Takimi i fundit me Dom Lazër Shantojën nga Lazër Radi

Dom Lazer Shantoja (1892-1945)

Dom Lazer Shantoja (1892-1945)

Takimi i fundit me Dom Lazër Shantojën

nga Lazër  Radi

Ishim në Burgun e Ri të Tiranës, n’at vit të ftoftë e të akullt, n’at janar ngricash e mornicash të vitit ’45…
Para portës së hekurt të burgut ndalon nji kamion ushtrie i zbuluem. Zakonisht, ksi lloj makinash sillnin të burgosunit e ri, po s’dukesh asgjà. Mbi karroceri nuk shifesh tjetër, veç nja dhjetë partizanë më mashinka në krahë. Mbasi zbritën nji njeri, që nisi me lëvizë kamba-doras, të dytin e kapën si leckë dhe e hodhën si dëngleshi mbi do zhele që i shtynë me kambë nga makina.
U ndigjue veç nji rankim i mbytun dhe mandej heshtje! Plakun që kishin zbritë të parin, duke e tërhjekë rrëshqanë ishte Sylçe Beg Bushati, dikur krenaria e Shkodrës, ndërsa i dyti, që e përplasën në cep të shkallës e që ishte i veshun krejt në të zeza ishte shkrimtari, poeti, muzikanti dhe prifti i “pianofortit”… Dom Lazër Shantoja.
O zot, po k’ta janë njerëz fisnikë! – pshëretiu dikush…
Protestuem për at sjellje brutale… po na kërcnuen se mund ta psonim të njajtin fat nëse guxonim me e hapë… gojën!
Asht kohë bishash… – u nëpërdhambëm dhe u pamë ndër sy…
Dolëm disa të burgosun, i çuem në kambë dhe duke i mbajtë përkrahësh me shumë mundim i futëm mbrenda. Po ku t’i sistemonim? Burgu qe kthye i gjithi në nji çerdhe milingonash. Ishte i tejmbushun me dykamsha njerzorë, që tashma kishin humbë çdo tipar njerzor, prej atyne bishave “çlirimtare”.
As kafshë s’mund të quheshim, sepse kafshët ishin të lira dhe gëzonin ma shumë të drejta se ne…
Andej këndej i mblodhëm do shtresa e do mbulesa dhe i sistemuem në nji korridor, diku afër banjos. Mbas do kohe, kur erdh në vedi, Dom Lazri po na shihte me rradhë si i hutuem dhe s’po njifte asnjenin prej nesh. Iu afrova edhe unë… I përmenda disa raste të përjetueme së bashku në Romë e në Tiranë. Por… asgja! Dikur vonë filloi nga pak me u kthjellë dhe na i kallzoi me shenja kockat e thyeme të kambve dhe plagët e hapuna në trup e të mbushuna me krypë.
Ndjemë tmerr…
Mbas disa ditësh erdhën dhe morën… ashtu  siç e kishin sjellë: rrëshqanë dhe e përplasën në nji birucë. Me nji gjykim somar (gjyq pa asnji procedurë normale) e dënuen me vdekje… U tha se e çuen diku në Breg të Lumit dhe meqë s’mund të qëndronte në kambë, pse i kishte krejt kockat e thyeme, e hodhën të gjallë në nji gropë… dhe  prej nalt e shkarkuen batare me “mashinka”.
Thanë se i mbuluen aty shpejt e shpejt me dhè, po askush s’e din nëse i mbuluen të gjallë apo të vdekun… sepse dikush thoshte që i mbuluen të gjallë me dhe…
O zot, deri kur…

1992

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Arkivi Dr. Lazër Radi, Artikuj 1991-1998  Etiketat: , , ,
3 Përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Ndoc Selimi:
    Dom Lazër Shantoja kishte shegert Mentor Xhemalin, ku Lazri i dha për herë të parë edukatën muzikore, pasi i binte pianos dhe e kishte në shtëpi. Sa filluan grumbullimet partizane, Xhemali iku dhe u kthye në kohën që u arrestua Dom Lazri. Kur shkuan në shtëpi të afërmit e tij për të marrë plaçkat, te dera u doli Mentor Xhemali dhe u tha: ” Ikni këpusni qafën, nëse nuk do të përfundoni edhe ju si ai krimineli.
    Këtu tani banoj une!”

  2. Jozef Radi Tha:

    Avni Delvina
    E thotë mirë Zotnia i shkrimit… Punë kafshësh!! (marrë nga fb.13.08.13)

  3. BROZ SIMONI Tha:

    Askurrgja s’kam ditë për Dom Lazër Shantojën edhe pse kishte kenë shkrimtar, përkthyes, njeri i letrave. Kisha krye studimet e Nalta për Letërsi. Vetëm, kur u emnova mësues në rrethin e Kukësit, diku në Kala të Dodës, rreth 8 orë larg qytetit, tuj ba regjistrimet në nji shpi n’fshatin Bushtricë, kur i zoti i shpisë po xirrte pasaportat nga nji arkë e vjetër që ishte edhe me libra, m’ra n’sy nji librec i vogël, doracak si me thanë “Libër xhepi”. E pashë me habi, ku shkruhej: “Net Kazanash”, Dom Lazër Shantoja. A… prift, – thashë me vedi. Ishte viti 1966, e nji vit mbrapa do të bahej kasaphana n’institucionet fetare. Megjithatë, kryezotshpiaku, mbasi ia kërkova librin, ma fali tuj thanë: “Merre, o Shkodër, se unë s’e marr fort vesht çka shkruen se asht gjuhë që s’e kuptoj. E ka pas pru e lanë qaty baba i jem kur patën hi partizant n’Shkodër, i kanë gjetë tanë librat t’hallakatme nëpër sokak. Kush mujte mblidhte aso librash, po shumica e partizanëve ishin gjinde e pashkollë, i gjuejshin me shkelma, po dikush edhe i merrte, si puna e babës tem, që s’ka ditë me lexue. E kemi mbajte krejt kot. – Merre, merre, – më tha 2 herë. Unë e mora, e lexova ku kishte gjana me të vërtetë të bukura, si: Kash e lasha (gjëagjëza), “tvetje pa përgjigje” (pyetje), si: Pse mica kur futet n’odë te dera; nji herë sheh majtas, nji herë djathtas e mandej hyn? (Përgjigja: “Se s’mundet me pa njikohësisht në të dy anët” ose “Kush t’man ma xet se nji tallagan? (Përgjigja: Dy tallagana). Çka ban gamari n’diell?! (Pergjigja: Hije) etj.etj. Kishte edhe anekdota. Për rrezik temin at libër dikush, ndoshta shokët, m’fal o Zot, ma morën, po nuk m’ra n’dore ma. S’mujta me bzajtë se ishte prift shkrimtari e shpesh me thoshin: Ha kaurr-kaurri si me shaka, po mue nuk më vinte mirë. Shpesh namshin: “T’preftë kaurri”! – e kishin fjalën për shkijet se diftojshin kacafytje të shpeshta me ta. Kangët e trimnis krejt në luftë me serbin i kishin…
    Me shkrue për Dom Lazrin, s’përfundoj kurrë..

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook