Të persekutuemit politik a kanë pasqyrë…? Fritz Radovani

Fritz Radovani

Fritz Radovani

Të persekutuemit politik a kanë pasqyrë…? Fritz Radovani

Ata që provuen plumbin dhe hunin… pjesa ma e madhe u “harruen” ose ikën me kohën… Ka shumë nga ata që me dashje “nuk i kujtohen” as hetuesit, gjykatësit apo drejtorët e kampeve të shfarosjes… Nuk i kujtohen as kur i takojnë në rrugë apo në ndonjë kafe… Nuk i kujtohen!!Mendoj me vete dhe shpesh kam pyet “si ngjet kjo gja aty, ku na rrethonin 26 burgje!?”
Unë isha fëmijë, kur Ahmet Suji erdhi dhe arrestoi vllaun… pikrisht me 10 maji 1950, apo kur, Nana ime më merrte me vete tek burgu i Kishës së Fretenëve në Gjuhadol në Shkodër, dhe tek dera dilte me sofratasa në dorë katili Dulaç Lekiqi apo Elez Mesi me zagarë dhe na i hudhte si kafshëve, “na merri… ik tashti, tjetri…”, dhe vazhdonte vargu i pafund i nanave, motrave e grave t’atyne të mjerëve që ishin aty dhe kishin ditët e numrueme nga diktatura ma e mnershme që ka provue Shqipnia! As kjo nuk i kujtohet shumkujt që humbën t’afërmit e tyne të dashtun!Shtëpiat e kthyeme hetuesi, burgje e qendra torturash të kudondodhuna në qytet mbollën frikë, po me té edhe urrejtjen e përjetshme për sistemin komunist që kishim mbi kokat tona.
Bashkë me edukaten familjare të dashnisë për Atdheun dhe Gjergj Kastriotin, foto e të cilit qendronte gjithmonë në krye të vendit në dhomën e pritjes, ishte edhe edukata fetare që nuk ndahej për asnji çast nga mësimet që na jepnin të moshuemit tanë. Këta virtyte nguleshin prej Tyne në Shpirtin tonë me nji durim të pashoq. Në shkolla, rruga, apo sa njeriu vinte kambën jashta derës së oborrit fillonte propaganda për urrejtjen dhe krimin. Askund nuk shihej e drejta. Mashtrimi dhe rrena apo gënjeshtra u mësonin nder shkolla. Provat flasin edhe sot me librat dhe të gjitha botimet mbas vitit 1944, të shpërndame në të gjithë botën edhe até Perëndimore. Po né që ishim mbrenda telave me gjemba, ku do ta mësonim të Vërtetën!? – Vetëm nga prindët tanë! Ata edhe pse ndodheshin mes dy zjarreve: Çka me na dhanë me hangër në drekë apo çka me na ushqye shpirtnisht, për me na ruejtë nga ndjenja e frikës apo e terrorit që mbizotnonin kudo dhe që ishte burim i të gjitha të zezave për gjithë jetën, tue fillue nga agjentura në sigurimin e shtetit, e deri tek humbja e fisnikërisë së krishtenë dhe e ndjenjave qytetare të trashigueme në familje. Gjyshja na fliste për të Parët tanë, për jetën e vështirë të tyne, për zemërgjansinë që duhet të trashigojmë prej Tyne dhe si duhet të mundim të keqen që na rrethonte nga komunizmi barbar. Ajo kishte mësue shkrim e këndim në shkollën e Kush’ Mices rreth viteve 1880, dhe na thonte se sa shumë virtyte kishte humbë Shqipnia nga pushtuesit turqë, e prap ma vonë nga veglat e tyne, që vazhdonin me sundue Popullin Shqiptar. Dhunuesit nuk e donin pushtetin vetëm për t’u quejtë pushtues e sundues hajdutë, po edhe për me shkatrrue vlerat tona morale, kulturore, shpirtnore e ato kombtare, me humbjen e të cilave Shqiptari, një ditë… do të “puthte” edhe prangat e veta!
Ishte mundue gjyshi im Pjetër Prennushi, me u dhanë shkollë fëmijëve! As nuk i shkonte kurrë mendja se djelmët e vet universitarë mbas vitit 1944, do të provonin ferrin komunist në hetuesi, burgje, kampe shfarosje, interrnimi, e besa, dhe vdekjen e djalit të madh Don Kolecit, nga vuejtjet e torturat në sigurimin e Shkodrës, të cilin, e masakroi me duertë e veta terroristi që nuk besoj se e harron kurrë qyteti i Shkodrës, kasapi kriminel Zoi Themeli. Mija e mija shqiptarë kaluen ndër ata podrume e labirinte tmerri, prej të cilëve shumë prej Tyne nuk u kthyen kurrë ma!
Fatkeqsisht, edhe Ata, që mujtën me u kthye tek votra e vet e rrënueme e jo pak e dhunueme shpesh edhe moralisht, nji pjesë u kthyen të tjetërsuem. Ndoshta, nji “deklaratë” e marrun me dhunë në tortura vazhdoi me i mbajtë “rob” edhe kur duhej të mos u topiste me kenë Burrë, me tregue: “Nënshkrimi i asaj deklarate” më ndjek mbrapa! I mungonte forca e karakterit dhe guximi me u “Rrëfye” botnisht!! “Harrojnë” se pranë saj asht Falja!
“Harrojnë” se, pasoja e kësaj mungese me u “Rrëfye”, mbulon nën guaskën e vet shumë emna me të gjitha poshtërsitë e tyne si hetues, gjykatës, agjentë dhe të gjithë ata bisha e torturues që i kanë shërbye barbarisht me dhunë e terror diktaturës Enver Hoxhës, Ramiz Alisë, po dhe emnat pasuesve që sot në vend të flamurit marksizëm-leninizmit kanë shpalosë paturpësisht një tjetër flamur të robnuesit, atë të “vëllezërëve të gjakut të vet”, të anadollakëve turqë.
As këtë nuk e kuptojnë të persekutuemit politik?! Çdo vepër Burrnore duhet t’ua mbushë mendjen se asht dashje ose padashje “nji hapje dosjesh” për vrasësit e terroristët e kudondodhun deri në sferat e nalta të shtetit, ndër gjykatat e nalta apo postet ma të nalta qeveritare. Vetë emni i Shoqatës Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë, të ban me u mendue se për ke ban fjalë kjo Shoqatë!? Shoqatë të Persekutuemish politik… por edhe “Antikomunistë”, po, të persekutuemit politik komunistë, në cilën Shoqatë bajnë pjesë?! Nuk mjaftohen me kaq, po edhe “Demokratë”. Po “antidemokratët” a kanë Shoqatë?! Dhe fjalën të “Persekutuem” e kanë kthye në të “Perndjekun”… Të gjitha këta epitete janë vue për me u “përça” dhe me i coptue në disa grupe, si e si me u krijue lehtësi pushtetarëve “me i sundue”. Kjo u intereson përçarsëve se me disa kafshata që ata ua hudhin si qenëve, shumë prej tyne që i drejtojnë këto shoqata, vazhdojnë skllavnimin e vet. Po të gjithë të persekutuemit janë kthye në “qenje të pavetdijshme”, që nuk e kuptojnë veten “plaçkë” të dhunuesëve barbarë të djeshëm?!Të persekutuemit politik sot mbas 22 vjetësh mashtrim të qeveritarëve “demokratë apo socialistë” si thotë populli “nji m…ollë e ndame dyshë”, nuk duhet assesi me u identifikue me mashtruesit dhe me ata që per 70 vjet i poshtnuen, i vorfnuen e i shnderuen, po me guxim e forcë duhet të ngrisin zanin e tyne. Zani i tyne asht zani i mashumëse gjysë miljoni Shqiptarë, që u masakruen nga terrori e komunizmi, e sot bahen objekt tallje i një grupi hajdutësh kapitalisto-komunistë e anadollakë, të cilët, të gjitha interesat e tyne i kanë të lidhuna me kolltukun dhe shkombtarizimin e Shqiptarëve në shërbim të kujtdo që ua mbushë xhepat e tyne…
Po afrohen votimet tjera… Po për ké mendojnë me votue tashti të persekutuemit politik?!
Cila parti, cilët deputetë, apo cili president tash 22 vjetë ka mbrojtë interesat e atyne që u persekutuen nga komunizmi, dhe as nuk i shkon mendja asnjenit me ua hjekë titujt apo dekoratat e fitueme me krime dhe vrasje nga Enver Hoxha, Ramiz Alia, Nexhmije Hoxha e vrasës tjerë?!Mos heqja e titujve e dekoratave asht parathanje e nji robnije të re!
Para se me shkue ndër votime, a e shihni veten në “pasqyrë” bré burra…?!
22 vjetë, që ASNJË i persekutuem politik “nuk ka mujtë” me përgatitë djalin apo vajzën të shkolluem në universitetet Perëndimore, për me u kandidue në forumet e nalta të Shtetit!?
Kjo ngjet se para se t’aprovohet një parti politike ma përpara mendohet “drejtuesi i saj”, shumica e të cilëve, ashtu si mjaft shoqata të persekutuemish, drejtohen nga të “preferuemit”.
Po diaspora, çfarë i ka ndihmue të Persekutuemit politik në këte drejtim?! – Asgja!
Diaspora po, u ka hapë dyert Ramiz Alisë e pasuesve të tij në të gjitha shtetet e botës, e për fatin e keq kur i përcjellë në aeroporte nga “përmallimi” ua futë edhe nga një zarf në xhepa, që shpesh, ai asht “falnderim” për mos hapje dosjesh të veprimtarisë së tyne si agjenta të vjetër.Janë pikrisht “ata”… me të cilët “E.Hoxha e R. Alia kanë ruajtë lidhjet e vjetra…”
A mundët me kenë edhe kjo një arsye që jo vetem nuk hapen “dosjet”, por “dyllosen” që mos të guxojnë kush as me e diskutue hapjen e tyne, e çka asht edhe ma turp e poshtërsi që sot në Europën Lindore, të vetmit janë Enver Hoxha e Ramiz Alia që ruejnë dekoratat e titujt “Hero i Popullit” etj..! A e pyesin veten ndonjëherë Shqiptarët kur shtrohen ndër biseda të pafund dhe të kota ndër kafe apo bulevarde… të paktën, kur edhe ndonjë gotë raki ua ka torollosë trunin?
Presidentët, Kuvendi Popullor dhe qeveria shqiptare, stimulojnë me paturpësi “hipotekat ma të ngarkueme me agjenturë”, përderisa Shqipnia sot, asht i vetmi vend diktatorial në të gjitha shtetet e Europës Lindore jo vetëm, që nuk hapë dosjet, por edhe i “zgjedhë” në organe shtetnore njerzit që i kanë shërbye sigurimit të shtetit. Sigurisht, me këte ata sigurojnë skllavërinë!
E cili diktator i shekullit XX ka ba mbi popullin e vet atë çka kanë ba këta bashkë me gjithë pasuesit e tyne barbar e kriminela, pikrisht këta, për të cilët votoni ju sot?!

***
E mendja si padashje më shkon tek Dera e Ferrit e Dante Aligierit:
“Këndej kalohet në qytet t’ mjerimit,
këndej kalohet n’ dhimbjen pa kufi,
këndej kalohet n’ shpirtnat humbun shqimit.
krijuesin tim e shty’ drejtsija e tij:
vetë pushteti hyjnor më ka sajue,
ma e nalta dije, e para dashuni.
para meje gja tjeter s’ u krijue 
veçse e përjetshme, – e unë qendroj përjetë:
o ju që hyni mbrendë, keni mbarue!”

Vertetë “keni mbarue”?!.. – Të shohim në Qershor!
Kjo ngjet me të gjithë ata që turpin vazhdojnë me e pasë per “nder”, e “nderin” per turp të vetin dhe të trashigimtarëve të vet. Kjo asht pasojë e asaj që “në Shqipni nuk ka drejtësi!” Koha zbuloi prej veprave tyne të poshtra, ma shumë se na ka shkue mendja ne!
Unë do t’iu kujtoj vetem një gja bashkatdhetarëve të mij të persekutuem: “Edhe tallja e sotme… asht vazhdim persekucioni për ju!”
Melbourne, Maj 2013.

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,
Një përgjigje
  1. K.Radoja Tha:

    Po zotni Fritz, ke te drejte ne te gjitha sa shkruen.
    Me kujtove nji shprehje te babes tim qe mbas dy burgjeve qe bani (i pari me 1946,
    çeshtje e Postrribes dhe i dyti me 1953, denu edhe me vdekje por anulu nga gjykata e nalte) me thonte qe sa here me takon me e pa (pa dashje) D.Lekiqin, me duket se me dhamin hala brijet prej shtjelmave qe kam marre prej tij…

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook