Tahir Kolgjini: Shqiptarët n’Jugosllavi dhe gjuha e unjisuar (Shejzat)

Tahir Kolgjini (1903-1988)

Tahir Kolgjini (1903-1988)

Takim me vizionarët…

nga Jozef Radi

Gjithnji i kam adhurue vizionarët…
Janë Ata që jetojnë njiherësh kohën e tyne po edhe krejt kohnat që vijnë mbas, pa pasë asnjiherë nevojë me u retushue… janë Ata që të mësojnë mos me iu gëzue fort gjanave të përkohshme… po na shtyjnë njiherit me pà pak ma larg, pak ma mirë dhe pak ma nalt… Tahir Kolgjini asht njeni prej legjionit të vizionarve shqiptarë, dhe unë me nji ndjesë të heshtun në vetvedi, po futem pak nga pak n’at botën e tij sa komplekse aq edhe magjike gërmueshëm si ai mini, dhe s’mundem me shprehë asgja ma tepër se: edhe pse tejet me vonesë, Ai po e pushton ditë mbas dite adhurimin tim me pamjeb e Vizionarit…
Takimi i paradokohshëm me Tahir Kolgjinin përmes poemthit “Flijimet e Nanës Shqiptare” ma së pari më befasoi, mandej më mahniti dhe në fund më la ashtu gojhapët, si para zbulimit të nji statuje madhështore… Ndërsa sot, kam takue nji tjetër Tahir Kolgjin… At që flet si gjuhtar dhe albanolog, dhe flet fill mbas Kongresit të famshëm të Drejtshkrimit… Flet qetë dhe pa asnji grafullim shpirtnor, me shumë kompetencë dhe autoritet… asnji zemërim, asnji mllef… arsye e kulluet… për nji territor jashtë juridiksionit të Shtetit Shqiptar… që ka vendosë firmën n’at Kongres Drejt-shkrues!!! Flet dhe sheh larg… sheh atë çka pakkush e shihte n’at kohë… I sheh shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipnisë bashkë… po sheh edhe se njenës degë të “Drinit” duen me ia pre ujin… dhe ai ndalet dhe shpjegon e shpjegon… ashtu qetë e mahnitshëm… i sigurt se fjala e tij edhe nëse nuk zen vend në çastin kur ai shkruen (asht fjala per vitin 1974), asht ma se i sigurt se ka me i ardhë dita dhe ai mendim ka me zanë vendin e merituem…
Unë e thashë fjalën time…! thotë Ai… Ashtu them edhe unë, sepse u mundova mos me e teprue askund… dhe kam me vazhdue me mbetë mendimit se njoftja e veprës së Tahir Kolgjinit e zgjanon konceptin e dashnisë ndaj gjuhës, kulturës dhe kombit shqiptar…
Pse ne fakt ky asht roli i vizionarve… dhe jam i sigurt se Tahir Kolgjini ka me mbetë i tillë.
9 tetor 2013

Tahir Kolgjini (1903-1988)

Tahir Kolgjini (1903-1988)

Tahir Kolgjini:

Shqiptarët në Jugosllavi dhe gjuha e unjisuar (Shejzat)

Dy dialektet kryesore dhe pikëpamja e jonë

Para disa vjetve, në Prishtinë, qè mârrun nji vendim. Simbas këtij vendimi, aty – e prá, prej të gjithë shqiptarëve në Jugosllaví – si gjuhë shkrimi do të përdorej gjuha e unjisuar, e cilla, e imponueme prej regjimit komunist, âsht përdorun dhe po përdoret në Shqipní. Kjo shprehje, qi âsht pagzue “gjuhe e unjisuar”, paraqet të gjitha tiparet e dialektit toskënisht.
Vendimi i marrun si mâ sipër, ndoshta, mund të jetë ndikue nga ndonji rrethânë. Aj, mund të ketë parapamë, ndoshta, ndonji përfundim dobíprues, qi unë, ose nuk mund ta çmoj, ose nuk mund ta shfaqij për nji arsye, o për nji tjetër. Hë për hë mund të na vijë ndërmend rrafshi kulturuer dhe tekstet e botueme në Shqipní, të cillat, mund t’iu apin nji ndihmë shqiptarëve jashta kufinit. Janë arsye të forta, qi nuk mund t’iu mohohet rândësíja.
Tirana, me anë tekstesh, ndoshta, don me i afrue shqiptarët e Jugosllavísë qi të kenë lakmí për sistemin komunist të zbatuem në Shqipní, mbassi ajo, komunizmin Jugosllav po e cillëson revizionist dhe nuk po ia kursen kritikat n’asnji rasë. Ndoshta, mund të jetë tërthoras, ndonji kûnj i huej, për t’i largue shqiptarët e atjeshëm nga shprehjet e tyne, tue i lânun as te hapa, as te hipa.
Mirëpo, sido qi të jenë arsyet, mâ para duhet te kemi parasysh elementin, qi përbân nji milion e gjymës shqiptarë. Na, e dijmë se, shqiptarët në Jugosllaví, e kanë pasun të ndalueme shkollën shqipe deri në vjetin 1941. Jo veç shkollën shqipe; por, si prej perandorísë Osmane, ashtu dhe prej imperializmit serb, ata, qi guxojshin me shkrue e me këndue gjuhën e tyne, shqipen, ndëshkoheshin me ndëshkime të rânda si me pasë bâmë ndonji krim.
Si e tham, në vendet shqiptare, qi sod ndodhen nën sundimin e Jugosllavísë, shkolla shqipe, ishte themelue vetëm në vjetin 1941. Me gjithë këtê, ajo, mbas pak vjetve, qe shtërngue me u përshkue nëpër gryka të ngushta e nëpër kthesa të vështíra. Me shum mundime mbërrini në shkallën e sodshme. Dredhinat e shovenizmit, qenë të tmerrshme për t’i vûmë ndërkambëzën shkollës shqipe. Me dasína, me përçamje, me shkallmime arsimtarësh, me përzânje mësimdhânsash e me lloje torturash morale e materiale, shovenizmi, u përpoq me ia nxjerrun rrânjzat në diell shkollës shqipe. U krijuen pakica të páqenuna nepër qytete. U themeluen shkolla jo shqipe pá asnji kriter dhe pá vullnetin e popullit. Banorë të ndryshëm shqiptarë, u shtërnguen prej veglave të shovenizmit serb qi t’i dërgojnë fëmijtë e tyne në shkollat turke.
Edhe sod, gjendja e elementit shqiptár, qi banon në krahinën e quejtun Makedoní, nuk shfaqet në përshtatje me dëshirin e popullit. Për shembull, disa katunde shqiptare në Rekë, për të vetmen arsye pse janë të besimit orthodoks, shkollat e tyne i kanë sllavisht. Koha, ndoshta, dikuer, do ta normalizojë gjendjen edhe këtu. Mbi të tilla padrejtësina, para disá vjetve, pata shkrue nji serí artikujsh, me të cillët âsht lajmue bota shqiptare.
* * *
Vallë, ky popull, me nji jetë shkollore kaq të shkurtë e kaq të çalë, a mund të jetë brumzue n’atë shkallë sa të jetë në gjendje me e përvetue dhe me e honepsun edhe toskënishten, e cilla, i âsht imponue me markën “gjuha e unjisuar”?
Nuk më besohet. Ata qi e besojnë, më duket se janë optimista të tepruem. Sikurse kemi asish prej jugut, qi ene nuk janë në gjendje me i përngjitun me njana tjetrën katër a pesë fjalë gegnisht, ashtu kemi edhe prej veriut, qi e kanë të vështirë me e përvetue toskënishten. Nji katund, qi shifet, udhërrëfyes nuk don!…
A thue me kët masë a mund të jetë synue ndonji revolucion gjuhësuer? Malum!… Disá nga shqiptarët t’onë, janë revolucionarë të mëdhaj. Në kohë disi të kalueme, ishte e modës me i paraqitun njerzt, tue i cillësue si revolucionarë: “Âsht nji revolucionar i madh!…”. Aní në kafe Kursal në kërthizë të Tiranës… Ata, qi luejshin pokerin, të gjithë ishin revolucionarë(!)…
Simbas mendimit t’em, revolucioni në lâmën e gjuhësisë, nuk vlen as sá ban miza në fletë. Për mâ tepâr, âsht edhe i dâmshëm; sepse, shkakton kalaveshje e ndërlikime në gjuhë. Ata, qi janë teknikët e gjuhës, e dijnë mâ mirë se gjuha, âsht pjella e evolucionit e jo e revolucionit. Çâshtja e gjuhës, nuk iu përgjanë çâshtjeve tjera. Gjuha, lenë prej nevojës. Ajo, me revolucion, përcëllohet; por, nuk piqet.
U lodh bota me revolucione; por, përfundimi, si thotë populli, pesë me hiç. N’ato vende, ku po zbatohet evolucioni, popujt, në çdo shtresë po shkojnë përpara me hapa të shpejtë e të sigurt, pa i rrjedhun ndokuej gjak hundësh. Ndërsá, në vendet revolucionare përparimi, po hec “…rrëzou e çou dhe vetëm në sipërfaqe!” Shtresat e popullit, po qëndrojnë harû e gjithënji me duer në gjí, tue u zhytun në frikë e në mizerje.
Kur bisedoj mbi revolucione, e kam fjalën në përgjithësí. Nuk jam tue e dallue ndonjanin prej tjetrit, simbas ngjyrës, qi paraqesin.
Patjetër diktatorit, ose klikës së diktaturës, veprat e veta i duken të shkëlqyeshme, për shkak se diktatori vetë, ose klika e tij, e sodit vendin prej s’nalti nga maja e kodrës…
Plasi tue bâmë revolucione Amerika Latine; por, mbolli frymë e korri erë. Eja njâni e mbush e eja tjetri e derdh!… Nuk qè e mundun qi të shkonte pendë, jo me Shtetet e Bashkueme t’Amerikës; por, as me Kanada-n.
Njeriu, në çdo punë, mâ para duhet të dojë, të dashunojë, të ket zell, të ket vullnet dhe, mandej, të veprojë. Po t’i mungojnë këto, njeriu, vepron si robot. E veprimi si robot, nuk depërton në të gjitha skutat e mbrendís së njeriut. Nuk i vê në lëvizje të tana energjinat e tija. Roboti, mund të vlejë vetëm në përmbushjen e njij norme lândore, për të cillën âsht praktikue. Aj, nuk vlen, kur veprimtaríja, ka lidhje me ndiesí e me gjykim.
* * *
A na shtërngon ndonji arsye qi t’i imponohet shqiptarit në Jugosllaví, dialekti i Jugut, si “gjuhë e unjisuar”? Për me mundun me iu përgjegjun kësaj pyetjeje, po më duhet me i hŷmë nji krahasimi si shkeleshko midis dy dialekteve, tue i përmbledhun pikëpamjet e mija këtu poshtë:

Poezi nga Tahir Kolgjini

Poezi nga Tahir Kolgjini

I – Foljet e paskajueme

a) Në gegnishte foljet e paskajueme, prîhen prej njij “me”-je: me ardhun, me shkue, me dorzue e tjera. Këto folje, iu përgjegjen verbave italisht: venire, andare, consegnare.
Toskënishtja, kët formë nuk e ka. Tue përjashtue foljen “me qenë”, kët formë t’infinitivit nuk e përdor. Në vend të formave, qi përdoren në gegnishte, toskënishtja, përdorë: T’ardhur, të shkuar dhe të dorëzuar.
Format, qi përdoren në toskënishte, mjaftojnë sá për me u shprehun me to; por, nuk i përgjegjen shprehjes së pasun gjuhësore. Gjithashtu, nuk e kanë aq vleftën e ushtrimeve në gjuhë tjera, në gjuhë të përparueme. Për shembull, kur thomi:
-”Âsht ma mirë me vdekun me nderë se me jetue me turp!”, tregojmë nji idé pa e lidhun me me ndonji person dhe me ndonji kohë. Kët idé, pikë për pikë, nuk mund t’a shprehim me format e toskënishtes. Do të thojshim: “Ështe më mirë të vdesish me nderë se të jetojsh me turp”, ose “Ësht më mirë të vdekurit me nderë se të jetuarit me turp!”.
Si shifet, format e infinitivit të përdoruna në toskënishte, nuk e kanë nuancën e formave të gegnishtes. Ndryshe përkthehet në nji gjuhë të huej fraza e sipërme gegënisht; ndryshe përkthehet ajo toskënisht.
Format, si mâ sipër, të toskënishtes, janë edhe në gegnishte: T’ardhun, të shkuem, të dorëzuem. Por, kuptimi i këtyne, ndryshon nga aj i infinitivit. Janë emna foljorë. Kur thomi: “Të dorëzuemt e materialit” âsht tjetër; kur thomi: “Me dorëzue materialin” asht tjetër.
b)Toskënishja, Infinitiv-in dhe Emnin Foljor i përmbledh në nji formë të vetme. Kjo, âsht nji mungesë për tê. Kur i kemi në forma të veçanta, përse të mos i përdorim? A do t’ishte e udhës me bojkotue, ose mâ mirë të thomi, me leçitun nji pjesë të shqipes? Në kët mënyrë, gjuha, në vend qi të zgjanohet, tue lëshue dega, rrêma e ngállore, vjen e kufizohet në nji rreth të ngushtë.
c)Në gegnishte kemi foljet pusore (pësore) si: Me u shkrue, me u kujtue, me u shpalue e tjera. Këto, i gjegjen, të thomi, italishtes: Scriversi, ricordarsi, e spiegarsi. Në çdo gjuhë tjetër janë këto forma. Toskënishtja, këto nuk i ka fare.
Me sá shpaluem deri këtu, merret vesht se, ata, qi merren me gjuhësí, e pranojnë kêt bâmë. Prandej, nuk do t’ishte e drejtë me ngulmue përpara këtij fakti, qi duket lakuriq.

II – Disá folje ndihmëtore

a)Gegënishtja, ka formën e verbit: Desh u rrëzova, desh u ngatrrova, desh e mbyti, desh e pata vramë, desh e kishe thyem, desh e kishte zemrue e tjera. Âsht nji formë, qi nuk po e dij, në se âsht përfshime në gramatikat t’ona; por, toskënishtja, nuk e ka.
Kësaj forme kishim me i thânun “forma afrimore”. Në gjuhët orientale quhet “fiil-i takribi”. Kjo formë, për kohën e kalueme, tregon nji vepër, e cilla ka mbetun pa u kryem, d.m.th. pa u përmbarue, për arsye të pavaruna nga vullneti i auktorit.
Toskënishtja, kuptimin e kësaj forme e shprehë: Gati u rrëzova, gati u ngatrrova e tjera. Këto forma i ka dhe i përdorë edhe gegnishtja; por, si e tham, ajo, për mâ tepër, ka dhe format e saja të sipërshenueme. Prandej, âsht me nji përmbajtje mâ të gjânë e mâ të pasun.
b)Gegënishtja, ka formën e verbit: Kesh t’a dij, kesh t’a dijshë, kesh t’a dije, kesh t’a dijmë, kesh t’a dijni, kesh t’a dijnë; kesh t’a kem dijtun, kesh t’a kishem dijtun, kesh t’a kishem pasë dijtun e tjera.v
Kjo formë meriton nji studim t’imtë prej kompetentave. Unë, kët formë kishem me e quejtun “formë urimore”. Në gjuhët orientale quhet “fiil-i temenni”. Âsht nji formë e veçantë e dëshrores. Toskënishtja, në mënyrë të përshkrueme, kët formë nuk e ka. Fishta, në Lahutën e vet, të dyja i kapërdorun.
c)Folja dëshrore në gegënishte, ka edhe nji formë tjetër të posaçme: Hangerté dreqi, gjofti rrufeja, vrafti ora, mârrté lumi… e tjera. Vërtet janë përdorime të rralla; por, janë. Dhe mund të shtohen me përpunimin e gjuhës.
Kët formë toskënishtja, nuk e ka.
Si shifet, zanoret në fund të këtyne fjalëve, janë të gjata. Janë të gjata, sepse, janë – në të vërtetë – dy zanore. Përnjimend, kur thomi “hangërté dreqi” duem me thanun “e hangërtë dreqi”. Mandej, “e”-ja, qi tregon nji përemën vehtor e qi âsht kundrinë, kur vjen në fund, merr formën “hangërtee”. Tash, ndeshemi përpara dy zanoreve. Prandej, hjekim zanoren e parë dhe të dytës i vêmë nji theks të gjatë. Dhe kështu, mbërrimë në formën “hangërté”.

III – Përdorimi i foljeve ndihmëtore në Kosovë

Shprehja e Kosovës, në përdorimin e foljeve ndihmëtore, ka nji epërsí, jo veç mbi toskënishten; por, edhe mbi shprehjet e gegënishtes së përdorun në disa vende. Në fakt, Kosova, në përshtatje me gjuhët tjera motra, përdorë: Jam ardhun, jam shkue e tjera. Ndërsa, pjesa tjetër e Shqipnís, përdorë: Kam ardhun, kam shkue e tjera.

IV- Format e ndryshme mbiemnore

a) Gegnishtja, i ka të plota format mbiemnore, qi, në vetëvehte, tregojnë nji kuptim merite, ose nji kuptim mundsije. Fjala vjen: i parapëlqyeshëm, i përshkrueshëm, i lakueshëm, i pagueshëm e tjera. Këto, iu përgjegjen italishtes: Preferibile, descrivibile, inclinabile, pagabile, etjera. Në strukturën e vet, toskënishtes, mbiemnat e kësaj kategorije, i mungojnë. Nëse sod përdoren, ky përdorim, âsht ndikue prej gegnishtes. Ky përdorim buron nga dëshiri për të zgjânue sheshin e shprehjes. Do t’ishte sá mâ mirë qi t’ishte synue dhe harmonizimi i gjuhës.
b)Toskënishtes i mungojnë mbiemnat, qi mbarojnë me “em” dhe me “un” e qi dallohen nga pikëpamja e gjinís, tue mârrun nji e- në fund. F.v.: Libër i shkruem, letër e shkrueme, djal i fejuem, vajzë e fejueme, i kuptueshëm, e kuptueshëme dhe xhaqet i qepun, këmishë e qepune, premtim i dhânun, fjalë e dhânunë.
Toskënishtja, në kët kategorí mbiemnash, gjinín nuk e dallon. Ajo, shprehet: Libër i shkruar, letër e shkruar, djal i fejuar, vajzë e fejuar, xhaqet i qepur, këmishë e qepur. Të njejtën formë për të dy palët…
Dikush, mund të thotë se, gjiníja, kuptohet nga i-ja ose e-ja, qi vjen para mbiemnit. P.sh.: …i shkruar, … e shkruar…
Përgjegjemi: – “Shkronja i- ose e-, qi vjen para mbiemnit, nuk ka ndonji funkcion me femnue, ose me mashkullue mbiemnin. Këto, janë lidhësa, d.m.th., lidhin dy fjalët, qi përbajnë plotsorin. Këtê e çmojnë ata, qi mêrren me pjesën teknike të gjuhës.

V- Emna me kuptime foljore

Në gegënishte kanë nji përdorim të gjanë format: Lakueshëmeni, përshkrueshëmeni, pagueshëmeni, thyeshëmeni e tjera. Këto, i përgjegjen italishtes: Inclinabilità, descrittività, pagabilità, frazionabilità e tjera. Këto forma, nuk gjinden në toskënishte. Vërtet, përdoren: Lakueshmëri, përshkruashmëri, paguashmëri, thyeshmëri e tjera; por, janë forma t’huajtuna prej gegënishtes.

VI – Mjeshtrija në kuvend

Gegníja në përgjithësí e, sidomos, pjesa malsore, në bisedimet figurative, mban nji vend të veçantë prej krahinave tjera të Shqipnís. Banorët e maleve dhe të Kosovës, janë mjeshtër përkah tregimi dhe të hollë përkah përshkrimi. Ka mbetun si fjalí e klishueme: – “Gjuhën e maleve të Dibrës e marrin vesht zogjt e maleve të Shkodrës”.
S’ka dyshim se, gegnishtja, ka nji thesár fjalësh e shprehjesh shum të pasun. Këto fjalë, ene nuk kanë zanun vend, si duhet, në gjuhën e shkrueme, për arsye se, deri sod, nuk janë bamë kërkime e hulumtime kudo. Për t’i mbledhun këto fjalë, âsht nevoja me ardhun në mârrëdhânje me popull dhe me jetue, për të gjatë mot, në gjinín e ‘tij. Edhe për toskënishten, nuk po thom se, fjalët e saja, jane notue të tâna. Jo. Fjalët e dy dialekteve, ka për t’i mbledhun e për t’i grumbullue koha e ardhshëme. Unë, thom se, gegnishtja, edhe për sa i përket vokabolarit, âsht mâ e pasun se toskënishtja.
Unë, për llogarín t’eme, nuk mund t’i daj. Ato dhe këto, janë pasuní e përbashkët e shqipes. Në çdo skaj qi të jetë, kur t’a gjejmë nji fjalë, duhet t’a përdorim, tue e vumë në vendin e përshtatshëm.
Âsht për t’u mburrun, kur mendojmë se, si populli i ynë, qi ka qenë me shpirt ndër dhâmbë gjatë mija vjetve, ka mund me e ruejtun gjuhën e vet. Me armë në dorë e me zjarm në gji!… Për kët popull duhet me u flijue. Aní, pse ndokush, pá hymë me i peshue vlerat e tija morale dhe pá hymë me i shoshitun rrethanat e ndryshme historike, tregon pesimizmë për të.
Veçanisht, duhet t’iu jemi mirënjoftësa maleve, të cillat, tue e pasë thurun vendin t’onë rreth e rrotull, kanë formue nji pritë, qi nuk ka mund anmiku me e kapërcyem pá vûmë në rrezik rradaken e vet.
Ky popull, ishte aj, qi, dikuër, pat formue perandorína, si ajo e Illërís – Illiris – dhe e Makedonís. Ky, edhe kur u zgjidh, pat fërkue brînat me forca imperiale n’epokat e ndryshme. Për trimní e për heroizmë, mos e kërko mâ të mirë në ftyrë të botës. Bile, edhe sod, me gjithë qi regjimi i terrorit, po ban çmos për t’a shfisnue, aj, po e provon se, po ruen me kujdes e me fanatizmë cillësínat e lavdishme të trashigueme prej të parëve të vet. Nuk ka ramë shpirtënisht. Nuk âsht shkllahun.
Prá, na, jemi – dhe duhet te jemi – krénarë si pinjoj të këtij populli.
Âsht nji fakt sihariques se, populli shqiptár, sod, pá dallim féje dhe pá dallim krahine, âsht bashkue; âsht njitrupzue. Çdo shqiptari i rreh nji zemër e përbashkët. Pra, do të vijë nji kohë – dhe shpejt – qi shqiptarët, do të kenë të përbashkët dhe gjuhën; por, pá imponime e pá dhunime.

VII – Shka i pat mungue shqipes së Kosovës?

Po. Na duhet të pyetim: “Shka i mungon shqipes së Kosovarit, qi i âsht imponue dialekti i Jugut si gjuhë e unjisuar? Kosova, në kuadrin e perandorís Illiriane, me emnin ‘Dardania’ ka përfaqsue nji pjesë të saj, tue qenë në kërthizën e Illërís. Pra, si e tillë, âsht djepi i shqiptarís. Kangët e Mujës dhe të Halilit, qi frymzojnë popullin për t’u pajue me cillësína burrënore, me vetmohim e me vetmbrojtje, vallë, a nuk janë prodhimi i popullit Kosovár?
A nuk jehon në këto vende kânga e gjatë – 12 pash! – e Dem Ahmetit, e cilla, arsen shqiptarin se si duhet me e pranue vdekjen, për të ruejtun nderin dhe paprekëshmenin e familjes shqiptare, kur kjo, dhunohet?!
A nuk gurgullojnë në Kosovë, si nji lum i páshterrshëm, rapsodinat, kângët e pá njehuna të trimnís së popullit, qi na këshillojnë me e bâmë vdekjen si me lemë, âsht fjala për mbrojtjen e atdheut?

Ju lash Plave, ju lash Gusí
Me m’i ndejt’ Knazit karshí
Dath’e deshë në borë e n’shí
Bukën thatë krypën përmbí…
Kët Shqipní Ju, me m’a pruejtun,
I Madhi Zot për me m’a ruejtun.”

* * *
“Krisi pushka n’at zabel,
Thuej Mahmutit: – A s’po del?
Nuk dal Mahmuti i gjallë!
Kam nisë luftë me pashallarë…”

* * *
“Smajl Arifi, fjalë ka çue,
Shaqir Agës kush ia thue:
A s’po vjen sod me m’ndihmue?
- Kam Selimin me t’a çue…”

* * *
“Xhavit Pasha, fjalë ka çue:
Thuej Islamit: – Me m’përgjue,
Dhetë tabore t’kam drejtue,
Me e djege Lumën, m’e farue!…”

* * *
“Falmi, Zot, krahët si pllumbi,
Krah’t si pllumbi me flutrue,
Prej Hallaçit sod me p’shtue.”

Janë të pá numerueshme, të tilla kângë trimnije. Këto i ka thurun poeti populluer, qi nuk ka qenë i shkolluem aspak. I ka thurun për mrekullí me gjuhën e vet të pastër, me shqipen, qi e ka ruejtun gjatë shekujve, porsi dritat e syve.
Këto vargje, janë, qi na i kanë ruejtun, na i kanë ushqyem e na i kanë këndellun ndiesinat kombtare. Po këto vargje, janë, qi e kanë hjedhun kët popull kundra anmikut dhunimtar, porsi luaj të përdhosun (t’azdisun).
Nëse Fishta, mundi me përpilue nji epopé të pashoqe në letërsín shqiptare, kjo, nuk ka burue vetëm nga talenti poetik i tij. Aj, po prej këtij populli ka qenë i ndikuem. Prandej, në qoftë se na jemi mirënjoftësa të Fishtës me admirim në lâmen letrare, edhe Aj, pá dyshim, ka qenë mirënjoftës i këtij populli.
Po të mos ishin shprehjet e gjalla heroike të këtij populli, si kishin me shkrepun në fantazín e Poetit, ato përshkrime të mrekulluesheme trimnije e burrënije?
Po të mos kishte shkrimë, Oso Kuka, vehten në kullë të barutit dhe po të mos e kishte kângëtue populli kët gjest sipërtrimnuer me qiteli, si do t’ishin përftue vargjet:

“Se s’ke pà shqiptár me sy,
Qi djeg vedin edhe ty!…”
apo
“Te del dielli e prendon hâna
Oso Kukë, mâ, nuk bân nâna!…”
Asimja, sall ajo vetëm, kishte me mjaftue dhe me teprue, për të simbolizue ndershëmenín dhe trimnín e grues shqiptare. Meriton nji përmendore:
“Prit me mot e prit me vjet,
Pushka e Lilit, s’po kërset!”

Ndodhinë historike e gjatë në Kosovë…
Asaj, i kishin dhunue nderin. Priti qi i shoqi, si burrë, t’ishte hjedhun për me ia çue nderin ne vend. Kur pà se aj, i kishte shtimë veshët në lesh e nuk interesohej për kët çështje, atëherë, i përvol krahët vetë dhe i zbardhi faqet e veta, tue ia mbushun barkun me plumba dhunimtarit shtazarak.
Poeti populluer, Asimes i dha të drejtën e meritueshme, tue e naltsue në kupë të qiellës. Edhe të shoqin, Lil Begracën e krodhi shtatë pash tokë thellë për sjelljen e tij të poshtër.

VIII – Po për dashnorë e dashnore?

Të jemi krejt të sigurtë se, edhe në kët pjesë të jetës, përgjithësisht shqiptarët, qi ndodhen ndën sundimin e Jugosllavís, nuk kanë shka marrin uhá prej krahinave tjera të Shqipnís. Të gjitha ato, qi duhen, i zotnojnë vetë. Shqiptarët në Jugosllaví, të bâshëm e të páshëm për shtat, të bukur për ftyrë e gjymtyrë, të rritun në klimë të mirë e të pastër, të zhvilluem në begatí ushqimi dhe të shëndoshë sá me iu pasun lakmí, nuk kanë asnji fije nevojë për udhëzimin e tjerëve në lâmën e “amore”-s… Ky popull, âsht aj, qi ka vargjazitun:

“Zek Hajdini nji zog sokoli,
Pak pá vdekë nji fjal’e foli:
- Amanet mori komshi,
Bajma vorrin n’at çeli,
Të vijë Rrushja, të m’qajë përmbi.
Qaj mori Rrushe, qaj me mend,
Emnin t’em mos m’a përmend,
Kah jem kanë çoban me dhen,
Kah jem’ kanë e kem’ kërkue,
Hije n’hije, krue n’krue…”

* * *
“Shkurta e Hokrrit sýn e zi,
Lidh mjedisin me shami,
Plasua zemrën djelve t’ri…”

Le të më ndiejnë lexuesat e dashtun se nuk po due me hymë nëpër lluga në kët moshë të kohnueme. Mund të mbetem mbrenda… Sá ka fund dashunija, aq kanë mbarim kângët e buta. Le t’i grahin ata, qi janë mâ të rij e ma të ngéshëm… Unë, mundem me thânun se, përshkrimet e dashunís në popullin shqiptar, qi ndodhen mbrenda kufijve të Jugosllavís, janë si deti i páfund.

* * *
Në përpjestim me ndiesinat e tyne trimnore e dashunore, vijnë vallet mahnitëse të burrave e të grave, kângët darsmore, vajtimet e përmortëshme dhe zotsíja e ligjërimit në kuvend.
Na duhet me e pohue se, kjo pjesë e shqiptarëve, âsht mâ e pasuna në zakone, në tradita, në folkloristikë dhe në çdo lâmë të vlerave kombtare. Kosova lodron në kalë të shalës mâ tepër se çdo vend tjetër ne Shqipní. Kosovari, zê vendin mâ të dalluem për bujarí, si bukëdhânë e mikpritës. Âsht mâ sedrari në veshje, në mbathje e në mbajtjen e armës. Përmbi pushkën e tij, nuk âsht kollaj qi të vehet ndonji pushkë tjetër. Aj, din me përgëdhelun e din edhe me u acarue. Gjithashtu, simbas nevojës, din edhe me lavdue e me çupue.
Nëse Kosova – kur thom Kosova, kam për qellim të gjitha vendet e banueme prej shqiptarësh -, ka mbetun jashta kufijve të Shqipníse, kjo, nuk ka rrjedhun për fajin, ose për të mêtën e kosovarëve. Kjo, ka ndodhun nga padrejtësíja e shteteve të mëdhaja imperialiste, qi, n’ate kohë, tue mos zbatue parimet e vetvendosjes, i krijuen botës nji flakada, ku mâ vonë edhe vetë, u zharritën në tê mbrenda.
Nëqoftëse disá prej nesh, nuk e njofin Kosovën, si duhet, nuk âsht as faji i ynë, as i kosovarëve. Nuk po i ngucim këto dregëza të kohës së kalueme. Kemi asish, qi kërkimin e Kosovës e kanë quejtun shovenizmë dhe Kosovën nuk e kanë pamë fare. S’kanë denjue qi të vénë e t’a shofin kët vend të bukur e të begatshëm, qi na e lanë katërgjyshat t’onë. S’kanë denjue qi të vénë e t’i shofin vëllazënt e tyne në gjuhë, në gjak, në kostume e qi zbritshin prej njij trungu të përbashkët.
Edhe prej nacionalistave kemi asish, qi sod, kanë monopolizue të drejtën me dirigjue Shqipnín. Kurse dje, e kishin në dorë me e njoftun s’afërmi Kosovën dhe kosovarin. Nuk u treguen kureshtarë për ta njoftun se ç’ishte ky vend dhe ç’ishin banorët e tij. Nuk ia panë turinin as Kosovës, as kosovarit.
Kushdo qoftë, le të qëndroje krye për krye me përgjegjësín e vet morale e materiale. Krye për krye me ndërgjegjen e vet të lëngueme. Tekembramja, edhe këta, janë bashkue, tash, me opinionin e përgjithëshëm shqiptár, përsa i përket kësaj çâshtjeje. Mâ mirë vonë se kurr!…
Mbassi i ka ardhun shteku, këtu, do të lejohem me shënue nji çashtje me rândësí historike, të cillën mâ shpaloi nji personalitet shqiptár, qi mêrret ngushtas me historí. Aj më tha:
“Disá, qi mêrren me historí, pretendojne se, shqiptarët,j anë vendosun në Kosovë, mbas pushtimit të saj dhe të Shqipnís prej perandorís Osmane. Janë dynun, thonë ata, nga malsinat dhe kanë ramë në fusha të gjâna e pjellore. Pikëpamja e tyne, âsht krejt gabim. Nuk e kanë studjue çâshtjen rrânjësisht. Unë, n’arkivën e kryeministrís turke në Stamboll, kam gjetun nji defter të madh (Defter-i Kebir) të hartuem në kohën e Fatihut, të Mehmetit të II-të. Fatihu, paska pasë urdhnue dhe në Kosovë qenka bâmë regjistrimi i përgjithëshëm i popullsís. Në kët defter ka plot emna sllavësh, si Jovan, Stanko e tjerë. Dhe në rubrikën e posaçme të vrejtjes, janë vûmë shënime “arbanas, arbanas”. Kjo, tregon se popullsíja e Kosovës, edhe para se të merrej Kosova prej Osmanllive, ka qenë e origjinës shqiptare. Por, kanë pasë pranue fén ortodhokse pravosllave dhe si përfundim, kanë përvetue emnat sllavisht. Edhe sod, shumica dërmuese e banorëve të Kosovës dhe të Shqipnís – po flas për elementin mysliman, emnat i kanë arabisht. Me gjithë ketë, na, nuk kemi asnji farefisní me kombin arab…”
E hapëm lâmen e bisedimit tékëz. Kërkoj ndiesë.
Prá, tue iu hullun (afrue) themës, do të ngulmoj:
Shqiptarëve në Jugosllaví nuk iu mungon kurrgjâ, për sá i përket shqipes.

IX-Ç’mund të ndodhë për shqiptarët në Jugosllaví me gjuhën e unjisuar?

- … me gjuhën e unjisuar a?
- Mund të ndodhin shum gjâna!
Si dihet, gjuha, mâ para mësohet në shtëpí, tue e ndigjue fëmija prej prindve e prej rrethit familjár. Mbasandej, mësohet, tue ardhun në mârrëdhânje me shokét, me banorët e lagjes e me banorët e katundit. Shtrihemi, mandej, në rreth e në qark. Kështu, vjen e skaliset në trû të fëmijve, shprehja e vendit të vet në kuptim të gjânë.
Prâ, njeriu, mâ para, mëson shprehjet e vendit të vet. Shkolla, vjen në shkallën e dytë.
Kur të mbërrije fëmija me cillësue, me përshkrue, me përpilue dhe me paraqitun nji gjâ, ose nji send, ndodhet përpara ndikimeve t’atyne shprehjeve, qi i ka mësue në rrethin e vet. Me këto do të hidhet në sheshin e shfaqjeve. Nuk mund të pretendohet e kundërta.
Tash, prá, nji i rí, ose e ré, kur të dojë me paraqitun dishka, ose duhet me ia fillue me shprehjet e veta, me të cillat âsht stërvitun qysh në lirek, pá e përziem toskënishten; ose duhet me përdorë toskënishten, tue lânun mbas dore shprehjet e veta.
Tash, na vjen ndërmend nji pyetje tjetër:
-Shqiptari i Kosovës, vallë, a mund t’i ketë tretun deritash, si duhet, shprehjet e vendit të vet?
-Nuk më besohet.
Nuk e besoj, për shkak se, shkolla shqipe atje, si moshë, âsht krejt e ré.
Atëherë, prá, pyesim:
-Shqiptari në Jugosllaví, kurse nuk e ka tretun, si duhet, shprehjen e vet, si ka për t’a honepsun dialektin e Jugut, të cillin përpiqet me e mësue vetëm me sy – nga libri – pá ndihmën e veshëve?
Âsht nji ândërr, kjo.
Po kuejt do t’i drejtohet toskënisht intelektuali kosovár me fletore, me revista, me romana e, përgjithësisht, me shkrimet e veta?
Popullit shqiptar në Jugosllaví! Apo jo? Sigurisht, aj, sod për sod, nuk i drejtohet Shqipnís së Jugut!…
Po përse intelektuali shqiptár në Jugosllaví, të mos i drejtohet popullit të vet me gjuhën e vet, qi âsht nji shqipe e kullueme e atij populli? Për çfarë arsyeje aj, detyrohet me iu drejtue popullit të vet me nji shprehje, qi ky, nuk e din dhe nuk e kupton?
Përfundimi llogjik, na del prosup!… Shifet nji gabim i madh në llogarín, qi âsht bâmë.
Shqiptari në Jugosllaví, nuk ndodhet i shtërnguem me përdorun format “është”, “verë”, “vrësht”, “që” etjera.
Aj ka format e veta mâ të mira:
“âsht”, formë të cillën e ka përpunue, tue e këthyem dhe në trajtën “â”, kur don me i ramë për s’shkurti, ose kur ia këshillon masa dhe rima, simbas nevojës.
“verë”-n aj, e kupton nji prej katër stinave të motit, d.m.th. Qershorin, Korrikun dhe Gushtin. Asaj, qi pimë i thotë “venë”, sikurse âsht me n- në të gjitha gjuhët motra, të cillat, janë dega dhe rrema të sanskritishtes. Nuk e kupton as “bahar”-in persisht. Këtij i thotë “pranverë”.
“qi” si fjalëz lidhore, ose shpaluese, ose si fjalës, qi në disá rasa, zavendoson përemnat vehtorë, po në kët formë përdoret në persishte edhe në turkishte.

“Ankes ki nedaned ve nedaned ki nedaned,”
“Der cehl-i murekkeb ebedüddehri bimaned.”
dhe
“Onlar ki verir aleme laflarla nizamat,”
“Bin türlü teseyyüb bulunur hanelerinde.”

Prá, nji popull, qi përban 3/4 e shqiptarëve, përse të shtërngohet me e lânun të veten dhe me përdorun formën «që»? Përse përdoret në Jugë, apo…?
Pata ndigjue prej Shpend Bardhit, dritë pastë, se formen «qi» e paskanë pasë kritikue studentët e shkollës së Kristo Dakos: Sá kritikë e bukur(!). Sigurisht leçitun kryekëput, nuk do t’a kenë. Por, po habitem se ato kanë kalue në heshtje nji plotsim tjetër: “Mish i dhirtë”, qi në të njejtën kohë, përdoret edhe për meze!
Mâ shkurt, ata, qi duen me shkrue drejt e mâ drejt, format “vreshtë” dhe “vrësht” për “vëneshtë” nuk i pranojnë. Nuk i pranojnë sepse janë të pajustifikueshme.

* * *
Këto, janë arsyet, qi na disá, format arbitrare nuk mund t’i quejmë “gjuhë e unjisuar”. Ata, qi e imponojnë dhe ata, qi e pranojnë, ndoshta, nuk e kanë shprehjen popullore: “Shit qen e blej klysh”.
Shqiptarët në Jugosllaví, qoftë në prozë, qoftë në poezí, le t’i grahin me gegnishten e tyne të pastër e të pasun, tue zgjedhun format, qi vlejnë për harmonizimin e dy dialekteve. Kur t’a kenë përbluejtun mâ s’miri shprehjen gegnisht, atëherë, vetiu iu hapet rruga për të kapërcyem mâ përtej e për të përdorun edhe toskënishten, simbas zellit e zotsís.
Nji njerí, qi gëzon talent poetik në Mitrovicë, nuk mund të jetë i penguem për klishénat e Ali Asllanit, ose të ndonji poeti tjetër prej Jugut. Aj, gufon, grafllon dhe merr flakë me landën e vendit të vet. Përse t’i thotë “Hanko Halla” në vend qi me i thanun “Hanka Halla”?
Më ka ramë me lexue shkrime shqiptarësh në Jugosllaví, qi kanë imitue toskënishten. Prap, me shprehjen proverbiale të Kosovës do t’i cillësoj këto shkrime: “Prish shpi e ndreq kolibe”.
“Shêjzat”, 1974 (XVIII), n. 1-10, fq. 56-67.

2 Përgjigje
  1. Jozef Radi Tha:

    Murat Basha
    Nji nga burrat e mëdhenj që ka pasë ky komb… Patriot dhe intelektual i nivelit të lartë. Ndrroi jetë zemërplasun larg Atdheut, si fati i Atdhedashësve në përgjithësi… jo veç ata jashtë Shqipërisë por edhe mbrenda saj…
    (marre nga Muri i fb. 12 dhjetor 2013)

  2. Neritan Tha:

    Nini, ke ba nji hymje praktikisht poetike dhe unë si pinjoll i Tahirit, s’mund të mos të të falenderoj e të jem mirënjohës.
    E di që s’ke nevojë për ktë, sepse më njeh, gjithsesi unë e konsideroj të nevojshëm kët falenderim publik për çfare ke kontribu në njohjen dhe publikimin e punës së Tahirit.

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook