back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Tatutë dhe Simbolet në duart e grave shqiptare

Gazeta

Albanian Tatoo
Albanian Tatoo

Tatutë dhe Simbolet Shqiptare

ne duart e grave…

Tre simbole Tatu
Tre simbole Tatu
1.L.K.U., e datëlindjes 1898, bijë e Thethit. Nga fshati Nikç i Kelmendit. Monogramin e saj në dorën e djathtë ajo e quan “T’bani (kasollja në stan) i babës në Qafë Pejë me dritë t’Dillit t’Zotit”. Këtë tatuazh ia ka punuar një shoqe e saj nga thethi. Është shkruar me bojë të zezë (regjistruar më 14 shkurt 1971).
 
2.P.N.P., e datëlindjes 1890, bijë e Shoshit. Me banim në Nikç të Kelmendit. Tatuazhin në dorën e saj të djathtë ajo e quan “Tbani (kasollja në stan) n’bjeshkë i mbuluem dhe me diellin plak n’pullaz(në çati)”. Nuk tregon se kush ia ka punuar. Është punuar me bojë blu. “Me mereqep shkollet”, thotë mbartësja e saj (14 shkurt 1971).
 
3.A.M.P., e datëlindjes 1899, bijë nga Lotaj. Banuese në Nikç i Kelmendit të Shkodrës. Figurën në dorën e saj djathtë ajo e quan “Dilli i Zotit”. Atë ia ka punuar një kushurirë e saj ndërsa ndodhesha në bjeshkë. Tatuazhi është shkruar me bojë të zezë (15 shkurt 1971).
Tre simbole Tatu (b)
Tre simbole Tatu (b)
4.M.K.I., e datëlindjes 1918, nga Shirgji i Bregut të Bunës. Është bashkëshortja e K.F.I.-së. Ky është munduar që të bëjë me të shoqen të njëjtën gjë që shoku i tij pat bërë me të. Mbartësja thotë se ky tatuazh i pëlqen shumë, sepse atë ia ka bërë i shoqi kur ishin të rinj. Tatuazhi është bërë me bojë të zezë (15 gusht 1972).
 
5.M.K.GJ., i datëlindjes 1892, nga Nikçi i Kelmendit. Tatuazhin mbi dorën e tij të majtë e ka bërë vetë në kohën e Luftës së Parë Botërore, apo “Italisë së Parë” sikurse e mban mend ai vetë. Asokohe ai ishte ushtar me pagesë në Shkodër. Tatuazhin e tij mbartësi e shpjegon si “Bajraku Shqiptar Katolik”. Është përdorur bojë e zezë italiane (20 korrik 1975).
 
6.P.T.V., i datëlindjes 1899, nga Nikçi i Kelmendit. Tatuazhin në dorën e tij të djathtë ai e shpjegon: “Shqypja e Shqypnisë”. Atë ja ka punuar nga një kushëri i tij në Vukël. Është përdorur bojë e zezë “kinash” (një lloj bime me kokrra të zeza) dhe u regjistrua më (20 korrik 1975).
Tre simbole Tatu (c)
Tre simbole Tatu (c)
7.A.M.K., e datëlindjes 1889, nga Vukli i Kelmendit. Tatuazhin e saj mbi dorën e djathtë ajo e quan thjesht “Peshku i t’Shejtit Jezu”. Është punuar me bojë të kaltër nga një kushërirë e aj, kur mbartësja ishte ende vajzë e re (22 korrik 1975).
 
8.F.N.P. e datëlindjes 1897, nga Vukli i Kelmendit. Tatuazhin që mban në dorën e saj të djathtë e quan “Peshku i të madhit Zot, me dill t’Hotit. Tatuazhin ia ka punuar gjyshja e saj kur ishte vetëm 14 vjeç. Kur e pyetëm për “Dillin e Hotit apo të Gjyshave t’Hotit”, ajo na u përgjigj se “qyshse asht kriju dynjaja, dilli asht pituru qeshtu. Bile dhe bajrakun e kanë pasë me nji dillë të madhe dhe dy buça (gjarpërinj) anash. Pa shqiponjë. Atje dhe në të tanë Malësinë e Madhe edhe gurt e vorreve i piturojnë me to, se janë gjanat ma të shenjta për to” (22 korrik 1975)
 
9.N.D., e datëlindjes 1899, e besimin mysliman, nga Nikçi i Kelmendit. Mbartësja e ka në dorën e djathtë. Është punuar nga e ëma kur ishte vajzë e re, për ta ruajtur Zoti, “se kam qenë vajzë shumë e shkathët. Ajo vetë këtë shenjë e quan “Ylli i hazretit Pejgamerit me dill të Hotit”. E mban të fshehur nga të tjerët, sepse ka një nip komunist dhe ka frikë se mos i prish punë (23 korrik 1975).
Tre simbole Tatu (d)
Tre simbole Tatu (d)

 

10.F.N.K., i datëlindjes 1899, nga Pendari i Bregut të Bunës në Shkodër. Tatuazhin që mban në dorën e tij të djathtë ai e shpjegon kështu: “M’nimo o Zot, me e dashtë Marijen me gjithë zemën”. Tatuazhi është punuar nga një kushëri i tij së Suka të Dajçit pas katër vjetësh martesë. Vitet e martesës përfaqësohen nga katër kryqet e vegjël. Tatuazhi është punuar me bojë të zezë mëndafshi (13 gusht 1972).
 
11.M.K.K., e datëlindjes 1908, nga Pentari i Dajçit të Bregut të Bunës në Shkodër. Tatuazhin e ka në dorën e djathtë. Sipas saj, kryqi i thyer është “Dilli i Hotit n’Malësi t’Madhe”, kurse dy inicialet janë gërmat e para të emrit të saj, Marije dhe të të shoqit, Matish. Ky tatuazh ka të njëjtin autor, kushëririn e të shoqit nga Suka e Dajçit. Katër kryqet dhe rrethi i vogël tregojnë se tatuazhi është bërë pas pesë vketësh martesë. Rrethi nuk është gjë tjetër veçse një vit burg që kaloi i shoqi, Matishi, në Burgun e Podgoricës. Dënimi erdhi pas një sherri që Matishi pati me një malazes nga Tivari, ndërsa po peshkonte në Bunë. Tatuazhi është punuar me bojë shkrimi të zezë italiane (13 gusht 1972).
 
12.M.P.K., E datëlindjes 1887, bijë nga Kukli i Lezhës, banuese në Pentarë të Bregut të Bunës. Tatuazhin e saj mbi dorën e djathtë ajo e shpjegon kështu: “Peshku i Shejtit Jezu Krisht me dill të Zotit, në gojë që po i jep jetë”. Sipas saj, ajo, nëna e saj dhe shumë gra të tjera e kanë kopjuar nga një gravurë e kishës së msheftë në malin e Kakarriqit, në të cilën Dom Ndre Zadeja bënte meshë “kur pat hy serbi n’Shkodër”. “N’atë kohë shumë kisha në Zadrimë u vodhën e u plaçkitën. Unë vetë kam pasë marrë pjesë në shumë mesha në Kishën Shpellë të Malit të Kakarriqit, thotë mbartësja e tatuazhit, i cili është punuar me bojë të zezë (13 gusht 1972).
Kater simbole Tatu (e)
Kater simbole Tatu (e)
13.A.L.S., e datëlindjes 1882, nga Nikçi i Kelmendit. Tatuazhin që ajo mban mbi dorën e djathtë paraqet sipas saj “Shenjtat e Krishtit me dill të gjyshave të Hotit”. Tatuazhin është punuar nga djali i xhaxhait të saj, Martini, “I cili asht vra në Andrijevicë nga shkjetë për me na i vjedhë bagëtitë”. Tatuazhi është punuar me bojë të zezë (20 korrik 1975).
14.M.F.P., e datëlindjes 19, nga Dajçi i Bregut të Bunës. Këtë figurë në dorën e saj të djathtë bartësja e quan “Kur dilli xen Hanën”. Ajo nuk ka asnjë ide se çfarë mund të jetë eklipsi. Thotë se gjyshja ë saj nga Nënshati i Zadrimës e ka pasur një të ngashëm. Vetë gjyshja ia ka bërë mbesës atëherë kur kjo e fundit ishte vajzë e re, vetëm pak muaj para martesës. Tatuazhi është punuar me bojë të zezë mëndafshi. Mbartësja na tregon se kur ishte e vogël ajo kishte parë në shumë zona të Zadrimës gra dhe vajza që kishin të punuara tatuazhe të tilla, “me dill e hanë”, por edhe me vetëtima e yje të vegjël, por përse i bënin, ajo nuk di ta shpjegojë (11 gusht 1972)
15.L.P.M., e datëlindjes 1907. Tatuazhin e saj në dorën e majtë me dafinë “Me gjeth larit” ajo e shpjegon kështu: “Ky asht gjethi i shenjtë i ditës së bekimit të të Lartit”. Është punuar nga nëna e saj para se vajza të martohej, si ogur i mirë “që t’i shkonte jeta bukur e erëmirë”. Tatuazhi është punuar me bojë të zezë (2 korrik 1975)
16.A.K.V., nga Nikçi i Kelmendit. Tatuazhin e ka punuar mbi dorën e majtë. Ajo e quan “Lule bjeshke” dhe nuk bën asnjë koment tjetër (23 korrik 1975).
Tre simbole Tatu (f)
Tre simbole Tatu (f)
17.S.P.P., e datëlindjes 1900, nga Mnella në Hajmel të Shkodrës. Malësorja e moshuar na thotë se tatuazhin që ajo mban në dorën e djathtë ka këtë shpjegim “Hana me zemrën e Krishtit”. Tatuazhin e ka punuar një shoqe e saj nga Bregu i Matës (20 shtator 1981).
18.L.M.K., e datëlindjes 1898, nga Mnella e Hajmelit në Shkodër. Kjo malësore na informoi se edhe gjyshja e saj dhe plot të moshuara që ajo mbante mend në të gjithë fshatrat e Malit të Rrencit, që nga Shëngjini e deri në malin Kolaj në Velipojë, mbanin të tilla “luleboje” (tatuazhe). Tatuazhin mbi dorën e saj të djathtë ajo e quan “Dilli dhe Hana e të lumtit Krisht” (20 shtator 1981).
19.N.F.P., i datëlindjes 1905, nga Mnella e Hajmelit të Shkodrës. Fshatari këtë tatuazh mbi dorën e tij të djathtë e quan “Zemra dhe gozhda e Krishtit”. Është punuar me bojë të zezë (20 shtator 1981).

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.