back to top
18.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Të çlirohemi nga mendësitë osmaniste, komuniste dhe pseudodemokratike nga Thanas L. Gjika

Gazeta

Thanas L. Gjika
Autori i esese – Thanas L. Gjika

Të çlirohemi nga mendësitë osmaniste,

komuniste dhe pseudodemokratike

nga Thanas L. Gjika

Populli shqiptar ka jetuar shumë gjatë nën zgjedhat e huaja romake, sllave, osmane, etj., dhe së fundi nën zgjedhën sllavo-komuniste, gjatë të cilave ai ka qenë i detyruar të marrë tipare botëkuptimore (mendësi) nga më të ndryshmet. Midis këtyre mendësive mendësia osmaniste dhe ajo komuniste janë më të dëmshmet, sepse ato na ndajnë midis nesh deri në armiqësi njëri me tjetrin.
Disa shqiptarë që vuajnë nga mendësia osmaniste, disa vjet më parë filluan ta quanin veten me mburrje “bij të sulltan Muratit” dhe jo pasardhës të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, të cilin guxuan ta quanin “tradhëtar e armik”. Po këta njerëz Nënë Terezën e quajtën “kurvë e papës”, etj.
Nga ana tjetër shqiptarët që vuajnë nga mendësia komuniste po vijojnë ta quajnë Enver Hoxhën vetëm me epitetet burrë të shquar shteti, hero kombëtar, kurse Ahmet Zogun vetëm “tradhëtar e satrap”. Shqiptarë të tjerë e quajnë Enver Hoxhën “tradhëtar e kriminel”, pa i njohur asnjë vlerë. Janë pikërisht mendësitë osmaniste, ato komuniste dhe ato gjoja demokratike që po na ndajnë midis nesh, po na bëjnë të grindemi duke i dhënë popullit tonë imazhin e një populli të paunifikuar si popull modern.
Luftën kundër të tilla mendësive që e pengojnë unifikimin dhe modernizimin tonë si popull europian duhet ta kryejmë kryesisht përmes pjesëmarrjes së intelektualëve, historianëve e politologëve në diskutime, shkrime, biseda, studime, leksione, etj. E pikërisht për t’u ndërgjegjësuar në këtë luftë që na shpie drejt europianizimit tonë dhe njëheresh drejt pajtimit kombëtar midis të gjitha pjesëve shtresore dhe krahinore e shkrova këtë artikull. Dëshira ime është të ndihmojë në kapërcimin e qëndrimeve e vlerësimeve krejt të ndryshme që mbajmë ndaj disa personave historikë, ngjarjeve e dukurive të jetës sonë, qëndrime që na shpien shpesh herë në grindje njëri me tjetrin…

* * *
Me përjashtim të të dënuarve të vërtetë të ndërgjegjes, të cilët vuajtën vite burgimi ose internimi, të gjithë ne shqiptarët e tjerë, që u edukuam dhe i shërbyem regjimit komunist duhet të pranojmë se formimi ynë ka qenë i mangët dhe i deformuar për shkak të politizimit, që sundonte në shkencë, letërsi, arte dhe mbi të gjitha në propagandën intensive të PPSh-së që na bombardonte në çdo moment të jetës. Ka 26 vjet që diktatura komuniste kapitulloi dhe u shkri, por mendësia komuniste mbisundon ende në mendjen e shumë shqiptarëve, në mënyrë të veçantë të atyre që kanë qenë në funksione partie e pushteti dhe fëmijëve të tyre, të cilët të kujtojnë me mburrje vetëm ndërtimet e apartamenteve, të hidrocentraleve, taracave kodrinore, tharjen e kënetave, elektrifikimin e vendit, shkollimin masiv, etj, por kur ua përmend pagat e ulta të punëtorëve dhe fshatarëve, gabimet e krimet e kryera, deformimin e karakterit të shqiptarit, largohen e nuk duan të vijojnë diskutimin. Shumica e tyre vijojnë të mbrojnë mentalitetin komunist dhe ta quajnë kohën e diktaturës “kohë e një qeverisje normale që pati suksese e disa gabime”. Mjaft bij të ish funksionarëve dhe ish pushtetarëve (me përjashtim të Bashkim M. Shehut, Spartak K. Ngjelës, Fatos T. Lubonjës e pak të tjerëve), në vend që të luftojnë për të kthjelluar mendjen e tyre e të mbajnë qëndrim kritik ndaj bëmave të gabuara e kriminale të prindërve, luftojnë që të kapin detyra e poste pushteti e partie. Kështu psh po përmend djalin e Xhelil Gjonit, që u bë Ministër i Mbrojtjes, djalin e Sulejman Bushatit (ish sekretar i parë i PPSh-së për Rrethin e Shkodrës) që është sot Ministër i Jashtëm, etj. Këta pranuan postin qeveritar pa shprehur asnjë kritikë ndaj bëmave të këqia të prindërve të tyre, sikur Shqipëria e sotme vijon të jetë nën sundimin e të njëjtit klan komunist të para vitit 1991, i cili dështoi me turp.
Sot për Gjergj Kastriotin, Nënë Terezën dhe shumë shkrimtarë si Faik Konica, Gjergj Fishta, Ernest Koliqi, Martin Camaj, Bilal Xhaferi, për studiuesin Stavro Skëndi, etj, shkenca shqiptare po arrin t’u japë vlerat e merituara dhe nuk po ka më grindje për vlerat e tyre. Po ashtu zërat që u ngritën mbas vitit 1991, për ta mënjanuar gjuhën letrare të përbashkët, gjuhën standarte, dhe për ta zëvendësuar me gjuhë të re letrare që mund të krijohet mbi bazën e dialektit shkodran, tashmë janë fashitur. Studiuesit e krijuesit në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e kudo vijojnë punën normalisht për ta pasuruar e zhvilluar gjuhën letrare ekzistuese.
Mirëpo nëpër gazeta, internet, TV e biseda kafenesh hasim qëndrime e vlerësime të politizuar, krejt të ndryshëm për ngjarje e figura të kohës së Mbretit Zog, të Luftës së Dytë Botërore, të kohës së diktaturës, si dhe të viteve pasdiktaturës. Bien në sy përpjekje për të mbrojtur ose hedhur poshtë me partishmëri të shfrenuar sipas mendësisë komuniste, ose mendësive gjoja demokratike ose gjoja socialiste, gjithçka që u arrit para diktaturës, gjatë diktaturës dhe në këto 26 vjet.

Ahmet Zogu (1895-1961)
Ahmet Zogu (1895-1961)

1.Mbreti Ahmet Zogu I

Deri vonë Mbretin Ahmet Zogu e kemi quajtur tradhëtar dhe hajdut të thesarit të shtetit. Këto epitete duhen sqaruar a janë apo jo të vërteta.
Mbreti, bashkë me Parlamentin Shqiptar, në mbrëmjen e 6 prillit 1939 i thanë “Jo” kërkesës së qeverisë italiane për bashkimin e Shqipërisë me Italinë. Kjo përgjigje ishte një akt patriotik i guximshëm, duke marrë parasysh gjendjen e dobët të Shqipërisë dhe faktin se ambasadat e huaja në Tiranë nuk i premtuan mbretit asnjë përkrahje në rast se sulmohej prej Italisë Fashiste. Pra Mbreti ynë nuk e tradhëtoi vendin në asnjë akt me shkrim. Mirëpo me gjithë këtë akt patriotik, ai mund të quhet dhe duhet quajtur tradhëtar për veprimin që bëri më 7-9 prill, kur u largua nga atdheu pa ia bërë bamp në Durrës krahas Abaz Kupit dhe forcave të ushtërisë së tij. Ai duhej, ashtu si kishte premtuar, të fillonte luftën e rezistencës, pastaj mund të largohej meqenëse gruaja e tij ishte lehonë disa ditëshe. Ai e kundërshtoi dhe disa ditë më vonë propozimin e Preng Pervizit, komandantit ushtarak të zonës Korçë-Devoll-Kolonjë, për t’ia filluar luftës së rezistencës në ato krahina ku trupat italiane nuk kishin arritur ende. Largimi i tij pa luftë ishte veprim i një mbreti kapitullant, ishte shkelje e Hymnit Kombëtar: “Prej lufte veç ai largohet,/ që është lindur tradhëtor!”. Një mbyllje e tillë e karierës së tij mbretërore ka qenë e turpshme. Historiografia jonë duhet t’ia njohë e vlerësojë meritat për kthimin e Shqipërisë me fytyrë nga Europa, për krijimin e një shteti me kufij të hapur, për krijimin e një legjislacioni europian, për krijimin e një sistemi të shëndoshë arsimor, për dhënien e shumë bursave për studime të rinisë shqiptare në vendet e Europës Perëndimore, gjë që shpuri në krijimin e një elitë intelektuale europiane, për martesën e tij me një princeshë europiane, etj. Në të njëjtën kohë nuk ka pse mos ia themi se largimi pa luftë ishte tradhëti kombëtare. Ky veprim i tij u kritikua që në atë kohë prej atdhetarëve dhe intelektualëve të ndershëm, prej ballistëve dhe komunistëve.
Për shkak të braktisjes së atdheut në momente aq kritike, monumentin e tij që u inaugurua në Tiranë në vitet e tranzicionit, nuk e donin jo vetëm ish komunistët, por edhe shumë pasardhës të intelektualëve demokratë, dhe shumë të përndjekur.
Kurse, lidhur me akuzën që i bëhet Mbretit Zog për vjedhjen e thesarit të shtetit, unë mendoj se kjo është një akuzë e sajuar nga propaganda komuniste, mbasi ai nuk kishte mundësi ta vidhte thesarin e shtetit shqiptar. Ky thesar ruhej në Romë prej Bankës Italo-Shqiptare, që kishte qendrën e saj në Tiranë dhe në Romë. Këtë thesar në shufra floriri me stampën Shqypni me peshë 1.400 kg., e morën trupat gjermane nga Banka e Romës pas kapitullimit të Italisë Fashiste. Më vonë këtë sasi ari u mor gjermanëve zbuluesit anglezë, të cilët e transportuan në bankën e Londrës. Kurse paret (florinj dhe xhevahire) që mori me vete mbreti përbëheshin nga kursimet e familjes së tij gjatë 14 vjetve të punës si president dhe mbret, nga paja e Mbretëreshës Geraldinë dhe nga paret e pista të fituara nga bakshishet e marifeteve të tij në marrëdhënie me zyrtarët shqiptarë e italianë të niveleve të ndryshme. Pra mbretin Ahmet Zogu nuk duhet ta përmendim me po atë urrejtje që u mësuam ta përmendnim gjatë diktaturës komuniste, kur propaganda shtetërore hidhe mbi të vetëm baltë. Gjatë sundimit të tij u arritën shumë gjëra që ia vlen të njihen si merita të tij. Populli në përgjithësi nuk e urrente, por për të vendosur nëse Mbreti Ahmet Zogu i I, meritonte ose jo një monument, nuk mjaftonte një vendim parlamentar para se të organizohej një simpozium shkencor ku të referonin studiuesit e specializuar për meritat dhe gabimet/ krimet e tij, ose më mirë të organizohej një referendum popullor.

2.Ballistët dhe nacionalistët.

Propaganda e partisë shtet na i kishte mbushur mendjen se ballistët dhe nacionalistët kishin qenë vetëm tradhëtarë dhe bashkëpunëtorë të pushtuesit. Mirëpo duhet të dijmë se ishte politika e Partisë Komuniste Shqiptare (PKSh) e imponuar prej emisarëve të Titos, ajo që i shtyu këto forca për të kaluar në pozita të gabuara tradhëtare, sepse dihet se deri në gusht të vitit 1943, ato kishin luftuar së bashku me forcat partizane për lirinë e atdheut, si pjesëtarë të Frontit të Përbashkët të krijuar në Pezë më 16 shtator 1942.
Më 1-3 gusht 1943 u mbajt Mbledhja e Mukjes, ku forcat balliste, nacionaliste e komuniste u ulën si të barabartë në tavolinë dhe zgjodhën Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë i cili përbëhej nga 24 vetë (12 përfaqësues të Ballit Kombëtar, 6 të PKSh-së dhe 6 të forcave nacionaliste. Ky komitet formuloi Proklamatën (Marrëveshjen) e përbashkët për vijimin e luftës kundër pushtuesit italian dhe çdo pushtuesi tjetër që mund të vinte. Në këtë proklamatë kërkesat kryesore ishin:
a.Luftë të përbashkët dhe të menjëhershme përbri aleatëve më të mëdhenj, Anglisë, SHBA dhe Bashkimit Sovjetik si dhe popujve të shtypur kundra pushtuesit barbar.
b.Luftë për një Shqipëri të pamvarme, luftë për zbatimin e parimit të njoftun botërisht e të garantuar nga Karta e Atllantikut të vetvendosjes së popujve për një Shqipëri etnike.
c.Luftë për një Shqipëri të lirë, demokratike e popullore.
Të dërguarit e Partisë Komuniste ia shpunë Enver Hoxhës proklamatën e Mbledhjes së Mukjes në Vithkuq të Korçës, ku ishin mbledhur forcat partizane për krijimin e Brigadës së Parë Sulmuese. Nesti Kërënxhi, njëri prej anëtarëve të delegacionit të PKSh-së, ka treguar se Enver Hoxha pasi e lexoi e pranoi dhe tha: “Mirë e keni bërë”. Mirëpo Miladin Popoviç në atë kohë doli nga çadra e tij dhe iu afrua grupit, e mori vetë proklamatën dhe filloi ta lexonte. Kur arriti te pika e dytë, ku përmendej e drejta e vetvendosjes së popujve dhe Shqipëria Etnike, ai e grisi letrën dhe ia hodhi Enverit në fytyrë duke thirrur me inat: “Nanën Shqipnisë etnike! Enver, mohoje sa më parë!”
Kështu u hodh poshtë Marrëveshja e Mukjes, arritja më e rëndësishme e forcave të përbashkëta antifashiste. Enver Hoxha, duke qenë ushtar i bindur i Miladin Popoviçit, filloi nga veprimet për ta mohuar e hedhur poshtë marrëveshjen e Mukjes. Ai formuloi më 10 shtator 1943 dhe u dërgoi organizatave të partisë në bazë një shkresë sekrete ku urdhëronte që të shpallej “Balli Kombëtar” tradhëtar dhe bashkëpunëtor i pushtuesit, kur ushtarët e kësaj organizate nuk kishin kryer asnjë bashkëpunim me pushtuesin, por kishin luftuar së bashku me forcat partizane kundër ushtrive pushtuese italiane. Grisja e Proklamatës së Mukjes prej Miladin Popoviçit duhet dënuar prej historiografisë sonë si ndërhyrje në punët e brendshme të ushtrisë Antifashiste Nacional Çlirimtare Shqiptare, kurse mohimi i Proklamatës së Mukjes nga ana e Enver Hoxhës duhet quajtur tradhëti kombëtare dhe duhet dënuar rëndë. Ndërsa deri sot historiografia nuk e ka vlerësuar dhe nuk e ka dënuar si duhet këtë nënshtrim të Enver Hoxhës ndaj urdhrave të Miladin Popoviçit, i cili maskonte interesat shoviniste të Jugosllavisë me të quajturat zgjidhje marksiste komuniste të problemeve të luftës çlirimtare dhe marrjes së pushtetit.
Eshtë e kuptueshme se hedhja poshtë e Marrëveshjes së Mukjes dhe urdhëresa sekrete e Shpatit (Enver Hoxhës) për t’ua kthyer ballistëve pushkët e partizanëve është shkaku i parë që krijoi gjendjen çoroditëse te forcat e Ballit Kombëtar. Duke u ndodhur midis dy zjarresh, pushkëve partizane dhe pushtuesve gjermanë, mjaft reparte të forcave balliste filluan të bashkëpunonin me pushtuesit gjermanë, sepse këta shprehën gadishmëri për të mos i goditur ballistët, meqë të dy palët ishin antikomunistë. Kështu shumica e Ballit Kombëtar nga një forcë ushtarake antifashiste që kishte luftuar disa vjet për çlrimin e vendit kundër zgjedhës italiane, u kthye brenda muajve tetor-nëntor 1943 në një forcë bashkëpunëtore me pushtuesin e ri nazist, i cili për demogogji shpalli se nuk erdhi në Shqipëri si pushtues, por vetëm për të ruajtur hapur rrugët për të mbajtur lidhje me forcat e veta të vendosura në Greqinë fqinje.
Ky gabim i rëndë nuk mund t’i falet Balli Kombëtar, i cili ishte krijuar si një organizatë patriotike prej elitës intelektuale demokratike shqiptare që ishte formuar në Europë e Amerikë, dhe që deri atëhere e kishte drejtuar me mençuri luftën dhe kishte fituar simpati në popull, sidomos në krahinat e Shqipërisë së Jugut. Mirëpo duhet kuptuar se në këtë gabim historik forcat e Ballit Kombëtar nuk i shpuri dëshira e tyre, por pushka partizane. Kthimi i forcave partizane, nga forca që luftonin në aleancë me forcat e Ballit Kombëtar për lirinë e atdheut, në forca që filluan të luftonin kundër pushtuesit dhe kundër aleatit të tyre, është tregues i pamohueshëm se PKSh-ja e shtyrë prej emisarëve të Partisë Komuniste Jugosllave, që në shtator 1943 nisi luftën për marrjen e pushtetit si forcë e vetme, pra i dha luftës çlirimtare tipare të luftës civile. Pra për Ballin Kombëtar ky ishte gabim i rëndë, tradhëti ndaj luftës çlirimtare, por duke qenë se ishte pasojë e luftës që i shpalli PKSh-ja, pasojë e nevojës për vetëmbrojtje, në historinë e Shqipërisë dhe në atë të PKSh-së duhet theksuar mëkati, përgjegjësia e kësaj partie për këtë problem.
Në Mbledhjen e Mukjes u vendos që problemi i pushtetit të vendosej mbas çlirimit të vendit përmes votës së lirë të popullit. Mirëpo emisarët e Titos e mësuan Enver Hoxhën që komunistët nuk duhej ta ndanin pushtetin me askënd. Me një fjalë Partia Komuniste Shqiptare përqafoi që në atë kohë idenë e sundimit të Shqipërisë së nesërme si forcë e vetme politike, ashtu si sundonte Partia Komuniste Bolshevike në Bashkimin Sovjetik, përmes diktaturës staliniste. Që nga muaji tetor 1943 edhe pse forcat partizane kërkonin e merrnin ndihma nga anglo-amerikanët dhe flisnin se aleatët e jashtëm antifashistë ishin tre: Anglia, Amerika dhe Bashkimi Sovjetik, në fakt drejtuesit e PKSh-së filluan me zë të ulët të ngrinin lart Bashkimin Sovjetik, të flisnin me lavëdërime për Stalinin dhe Titon, por jo edhe për Çurçillin dhe Rusveltin. Në situatën e re që krijoi PKSh-ja me propagandën e saj për ta paraqitur veten si e vetmja forcë që po luftonte pushtuesin e ri gjerman, Abaz Kupi u detyrua të tërhiqte forcat e tij prej Frontit Nacional Çlirimtar edhe të delte si forcë më vete me emrin Partia e Legalitetit. Kështu jugosllavët ia arritën qëllimit: i përçanë forcat e armatosura shqiptare antifashiste në tre grupe forcash që nuk mund të bashkëpunonin më midis tyre.

Këshilli i Regjencës (1943)
Këshilli i Regjencës (1943)

3.Kolaboracionistët dhe kuislingët.

Qeveritë shqiptare që u krijuan gjatë pushtimit italian dhe atij gjerman quhen të gjitha pa asnjë dallim qeveri kolaboracioniste dhe anëtarët e tyre kuislingë, pra tradhëtarë të cilët janë dënuar dhe duhen dënuar në çdo kohë, pa vënë në dukje ndryshimet e mëdha midis qeverisë së Shefqet Vërlacit (28 nëntor 1939 – 3 dhjetor 1941) e cila ishte tipike kalaboracioniste dhe asaj të Mustafa Merlika Krujës (4 dhjetor 1941 – 19 janar 1943), që i vuri kushte pushtuesve italianë për të mirën e popullit shqiptar për arsimin shqip e italisht, për formën e flamurit, për emërimin e ministrave atdhetarë që donte ky kryeministër, si dhe bashkimin e trojeve si Kosova etj ku flitej shqipja në shtetin shqiptar, hapja e shkollave shqipe në këto troje, etj.
Ingjinieri dhe analisti Mërgim Korça, mbështetur në fjalorë të ndryshëm dhe në të dhëna historike nga historia e shteteve të ndryshme të Europës si Franca, Danimarka, Norvegjia, etj, që përjetuan si pushtimin e huaj nazi-fashist gjatë L2B, ka shtjelluar termat kolaboracionizëm dhe kuisling. Duke u mbështetur në koncepte ndërkombëtare mbi përmbajtjen e këtyre termave dhe në të dhëna konkrete historike ai arriti të sqarojë se në Shqipëri nuk kemi pasur asgjë të ngjashme me Kuislingun e Norvegjisë dhe se në jetën shqiptare duhet të dallojmë dhe dënojmë dy lloje kryesore kolaboracionizmi:
a. Kolaboracionizëm për të mirën e atdheut
b. Kolaboracionizëm për interesa egoiste personale pushtetdashëse.
Dhe këtu analisti duke u mbështetur në materiale arkivore, në artikuj e fjalime të liderit kryesor të PKSh-së, shpalos qartë e bindshëm se Enver Hoxha me kërkesat e tij për bashkimin e Shqipërisë me Jugosllavinë shprehur në plenume të PKSh-së dhe me nënshtrimin total ndaj Bashkimit Sovjetik të diktatorit Stalin dhe ndaj Kinës së Mao Ce Dunit, nuk ka qenë gjë tjetër veçse një kolaboracionist për interesa egoiste personale për mbajtjen e pushtetit me çdo kusht e në çdo rrethanë.
Përfundimi i Mërgim Korçës është i kuptueshëm për të gjithë: historianët duhet t’i dënojnë parimisht të dy palët e kolaboracionistëve, si Mustafa Merlikën, Pater Anton Harapin, Lef Nosin, të cilët regjimi komunist i dënoi me pushkatim sepse bashkëpunuan me pushtuesit fashistë ose nazistë për të mirën e atdheut, si edhe Enver Hoxën, që bashkëpunoi për 40 vjet thjesht për interesat e tij egoiste pushtetdashëse me Josif Broz Titon, Stalinin dhe Mao Ce Dunin duke e vënë Shqipërinë nën diktatin e tyre komunist antishqiptar. Por, e gjithnjë ka një “por”, në analizë të fundit, të nxirren përfundime se kush bashkëpunoi për t’i shërbyer vendit e kush për interesa fillimisht grupi e në vazhdim për interesa thjeshtë personale!1

Utopia Komuniste
Utopia Komuniste

3.Bijtë e përkëdhelur të popullit shqiptar.

Në radhët e popullit shqiptar në vitet 1913-1944 ka pasur mjaft bij të përkëdhelur që na la pushtuesi osman, ish nëpunësa e ish ushtarakë të tij, ish bejlerë me prona të falura prej pushtuesit ose të grabitura prej popullit, etj. Këta u bënë pengesë në proceset e krijimit të një shteti shqiptar me fytyrë europiane dhe për zhvillimin e tij ekonomik. Të tillë shqiptarë gjatë sundimit osman e kishin ndjerë veten superiorë ndaj shqiptarëve të varfër, sidomos ndaj shqiptarëve të krishterë. Këtë mendësi ata nuk e shkulën nga mendja e tyre pas shpalljes së pavarësisë, madje mjaft prej tyre vijojnë edhe sot të përjetojnë një mendësi të tillë antikombëtare, në mënyrë më të theksuar në disa zona të Kosovës e Maqedonisë. Midis pasardhësve të këtyre njerëzve janë dhe ata që shkuan e u edukuan në disa shkolla në vendet arabe e në Turqi dhe na sollën një sekt të myslimanizmit ekstremist, të cilët guxuan dhe e shanë Gjergj Kastriotin e Nënë Terezën me ato epitete që nuk mund t’i nxerë goja e shqiptarit të vërtetë.
Mbas kapitullimit të diktaturës komuniste kemi pasur e kemi mjaft bij të përkëdhelur të kësaj diktature, të cilët në një mënyrë ose tjetër mbas vitit 1991 janë bërë e bëhen pengesë në proceset për demokratizimin e pushtetit e të jetës së shqiptarëve. Midis tyre ka shumë shqiptarë të cilët edhe sot vijojnë ta ndjejnë veten superiorë ndaj shqiptarëve që nuk kanë qenë anëtarë të PPSh-së e që nuk kanë pasur ndonjë detyrë shtetërore. Mendësi e ngjashme dhe po aq e dëmshme dhe antikombëtare sa ajo e shqiptarëve muhamedanë që përmendëm më lart. Të dy këto kategori shqiptarësh duhet të kuptojnë se shqiptarët që nuk e kthyen besimin dhe që nuk u bënë anëtarë të PKSh/ PPSh-së dhe as punëtorë të Sigurimit, duhen vlerësuar për qëndresën kundër së keqes.
Natyrisht përpjekja për një katarsë ndaj mbetjeve në mentalitetin tonë ka qenë dhe mbetet në rend të ditës për shumicën dërmuese të shqiptarëve pavarësisht se kanë qenë ose jo pushtetarë, krijues, studiues dhe politikanë, sepse në fund të fundit seicili me heshtjen e mbylljen e gojës ndihmoi në krijimin e asaj klime mbytëse që i dha dorë shtetit diktatorial të sundonte aq gjatë dhe aq ashpër.
Një i përkëdhelur dhe gojëmbyllur kam qenë dhe unë përderisa kur punoja si redaktor e gazetar në Radio Tirana (1966-1969) dhe si punonjës shkencor në Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave (1970-1991) i interpretoja dukuritë e jetës dhe të letërsisë shqiptare sipas mësimeve të partisë shtet dhe nuk reagova kundër asnjë vendimi të PPSh-së, etj…
Mbas vitit 1991, u përpoqa që disa mendime të vakëta që kisha pasur kundër diktaturës t’i thelloja përmes leximit të literaturës së re dhe ndjekjes nga afër të proceseve që po përjetonte shoqëria jonë. Fillova të rishikoja studimet që kisha bërë deri atëhere dhe t’i korrigjoja duke mbajtur qëndrim kritik ndaj interpretimit të dukurive sipas orientimeve të PPSh-së. Në këtë drejtim nuk hapa unë ndonjë rrugë të re, por eca bashkë me kolegët e mij si Iliaz Gogaj, Muharrem Dezhgiu, Enver Muhametaj, etj. Këtë proces rikualifikimi e thellova më tej pas shpërnguljes në ShBA më 1996. Frut i këtij procesi janë studimet “Kur dhe ku u shkrua Dhiata e Re” Medaur, Tiranë 2007, “ Evoluimi ynë kërkon njohjen dhe dënimin e fajit” DDS Durrës, 2011, “Mihal Grameno jeta dhe vepra” DDS Durrës, 2012, “Shën Pali punoi dhe në brigjet e Adriatikut” Omsca-1 Tiranë 2014, “Mosdënimi i fajit është krim i ri” Oasca-1 Tiranë 2016, si dhe një mori artikujsh shkencorë botuar në gazetat “Rilindja” e “Rilindja Demokratike” të Tiranës dhe “Illyria” e “Dielli” të New Yorkut.
Shpëlarja nga mendësia komuniste është proces që duhet marrë me seriozitet dhe si detyrë atdhetare, që vijon gjatë përmes kualifikimit, rikualifikimit, hartimit të veprave të reja dhe diskutimeve të tyre. Sa më e plotë të jetë katarsa e seicilit, aq më i thellë bëhet dhe procesi i pajtimit kombëtar. Populli ynë ka shumë nevojë për pajtimin kombëtar sepse si pasojë e varfërisë dhe e këtij mospajtimi, rinia shqiptare po vijon të kërkojë rrugën e largimit nga atdheu si të vetmen rrugë për të gjetur jashtë shtetit një jetë më të mirë ekonomike e më të qetë shpirtërore.
Në këtë drejtim rolin më të rëndësishëm e kanë luajtur e do ta luajnë intelektualët e shquar, ata që kanë krijuar një autoritet me veprat e tyre. Të tillë personalitete duhet të shkojnë herë pas here tek vorrezat e “Martirëve të Demokracisë” kudo ku ka të tilla, te Muzeu i Spaçit, etj, e të vendosin tufa me lule si vlerësim ndaj jetës së martirëve dhe si gjest katarse për ndërgjegjen e tyre. Krijuesit dhe studiuesit është mirë të mos bëjnë më pjesë në asnjë parti politike dhe të mos krijojnë më vepra sipas porosive të drejtuesve partiakë ose liderëve shtetërorë, por thjesht sipas kërkesave e thirrjeve të zërit të tyre të brendshëm.

4.Partitë politike.

Kapitullimi i diktaturës komuniste solli pluralizmin, krijimin e partive të shumta. Me të dëgjuar se në kodrat e Universitetit studentët ishin ngritur dhe kërkonin takim me presidentin Ramiz Alia, unë me bashkëshorten time shkuam tek konviktet e studentëve e takuam pedagogun Zef Brozi, një nga drejtuesit e lëvizjes, të cilit i shprehëm përgëzimet tona dhe pritëm atje derisa delegacioni i stuentëve u kthye nga takimi.
Me formimin e Partisë Demokratike nxita kolegët e mij për të formuar në fillim të vitit 1991, degën e kësaj partie në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë ku punoja dhe u bëra për të parën herë anëtar i një partie politike. Kur na u dhanë librezat e anëtarësisë unë kisha në vitin 1992 numërin 004635, kurse në vitin 1993 numërin 004844. Fillova të shkruaja dhe artikuj, por dy të parët z. Frrok Çupi, ndonëse më tha se i pëlqente, nuk m’i botoi. Në atë kohë nuk e mendoja se vënia në krye të Partisë Demokratike i një ish komunisti si Sali Berisha ishte një shkelje e rëndë e demokracisë dhe se personat që duhej të botonin shkrime me përmbajtje politike ishin të planifikuar prej një grupi pune të Ramiz Alisë. Mbas mesit të vitit 1993, e ndjeva se nuk isha në partinë që kisha ëndërruar. Partia Demokratike më 1992, emëroi z. Bahri Beci drejtor të Institutit tonë dhe po atë e emëroi dhe shef sektori, kryetar të Këshillit Shkencor dhe kryeredaktor të revistës “Studime Filologjike”, organit shkencor të Institutit. Ky përqendrim pushteti në duart e drejtorit të Institutit tonë (kështu ndodhi dhe në institutet e tjerë të Akademisë së Shkencave) për mua ishte tregues se PD-ja nuk ishte parti e vërtetë demokratike, por trashëgonte e zbatonte politikën e kuadrit njësoj si PPSh-ja, duke u dhënë pushtet besnikëve të saj. Megjithë këtë lëkundje edhe pas shpërnguljes në ShBA me lotari vijova me disa shkrime ta përkrahja PD-në dhe drejtuesin e saj z. Sali Berishën, sepse mendoja se luftën për shkundjen e mendësisë komuniste nga mendjet e shqiptarëve këto forca po e kryenin jo keq. Mirëpo tani kam dy-tre vjet që mendoj se Sali Berisha ka luajtur rolin e paracaktuar sipas planit Katovica të projektuar prej Ramiz Alisë. Për këtë arsye mendoj se z. Berisha e ka përfunduar misionin e tij dhe është mirë të largohet nga PD-ja dhe të kalojë në një proces Vetingu. Kurse PD-ja t’i futet një procesi për t’u rigjeneruar duke mënjanuar anëtarët e korruptuar dhe ata që përbëjnë krahun e majtë të saj dhe duke forcuar krahun e djathtë, sepse vetëm si përfaqësuese e vërtetë e së djathtës ajo mund të rifitojë besimin e dikurshëm të masave të gjera.
Nga ana tjetër mendoj se Partia Socialiste ka bërë shumë pak për t’u shkëputur prej PPSH-së e PKSh-së, nënës e gjyshes së saj, të cilat e mbyllën pa lavdi jetën e tyre. PS-ja u krijua nga të njëjtët anëtarë partie që kishte PPSh-ja dhe filloi jetën parlamentare me po ata deputetë që ishin zgjedhur si përfaqësues të PPSH-së. Për t’u bërë një parti e vërtetë euro-socialiste PS-ja ka pasur e ka për detyrë që sa më parë të zëvendësojë anëtarët e saj të trashëguar prej PPSh/ PKSh-së dhe ish sigurimsave (detyrë që e ka dhe PD-ja sepse të tillë elementë nuk janë të pakët edhe tek ajo). Përsa u përket bijve të komunistëve dhe sidomos bijve të ish kuadrove të diktaturës komuniste, e mira është të gjejnë jetën e tyre jashtë politikës, ose po të duan të merren me politikë, para se të kandidojnë për anëtarë partie, parlamenti, a pushteti, të bëjnë deklarata të hapura publike ku të shfaqin qëndrimin e tyre kritik ndaj bëmave të prindërve të cilët si veprimtarë të ish diktaturës e katandisën atdheun në gjendje të mjerueshme e pa të ardhme, si e përjetuam kolapsin e viteve 1990-1992.

Valle në gojë të ujkut...
Valle në gojë të ujkut…

5.Shqipëria s’ bëhet/ Shqipëria po bëhet.

Në vitet 1992-2013 shumë ish komunistë e simpatizantë të tyre në biseda hidhnin si me keqardhje formulat “Shqipëria u shkatërrua, Shqipëria s’bëhet më”. Kurse unë me shumë demokratë ulnin kokën e punonim me shpresë se Shqipëria do të bëhej shumë shpejt. Vërtet, emigrimi i shumë shqiptarëve nëpër shtetet e Europës dhe shpërngulja e tyre me lotarinë e green card-t në ShBA krijoi një zbrazje të paparë demografike për Shqipërinë e Kosovën, por dalngadalë u kuptua se ky fenomen kishte dhe të mirat e veta: shumë pare u dërguan në atdhe tek të afërmit prej emigrantëve, shumë prej tyre pas disa vjet mërgimi filluan të ktheheshin e të ngrinin bizneset e tyre në Shqipëri e Kosovë. Tani ka dhe pensionistë që po kthehen në atdhe e po jetojnë aty me pensionet që marrin prej vendeve ku punuan. Kështu që sot, pasi shikon ndërtimet e shumta si sistemin e ri rrugor, pallatet moderne, qendra prodhimi, lokale private luksoze, mijra automjete transporti, traktorë që punojnë, formula “Shqipëria s’bëhet më” ka dalë mode, sepse Shqipëria në fakt po bëhet një vend europian dhe pas zbatimit të reformës në drejtësi do të ecë më shpejt drejt Europës, për ta bërë realitet thirrjen e studentëve “E duam Shqipërinë si Europa!
Natyrisht krijimi i Shqipërisë së re është proces që e solli koha në saje të ndërrimit të sistemit, të ndihmës së madhe që kanë dhënë Europa e Bashkuar, ShBA-të, emigrantët shqiptarë dhe njerëzit pozitivë që jetojnë e punojnë në atdhe. Këtë proces propaganda e PS-së e ajo e PD-së e paraqit pa të drejtë si pasojë të qeverisjes së tyre. PS-ja e PD-ja do të fitojnë popullaritet në rast se do të rinovojnë veten dhe ta përfunduar me sukses Reformën në Drejtësi, të cilën po e kërkojnë me forcë ShBA-të dhe BE-ja.

6.Kosovarët, dibranët dhe çamët s’janë vetëm të këqinjtë.

Mbasi u ndanë padrejtësisht kufijtë e shtetit shqiptar më 1913, kur krahina të mëdha si Kosova, Dibra e Çamëria iu dhanë Serbisë dhe Greqisë, qeveritë e këtyre vendeve, krahas luftës për asimilimin e shqiptarëve të atyre krahinave, filluan dhe një propagandë shpifëse për t’i paraqitur vëllezërit tanë të një gjaku sa më të këqi, si të pabesë, si shkatërrimtarë, etj. Pas formimit të PKSh-së, ku të dërguarit e Titos luanin rolin kryesor për gjithçka, propaganda antikosovare u përforcua. Kosova e kosovarët, Dibra e dibranët akuzoheshin si territore dhe popullsi që nuk i duheshin dhe nuk do t’i duheshin Shqipërisë, sepse ato do ta çekuilibronin. Këto fjalë filluan t’i thoshin edhe udhëheqësit e PKSh-së dhe pas nëntorit 1944, kjo propagandë u bë për shumë vjet vijë politike e shtetit shqiptar.
Sot, të tilla sharje kanë zenë vend në mendjet e shumë shqiptarëve, jo vetëm ish komunistë, por dhe jo komunistë. Këta të përmendin faktin se në Shqipëri në vitet 1992-1995, erdhën disa kosovarë prej Jugosllavisë dhe bënë poshtërsira: sollën dollarë fallco, morën disa vajza të Shqipërisë dhe i shitën në Europë, ose i martuan si gra të dyta, etj. Mirëpo, se ka disa shqiptarë të këqinj midis shqiptarëve të kësaj apo asaj krahine, nuk ka pse të quajmë të këqinj gjithë banorët e asaj krahine. Njerëz të këqinj kanë gjithë krahinat e popujve të ndryshëm, por nuk i quan kush njerëz të këqinj gjithë banorët e atyre krahinave. Po të ishin vetëm të këqinj shqiptarët e këtyre krahinave, atëhere shtetet fqinjë nuk do të kishin dashur t’i merrnin ato krahina, ose do të na i kishin kthyer me kohë. Shtetet fqinjë që përfituan krahina të populluara prej shqiptarësh kanë punuar e punojnë kundër krijimit të një shteti shqiptar sa më etnik, që shqiptarët të jenë të përçarë, që të jetojnë në disa atdhe të ndryshëm. Kurse ne shqiptarëve nuk na duhen shumë atdhe, na duhet një atdhe sa më etnik dhe sa më demokratik. Kjo duhet të jetë mendësia kryesore atdhetare e gjithë shqiptarëve kudo ku jetojnë sot e përgjithmonë.

100 Vjetori - Parakalimi ne Tirane
Një grup kalorësish, duke parakaluar në Bulevardin Dëshmorët e Kombit,
nisur nga Kulla e Jasharajve në Kosovë.

Disa përfundime

Pas këtyre sqarimeve, mendoj se lexuesi e ka të qartë se populli ynë ka humbur dy shanse në historinë e tij të këtij 100 vjeçari.
Me vendosjen e Enver Hoxhës në krye të PKSh-së prej emisarëve të dërguar prej Partisë Komuniste të Jugosllavisë, populli ynë humbi shansin e parë në historinë e tij të moderne që shoqërinë socialiste pa shtypës e shfrytëzues, ta ndërtonin grupi i komunistëve të formuar në Europën Perëndimor si Zef Mala, Ymer Dishnica, Sejfulla Malëshova, Sadik Premtja, Anastas Lulo, Aristidh Qendro, Zai Fundo, etj, të cilët synonin të krijonin një shtet socialist tolerant. Emisarët e Titos vunë në krye të kësaj partie njeriun e bindur të tyre, Enver Hoxhën, i cili nuk ishte anëtar i asnjë grupi komunis, nuk kishte kryer asnjë shkollë të lartë dhe që për të mbajtur karrigen u fali Kosovën dhe zhduku bashkëpunëtorët më të aftë se vetja, zhduku inteligjencën perëndimore dhe krijoi diktaturën më të egër në Shqipëri, ashtu si donin shefat e tij dhe interesi i tij për mbajtjen e pushtetit.
Shansi i dytë që humbi populli shqiptar ka të bëjë me ndërrimin e sistemit diktatorial me sistemin pluralist me ekonomi të tregut të lirë. Ardhja në krye të Partisë Demokratike e Sali Berishës, një ish komunist karierist me mentalitet bajraktari në vend të një intelektuali të përndjekur prej regjimit komunist, ishte një fatkeqësi. Ai vijoi në politikën shqiptare luftën e klasave përmes paraqitjes së
kundërshtarëve të tij politikë si armiq të popullit me të cilët nuk duhej bërë asnjë kompromis. Sali Berisha nuk ia ktheu pronat pronarëve të vërtetë, nuk e dënoi krimin komunist si duhej, etj. Ai, duke përdorur disa fjali antikomuniste gënjeu popullin e revoltuar prej diktaturës së gjatë e të egër dhe diplomacinë perëndimore e amerikane të cilët e mbështetën hapur. Kur u kuptua botëkuptimi i tij i vërtetë pseudodemokratik ishte shumë vonë, ai kishte krijuar një grup të fortë mbrojtës rreth vetes në Partinë Demokratike dhe bënte ë’ të donte brenda saj si bajraktar.
Populli ynë ka tani një shans të tretë: Reformën në Drejtësi dhe realizimin e Vetingut, për të cilët po ndihmojnë hapur e fuqishëm aleatët tanë ShBA dhe BE. Në rast se humbasim këto dy procese do të humbasim shansin e tretë të madh dhe përmirësimi i gjendjes së popullit shqiptar do të vonohet për turpin tonë.
Fatkeqësisht populli ynë ka mbetur i varfër dhe pa kulturë politike demokratike. Ai e shet votën për një thes me miell, ose për 100 a 200 dollarë. Në një popull të varfër dhe pa kulturë politike si populli ynë vendosja e lirisë së lëvizjes solli trauma të shumta, gjë që u jep rast ish komunistëve dhe ish sigurimsave të shprehin nostalgji për kohën e diktaturës, kur ssipas tyre sundonte ëqetësiaë. Të tillë njerëz nuk duan ta kuptojnë se ajo qetësi ishte qetësi burgu e vënë me dhunë dhe jo një qetësi që buronte nga ligje demokratike, si shpresojmë se do të vendoset mbasi të realizohet krijimi i një qeverie të vërtetë demokratike, mbas përfundimit me sukses të Reformës në Drejtësi dhe zgjedhjes së njerëzve të ndershëm në organet e pushtetit.
Qeveria e sotme, ose ajo që do të vijë pas zgjedhjeve te vitit 2017, është mirë të organizojë një simpozium shkencor disa ditësh, me pjesëmarrje të lirë, ku studiues e veprimtarë të shprehin me referate e kumtesa vlerësimet e tyre për figurat kryesore politike të të gjitha trevave shqiptare të periudhës historike 1925-1991. Ky simpozium do të ndihmojë shumë për arritjen në vlerësime bindëse për vlerat, dobësitë dhe gabimet/ krimet e sejcilit personalitet politik të jetës shqiptare të këtyre viteve. Mendoj se kështu mund të arrijmë që për Ahmet Zogun, Mustafa Merlikën, Mehdi Frashërin, Lef Nosin, Enver Hoxhën, Fadil Hoxhën, Josif Broz Titon dhe gjithë ata që e qeverisën popullin shqiptar në ato vite, të kemi të gjithë vlerësime sa më të afërta dhe jo disa të shprehen me vlerësime superlative për disa prej tyre, kurse disa të tjerë për po ato figura të shprehen me vlerësime fyese e denigruese.
Arritja më e madhe e qeverisë së sotme dhe asaj që do të krijohet pas zgjedhjeve të vitit 2017 do të jetë pasurimi i legjislacionit me ligje, nene e sanksione ndëshkuese të qarta si për hartuesit dhe për zbatuesit e ligjit, gjë që do të lehtësojë ardhjen në pushtet të njerëzve të ndershëm të cilët janë të vetmit që do të ndihmojnë ecjen e Shqpërisë përpara me hapa të shpejtë.
Ndërkohë bie në sy se qeveritë e derisotme të tranzicionit janë treguar indiferente e nënlerësuese ndaj arritjeve të individëve të shquar që janë formuar tashmë në shkolla Perëndimore, dhe të atyre shqiptarëve të diasporës që kanë arritur me veprat e tyre nivele të lakmueshme në shkencë, letërsi, arte, etj. Këtu në SHBA të tillë janë Prof. Sami Repishti, Idriz Lamaj, Mërgim Korça, Pëllumb Kulla, Roland Gjoza, Astrit Lulushi, Ruben Avxhiu, Dalip Greca, Ilir Konomi, Anton Çefa, poetja Iliriana Sulkuqi, etj. Kurse në Itali janë Eugjen Merlika, Ilia Karanxha, Cezar Toma, Selman Meziu, në Greqi Ilia V. Ballauri, Grigor Jovani e një grup poetësh rreth revistës “Pegasi”, në Francë Fotaq Andrea, etj në Zvicër bashkëshortët Buçpapaj, në Angli Fatmir Terziu, Gëzim Alpion, në Belgjikë Lek Pervizi, etj. Të tillë ka dhe në Gjermani, Kanada e gjetkë.
Mendoj se qeveria shqiptare që do të krijohet pas zgjedhjeve të vitit 2017, me anën e Ministirsë së Kulturës është mirë të krijojë sa më parë grupe pune për të realizuar një kolanë me vepra të zgjedhura prej penave të spikatura që janë shquar gjatë këtyre 26 vjetëve duke sjellë mendime të rinj për evoluimin e mendësisë shqiptare paskomuniste dhe për të korrigjuar gabime të ndryshme që i janë bërë historisë sonë kombëtare nga të huajt dhe nga historianët tanë të politizuar. Botimi i kësaj kolane bashkë me materialet e simpoziumit që sugjeruam në mijëra kopje dhe shpërndarja e saj në mbarë vendin e në diasporë do të ndihmojë për një formim më të shëndoshë botëkuptimor midis shqiptarëve.
Samiti i diasporës i organizuar para disa ditësh prej qeverisë së sotme pati synime partiake, për ta paraqitur afrimin dhe bashkimin e diasporës si sukses të PS-së. Samiti i diasporës do të ketë sukses po të jetë i lirë, të organizohet prej vetë shqiptarëve të disaporës, ose prej një Ministrie të Diasporës e depolitizuar dhe jo prej qeverive partiake.

1Të tilla vlerësime e konkluzione i kam përqafuar dhe vlerësuar në esenë që hartova e botova për z. Mërgim Korça në gazetat Illyria N. Y. 15 janar 2016 dhe Dielli 3 mars 2016. Këshilloj dhe lexuesit e këtij artikulli që t’i lexojnë veprat e këtij analisti për të ndihmuar veten për evoluimin e tyre lidhur me qëndrimet dhe vlerësimet që duhen mbajtur ndaj të gjithë kolaboracionistëve shqiptarë nga viti 1939 e këtej.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.