back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Takim me malësorin e veriut – nga Indro Montanelli (1939)

Gazeta

Indro Montanelli (1909-2001) - (bob krieger)
Indro Montanelli (1909-2001) – (foto bob krieger)

Takim me malësorin e veriut,

nga Indro Montanelli (1939)

“Malësori i veriut është burrë fizikisht i bukur.
I bukur pa spitullime: shtatlartë, i prerë në tiparet e gjalla, mashkullor në të gjitha shprehjet e tij, i drejtpërdrejtë; insktinkti dhe veprimi i shkrehen pothuajse njëkohësisht pa diafragmën e të menduarit.
Është burrë i ashpër, shkëmbor, i dalluar vetëm paksa nga flora dhe nga fauna që e rrethon. I vobegtë shumë dhe zotëri i madh, ka një prerje të vetën gjithë hijeshi, një denjësi edhe fizike, të pacenuar aspak prej varfërisë së petkave të tij dhe prej përkorës së jetës që çon.
Për nga tradita është blegtor, ndërsa për nga instinkti dhe nga natyra, fjalëpak.
Meraku i tij kryesor është t’i mjaftojë vetvetes, dhe kjo shpjegohet po të mbahet parasysh ngadalësia e lidhjeve sociale. Për një pjesë të mirë të ekzistimit të tij ai është i vetëm, i vetëm si person ose si kryefamiljar, përpara Zotit. Në dimrat e gjatë, kur dëborat zënë qafat malore, çdo marrëdhënie mes njerëzve bëhet e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Malësori i plotëson vetë të gjitha nevojat e jetës, robinson i përjetshëm, por robinson më shumë i plogët se kërkues. Bën dru dhe qymyr, farkëton vetë kazanin për të zier misrin, ushqim i tiji kryesor, ngre me mur oxhakun e vet, e ndërton vetë shtëpinë, e pajis atë vetë me orendi në mënyrë shumë të thjeshtuar, por jo pa një kriter estetik: të dendura janë punimet e gdhendjes ose të argjendarisë që takon në këto banesa edhe shpesh janë punime me vlerë, të qëndisura me durim vitesh nga duar artizane të prira vetvetishëm drejt bukurisë, një bukuri e qashtër, njomëzake, gjithë ndjesi, pa aspak tru, pikërisht si i shkon përshtat bukurisë së vërtetë.
.
Indro Montanelli - Albania Una e Mille
Indro Montanelli – Albania Una e Mille
Mbeta i befasuar dhe i tronditur para do përdorësesh blegtorësh mirditorë që stolisnin banesat e tyre, gjethe fiku me lakuriqësi spartane. Do të kisha dashur të blija disa syresh, por kur ua kërkova këtë bujtësve të mi, ata u nxituan të m’i bënin dhuratë, dhe atëherë m’u desh të heshtja.
Sepse ky shqiptar i veriut, ky bari mjeran, është në mjerimin e tij, zotëri i madh. Është estet, jo tregtar. Nuk e kupton paranë dhe, tekefundit, nuk do të dinte çfarë të bënte me të: ai nuk shet, dhuron. Dhe ti, borgjez perëndimor, mbetesh i druajtur e plot nderim para kësaj bujarie krejt të vetvetishme, të çiltër, pa kurrfarë dëshire për t’u dukur. Edhe të vjen turp që je njeri i qytetëruar”.
Përktheu: Aurel Plasari
.
Marrë nga muri i Fb. i Kastriot Markut, 29 qershor 2020
.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.