back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

“Statuti i Zgjeruar i Lushnjes -1922” Kushtetuta e II shqiptare dhe pushteti legjislativ në statut – nga Kevin Haxhiu – Jurist

Gazeta

Kevin Haxhiu dhe Shtëpia e Kongresit të Lushnjes
Kevin Haxhiu dhe Shtëpia e Kongresit të Lushnjes

“Statuti i Zgjeruar i Lushnjes -1922”

Kushtetuta e II shqiptare dhe pushteti legjislativ në statut

nga Kevin Haxhiu – Jurist

“Statuti i Zgjeruar i Lushnjes-1922”

Shteti Shqiptar pas shpalljes së Pavarësisë në 28 nëntor 1912, do të kishte vetëm në vitin 1914, ligj themeltar të shtetit, pra një kushtetute e cila quhej “Statuti Organik”. Ky Statut për nga renditja e Kushtetutave në këto 109 vite Pavarësi shënon të parën Kushtetutë në historinë e Shtetit Shqiptar, por kjo është vetëm për nga renditja, pasi ky Statut u hartua dhe u vendos nga një organ ndërkombëtar i huaj, pra nga Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit – (KNK). Statuti ose kushtetuta e parë e Shtetit Shqiptar është “Baza e Kanunores së Këshillës së Naltë” e njohur ndryshe edhe si “Statuti i Lushnjes – 1920”. Ky Statut përfaqëson kushtetutën e parë Shqiptare për faktin se ky ligj themeltar i shtetit u hartua dhe u miratua nga një Mbledhje Kombëtare siç ishte Kongresi Kombëtar i Lushnjes (21-31 Janar 1920) ku delegatët që merrnin pjesë në këtë mbledhje të rëndësishme për fatet e Shtetit Shqiptar ishin përfaqësues të zgjedhur nga populli shqiptar në çdo Prefekturë të Shqipërisë. Statuti i Lushnjes ishte i përkohshëm pasi Statuti përfundimtar do të miratohej nga Asambleja Kushtetuese.
Statuti i Lushnjes qëndroi në fuqi rreth 2 vite. Në Shqipërinë e viteve 1921-1924, pati zhvillime të shumta politike. Në prill të vitit 1921, u zhvilluan për herë të parë zgjedhje parlamentare në Shqipëri. Deputetët e zgjedhur kishin garuar si individë dhe jo si kandidatë të partive politike, ndërsa këto të fundit do të themeloheshin më vonë dhe ato ishin: Partia Popullore dhe Partia Përparimtare. Zhvillimi i zgjedhjeve si dhe krijimi i partive politike shënuan një zhvillim për vendin si dhe në Shqipëri filloi pluralizmi politik. Këshilli Kombëtar (Parlamenti) që doli nga këto zgjedhje krijoi një komision të posaçëm prej 12 vetash për hartimin e projektkushtetutës dhe në dhjetor 1922, Këshilli Kombëtar do ta zgjeronte këtë statut dhe statuti i ri do të emërtohej “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes”. Forma qeverisëse që sanksionohej në “Statutin e Zgjeruar të Lushnjes – 1922” ishte e njëjtë si në “Statutin e Lushnjes – 1920”, pra Monarki, por që vendin e Mbretit përkohësisht e zinte Këshilli i Naltë. Në këtë Statut sanksionohej një parim tepër i rëndësishëm, siç ishte ai i ndarjes së pushteteve. Pushtetin legjislativ e ushtronte Parlamenti, pushtetin përmbarues (ekzekutiv) e kishte Këshilli i Naltë, funksion të cilin ai e kryente më anë të Kabinetit (Qeveria/Këshilli i Ministrave), pushteti gjyqësor ushtrohej nga Gjykatat.
“Statuti i Zgjeruar i Lushnjes (1922)”, ashtu si “Statuti i Lushnjes (1920)” nuk ishte i përhershëm, por i përkohshëm dhe ndryshimi i “Statutit të Zgjeruar të Lushnjes” nga “Statuti i Lushnjes” ishte vetëm për nga përmbajtja ngaqë ishte shumë më i madh. Statuti i Zgjeruar i Lushnjes ishte i ndarë në katër kaptina. Kaptina e parë e emërtuar “Formimi i Shtetit” ndahej në katër pjesë të emërtuara me gërmat A, B, C, D.
Në pjesën “A” parashikoheshin Dispozitat e pergjithshme. “Statuti i Lushnjes – 1920” dhe “Statuti i Zgjeruar i Lushnjes – 1922” përbëjnë arritje madhore si dhe përfaqësojnë themelet e historisë të së drejtës kushtetuese në Shqipëri.

Kevin Haxhiu në Shtëpinë muze të Kongresit duke treguar figurën e Bajram Haxhiut
Kevin Haxhiu në Shtëpinë muze të Kongresit duke treguar figurën e Bajram Haxhiut

Pushteti legjislativ – Parlamenti në Statutin e Zgjeruar të Lushnjes (1922)

Parlamenti përbëhej nga deputetë të zgjedhur nga populli më votim universal sipas ligjit. Deputetët zgjidheshin për një mandat 4-vjeçar dhe përgjegjësia e tyre mbaronte me perfundimin e afatit, por për këtë parlament të dalë nga zgjedhjet e vitit 1921, ky mandat nuk u aplikua. Në Statut përcaktoheshin standarte që duhet të plotësoheshin për zgjedhjen e deputetëve. Deputet pranohej vetëm ai që ishte nënshtetas shqiptar, që kishte mbushur moshën 25-vjeç, që gëzonte të drejta civile e politike si dhe që plotësonte cilësi të tjera të kërkuara prej ligjit. Detyra e deputetit ishte e papajtueshme me çdo nëpunësi të shtetit me rrogë, me nëpunësi komunale si dhe me shërbimin aktiv fetar. Deputeti përfaqësonte jo vetëm qarkun ku e kishin zgjedhur, por të gjithë kombin. Zgjedhësit nuk mund t’i jepnin porosi apo urdhër deputetit të tyre. Deputetët paguheshin për punën që bënin me një pagë 5000 franga ari në vit. Kjo pagë e deputetit mund të ndryshohej herë pas herë me ligj. Mënyra e organizimit dhe funksionimit të parlamentit përcaktohej në rregulloren e tij të brendshme. Kryesia (Parija) e Parlamentit zgjidhej nga vetë Parlamenti dhe zgjidheshin individë nga rradhët e parlamentit në fillim të çdo seksioni për gjatë gjithë mandatit të parlamentit. Zgjedhja e Kryesisë dhe e nëpunësve të Parlamentit organizohej sipas rregullores së brendshme të tij. Parlamenti kishte detyrë që të shqyrtonte cilësitë dhe fuqitë ligjore të anëtarëve të tij dhe më pas gjykonte dhe vendoste për këto sipas parashikimeve të rregullores së brendshme të tij (Artikulli 14). Secili anëtar i parlamentit bënte dy betime të parin përpara shqyrtimit të cilësive të tij dhë të dytin përpara nisjes së mandatit si deputet (Artikulli 15). Deputeti që ishte zgjedhur rishtas dhe që pa arsye të justifikuara dhë të vërtetuara siç duhet nëse nuk paraqitej për një afat dymujor përpara Parlamentit që të kryente betimin që sanksionohej në Statut, ai deputet quhej i shkarkuar nga detyra e tij. Parlamenti në këtë rast kishte të drejtën e gjykimit (funksion “quasi gjyqësor”) në lidhje mbi pranueshmërinë ose jo të arsyeve të justifikimit të deputetit. Deputeti që mungonte për gjashtë muaj rresht në seancat e Parlamentit, pa autorizimin e Parlamentit ishte vetvetiu i shkarkuar nga detyra. Kur vendi i një deputeti mbetej vakant, për çfarëdolloj arësye atëherë brenda dy muajve nga dita e vakancës, por jo më parë se një muaj duhet të zgjidhej një deputet tjetër në vendin e tij. Deputetëve nuk mund t’ju kërkohej llogari apo të mbanin përgjegjësi për votimin apo mendimet e shfaqura në Parlament. Deputetët gjatë sesionit parlamentar nuk mund të gjendeshin në burg për borxh. Deputeti gjatë mandatit të tij kishte imunitet ndaj dhe nuk mund të ndiqej apo arrestohej për çeshtje penale, pa lejuar dhe vendosur Parlamenti, por më një përjashtim në rast se kapeshin në faj e sipër për krim atëherë autoritetet gjyqësore kishin për detyrë të njoftonin Parlamentin nëpërmjet Ministrit të Drejtësisë brenda 24 orëve.
Deputetët në rast se kryenin krime politike dhe delikte gjykoheshin dhe dënoheshin gjithmonë si gjatë, por edhe jashtë sesionit parlamentar nga Gjykata e Naltë me autorizimin e Parlamentit duke u mbështetur në ligjin e posaçëm. Parlamenti kishte të drejtën e dekretimit të lirimit të një deputeti të tij për të gjithë periudhën e sesionit nëse kishte qenë kapur në periudhën e pushimeve. Parlamenti zhvillonte sesione të jashtëzakonshme në të cilat bisedohej vetëm për çështjet për të cilat ky sesion thirrej dhe këto çështje ishin të përcaktuara në një program që hartohej nga Qeveria. Sesionin e jashtëzakonshëm Këshilli i Lartë në çdo kohë që e shikonte të arësyeshme kishte të drejtën e mbylljes së tij, por përherë më përpara fillimit të sesionit normal (të zakonshëm).

Kevin Haxhiu
Kevin Haxhiu

Këshilli i Lartë në hapjen e sesionit të zakonshëm nëpërmjet një ligjerate ose lajmërimi parashtronte situatën në përgjithësi të shtetit si dhe masat që gjykoheshin të nevojshme që të merreshin në atë vit nga pushteti ekzekutiv (përmbarues) dhe Parlamenti i kthente një përgjigje të shpejtë (Artikulli 24).
Parlamenti bisedonte dhe vendoste vetëm kur i pranishëm në të ishte një deputet më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të tij të cilët i kishin kaluar formalitetet e parashikuara në artikujt 14 dhe 15 të Statutit. Në llogaritjen e numrit të përgjithshëm të deputetëve Parlamenti nuk përfshinte ata deputetë që mungonin me leje. Vendimet në Parlament duhet të votoheshin me shumicë absolute të deputetëve që ishin të pranishëm në mbledhje. Zgjedhjet që i përkisnin personave mënyra e votimit të tyre organziohej me dy raunde në rast se për herë të parë nuk votoheshin me shumicë absolute atëherë herën e dytë votoheshin më shumicë relative të deputetëve të pranishëm në mbledhje. Në mbledhjet e parlamentit mënyrat e votimit ishin të përcaktuara në rregulloren e brendshme sipas rasteve dhe ishin tre mënyra: “Me ngritjen e dorës lartë, me thirrjen emërore ose me votim të fshehtë”. Mënyra e votimit të ligjeve nga Parlamenti zhvillohej një herë në parim dhe dy herë nen për nen në tre ditë të ndryshme. Përsa i përket kodeve që paraqiteshin nga Qeveria e që ishin përgatitura nga një komision i posaçëm votimi zhvillohej në bllok në tre mbledhje në ditë të ndryshme por me përjashtim të ligjeve që Parlamenti me vendim i quante të ngutshme, të cilat votoheshin sipas rregullores së brendshme. Mbledhjet e Parlamentit zhvilloheshin me dyer të hapura si dhe bisedimet e tij botoheshin në vëllime të posaçme. Në parlament përveç personelit të sigurisë mund të bëhej pjesë e tij cilido gjithmonë në përputhje me rregulloren. Parlamenti mund të zhvillonte edhe mbledhje me dyer të mbyllura nëse kjo kërkohej nga ministrat ose deputetët dhe nëse pranohej nga shumica. Mbledhja më dyer të mbyllura zhvillohej pasi personat e ndaluar për të qënë të pranishëm në këtë rast të ishin larguar nga dhoma. Parlamenti nuk mund të dhunohej. Vetëm trupa policore e veçantë mund të qëndronte brenda dhomës ose tek porta e ndërtesës, ku zhvillonte punimet parlamenti ndërsa zyrtarë apo fuqi armësh nuk mund të qëndronin pa kërkesë e vendim të Parlamentit.
Të gjitha aktet me fuqi ligjore shpalleshin në gazetën zyrtare, e cila dërgohej në të gjithë bashkitë e vendit. Shpallja e akteve ligjore duhet të bëhej brenda dy javëve nga dita e votimit dhe akti në fuqi e zbatim hynte një muaj mbas shpalljes me përjashtim të ligjeve që kishin të caktuar një afat ndryshe për hyrjen e tyre në fuqi. Aktet me fuqi ligjore do të bëheshin pjesë e legjislacionit zyrtar (ligjeve dhe dekreteve) të shtetit. Kryesia e Parlamentit kishte për detyrë që brenda sesionit parlamentar t’i kthente pushtetit ekzekutiv projektligje të paraqitura nga ai e që ishin refuzuar nga Parlamenti bashkë me të gjitha shkaqet e mospëlqimit.
Projektligji i refuzuar nga Parlamenti nuk mund të paraqitej për herë të dytë gjatë gjithë atij sesioni parlamentar. Pushteti ekzekutiv për të gjitha vitet duhej që t’i paraqiste Parlamentit që të shqyrtonte Buxhetin e Përgjithshëm të të ardhurave dhe shpenzimeve të Shtetit. Buxheti duhej që bashkëngjitur tij të kishte parashikimin e mjeteve dhe mënyrave mbi të cilat do të përballoheshin këto shpenzime. Në Buxhetin e Shtetit do të futeshin të gjithë të ardhurat dhe shpenzimet e shtetit. Buxheti paraqitej përherë kur niste sesioni parlamentar në vjeshtë dhe ky sesion nuk mund të mbyllej pa votuar Buxhetin. Buxheti hartohej sipas mënyrës së përcaktuar në ligj. Buxheti votohej dy herë në dy ditë të ndryshme kapitull për kapitull. Pushteti ekzekutiv kur mbaronte viti finaciar dhe brënda sesionit të dytë të vitit financiar tjetër duhet t’i paraqiste Parlamentit për shqyrtim dhe pëlqim Buxhetin e konsumuar të vitit të kaluar dhe votimi i këtij buxheti zhvillohej një herë në përgjithësi. Në situatën kur buxheti i ri nuk arrinte të merrte formën ligjore përfundimtare dëri në fillim të vitit financiar për të cilin ishte hartuar, atëherë pushteti ekzekutiv vendoste në zbatim buxhetin e mëparshëm derisa të pëlqehej dhe votohej buxheti i ri. Parlamenti në këtë situatë çdo degë të administratës i hapte një kredi mujore, e cila ishte jo më e lartë se e dymbëdhjeta pjesë e shpenzimeve normale që i përkisnin sipas buxhetit të vjetër. Pushteti ekzekutiv nën përgjegjësinë e tij civile kishte për detyrë që të fuste në buxhetin vjetor të shtetit të gjitha ligjet që ngarkonin nënshtetasit më paga e taksa. Ligjet të cilat nuk futeshin në buxhet quheshin si të ngritura e pafuqi ligjore. Në rast se një kredit i caktuar në buxhet nuk del në përballimin e atij shërbimi, atëherë pushteti ekzekutiv nëpërmjet një projektligji brenda vitit financiar i kërkonte Parlamentit që ta shtonte atë kredit derisa të arrihej dhe në rast se shfaqeshin shpenzime për nevoja të paparashikuara në buxhet, atëherë pushteti ekzekutiv përsëri mund të kërkonte nga parlamenti një shtesë krediti, përherë në themel të një projektligji të posaçëm. Procedura e votimit që ndiqej nga parlamenti për votimin e ligjeve për kredit suplementare dhe të jashtëzakonshme ishte e njëjtë me procedurën që ndiqej për votimin e ligjeve të zakonshme. Në raste kryengritje o lufte dhe Parlamenti ishte me pushime, atëherë qeveria nën përgjegjësinë e saj mundej të krijonte një kredit të jashtëzakonshëm nëpërmjet nxjerrjes së një dekretligji, i cili duhej që të paqitej në Parlament në sesionin më të afërt.
Parlamentit duhej që t’i paraqitej sëbashku me buxhetin e përgjithshëm edhe projekti i sasisë me të cilën do të përballohej ushtria. Parlamenti kishte të drejtë të thërriste çdo ministër për ta pyetur për të gjitha çështjet e fushës së tij. Mënyra për thirrjen e ministrave ishte e parashikuar në rregulloren e brendshme. Gjithashtu Parlamenti kishte kompetencë që të kontrollonte Qeverinë. Parlamenti ishte i detyruar në të gjitha rastet e veçanta për mbrojtjen e interesave të përgjithshme që të formonte më anëtarë nga rradhët e tij një komision hetimesh, i cili do të studionte çështjet dhe faktet që lidheshin me to. Komisioni Hetimor kishte të drejtën që t’i kërkonte shpjegime me shkrim dhe me gojë, autoriteteve shtetërore gjithashtu edhe atyre private. Gjithashtu komisioni hetimor kishte të drejtë që të këqyrte edhe çdo akt zyrtar që do t’iu dukej i nevojshëm. Parlamenti kishte të drejtën që të akuzonte ministrat dhe t’i dërgonte ata në gjykatën e lartë të shtetit duke u bazuar në ligjin e veçantë. Parlamenti nuk mund të pranonte që të dëgjonte deputetët si dhe as ndonjë tjetër përveçse ministrave ose zëvendësve të tyre si dhe me përjashtim të rastit të parashikuar në artikullin 24 të këtij statuti.
Në fund të mandatit të parlamentit, pushteti ekzekutiv kishte detyrën që brenda dy javëve nga dita e shpërndarjes së tij, të dekretonte zgjedhjet e reja parlamentare, të cilat duhet të zhvilloheshin jo më vonë së dy muaj e gjysëm por dhe jo më parë së një muaj nga data e dekretimit të zgjedhjeve. Në rastin kur për shkaqe të paparashikuara, mandati i Parlamentit mbaronte më shumë së një muaj përpara kohës së parashikuar në statut, atëherë parlamenti i ri mblidhej vetvetiu 15 ditë pas zhvillimit të zgjedhjeve. Nëse në kohën pasi kishte përfunduar periudha parlamentare dhe zgjedhjet nuk ishin zhvilluar si dhe pushteti ekzekutiv gjendej i detyruar për shpalljen e luftës ose dhënien e dorëheqjes nga Qeveria ose Këshilli i Lartë, atëherë ky i fundit me dekret thërriste Parlamentin e vjetër për aprovimin e projektligjit për luftë ose për pranimin e dorëheqjes dhe ringritjen e Qeverisë ose Këshillit të Lartë.

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.