nën velenxën bojëqielli e ruaja të fshehtë një dëshirë. Atë natë jo. Ndoshta nuk ishte nata e duhur, ose unë nuk isha e duhura për të parë yjet. U trishtova për qiellin që humbi një pjesë të vetën në më pak se një sekondë. U përpoqa të shoh në të që t’i jap kurajë, se fundja edhe unë e di çfarë janë humbjet. Pikërisht atëherë u trishtova për veten e për qiellin, duke ditur se fuqimisht humb besimi në gjithçka kur vetja të ikën bashkë me ata që shkojnë. Ula sytë përtokë, më erdhi rëndë. Nuk jepet kurajo kur s’di e s’mund të jesh mirë me veten. Realisht nuk di as kur do ta shoh më qiellin pa ndjerë keqardhje a trishtim. Di vetëm që nata, por dhe jeta është më e errët kur copëzat ikin për të mos u kthyer më. Vetëm nata dhe unë e dimë se yjet e tjerë ndriçojnë fort, por s’dinë kurrë të zëvendësohen.
Këto po mendoja kur një letër që dridhej si vjeshta e Preverit, më erdhi nga qielli. E ndoqa atë flurudhë të ndritshme…
Oh, çdo fjalë i ngjan një luleje!
E shtrenjta ime!
Në të perënduar të diellit dremita pak. Më doli në ëndërr një trumbë zogjsh që vetëm fluturonin. Popujt e tjerë nuk ishin të kënaqur me ta, mblidheshin për të parë të tjerët të coptuar. Më dhembi gjithçka edhe dielli, edhe uji, edhe drita, edhe imazhi i një qytetërimi pjesë e të cilit nuk do doja të isha kurrë. Mbeta si ushtari i plagosur jashtë derës së zemrës, këpucëshqyer duke parë thertoren e shpirtit të tyre të keq. Në këtë kohë kolere e zogjsh të palumtur, po i shpëtuam mërisë do rrojmë gjatë. Më vjen keq për verbimin e botës. Botë e egër ka hall kur sheh dikënd të lumtur. Sa më shumë ëndërrojmë aq më shumë e ndjejmë peshën e rëndë të së vërtetës. U zgjova në përpjekje për të kuptuar se nuk më ka braktisur lëkura. Një dallgë malli më përfshiu për ty, se malli i puthjes së munguar bijë, ngjit më shumë se e vërteta. Të ndoqa me shikim jetim, prej mallit që hap gropën brenda syve të mi.
Fytyra jote më trembi, më sëmuri.
Po e mëkon pikëllimin tënd dhe po trand veten keqas shpirt. Dëgjomë ndonjëherë! Besomë ngaherë! Ju nuk ishit dakort me ikjen time, ju mungova pa u nisur. Bie shumë shpejt në tokë njeriu. Efekte anësore ka dhe dashuria. Tek ti dua vajzën e mençur dhe krenare, mos lër të të bluajë mulliri i mërzisë. Si nuk kupton? Të vdisja atë ditë, përditë, apo mos dhëntë Zoti para jush? Jeta është e bukur me tërë këto momente. Duhet të mësohet njeriu edhe me një gropë në zemër. Vjen një ditë që të gjithë binden për këtë, sa më shpejt aq më mirë. Atë që nuk është në dorën tonë, duhet të gjesh forcë ta përballosh sado e rëndë. Më premtove se do kujdesesh për veten. Ke motivin më të bukur ta hedhësh pas këtë, dhimbjen ktheje në dashuri për ata që ke pranë, ke fëmijët të ardhmen e tyre, vëllanë, motrat. Dua të besoni se ju vleni shumë, jo të ju rritet mendja por ta besoni e të jeni krenarë. Ju lutem, jo më!- Ndihem gjallë në kafaz të krahërorit tuaj, në rrahjet tuaja të zemrës.
Përpiqu zemër! Përpiquni!
Të të them dhe diçka që mos ta harrosh? Në asnjë zhgënjim mos e kërko fajin tek vetja, ato i shkaktojnë mosmirënjohësit. Ata janë virus për të dobëtit, njerëzit me imunitet nuk i qasin fare. Është shpërfillja jote që bën diferencën, qoftë edhe në të menduar ndryshe ti vazhdon të pish vrer me shpresën të vdesin ata.
Mos më kundërshto të lutem! E di që nuk të lë mendja të jesh e hajrit, të flet para gojës e njerëzit nuk janë mësuar me këtë. Për ta ti je ai druri i shtrembër i gardhit që kur hiqet, lë vrimë të madhe. Je rritur në kampe përqëndrimi, s’ka bjeshkë që bie në shpirtin tënd, ai sheh përtej nënshtrimit, përtej. Askush nuk vdes, thjeshtë largohet ndërron univers. Është jeta ajo që na ndan, na përpin në labirinte që askush nuk e kupton që po përhumb. E komplikojmë vetë duke qenë kaq e thjeshtë. E kupton që njeriu çfarë kërkon, atë merr? Merr frymë, duaj, shijo, jeto në ditët tuaja! E shkuara nuk zhbëhet. Ti je vajza që i shpëtove pallatit të mallkuar, mëllenja e bukur me krahë rozë rritur kënetave të Jugut. Mos përfshi në mërzinë tënde njerëz të braktisur së gjalli, ata që i gëzon pikëllimi teksa të tjerët vajtojnë. Mos i gëzo ata që kanë zemrën e vrarë për pak dashuri. Frika e vetmisë ua justifikon “moralin” e pamoralshëm. Mos shkruaj me dorën tënde “low profile “!
Duhet kujdes! Karma kurorët falas i ka për të gjithë. Ne vdesim rehat, s’ka vdekje as varr që na ndan për aq sa na bashkon dashuria.Sekush në humnerën e vet, ne në bjeshkën tonë.
E shtrenjta ime!
Lumturia nuk ka formë të caktuar, është si e do ti. Mos vish lëkurë dosido! Ngrihu nga toka ku dhe zogjtë bëhen pis! Kthehu pranë gjelbërimit tënd! Ju presin ditë të gjata me më shumë kohë për ëndrra. Ia vlen në mënyrë marramendëse, asnjë sekondë s’do humbur. Në kohën e qenve cicërimat shurdhohen, mbijetesa është në rrezik,]- thoje ti. Shkruaj me dritën e pafajsisë së fëmijërisë që të bën të ngrohtë e njerëzore, se bota është botë vetëm kur i besojmë vetes. Hiqja një brinjë vetes e shkruaj me të në lisin më të madh dashurinë, vetëm ajo i ekuilibron gjërat, vetëm ajo ndez zjarr në mes të Oqeanit e në zjarr shërohen plagët.
Fëmijë bjeshkësh e vikingësh, këndo një këngë tjetër, jepu gji zogjve e gjetheve të shndrrohen në zana si te Eposi, kreshnikët prapë të mbajnë shkëmbinj mbi supe e të dashurojnë gra të bukura. Asnjë përtokës nuk e dëgjon tërsëllimën e lumenjve të lotëve, dinë vetëm të pyesin, përgjigjet i marrin por nuk i dëgjojnë fare. Vrapooo! Koha ka këpucë plumbi, nuk rrihet me këmbë në beton. Do të nisin sërish betejave të reja. Harta e tyre pa fill, pa fund nuk të çon në asnjë kështjellë. Mos lejo të të vrasin puthadorësit a këmbëlëpirësit me pushkë të zbrazur pas shpine. Firmos deri tek e bardha e syve dashuri të reja, përcilli si kurbanë të djallit, vetë merre rrugën për një tjetër Zot. Duket urrejtje? Jo shpirt, është revoltë. Brenda këtij planeti që hiqet zvarrë, duhet të jesh furtunë që shkul lisa. Le të ikin prej teje si prej kolerës që nuk e ke pasur kurrë, veç krahë për të pritur e piskamë Ajkune.Tërhiqi lart gjërat e tua për t’i zbritur ka forca të bollshme. Jepi zemër vargut, le të qeshin shkronjat. E ndjej tek kalëron fjalëve ajo butësi kërcënuese. Asgjë nuk është helm, gjithçka është punë doze. Ca gjëra duhet t’i besosh për t’i kapërcyer. Merri me gëzim ditët paskëtaj. E kush nuk ka vuajtur? Edhe malet nën peshën e tyre po. Kujdesu për plagët, por jo e pikëlluar si shkëmb kur humb trupin e një pishe. Shprishet guri pa një pishë. Le ta përjetojnë errêsirën të sëmurët në shpirt e në bunkerët përkatës! Emrat e shkruar me laps fshihen lehtë. Ne jemi rreth i një qielli tjetër. Njeriu është masa e çdo gjëje, – thotë një filozof grek. Njerëz jemi vetëm kur duhemi.
Kam për t’ju shkruar gjithë kohës me durim siç pika e ujit që me durim shpon shkëmbin, për t’ju puthur sidomos, për t’ju dashur gjithë kohës edhe kur nëse vonoj të shkruaj. I epërm si lis, si lumë që nuk di asnjëherë prehje, prej ajri e fryme, do ju nanuris me mollëza gishtash. Zoti kështu e krijoi, ringjallet çdo vit për t’u prehur unë. Para se të vija këtu shpirtin e peshoja vetëm në derë të kishës. Peshon kjo frymë. Tani e kuptoj pse heqin keq disa për të vdekur, tani e kuptoj.
Të hijshmit e mi!
Gjeni ditë shprese deri në kërrusje, asnjëherë në zvarritje. Kurrë nuk i dihet në jetë kush është gur i këndit. Falë dashurisë suaj jam pjesë e popullit të qiellit, bri jush kam ngjyrë tjetër sysh. Qiejve kah fluturoj s’ka baltë, ju ma mbani ngrohtë fundin e shpirtit.
 
Atkinë!
Hiqi doket e lakonisë së vjetër! E zeza nuk tregon asgjë. Ai malli dhe dashuria juaj, ajo gjendje që keni mat gjithçka. E pse duhet t’i mbash? Nuk më kënaq dhe nuk tregon asgjë me rrobë të zezë. Ndalu! Ke fëmijë të rritur, pret gëzime prej tyre. Qaje me syrin tënd mallin tim. Tani ke udhën në trastë, nëse të vjen të qash, qaj pak dhe e fundit. Të lejohet vetëm atëherë kur fëmijët të bien për të fjetur. Mblidh yje, veria vetes në gjoks, vetëm atëherë pranvera do të përgjigjet me dashuri.
Tek lexova pikën e fundit, më askush nuk më pa si gruan e natës që ecte nëpër natë. Gjithë çfarë u pa, ishte një dritë meteori që ra mbi Shkëlzen.
Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat:

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook