back to top
9.5 C
Tirana
E enjte, 18 Prill, 2024

Spiunët e spiunëve – nga Nebil Çika dhe nji refleksion nga Jozef Radi

Gazeta

Dosjet...
Dosjet…

Mbi debatin e pafundmë… refleksion nga Jozef Radi

Nuk ka debat ma të gjatë e ma shterp të zhvilluem në kët vend se sa Debati mbi Dosjet… Nji debat që zgjatet tërkuzë prej ma shumë se 24 vitesh, e ku të gjithë palët flasim, ulërasin, kërcënojnë, nxjerrin pseudonime, arsyetojnë… dhe ajo çka i ven kapakun për do kohë kësaj llumhaneje asht lodhja dhe harresa…
Nuk di ndonji vend tjetër në të cilin politika të jetë e ndërtueme, e drejtueme dhe e udhëheqme me nji solemnitet aq të pështirë e neveritës sa ky i joni, ku çdo hallkë e jetës dhe e veprimtarisë asht e mbështetun kryesisht dhe vetëm ndër dosje… dhe prej tyne rrjedh nji litani e pafundme, çerekshekullore, poshtërimesh, imoraliteti, fyemjesh, kërcënimesh… që shetisin pa droje e pa trazim në të gjitha llojet e tribunave të këtij vendi, dhe rrjedh e qetë e shpërfillse në krejt qelizat e tij… e ku figura dhe roli i spiunëve dhe rekrutuesve të tyne asht ngjitë hovshëm deri në apogje, aq sa frikem sa  as “Nderi i Kombit” s’mund të shpallet pa kalue nëpër birë të kësaj gjylpane…
Mbetem i bindun se ky debat dhe kjo grahmë marrafrymse ka me vazhdue edhe ma tej, pse ata që dikur i patën pseudonimet mbas shpine, sot i kanë qitë mu midis ballit dhe ndjehen aq kryenaltë sa çdo dinjitari dhe stoiku i duhet me e ulë kryet para tyne; kurse ustallarët e krimeve, tash janë ustallarë ligjesh dhe postesh të randsishme shtetnore… mjeshtra xhonglimi tenderash dhe parash të mëdha… Paftyrsia dhe imoraliteti politik janë ba sunduese ndër ne… prandej sot, krejt shoqnisë shqiptare i duhet nji sforcim deri në kufijtë e së pamundunës për me i qindrue me shpirt nëpër dhambë ekuilibreve të luftës midis së mirës dhe së keqes, midis morales dhe imorales, midis qëndresës dhe përdhosjes… derisa nji ditë të mbrrijmë edhe ne si të barabartë midis kombet e qytetnueme të kësaj bote…
Shkrimi i maposhtëm, që po paraqesim asht pjesë e gjithë asaj çka nënvizova ma nalt…

Nebil Çika
Nebil Çika

Spiunët e spiunëve nga Nebil Çika

Spiunët dhe spiunllëqet e diktaturës komuniste janë rikthyer edhe një herë ne debatin publik shqiptar pasi media “zbuloi” një letër që “spiunia e Sigurimit të Shtetit, Dhora Leka i dërgonte diktatorit Hoxha ku ankohej se e kishin dënuar padrejtësisht pasi e kishte provokuar shkrimtarin Ismail Kadare me porosi të Sigurimit të Shtetit”.
Sigurisht, që nuk e vë në dyshim faktin që Leka mund të ketë vepruar me porosi te Sigurimit gjë që e pohon vetë, por e vërteta e kësaj historie duket e pa plotë dhe e pa zbardhur komplet si një ngjarje që deri tani është trajtuar e njëanshme, pra vetëm në favor të Kadaresë. Publikimit të “letrës” që “spiunia” Leka, i dërgonte Enver Hoxhës u shoqëruar menjëherë me një intervistë nga i “spiunuari” Ismail Kadare, ndërkohë që dishepuj të tij mediatikë nxituan ta theksojnë serish “viktimizimin” e tij në kohën e diktaturës duke tundur fort provën më të fundit të “persekutimit” të tij. Sigurisht, që kjo nuk është historia e parë e publikuar me spiunë e spiunllëqe në Shqipëri, por çështja merr dhenë sa here “viktima” të spiunimit janë persona që s’u ka hyrë ndonjëherë gjemb në këmbë nga spiunllëqet, përkundrazi, siç është edhe shkrimtari simbol i letërsisë komuniste shqiptare (realizmit socialist) z. Kadare.
Përpjekjet për ta paraqitur Kadarenë si disident apo të përndjekur politik të regjimit komunist janë të hershme, por asnjëherë nuk kanë mundur të bindin opinionin që kjo gjë është e vërtetë, përfshi edhe “eurekën” e fundit të Dhora Lekës.

Letra e Dhora Lekës....
Letra e Dhora Lekës….

Ka shumë arsye të dyshojmë tek kjo përpjekje e radhas për ta viktimizuar Kadarenë dhe për t’i kuptuar këto mjafton t’i hedhim një sy shpejt e shpejt debatit që nga publikimi i letrës së “spiunes”, reagimit të “të spiunuarit” dhe konkluzioneve të dishepujve mediatikë të tij.
Mendoj se debati është dukshëm i njëanshëm, pasi “spiunia” u kryqëzua pa asnjë mundësi mbrojtjeje pasi nuk është gjallë qa ta sqaronte pozicionin e sajë, raportin me te spiunuarit dhe në veçanti përfundimin e kësaj historie, e cila ma merr mendja se ka përfunduar në dem të sajë pasi nuk kishte arsye pse t’i ankohej Hoxhës. Dihet që letrën ja dërgonte nga internimi dhe me sa duket “lirimi nga ky internim” i ishte premtuar edhe nga Sigurimi i Shtetit, për të cilin ajo ankohej tek diktatori. Pyetja që nuk ju bë z. Kadare në intervistë është shumë e thjeshtë dhe përgjigja e sajë vendimtare për të kuptuar thelbin dhe sidomos fundin e historisë: Ku i çoi Kadare letrat që Leka ja dërgonte si provokim nga Sigurimi i Shtetit?! A mos edhe ai vet i dorëzonte ato tek Sigurimi?! Nga letra e Lekës për Hoxhën, duket se edhe këto letra kanë mbërritur në zyrat e sigurimit dhe besoj që Kadare ka dhënë edhe shpjegime për to. Pikërisht këto shpjegime që ende nuk janë zbuluar, si letra e “spiunes” Leka, do të mund të na jepnin një përgjigje të saktë për të vërtetën e kësaj historie me spiunë, pasi fundi i sajë nuk duket se i jep përparësi “të spiunuarit” vetëm për faktin se viktima e Sigurimit nuk ishte ai por “spiunia” e tij. Nuk besoj që në atë kohë z. Kadare kishte prova që znj. Leka ishte Spiune e Sigurimit, por mund ta dyshonte apo ta merrte me mend një gjë të tillë. Edhe mund të kishte ndonjë informacion nga miq të tij në Sigurim apo kupolën e lartë të diktaturës, por ne po marrim si të mirëqenë faktin që ai nuk e kishte një informacion të tillë. Ta zëmë për një moment se Leka nuk ishte spiune e Sigurimit dhe besonte vërtetë tek shkrimtari kur i kërkonte të angazhohej kundër diktatorit. Çfarëdo t’i kishte kërkuar kur letrat e saj drejtuar Kadaresë do të mbërrinin tek Sigurimi i Shtetit. Dy publicistë, Lezho e Kokomani që ja kërkuan të njëjtën gjë drejtpërdrejtë Hoxhës, përfunduan në pushkatim. Si do te ishte sot historia nëse Leka nuk do te ishte “spiune” e Sigurimit! Po Kadare që ja dorëzoi këto letra Sigurimit, si do të trajtohej sot me këto prova? U thashë që ka plot dyshime kjo mardhje apo histori Leka-Kadare qe e trajtuar në mënyre të njëanshme jo vetëm që nuk zbardhet dot por e bën edhe më mister e më të dyshimtë rolin e të “spiunuarit” mbi të. Një tjetër dyshim mbi rolin e Kadaresë në ketë histori të rëndomtë spiunazhi shqiptar është fakti se në fund të sajë e më pas “spiunia” (autorja e krimit) përfundoi deri në ditët e fundit të diktaturës si “armike” dhe e internuar prej sajë, ndërsa “i spiunuari “ (viktima) shkrimtari më i madh i realizmit socialist, deputet e Kuvendit Popullor dhe nënkryetar i Frontit Demokratik, një prej organizatave më terroriste të diktaturës që në atë kohë drejtohej nga gruaja e diktatorit Nexhmie Hoxha. Siç e shikoni “viktima” e Sigurimit ka përfunduar në majë të pushtetit diktatorial, ndërsa bashkëpunëtorja e tij ne ferrin e burgjeve e internimeve. Sa të besueshëm e bën ky fund i dy protagonistëve të historisë më të fundit nga spiunazhi komunist “viktimizimin” e pretenduar të Kadaresë dhe dishepujve politikë e mediatikë të tij? Besoj se lexuesi mund ta marrë vetë me mend një gjë të tillë. Por “spiunia” Leka nuk ishte e vetmja “bashkëpunëtore” e Sigurimit “kundër” Kadaresë që përfundoi e dënuar dhe e persekutuar nga vetë Sigurimi. Në një “përplasje” tjetër me z. Kadare Janulla Rrapi dhe djali i sajë Renato përfunduan në internim politik ku djali pësoi edhe një sëmundje psikike nga e cila duket se vuan ende. Edhe për këtë familje viktimë e diktaturës komuniste z. Kadare pretendon se ishte venë nga Sigurimi kudër tij, pra edhe ata ishin “bashkëpunëtorë” të persekutove të tyre. Ky duket rast më flagrant në dyshimin ndaj tij pasi edhe motivacioni i internimit dhe persekutimit të kësaj familjeje kishte vetëm një motivacion: “shqetësimin e familjes së shokut Kadare” dhe sipas znj. Rrapi pretendohet të jetë bërë me porosi të tij. Një tjetër rast që nuk mbështet pretendimin e z. Kadare dhe dishepujve të tij mediatikë është ndëshkimi i një shkrimtari të talentuar Bilal Xhaferri, i cili guxoi të kritikonte një nga veprat e shkrimtarit të madh të komunizmit në mbledhjen e LSHASH. Përfundimi i tij ishte tragjik. U internua në fshatrat te Durrësit dhe sikur të mos kishte mundur të arratisej, kushedi se ku do kishte përfunduar. Kohët e fundit është publikuar një letër që kryeministri gjakësor komunist Mehmet Shehu, i kërkonte shefit të tij Hoxha më 1968 arrestimin e Bilal Xhaferrit vetëm për faktin se kishte guxuar të kritikonte “romanin Dasma të Kadaresë”, gjë që kryeministri e cilëson si kundër vijës së partisë: “Diskutimi” i Bilal Xhaferit është gjithashtu një sulm kundër Partisë, por i tërthortë – godet egër dhe në mënyrë të poshtër Ismail Kadarenë drejtpërdrejt dhe nëpërmjet tij godet rëndë dhe vijën e Partisë në art e letërsi…
Është enigmë: ai dihej se ishte bir armiku dhe vetë me qëndrim të poshtër, por ja që mori pjesë në diskutim para qindra intelektualëve dhe foli kundër vijës së Partisë! Këto fjalë të Shehut tregojnë qartë rëndësinë që kishte për diktaturën Kadare dhe vënë në dyshim çdo pretendim për përndjekje prej Sigurimit të tij. Bilal Xhaferri edhe pse “armik” me baba të pushkatuar ishte toleruar dhe lejuar të botohej nga Partia e Sigurimi, por guximi për të kritikuar Kadarenë, “vijën e partisë në letërsi e art” sipas Mehmet Shehut ju llogarit si krim prej të cilit u ndëshkua shumë rëndë. Edhe për Bilalin ka pasur pretendime se ishte “porositur” të kritikonte Kadarenë. Siç shihet nga vetëm këto tre shembuj që solla me lart në “betejën” e pretenduar mes Sigurimit dhe Kadaresë ka dale fitimtar ky i fundit pasi kanë qenë “bashkëpunëtorët” e Sigurimit ata që kane përfunduar në ferr ndërkohë që “viktima” ka shkuar në Olimp. Unë nuk besoj se ka logjikë normale ta pranojë një raport te tillë si ky i pretenduar nga z. Kadare mes tij dhe Sigurimit që në rastin më të mirë është i dyshimtë dhe i trajtuar në mënyre të njëanshme. Por sigurisht ky debat rihapi edhe një herë çështjen e madhe të hapjes se dosjeve të Sigurimit në Shqipëri. Besoj se veç të tjerash dosjet duhet hapur edhe për t’u dhënë fund spekulimeve nga hapja dhe përdorimi i pjesshëm dhe i njëanshëm i tyre siç mund të jetë dhe ky raport apo histori Leka-Kadare. Spekulative dhe e padrejtë duket gjithashtu edhe trajtimi i njëanshëm e selektiv nga media e opinioni publik i historive me spiunë të Sigurimit. Fakti që “viktima” e pretenduar ishte Kadare bëri që media te përqendrohet e të kryqëzojë “spiunen” Leka edhe për faktin që ajo nuk jeton më e nuk mund të përgjigjet dot. Po kjo media hesht e madje hap ekranet e faqet kryesore te sajë për spiunë të tjerë të Sigurimit bashkëpunimi në krime të komunizmit është tashmë i provuar e pranuar publikisht. Kryqëzimi nga shtypi i Lekës së vdekur, “spiunes” së Kadaresë ndërkohë që ekspertë, spiunë të gjallë autorë të gjallë e të vdekur pushkatimit të poetëve e shkrimtarëve “armiq” armiq të regjimit komunist, fitojnë miliona euro nga parti publike, thirren për të dhënë opinione apo përcillen nga kjo botë si heronj e shkrimtarë të mëdhenj, duket një nonsens logjik që të çon të dyshosh se kemi të bëjmë me një paramendim politik. Nuk e di saktësisht, por besoj se Havzi Nela, Vilson Bloshmi, Genc Leka apo Bilal Xhaferri mund të kishin qenë shkrimtarë shumë më të mirë se Ismail Kadare, sikur PPSH, Sigurimi i Shtetit, Kuvendi Popullor, Fronti Demokratik e të tjera organizata të diktaturës do t’i kishin lejuar të shkruanin apo më thjeshtë: Të jetonin. Si përfundim dua të theksoj se nuk kam qëllim të marr në mbrojtje Lekën apo çdo bashkëpunëtor tjetër të Sigurimit apo krejt regjimit komunist. Besoj se ky debat ka nxjerrë në pah edhe një anë tjetër të errët të moshapjes së dosjeve nga Sigurimi i Shtetit, nderimin nga shteti të personave të implikuar në krimet komuniste. Dhora Leka “spiunia” tashmë e deklaruar edhe vetë e Sigurimit është një person i nderuar nga shteti Shqiptar me tituj nderi. Një rrugë e kryeqytetit mban emrin e sajë, ndere që në botën e qytetëruar nuk u rezervohen spiunëve. Sigurisht që ajo nuk është e vetmja që ka përfituar padrejtësisht këtë status, por shërben si shembull për të kuptuar raportin tonë me diktaturën dhe krimet e sajë, një turp ndaj të cilit “elita” jonë shoqërore përfshi dhe Kadarenë, vazhdon të heshtë. Besoj se ky qëndrim vjen nga ajo që thashë në fillim të shkrimit hapja, diskutimi, analizimi apo zbardhja selektive e njëanshme e historive me spiunë që nëse nuk bëhet me ligj dhe në mënyrë të ndershme, rrezikon të përfundojë në shtrembërime e gjueti shtrigash sipas parimit “spiuni thërret kapeni spiunin…” A nuk ngjan kështu historia që po diskutojmë e debatojmë?!
Marrë nga http://opozita.com/2014/05/02/spiunet-e-spiuneve/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.