back to top
12.5 C
Tirana
E martë, 19 Mars, 2024

Te Gurra e Vargjeve… Parathanie nga Lazer Radi Libri “Muret e Muzgut” Lazër & Jozef Radi

Gazeta

Lazër dhe Jozef Radi - Tiranë, 23 shtator 1997
Lazër dhe Jozef Radi – Tiranë, 23 shtator 1997

Te Gurra e Vargjeve…

Parathanie nga Lazer Radi

 Libri “Muret e Muzgut” Lazër & Jozef Radi – Tiranë 1993

…me shkruejtë poezi e me mendue poetikisht
në burgun komunist o ndër kampet e sigurimit,
ku ti ishe i paidentitet, i paemën, ku pak o aspak dalloje mes njeriut dhe kafshës,
ku suvejimi i çdominutshëm ishte sa i përpiktë aq edhe i dhunshëm,
ku shpata e Demokleut rrinte pezull n’fije të flokut mbi qafën e secilit prej nesh…
ishte nji çmenduni e vërtetë.
Ndër ato katakombe të papërshkrueshme,
dukej sikur gjithçka qe shndërrue në Argusa:
të dhunuemit, edhe dhunuesit, të friksuemit edhe friksuesit,
gjithsecili kishte nga njiqind sy e veshë…
dikush me u mbrojtë e dikush me e zhdukë tjetrin…
Me mendue artistikisht ishte diçka e tmerrshme!
Me guxue me shkruejtë – çmendunia vetë!
E pra, midis këtij tmerri e kësaj çmendunie u shkruen këto vargje.
Nji jetë e tanë mbërthye ndër pranga!
Në çaste të thella dëshpërimi, po edhe besimi e shprese,
kam ba do punë të thjeshta ku asht përmbledhja e nji epoke
dhe nji njeriu të shkelun prej kësaj epokë.
Këtu çdo varg ka nji histori të vetën:
ai asht nji dhimbje, nji shpresë, nji pritje për ditë ma të mira. lazer radi
.
Lazer Radi dedikim te birit Jozefit, ne fjalorin Enciklopedik 1986
Lazer Radi dedikim të birit Jozefit, në koertinën e fjalorin Enciklopedik, 1986
(aq te bësh për këtë Horë – Vend, Katund)

* * *

Në kampin e shfarosjes, në Kafaraj, me hodhën dimnin e vitit 1953-1954. S’ka mendje njerzore që mund me e përfshi me imagjinatë nji tmerr të atillë. “Arqipelagu Gulak” mund t’ishte nji parajsë e vërtetë, krahasue me at kamp të mallkuem.
Nji ditë me shi n’at kamp ishte nji muej tmerr për gjithë të burgosunit. Balta ngjitëse e oborrit mbrrinte rregullisht deri në gju. N’at baltovinë të melmtë, pa çizme, zbathun, bahej apeli që zgjaste me orë. Njaty midis asaj llurbe ishin kazanët që gatuhej bollguri, njaty midis asaj baltovine, bahej nisja për punë dhe kthimi prej kanaleve të mundimshme… Kazermat ku flenim, ishin nji tjetër vatër tmerrkallëse! Në dy krahët e kazermës ishin dy rreshta shtretën drrasash ku flenim na, sardelet njerzore. Ishte tepër ngushtë! N’nji sipërfaqe prej pak metrash katrore, detyroheshim me fjetë katërqind të burgosun, pra afro gjysë metër vend për çdonjenin prej nesh…
Kur moti ishte i mirë edhe shtyhej disi, po kur niste shiu (dhe gryka e Kafarajt sikur e thirrte shiun), atëherë kazermat ktheheshin në ferr të vërtetë. Vërshimi i ujnave i rrasej kazermës dhe e mbulonte katin e parë të shtretënve prej dërrase. Në rrëmujëe sipër, me britma e ulurima, krejt ata të katit të poshtëm ngjiteshin në katin e sipërm.
Dyfish njerzit, dyfish plaçkat! Shumëfish ankthi.
Nji rrezik i madh, që sikur të na lëshonin mbërthimet e strukturave rrangalle, me njerëz e me tesha binim në pellgun e ujit mbrenda kazermës.
Nevojtoret ishin përjashta. Kuptohet që n’kësi kushtesh s’mund të dilte kush jashtë, kështu të gjitha nevojat, të mdhatë e të voglat, ishim detyruem me i lëshue nga kati i dytë…
Më vjen ndot, edhe vetëm kur i kujtoj ato tmerre!
Shpesh, kam mendue as mos me i përmendë, as me i kujtue. Pse ndokujt edhe mund t’u duken sajime o trillime fantazie… aq të pabesueshme më duken edhe mue.
As nxitja e Solzhenjicinit që thotë: “Duhet shkrue vetëm e vetëm që të gjitha këto të mos harrohen që nji ditë të vërtetën ta mësojnë brezat e ardhshëm!”
As kjo s’më shtynte me shkruejtë!
Ishte diçka tjetër. Nji mister i pakuptueshëm. N’ato kushte çnjerzore, n’at luftë të tmerrshme të dhunës policore e të stuhive të natyrës – çuditem si munda me shkruejtë do vargje liriko-sentimentale si: “Vetëm për Ty” apo “Dikur”, etj?
Eh, sa i fortë që asht Njeriu!!
Midis asaj kataklizme të zymtë e mbytëse, n’zemër të ferrit, shpirti njerëzor gjente nji fill t’hollë drite e bante nyje me jetën e gjallë, qoftë edhe përmes fantazisë…
.
Lazër & Jozef Radi "Muret e Muzgut"
Lazër & Jozef Radi “Muret e Muzgut”

* * *

Menjiherë mbas burgut, më internuan!
Së pari në Savër, mandej në Kampin-burg të Shtyllasit, prej aty në Radostinë dhe stacioni katërvjeçar qe në Kuç të Kurveleshit.
Ishte vjeshta e vitit 1954.
Kuçi i Kurveleshit ishte nji vend i sigurt internimi!
Mbahej si kala e pathyeshme e komunizmit. Kishte nji varg dëshmorësh dhe katër heronj të popullit! Dita e çlirimit të fshatit, festohej me madhështi atyne Buronjave të mrekullueshme, ku kajherë merrte pjesë edhe vetë “kumandanti”!
Ne, njiqind të internuemit e përzgjedhun, të sapodalë prej burgjeve, banonim në dy ndërtesat e Gjolekajve, anës shkambit, nën spital.
Në at kohë gruen e kisha në burg të dënueme dhjetë vjet si agjente.
Me që shëndeti i saj qe përkeqsue aq randë prej nji tuberkolozi galopant të marrë gjatë burgut, sipas nji ligji në fuqi, mbas gjashtë vjetësh burg, e liruen. Ishte fillimmars i vitit 1956.
U lirue e shkreta grue, po ku të shkonte, ku të mbytesh?
Të gjitha dyert ishin të mbylluna. Ç’ka të bante?
Si mbeti tjetër, veçse me u nisë e me ardhë atje te unë, në Kuç (të dreqit të mallkuem) Kurveleshit!
Kishte zgjedhë që në emën të familjes me u internue vullnetarisht.
Nji ditë fillim prilli të vitit 1956, e gjeti vedin njaty midis maleve të Labërisë! Te shtëpia e parë, nën shkallë, ishte nji “haur” bosh. At shpellë nën shkamb, pa dritare, e bamë nji dhomë me fjetë. Shkuem burrë e grue në pyll dhe u kthyem me nga nji barrë dru. I stivosëm anës shkambit dhe ai qe krevati ynë martesor. Për bukë, kishim vetëm 700 gramët e racionit tim, të cilin e hanim në drekë dhe mandej, mos me shpenzue energji… “flenim”!
Edhe aty, si në Kafaraj, nuk na u ndanë vërshimet.
Kur binte shi, përrenjtë futeshin nëpër të çamet e shkambinjve dhe shpërthenin n’plasaritjet e mureve “të dhomës së gjumit”!!! Me nji ndryshim: se uji, mbasi dilte nga plasa e shkambit, përshkonte dyshemenë dhe dilte nga dera me u zhdukë në humnerën karshi…
At pranverë sollën edhe plot të interrnuem të tjerë.
Midis pyllit, ishte nji kullë e ultë guri, tashma e braktisun, pronë e kooperativës, pse ishte e pashëndetshme, mbasi njaty, njiherë u patën vendosë do pula dhe ngordhën. Katër familje: e imja, e Nedim Kokonës, e Mihal Sherkos dhe e Skënder Hysit (edhe atyne u kishin ardhë gratë) iu futëm dhe e pastruem at kullë dhe u vendosëm mbrendë…
Dimni i vitit 1956, qe mjaft i ashpër. Shina të fuqishëm i mbushën përrenjtë. U frynë lumenjtë, u shkatërruen urat, komunikacioni u ndërpre. Rruga e Kallaratit nuk punonte. Buka na vinte nga rruga e Fterrës!
N’at funddhjetori unë dhe grueja ime Vitorja, prisnim me na ardhë edhe nji fëmijë. Kushtet ekonomike ishin tmerrsisht të këqia. Nuk kishim as lecka me i ba pelena e me e mbështjellë foshnjen. Vendosa me e nisë gruen në Elbasan, te i ati. Edhe ai i dëbuem nga Tirana.
.
Jete kampesh Vitore dhe Jozef Radi - 1957
Jete kampesh Vitore dhe Jozef Radi – 1957

Në fund të dhjetorit, me makinën e bukës e nisa gruen nga rruga e Fterrës, në pritje që t’më kthehesh vetë i dytë.

N’Elbasan, me 16 janar 1957, na lindi Jozefi… që na në t’vërtetë e pagëzuem Antonin (n’përkushtim të Shna Ndout). Mbas disa javësh ai qe banori ma i ri i kampit të Kuçit të Kurveleshit.
Ja kështu kjo foshnje, ende pa hapë sytë, erdhi vullnetarisht me jetue interrnimet.
Nuk due me u zgjatë ma tej në kallzimin e jetës së tij. Veçse nji shqetësim më ndoqi tanë jetën… Si të mund t’i fusja në shpirt dashninë për artin dhe dëshirën librave… Mosha tejet e randueme prej asaj jete (isha 42 vjeç) më bante me mendue se s’do t’ia mbrrija me e pa përmbysjen e komunizmit, dhe as fatin e fëmijës tim. Dishroja ma së paku që Jozefi, t’ua përcillte brezave tmerret e nji epoke, dhe krimet ma çnjerzore të nji diktature.
Ja pra, sot ai Jozef i Kuçit të Kurveleshit, shfaqet para lexuesve me nji tufë poezish të shkrueme nën morsën e dhunës.
Lazër Radi, verë 1993
.
Kampi i Çermes - 1958 Në krye Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi, Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958
Në krye Lazër Radi, Jozefi midis Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, X, X,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.