Të dalësh nga Mjegulla – Visar Zhiti

Visar Zhiti

Visar Zhiti

Të dalësh nga Mjegulla – Visar Zhiti

Shënime mbi librin “Kujtesa e Mjegullës” i Jozef Radit

(…edhe kur na ka munguar buka – nuk na ka munguar Poezia…)

Ta kundërshtosh fatin me Poezi!
T’i gdhendësh ngjarjet në mjegullën që rri pezull mbi pejsazhet e jetës! Asgjë nuk është e pamundur… E çuditshme do të ishte të mos kishte çudira! Albanologu Robert Elsie, studiues i zellshëm i letërsisë shqipe, por edhe i asaj bashkohore, thotë se: “…shqiptarëve, edhe kur u ka munguar buka, nuk u ka munguar poezia…” Patjetër ai kishte parasysh edhe familjen intelektuale të Radëve, që ndonëse u rropatën burgjeve dhe interrnimeve në baltrat e diktaturës, nuk e shkëputën librin, por e mbartën si një gur!
Jozef Radi, u lind (dhe u rrit) në internim, në vitin 1957, ku mbaroi dhe gjimnazin në qytetin e Lushnjes.
Shkruan poezi dhe i mbledh në një libër, bile guxon dhe i çon për botim… Gjithsesi Jo! Nuk mund të botoheshin. Jozefi kishte mëkatin të ishte i biri i Lazër Radit, intelektual i shquar, i laureuar në Perëndim, shkrimtar antikomunist, i burgosur politik i regjimit, që tani po punonte kanaleve të Myzeqesë…
Edhe Jozefi bën punë të detyruar!
Me kët emër Krishti, vetëm kryqin duhej të mbante!
Kët fat i kishin përcaktuar djajtë ateistë të diktaturës… por ra Muri i Berlinit, u shemb ngrehina e komunizmit (po ndërtuesit e tij nuk i zuri nën vete)… u hapën burgjet, edhe udhët… Shqipëria nxitonte si e marrosur drejt demokracisë së paparë, si drejt një drite të beftë dhe të fortë…
Jozefi boton poezitë e para në një revistë arbëreshe në Itali. Bashkë me të Atin (shën) Lazrin, botojnë të dy në një libër, poezitë e tyre: “Muret e Muzgut”! Sa emocionuese: “Në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit… të poezisë… Amen!”
Pastaj Jozefi bëhet përkujdesës i serisë së botimeve te Lazër Radit, ndërkohë që kryen Fakultetin Juridik në Tiranë dhe punon në institucione të larta të shtetit…
Po ai s’mund ta duronte dot Vitin e Mbrapshtë 1997, atë thyerje të madhe që u bë… dhe mërgon familjarisht në Itali!
Prej andej na dërgon pasionin e tij, poezinë. Në librin “Kujtesa e Mjegullës” permbledh krijimtarinë e 20 viteve…
Ky libër sapo ka dalë, dhe ndërsa shfletojmë, gjejmë aty dhimbje dhe muzg, drithërimë dhe etje për jetë, blunë qiellore dhe të qeshurën kumbuese të ditës, zhgënjimet dhe dëshirën për të ndrequr brenda vetvetes me poezinë, imazhe qytetesh dhe vendvuejtjesh… dhe dallgë, dallgë fati…
Jozef Radi shkruan me besim dhe ndjenjë sigurie, si kundërshti e mosbesimit dhe e pasigurisë. Dhe s’ka pse të jetë ndryshe… duket sikur thotë poezia e tij…
Kujtoj, se kur shkoja në këmbë te barakë e tij në interrnim, në Savër te Lushnjes, mbrrija në muzg dhe menjëherë plaste biseda për poezinë… Zoti Lazër si patriark, do të kujtonte miqsinë me Migjenin, po edhe me tim atë Hekuranin, do të na lexonte poezi të vetat, të shkruara ndër vite, me at zërin kumbues si bard… Me Jozefin do të flisnim për shkrimtarët e Lushnjes, për librat e tyre po edhe për ata që s’botuan dot. Do të lavdëronim syrin kritik te Faslli Halitit dhe lirizmin mahnitës të Sherif Balit, për mençurinë e Bujar Xhaferrit dhe drojtjen e Gëzim Hajdarit, për poezitë e reja të Fatbardh Rustemit dhe ato që s’botoheshin dot prej Ferdinand Lahollit…
Pastaj Jozefi do të më lexonte poezitë e tij në fletore. Atë fletore që ma kishtë lavdëruar qysh në burg, miku im i mirë: Dine Dineja…
Edhe sot më rrjedh zëri i tij si një shi i qetë, plot reflekse, ku përzihej muzgu dhe agimi, po edhe britma e urtë “Shpëtojeni Venecien!” Shtanga! Si mund të shkruhej kjo poezi në interrnim?! Pa dalë kurrë nga atdheu? Ah po, ishte apeli për të shpëtuar brenda vetes bukurinë që ka njeriu…
Nën kët alarm, udhëton autori i saj…
(RD, e dielë, 20 gusht 2000)

Apokalips

Bota po u përgatit kapelet
të mbeturve pa kokë…

Ndër arkivole pafund
monton gjithfarë hekurishtesh
e nëpër muzg ato shfaqen të frikshme
si autoblinda…

Në kët çmendinë të përjetshme
dikush në telefon më cërriti
“Jetoj në harmoni të plotë,
me pjesën time të vdekur!”
…dhe unë s’di ç’të bëja
me të gjallët e mi!!

Bota po përgatit kokë hekuri
atyre që u ka mbetur veç kapelja!
1990

Shpëtojeni Venecien!

Shpëtojeni Venecien!
Qytetin që humb pak nga pak nën puthjen e detit,
perlën që peshqit e fshenin ndër velza
ta shetisin thellë n’humnera të harresës!

Shpëtojeni Venecien!
Qytetin pulbardhë të gurit pa flatra,
qytetin gondol, qytetin ëndërr,
qytetin që vuan prej detit
e që pa detin… vdes!

Shpëtojeni Venecien!
Se gjithnji do të jetë një qytet
që vuan t’mos e humbasë tokdetin e vet,
ndoshta çdonjeri prej nesh
në det të dëshpërimit
është ndjerë nji Venecie,
po ka dalë dikush prej jush
dhe n’ulërimë ka thirrur
Shpëtojeni, shpëtojeni Venecien!
1987

Ftesa e vdekjes

Vdesim përditë nga pak,
dhe vdekjen s’e presim me ftesë!

Eja vdesim nji copet…
le të jemi edhe ne
në festën ku askush s’na thërret,
le t’i gëzojmë marrëzitë tona
prej fjale dhe mllefi,
le t’i bashkojmë urat e këputura t’ëndrrave
e të rilindim prej gurëve…
Eja t’i rrëshqasim kësaj bote
ku s’paska vend t’jetosh njerzisht
e ku askush s’të pengon të vdesësh!
1990

Hapësirë Blu

Zvarrë më ke marrë
n’at det pa brigje,
zhag më ke hequr
me at shtat sirene
në nji ishull të paemër,
më fshehe…
dhe bashkë me diellin
çdo mbrëmje më mbysje!

Deti,
pyll i mistereve të tua
mrekullia jote prej uji dhe frike
hapsira blu ku veç ne të dy
shihnim ç’ka s’dukej…

Deti, shkretëtira e magjive të tua
marrëzia ku ti humb, mbytesh
dhe rishfaqesh nëpër dallgë,
e ngado më merr zvarrë
shpirti yt prej sirene…
1996

Mjegull dhimbjeje

(në harkun e nji viti, humba të dy prindët)
Gishtat e verbër
s’mund të prekin asgja
në detin e kësaj mjegulle
ku jam zhytur.

Fytyra e shumfishtë e vdekjes
me ndjek gjithkah
nëpër mjegull…
e nëpër mjegull
edhe fjalët e të ikurve
m’rëndojnë si gurë në shpirt…

Me gishta të verbër
gërmoj detin e dhimbjeve të nënës
dhe kthimin e tim eti nga qiejt,
si shpend me krahë misteri
mjegulla e dhimbjes ma përpin…
1998

Vjeshta dhe ti

Nëse vjesht vjen me portretin tënd
askush s’do ta quante vjeshtë,
dhe rënia e gjetheve s’do shihej askund…

(Qielli u struk ndër bebzat e tua
e shirat pezull si bistakë argjendi rrinë…)

Pemët imitojnë flokët e tu…
dhe prarimi yt ndjell
një pyll duarsh që zgjaten e zgjaten…

Nëse vjeshta derdhet prej shpirtit tënd
s’do të quhej vjeshtë, tjetër emër do t’kishte,
ndër flokë gjethsh do dremisë qielli
dhe deti do përlotej
me sytë e tu të pafajmë…
1993

Lojë me kafka

Mbasi leximit të librit “Hedh një kafkë te këmbët tuaja” të Visar Zhiti
Në vend të dorashkës
Visari përplasi “kafkën” e vet
n’at shesh ku vrasësit
jani gati për regbinë e përgjaktë
të pafrikur prej krimesh të freskëta…

Do t’i lodhë shqelmat e tyre ajo kafkë
të qeshurën jeniçere do ta lodhë
do ta çmëndi barin ngjyra e gjakut
dhe ajo kafkë plot krrela si habi e pafajtë…

Vrasësit nuk ndalen në meslojë,
e qeshura e tyre vret më zi se tërbimi
dhe s’është çudi nji ditë
ta marrin sërish kokën time, kokat tuaja
për lojën e tyre makabre
për lojën e tyre të përjetshme
përplot me kafka dhe visarë…
1994

Sizif…

E vuaj kohën prej nga vij
pa ia gjetur pse-të…
I vuaj ditët e mbytura drite
nëpër lodhje të patrajta,
e vuaj konkretësinë e gjithçkaje
që më endet ndër sy,
kapistallin e fatit që për fyti m’tërheq
e besimin ma shterr…
Ende është vuajtje
t’i ngjisësh gëzimet e vogla
në malin e madh të kohës
nga vijmë…
1998

Kohë e dytë

Me natë dola rrugëve
të lyp pak robëri
të mbetur nga koha
e Mureve dhe Kloneve…
I lodha pemët me lypjen time,
i lodha rrugët me hijen që lyp
i lodha sytë me përvuajtje sysh…

Kaq shumë liri për ta lypur terrin
ne që nëpër terr lypnim liri!

Jo s’më dhëmb vdekja e përditshme
që vërtitet si vrundull brenda mjeje,
as ky qiell plumbash
që s’i lëshon fill balonës
dhe rreket ta përpijë kët jetë të çmendur
me duart e mbetura bosh…

Ma hidhni një rreze drite në kapele,
jo kët stinë, s’e kam lypë kurrë!
1997
(poezi të përzgjedhura nga libri “Kujtesa e Mjegullës” V. Zhiti)
(RD, e dielë, 20 gusht 2000)

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Jozef Radi, Gazeta, Shkrime mbi Jozef Radin  Etiketat: , , , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook