back to top
10.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Studentëngjëlli i demokracisë (1990) – nga Alfred Kosta

Gazeta

Studentët - Dhjetor 1990
Studentët – Dhjetor 1990

Studentëngjëlli i demokracisë (1990)

nga Alfred Kosta

Ky artikull shumë i rëndësishëm i vitit 1990,
botuar në RD mbi revoltën e studentëve të at’hershëm,
shkruar nga Prof. Alfred Kosta, miku im i shtrenjtë
që sot s’e kemi më mes nesh,
Hero i vërtetë i atyre kohëve… Lluka Qafoku
.
Alfred Kosta
Alfred Kosta

Të gjitha kombet kanë koleksionet e tyre të brilanteve, që shpesh ngjajnë ashtu siç ndryshojnë. Ka rubinë të kuq të mahnitshëm, që thonë se janë bërë me gjak të mpiksur, si për shëmbull ata të korrikut francez 1789, por ka dhe të ngjyruar ndryshe, të kaltër apo të gjelbër, si fjala vjen brilantet e revolucionit paqësor të Pragës 1969. Unë desha të sjell ndër mënd gurët verbues të realitetit shqiptar të natës së 8 dhjetorit 1990.

Nuk lajthitem, njerëzimi njeh plot net të errëta që kanë sjellë dritë të tillë verbuese, si ajo natë e Tiranës rebele, por jo tirane.
Qe një e shtunë krejt e zakonshme gjer në orën 18:00 kur qe lënë në Institutin e Lartë të Arteve mbrëmja përkujtimore e Xhonit (i lavdishmi John Lennon i Bitëllsave), 10 vjetori i vdekjes së tij.
Për gjithë ata që vuajtën nga “Beatlemania” kjo s’mund të qe një ngjarje e zakonshme. Dëgjuam që Ardian Klosi e organizonte këtë mbrëmje. Në ftesat ishte shkruar: “Power to the people” si dhe “All you need is love”’, tituj këngësh të idhujve tanë në ato vite.
Tepër tërheqëse dhe kaq, për më tepër që kisha një vit që merresha me dërrasa për të plotësuar një dhomë me dollape, rafte e tryeza. Të mos e zgjas, megjithëse karriera ime prej marangozi meriton vëmendje të veçantë. Mund të bëhej dhe një film i mirë vizatimor që do të dëshmonte sinqerisht e me humor për jetën e inteligjencës shqiptare. Desha të them që e pata braktisur prej një viti çdo përçapje intelektuale dhe problematika ime merrej me: ‘kanate me ristela, lidhje me tyble, tutkall të ftohtë, zdrukth plan, zdrukth qorr, vaj lini etj.’
Mezi ç’prisja të shtunën. Po më zgjohej nostalgjia. Do takohesha me vetveten e dikurshme, me rininë time që se ku ngeci në vitet ’70. Do të vinin gjithë miqtë e Bitëllsave, Adi, Brikena… me gjithë ato kujtime.
Në të vërtetë gjeta më shumë se ç’prisja. Kësaj rradhe realiteti u shfaq i mrekullueshëm, bujar e në plot çaste u puthit me ëndrrat tona të dikurshme. Mbase kjo ndodhi prej varfërisë tonë ëndërrimtare, mundet të kemi ëndërruar pak, sidoqë këto ëndrra na i goditën fort, sa na i vranë.
Ç’është e vërteta ata deshën vetëm të na hiqnin “lakrat” nga koka, “shfaqjet” e huaja siç u thoshin ndryshe. (A thua ta kishin për “ekologji”?). Pastaj kërkuan flokët tona sikur të ishin shtrigat e përrallave, flokët tona të bukura ato kohë.
Ne u bindëm. Të paktën ulëm kokën, ose mundet që u trullosëm nga sharjet e parullat: “qafëleshë” , “lufta e klasave në frontin ideologjik”, “ideologji revizioniste”, “art dekadent” e plot zhurmues të tjerë, pa llogaritur ata të televizionit. Porse Bitëllsat dhe orfenjtë e tjerë të qytetërimit evropian nuk i braktisëm, sepse e deshëm Evropën. Shqipërinë e deshëm evropjane jo vetëm gjeografisht.
.
Alfred Kosta dhe statuja e John Lenon
Alfred Kosta dhe statuja e John Lenon
Nuk bënim asnjë mëkat zotërinj, dëgjonim ca këngë të lirisë, dashurisë, paqes e vëllazërimit. Këto këngë nuk i përbuznin kabatë e ndershmërisë së prindërve tanë, përkundrazi. Muzika që dëgjonim fshehurazi buronte nga pushteti i luleve. Edhe Ungjillin e kemi lexuar fshehurazi, ju a “kemi hedhur”. E dimë që kur na pikasët, na burgosët dhe na trajtuat më keq se kriminelët ordinerë. Ta merrni vesh që këto “krime fetare” i kemi bërë që t’ju falim kur të vijë një ditë. Më vjen keq vetëm për një gjë zotërinj. Unë flas për vete dhe për ca miq të mij. Jo çdo shqiptar e ka lexuar Ungjillin. Ju nuk i lejuat. Ju s’deshët t’ia dini për sa bëri Shqipëria në këto çështje. Gjergji ynë bëri të pamundurën, dhunoi dhe emrin e tij që Evropës të mos i luante asnjë presje. Ju s’pyetët për historinë dhe në plot çështje të tjera, por dhe historia nuk do të pyesë për ju.
Salla e vogël e Institutit të Arteve qe rregulluar bukur. Portreti i Xhonit, tituj këngesh nëpër mure dhe një pllakat “Beatles in Albania”, ku jepej harta jonë dhe ata të katër. U fillua me historinë e Bitëllsave. Livepuli, Londra, Hamburgu i suksesshëm. Këngët e para. Kasetat ilustronin, këngët këndoheshin. Organisti luante ndonjë pjesë herëpashere. Salla kishte dy grupe njerëzish. Studentët e Institutit 19-23 vjeçarë dhe miqtë e vjetër të Bitëllsave 30-40 vjeçarë. Të parët reagonin kryesisht me entuziazëm e shfrim, sidomos në aluzionet e teksteve, të dytët me ngazëllim e përlotje.
“Bitëllsat i përkisnin lëvizjes ‘Power Flower’ (Pushteti i luleve)”, thotë organizuesi Ardian Klosi.
Po mendoja për këtë aspiratë të Evropës dhe Botës. Sa na duhet edhe ne shqiptarëve. Forca e dashurisë mund të sjellë veç paqe e vëllazërim.
Studentët gjallëroheshin më tepër e më tepër. Nisën të valëzonin me duar të bashkuara. Ne të tjerët i shoqëronim me melankolinë tonë. Kur mbylleshin dritat ata ndiznin çakmakët ose shkrepset për të bërë qirinjtë e Xhonit, ndërsa Bitëllsat vazhdonin t’i këndonin dashurisë, nënës, paqes, t’i qanin hallin gruas, të flisnin për revolucionin. Tani salla këndon e tëra, gishtat V e mbushin atë me vetëtima.
Vizita e Bitëllsave mbaroi kur ne kënduam disa herë “Let it be.” “Amin”, bërtiti dikush nga salla. Me siguri “Mother Mary” na dëgjonte dhe s’donte të pushonte kënga jonë, sepse kishte 23 vjet që Shqipëria s’i qe drejtuar asaj me një këngë të tillë.
.

The Beatles. John Lennon - Paul Mccartney - George Harrison - Ringo Starr
The Beatles. John Lennon – Paul Mccartney – George Harrison – Ringo Starr
Ora qe më tepër se 22:00 kur vjen dikush me vrap nga jashtë dhe thotë: “Plasi tek konviktet!” Na u dëgjua së brëndshmi: “Plasi në Kuçovë!” – arketipi i protestës publike shqiptare. Nuk më kujtohet as fytyra e këtij maratonomaku. Tek konviktet kishte 3-4 ditë që ziente, por kësaj radhe parandjeva diçka tjetër. Mbase për hir të kësaj mbrëmjeje që sapo mbaroi.
Ç’do të bënim? “Shkojmë!” thanë disa nga grupi ynë. Të tjerë nguruan. Sidoqoftë u nisëm.
Ora 22:30. Në rrugën e pjerrët që zbret tek Ambasada Italiane (sot Ambasada Amerikane) po vinte një lumë studentësh, i pari i këtij lloji në Shqipëri në gjysmëshekullin e fundit. Nuk dinim ç’kërkonin, s’po nuhasnim gjë. “Tirana është me ne!”, “Shqipëria është me ne!”, “Nuk jemi huliganë!” Një gjë u kuptua menjëherë. Ata ishin të vendosur gjer në vetmohim. Përqafova një të panjohur nga turma, gruaja ngriti dy gishtat. Por kaq, sigurisht nuk mjaftonte. “Bashkohuni me ne!” Kjo qe një ftesë për gjithë qytetarët aty rrotull. Në një ndezje cigareje disa demonstrues më njohën. Kishte plot studentë të mi. Ftesë e dyfishtë. “Mos na lini vetëm!” E trefishtë. Provuam mbase mëdyshjen më të madhe të jetës. Dy vajza të vogla në shtëpi. Edhe ato s’duheshin lënë vetëm. Po mirë, vajzat do të rriten dhe një ditë do të na pyesin për këtë natë. Po edhe sheshi Tjen An Men seç m’u kujtua. Më e tmerrshmja qe një lloj frike, si të them, më abstrakte. Mbase jam i pasaktë, por më duket se qe frika “morale” e dhunimit të tabusë së rebelimit. Përdora thonjëzat sepse kam parasysh moralin e induktuar, të imponuar, jo moralin e vërtetë. Heqja e kësaj lloj tabuje është një nga mrekullitë që bënë studentët atë natë.
Kurrë s’kam qënë me ndërgjegje kaq të ngarkuar. Bashkë me gruan bëmë hapa për t’u larguar. Qenë hapa të rëndë. Vetëm Moisi Golemi mund t’i ketë provuar. Takuam një student. E pyetëm ç’po bëhej, ç’kërkonin. Humbëm nga grupi ynë dhe pastaj… u kthyem tek demonstruesit.
Kështu u zgjidh ky fatalitet, siç duket nga studentëngjëlli i demokracisë, për të mos më ngarkuar me një fajësi që do më vriste për gjithë jetën. E kam me veten sepse e di që studentët do të më falnin, sepse ata kuptojnë, kanë vite që më kuptojnë. Pas disa orësh më thanë si me drojtje të largohesha, të paktën për gruan, sepse ata e kishin marrë në sy tmerrin, shkopinjtë, mbase dhe tanket dhe deshën të na kursenin. Por pastaj edhe vetë jeta dukej e pavlerë përpara atij orteku që kërkonte qetësimin, atyre mijëra zërave që donin dialog me Presidentin, asaj vajzës trime me pizhame të rradhës së parë që ende s’ia di emrin e s’e kam parë më, përqafimeve të studentëve, ngjirjes mitologjike të Azem Hajdarit.
Atë natë qemë të lumtur shqipëtarisht. Nuk u ndërrokan ato rrugica me baltë në atë natë të errët e të ftohtë me asnjë shesh të Evropës, të paktën për këta demonstrues, për këta studentë të veshur keq, por që ishin më të bukurit në botë tek po e gdhinin duke ëndërruar. Dhe një mrekulli tjetër më panë sytë. Një demonstrues i hodhi krahun një polici dhe ecte i përqafuar me të. Shenjtorë të tillë ka vetëm në atdheun e Nënë Terezës.
Pas orës 1:30 erdhi përgjigjia e Presidentit. Pastaj ndodhën ato që ndodhën e që hynë menjëherë në historinë e re të Shqipërisë sonë.
Dhjetor 1990
 
Shënim: Me fare pak ndryshime ky shkrim është botuar më 23 Janar 1991, tek gazeta “Rilindja Demokratike”
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.