Takimin me Martinin e kish dasht secili prej nesh… – nga Naime Beqiraj

Naime Beqiraj me Martin Camaj  - Gusht 1990

Naime Beqiraj me Martin Camaj – Gusht 1990

Takimin me Martinin e kish dasht secili prej nesh…

nga Naime Beqiraj

I gjatë, i bardhë, me lëkurë të hollë prej fisniku, ai dokej jo si autor, por si princ dal prej Dukagjinit të MbiShkodrës.
I shoqnuem prej zojës Erika Camaj dhe Anton Nikë Berishës, në pushim të seminarit, me shoqen teme Fatimen dhe vajzën e dajës Afërditën që kish ardh nga Franca, me ndrojtje pritsha me ja dhanë librin tem “Mbi Siparunt”. “Ti je Naimja që m’foli Antoni. Kam me e lexue librin. Shkruj e mos u ndal”.
Gazetare e “Botës së re”, studente e letërsisë, po e përcillsha në gushtin e vjetit 1990, Seminarin për Gjuhën Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Nuk e nisha vetën të përgaditun me i ba nji intervistë. Ja shpreha dëshirën dhe shqetsimin prozatorit dhe studiuesit Antonit. “Sot të prezentoj”, m’tha Antoni e unë nuk besojsha që mujm me u taku me poetin që m’dukej si andërr.
N’Kosovë kish ardh mbas disa dekadave.
Nuk na ra me nejt gjatë. Folëm pak për poezinë që botohet n’Kosovë dhe u ndamë me u shkrue. Zoja Erika Camaj ma dha adrësën. M’dokej çast i pajetum. Ia kisha lexu disa prej librave por asni fjalë nuk mujta me ja thanë për veprën. “Kemi me u takue prap, Naime”.
M’dokej që duhet me nejt cuc para tina
Çfarë bekimi, me pas edhe fotografi.
Kujtesë që ndodhi 33 minuta e po zgjat 33 vjet
Falemnderit Martin!

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta  Etiketat: , , , ,
Një përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Prend Buzhala – Evokim i bukur!
    Po qe se do ta kishe shkruar në standardin e shqipes, këtij rrëfim-evokimi do t’i t’i zihej fryma, ajo fryma camjane e shkrimit… Respekte!

    Naime Beqiraj – Axhi Prend, i kam lexue shkrimet tueja për Camajn. Megjithe se e kam rilexu, ende asgja nuk arrita me shkru. Sa herë vendosi, disi m’kap njesia e t’lexumit e t’shijumit si art. Vepra e tina asht veç art

    Zudi Misimi – Respekt poete e nderuar, Naime Beqiraj është nder i veçantë për ju, që keni patur rastin me u fotografu me të madhin e kombit z. Martin Camaj… pa dyshim edhe ju jeni i atij rangut!! Zoti ju bekoftë!

    Naime Beqiraj – O Zuhdi, larg Martinit jemi na. Dalta e fjalës s’tij ishte e mprehtë

    Naime Beqiraj – Pse gurët dhe poetët nëpër botë
    I dashka të shpërndarë ky dhe i yni
    Zi nuk mbajmë, po kurrë mos qofsh e kotë
    Dhembje në Gur Martini (Azem Shkreli)

    Sylejman Shaqiri – “…Nuk e nisha vetën të përgaditun me i ba nji intervistë profesioniste paske qenë edhe si fillestare. Shkallë e lartë e përgjegjësisë…! Krenar me Ty!

    Naime Beqiraj – Drejtor, gazeta në të cilën punoja (Bota e re), arriti shifrën ne mbi 100.000 kopje asokohe pas ndalimit të Rilindjes, ndaj përgjëgjësia ishte e konsiderueshme. Kishte 7 vjet që publikoja dhe mësuesi im që më drejtoj për peshën e fjalës – Azem Shkreli thoshte se këtë peshë e kishte mësuar nga vetë Martini!

    Uk Lushi – Naime Beqiraj, më kujtohet kur foli në Sallën e Kuqe. Flokët e lëmojta të bardha. Setrën me stil, kravatë dhe këmishë të bardhë. Një zotni i vërtetë. Edhe sot mbaj mend si mundohesha ta internalizoja si ndihej pas dekadash mungesë në atë sallë, ku, qartas dhe tejdukshëm, e shihnin gati me adhurim. Prej atëherë kam pasë shumë mendime për të dhe veprën e jetën e tij. Në disa raste edhe dilema, por kurrë s’ kam pushuar ta konsideroj shkrimtarin ndër më zotërinjët shqiptarë. Fotoja jote më ringjalli nga ato ndjenja diku para 28-29 vitesh. Patjetër një suvenir special që e ke.

    Naime Beqiraj – Më kujtohet ajo ditë e fundgushtit 1990, në sallën e Kuqe. Më kujtohet edhe ligjërata e Martin Camajt. Më kujtohet edhe Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti dhe një i tretë që dolën nga salla sa po e mbaroi ligjëratën Camaj. Disa reaguan se përse nuk i dëgjuan tri ligjëratat e albanologëve nga Shqipëria. Ç’të dëgjoje prej tyre, veçse gjëra të stërthëna e të ideologjizuara… Vërtetë bekim me e njoftë Martin Camajn, Sokratin e prozës, poezisë e të mendimit shqiptar

    Naime Beqiraj – 20 minuta që nuk harrohen!
    Pamja e tij, e folmja – ishin elegante si vepra që na la. Dy vjet e gjysë mbas ktij takimi, Martini ndrroj jetë
    Nuk kam pa burrë shqiptar mâ t’pashëm

    Riza Krasniqi – Ju lumtë Naime. Po kemi nevojë me na gëzue kështu me kujtime të paharueshme!

    Naime Beqiraj – Profesor Riza, ju si mik i afërt i Azem Shkrelit e dini të vërtetën.
    -Libri ‘Nji fyell nder male’ që mu dha dhuratë kur e kreva klasën me sukses të shkëlqyeshëm, me nxiti të merrem me poezi! Martini prej s’largu e krijoi një Azem Shkrel që u realizua po në ato koordinata
    Asht ‘Guri i Martinit’!

    Agim Bajrami – Foto shumë e bukur! Më i bukur mbetet kujtimi me nj’at princ t’arratisun t’letrave shqyp!

    Naime Beqiraj – Sa epitet të bukur! Princ… Antoni me tregon se si në Beograd ku studionte, studenteshat e quanin Sulltan!
    Aq bukuri e sharm kishte!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook