Me mbetë andërr… poezi nga Jozef Radi

Siluetë...

Siluetë…

Me mbetë andërr…

poezi nga Jozef Radi

(Dikur…
kisha lanë nji shënim delikat dhe disi ironik…

…Kohë ma vonë u riktheva te shënimi,
e gjeta njaty të paluejtun e të papëlqyem…
Edhe pse u ndjeva se kisha gabue,
s’kërkova falje…
s’kisha ndonji arsye pse!
Në t’vërtetë qe dashtë shkrue diçka tjetër,
shumë ma e thellë
shumë ma e ndjeme
ndoshta kjo poezi…)
j. radi

delikatesë dhe det...

delikatesë dhe det…

***

Ishte nji kohë
kur Ti ishe andërr…
andërr… e trazueme
shpirtnash të ndrydhun;
e sharmi yt i dehun drite e mjalti
i bante gjethet t’fërfërinin ambël
dhe lulet t’i çilnin buzët me drojë…

Ishte nji kohë e trishtë çangash e frike
kur liria ndryhej ndër njimijë dryna
e veç andrrat me pikatore
dilshin prej sysh të lamë me dritë
e msheheshin ndër trupa të hajthëm si yti…
e n’ecjen tande si fllad
shtyheshin qiejt e lodhun përtej,
balta na bahesh Betlehem
dhe liria na shkonte përskaj si kometë…

Eh,
ishte nji kohë andrrash,
kur dukej se bota
mërmëriste veç nji emën…
Tandin!

Ka nji kohë andrrash
që s’kthen për askënd…

Ku treti ajo kohë, apo asht mshehë ndër ne?!
Po vajzën me shtat e shpirt shpenguem
a e kujton kush, a flet ndokush për të…
apo mbet veç hije andrrash e kohnash
që shkojnë… dhe asgja, asgja tjetër…!!?

O mos ndoshta e keni ndeshë
ndër kopshtie, ndër lojna fëmijësh,
tuj mbjellë buzqeshje të rishta,
o ndër libra të lexuem netve të pagjuma,
tretun ndër kujtime lulesh a lulemollësh
që ende biskojnë prej shtatit të saj?

S’di se ç’dritë ka lanë ndër ju
ajo kohë andrrash
kur terrorit i baheshim dashni…
Di, se ajo andërr shpesh netve të trazueme,
pa trokitë vjen e na futet n’gjumë…
me buzqeshjen e pavrame prej kohnave
përdore na merr… e na tret diku…
s’di ku…

O mos ndoshta jena shterrë
e askush s’ka ma kohë me ia kthye ftyrën asaj kohe
kur ajo ishte andërr,
andërr e trazueme shpirtnash të ndrydhun…
Pse t’jesh andërr asht t’jesh bukë
në ditët ma t’zeza të skamjes,
t’jesh blerim – në ditët ma bisha t’dimnit
të jesh liri – në terrin ma t’thellë të qelive…

Veçse me mbetë andërr
asht ma e randsishme se me qenë andërr…

Gjithçka tjetër e ksaj bote në ngut
kuptim tjetër s’ka…
(2010-2012)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare, Poezia  Etiketat: , ,
2 Përgjigje
  1. shehi lola Tha:

    “Me mbetë andërr… asht ma e randsishme se me qenë andërr…”
    Mjafton edhe vetëm kaq, për ta ndjerë këtë poezi ndjenje…!

  2. sabri xhebexhiu Tha:

    “…po shpesh netve t’pagjuma ajo troket
    dhe vjen… me at buzëqeshjen e pavrame
    na merr përdore… e na tret diku…!”
    Ju përshëndes zotëri, jam duke lexuar nektar, të mbledhur ditëve e netëve, eter ofshamash Sizifi!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook