back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Të kesh apo të jesh? Kjo është çështja në PS! Fjala e plotë e Ben Blushit në Kongres të PS

Gazeta

Ben Blushi - Zëri oponent i Kongresit të PS 2016
Ben Blushi – Zëri oponent i Kongresit të PS 2016

Të kesh apo të jesh? Kjo është çështja në PS!

Fjala e plotë e Ben Blushit në Kongres të PS

19 Mars 2016

Përshëndetje të gjithëve,
Kam ardhur në këtë Kongres për të thënë disa gjëra të thjeshta, duke besuar se jam i barabartë mes të barabartëve dhe jam një njeri i lirë mes njerëzve të lirë.
Ajo që duhet t’ju them është ajo që dimë: Ne jemi të gjithe bashkëpronarë të një pronë.
Kjo pronë quhet Partia Socialiste e Shqipërisë.
Partia Socialiste është një trup dhe si të gjithë trupat ka shqisat e saj:
Barazia është zemra e saj, Bashkimi është muskuli i saj, e Ardhmja është ecja e saj, Drejtësia është dora e saj, Progresi është shikimi i saj, Solidariteti është prekja e saj, Liria është shpirti i saj.
Ne socialistët kemi vetëm një detyrë: ti vemë këto shqisa në harmoni.
Ne duhet të bindim Shqipërinë se Shqipëria bëhet nga vetë shqiptarët dhe ajo bëhet më e mirë nga socialistët se nga të tjerët.
Por si mund ta bëjmë ne këtë?
Si mund ta ndryshojmë ne vendin tonë?
Si mund të bindim mijëra djem dhe vajza se Shqipëria është dhe duhet të jetë një vend që nuk duhet të braktiset?
Ka vetem një mënyrë: duke mos i ikur vetes sonë.
Duke mos ia fshehur Partinë Socialiste socialistëve dhe duke mos ia mohuar Partinë Socialiste shqiptarëve.
Dhe natyrisht duke mos e rrëmbyer Partinë Socialiste.
Në këtë parti ka një shumicë dhe një pakicë.
Një shumicë absolute që kërkon një parti të përbashkët dhe një pakicë relative që kërkon një parti më vete dhe për vete.
Unë dua të flas sot në emër të kësaj shumice.
Kjo shumicë mund të jetë e heshtur, mund të jetë e dhunuar, mund të jetë e frenuar por ajo egziston.
Ajo është aty duke pritur të çlirohet. Ajo është një shpirt i zënë rob me kusht dhe një zemër e kapur në një grusht.
Ne duhet t’i japim kësaj shumice mundësi të flasë përmes votës. Por të gjithë bashkë, qofshim shumicë apo pakicë një gjë duhet ta kemi të përbashkët: të vërtetën.
A jemi ne të barabartë me njeri tjetrin? A po respektojmë rregullat të cilat i kemi vendosur bashkarisht? A po zbatojmë normat në fuqi? A po bëjmë zgjedhje? A po i japim dikujt apo disave kushdo qofshin ata, më shumë pushtet të marrë padrejtësisht, pa respektuar votën e lirë të antarësisë, pra të gjithë bashkëpronarëve të kësaj bashkësie? A janë shkeljet të vërteta? A ka patur shkelje? A janë deformimet të vërteta? A mund të fajësohet dikush që thotë se të gjitha këto kanë ndodhur?
Une mendoj se kjo po ndodh. E vërteta këtu po mbytet. E drejta e secilit prej nesh po cënohet. Sensi i bashkësisë po dhunohet. Një pakicë po detyron një shumicë ta pranojë atë pa zgjedhje.
Një pakicë po na dhunon. Një pakicë po kthehet në shumicë pa votim.
Një pakicë po emëron kryetarët e organizatave. Po emëron kongresin. Po emëron asamblenë. Po emëron kryesinë. Po shfrytëzon qeverinë. Po nxin lirinë. Po ngordh demokracinë. Po merr peng gjithë partinë.
Nëse kjo pakicë ka një meritë kjo është merita e saj. Pengmarrja e Partisë Socialiste të Shqipërisë.
Për këtë pakicë, nëse do zgjedhje je armik. Nëse do mbledhje je dy herë armik. Nëse do zgjidhje je tre herë armik. Nëse do më pak borxh, je pak a shumë armik. Nëse do punësim je shumë armik. Nëse do rritje pagash je më shumë se armik. Nëse do rritje pensionesh jë plotësisht armik. Nëse do pastrim të partisë nga krimi, je armiku i mikut. Nëse do luftë kundër krimit, je miku i armikut.
Nëse i mohon të gjitha këto je mik. Por jo vetëm kaq. Je i vyer, i lyer,i ngjyer, je i shpërblyer dhe i ndërsyer, je besnik.
Je besniku i partisë që shpërblehesh sa herë gënjen. Nëse nuk gënjen nuk je. Nëse gënjen jo vetëm je, por edhe ke.
Të jesh apo të kesh, kjo është zgjedhja!
Në Partinë Socialiste nuk mund të jesh nëse nuk mund të kesh.
Dhe nuk mund të kesh nëse nuk je njeri prej nesh. Ky është morali i pakicës. Ky është kriteri, nderi dhe misteri i pakicës së shumicës.
Tesera e PS sot nuk është puna, nuk është mendimi, nuk është vendimi, nuk është besimi por është mohimi.
Nëse ke pohuar atë që është mohuar ke fituar. Këto nuk janë rregullat e një partie, por rregullat e një pabesie, të cilën as e kam pranuar dhe as do ta pranoj.
Megjithatë injorimi, poshtërimi dhe linçimi që i është bërë Partisë Socialiste nuk ka ardhur nga mungesa e kohës. As nga mungesa e mundësive. As nga mungesa e socialistëve.
Por nga arroganca. Nga besimi delirant se votat janë vetëm të një njeriu, ndërsa mbledhja e tyre është e vetmja detyrë e gjithë të tjerëve.
Kush na solli ne në këtë deformim?
Ky njeri e ka një emër: quhet Edi Rama. Ishte kryetari i partisë sonë.
Dhe për këtë shkak është sot kryeministër i Shqipërisë. Ditën që ai erdhi në pushtet Partia Socialiste pushoi së qeni. Edi Rama mori një punë për të lënë partinë pa punë.
Kjo është ajo që ka ndodhur në këto tre vjet. Kjo histori që tregova më lart nuk është një fantazi.
Eshtë fakt dhe nuk është opinon. Jam ftuar ditët e fundit në një betejë mes fakteve dhe opinioneve dhe dua të them disa fakte
Që nuk ka zgjedhje në PS prej tre vitesh nuk është opinion është fakt. Që Edi Rama është i vetmi kryetar partije në botë me mandat shtatëvjeçar nuk eshte opinion është fakt.
Qe mandati i kryetarit të partisë socialiste është katër vjet nuk është opinion është fakt. Qe Statuti i Partisë Socialiste është shkelur nuk është opinion është fakt.
Qe referendumi nuk bëhet për persona, por për çeshtje nuk është opinion është fakt.
Që asnjë ndryshim statutor nuk mund të ketë fuqi prapavepruese nuk është opinion është fakt.
Që në Partinë Socialiste janë futur njerëz me precedentë penale nuk është opinion është fakt. Që prej tre vitesh nuk ka asnjë rritje rroge, nuk është opinion është fakt. Që borxhi është rritur, nuk është opinion është fakt
Që taksat për të pasurit nuk janë rritur, por kanë mbetur të sheshta nuk është opinion është fakt.
Që ekonomia nuk është rritur me ritmet e pritshme, nuk është opinion është fakt. Që paga minimale në Shqipëri është më e ulëta në rajon, nuk është opinion është fakt.

Pamje nga salla e Kongresit te PS - 19 mars 2016
Pamje nga salla e Kongresit te PS – 19 mars 2016

Që arsimi i mesëm në Shqipëri nuk është i detyrueshëm, nuk është opinion është fakt. Që shëndetsia nuk është falas siç premtuam nuk është opinion është fakt
Që nuk kemi garantuar naftën pa akcizë siç premtuam, nuk është opinion është fakt. Që e blejmë naftën më shtrenjtë se kushdo në rajon, nuk është opinion është fakt
Që çmimi i energjisë elektrike është rritur, nuk është opinion është fakt. Që ndërtimet janë bllokuar prej tre vitesh, nuk është opinion është fakt
Që ekonomia është nv deflacion, nuk është opinion është fakt. Që nuk kemi hapur dot as 100 mijë vende punë në tre vjet, kur premtuam 300 mijë nuk është opinion është fakt.
Që emigracioni nuk është pakësuar por është shtuar nuk është opinion është fakt.
Që unë nuk jam Saliu, por ne po qeverisim si Saliu pa Saliun nuk është opinion është fakt. Që të gjitha këto kanë ndodhur në tre vjet nuk është opinion është historia jonë tre vjeçare
Por a doni më fakte? Unë kam shumë më shumë se kaq dhe që ju s’keni dëgjuar asgjë akoma nuk është opinion… por do jetë fakt.
Që unë do luftoj deri në fund që Shqipëria dhe Partia mos jenë kështu si janë dhe si kanë qenë edhe ky nuk është opinion por do jetë fakt.
Dhe që ne nuk jemi vetëm, ky nuk është opinion por është fakt. Që prandaj po pengohen zgjedhjet sepse ne jemi shumë dhe jemi shumicë nuk është opinion është fakt.
Dhe nëse doni ta provoni kush është shumicë dhe kush është pakicë: hapni zgjedhjet për të vërtetuar nëse ky është opininon apo është fakt.
Prandaj po them sot se çfarë kërkoj dhe jo vetëm në emrin tim. Zgjedhje. Zgjedhje të lira dhe vetëm zgjedhje.
Asgjë më shumë dhe asgjë më pak se sa zgjedhje.
Kush ka të drejtë të ma mohojë këtë të drejtë? Kush ka të drejtë ta zhveshë partinë nga kjo normë? Asnjë pakice nuk e ka. As ky Kongres nuk e ka.
T’i heqësh të drejtën e votës një partie është njëlloj si t’i heqësh zemrën asaj. T’i nxjerrësh sytë dhe shpirtin t’ia shkelësh me takat e qeverisë.
Kjo nuk mund të ndodhë dhe nuk ka për të ndodhur.
Çfarë ka këtu për të mos u kuptuar? Çfarë ka këtu për t’u refuzuar? Çfarë ka këtu për të patur frikë? Çfarë ka këtu për t’u armiqësuar? Çfarë ka këtu për t’u ndarë? Çfarë ka këtu për t’u sharë? Çfarë ka këtu për t’u çmendur dhe për t’u hapërdarë si të marrë?
Asgjë.
Prandaj ju ftoj të gjithëve në zgjedhje. Prandaj them se zgjedhjet dhe vetëm zgjedhjet janë zgjidhja dhe vetëm zgjidhja.
Jam i gatshëm të njoh dhe të pranoj çdo zgjidhje që del nga zgjedhjet, por nuk do pranoj asnjë zgjidhje pa zgjedhje.
Unë e ftoj Edi Ramën në zgjedhje sepse kjo do ishte në nderin e seicilit prej nesh dhe në nderin e Partisë Socialiste pa dyshim.
Në fund dua t’u them se dua të mbetem një nga ju. Dua të jem me ju dhe të gjithë bashkë të jemi me Shqipërinë.
Shqipëria ka dhe do të ketë të drejtë me apo pa ne. Sepse Shqipëria nuk është partia dhe Partia nuk është Shqipëria. Dhe kështu do jetë gjithmonë.

Tiranë, 19 mars 2016 (http://www.m.lapsi.al)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.