Tani e di përse burrat shkojnë në luftë – poezi nga Mimoza Ahmeti

Mimoza Ahmeti

Mimoza Ahmeti

Tani e di përse burrat shkojnë në luftë

poezi nga Mimoza Ahmeti

Burrat janë lule
Të bëjnë të fluturosh pa kuptim
Dhe sa më pakuptim aq më tërheqës ai fluturim drejt tyre
Pasioni është formë pa asnjë grimë përmbajtjeje!
Ai të ngjall për të të lënë të jetosh. Po e more me vete, ai të vdes.
Fillon te pakuptimi si nevojë e
domosdosë
së mbetjes gjallë.
Që zakonisht ka një arome therëse tërfili
kur ndodh e pabesueshmja, vetëm atëhere ka ndodhur diçka…
Në krahët e një burri shkëputet ngjarja nga ngjarja,
ndërsa në kraharor të gruas është vazhdimi pa ndërprerje…
ajo nuk ndahet nga vetja e foshnjes…
Ka disa burra që e tërheqin unin
në pakuptime të thella, aq të thella… sa dhe dërmuese…
Dhe gratë bien në dashuri me ta, për të dalë
sa me shpejt, si nga zjarri i akullit
në një oaz uji, në Oqeanin e ngrirë të Veriut.
Gratë dalin nga oazi të freskëta. Ata janë ende aty, të eksituar.
Dhe në aktin fertil të pambyllur
u dalin tope çeliku, nerva hapashesh dhe pështyma plumbash…
Ata nuk dine asgjë ç’u ndodh, shkojnë drejt asgjesimit me guxim,
duke shkëmbyer vdekjet me vdekje… si të ishin jetë.
Burri është një dallim pa kufi, i tëri psihke i determinuar Krenarie. Dëngle!
Sepse vetëm kur humbin njeri-tjetrin burrat qetësohen
ashtu të shtrirë, lugetër të dhimbshëm, me plagë të ngrohta trupit,
larush si shpirti, në grahma për pak dashuri a një puthje…
Pasi kane ikur gratë… Gratë, oh! Ka kohë që u kanë ikur.
.
Marrë nga Muri i FB, i Mimoza Ahmetit, 29 mars 2022

.

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Kafe letrare  Etiketat: ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook