back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Spiunët e Fëmijërisë sime dhe Drita e mbetur nga Kujtimet… nga Kujtim Cekani

Gazeta

Kujtim Cekani
Kujtim Cekani

Spiunët e Fëmijërisë sime

dhe Drita e mbetur nga Kujtimet…

nga Kujtim Cekani

E kush nuk kthehet te vitet e dikurshme të shkollës…?! Unë nuk besoj se ka fëmijë që mos t’i kujtojë ato dhe të kthehet herë pas herë atje… me ato çantat tona prej lecke hedhur krahqafë, qepur prej ndonjë bezeje të zezë o ndonjë cope çfaredo mbetur sepeteve, ngjitur me gjalmë e hedhur në qafë, çka na ndihmonte të mbanim duart e lira, apo t’i fusnim duart ndër xhepa kur bënte ftohtë…
Më kujtohet se në çantë mbaja pak fletore dhe disa libra që më së shumti ishin të vjetër, mbasi s’kishim as aq lekë sa të mund t’i blinim të reja. Ia merrja ndokujt që kishte mbaruar klasën para meje… pra isha gjithnjë dorë e dytë apo e tretë… e megjithatë e kisha me aq qejf shkollën! Qysh fëmijë, lexoja gjithçka që më binte në dorë dhe, që nga klasa e pestë, çdo natë ulesha dhe shkruaja poezi…
I kisha vënë vetes detyrë… çdo natë – një poezi… s’kishte rëndësi nëse ishte e bukur a jo?! Mjaft që ta shkruaja! Dhe personit që do t’ia lexoja së pari poezinë ishte gjithmonë Nëna ime…
Unë shkruaja, kurse ajo bënte triko apo çorape me ato shtizat prej teli që i lëvizte shpejt dhe papushim…
-Hë shpirti i nënës, çfarë shkruajte sonte? Kur nisja dhe ia lexoja, ajo kthehej nga unë, ndalonte së lëvizuri shtizat dhe i qeshte krejt fytyra… e shihja që i shkëlqenin ata sytë e bukur! Ndjehesh e gjitha e mahnitur prej atyre poezive me rimë, sepse ashtu i shkruaja… dhe pastaj kur mbaroja, e lëshoja fletoren dhe me vrap e përqafoja fort fort…
Shpesh më zinte gjumi me laps në dorë apo mbi ndonjë libër që lexoja… dhe ajo ma merrte me kujdes… ma mbyllte librin, ma paloste fletën dhe më vinte në gjumë pranë vëllait…

Kujtim Çekani dhe Nena e tij
Kujtim Çekani dhe Nena e tij

Në mëngjes ngrihesha gjithmonë i pari! Hanim at mëngjes të pakët, hidhja çantën e leckës krahëqafë dhe bashkë me vëllanë niseshim për shkollë… Në orën 8 bëhej rreshtimi… po unë dhe vëllai duhej të dilnim nga rreshti, sepse nuk kishim shallin e kuq të pionerit në qafë. Edhe ne fëmijët, ishim përcaktuar me fatin e prindërve tanë: Kulakë… e ndërsa gjithë të tjerët e ngrinin grushtin lart, ne Jo… ishim të përjashtuar përjetësisht për ta ngritur grushtin lart, dhe të ishim gati për çeshtjet e Partisë!
Në ato fillime të pionerit e pata shumë të vështirë, por me kohë, u mësova. Më duhej të pajtohesha me fatin tim prej “kulaku fëmijë” dhe të zbatoja gjithë përjashtimet që gëzonin kulakët edhe pse ende s’i kisha mbushur dhjetë vitet.
Në klasë ulesha në bankën e fundit, me një kushërirë timen, që e kishte shtëpinë në krye të lagjes… Mund të them me dhimbje se ajo ka qenë e vetmja në klasë që më fliste… Kushërinjtë e tjerë, që nuk ishin të paktë, s’më flisnin, bile nuk kishin asnjë marrëdhënie me familjen tonë. Ata, Partia i kishte afruar nga vetja… Ehh… punë të ngatërruara keqas, sa unë asokohe s’u jepja dot dum.
Po më e bukura ishte se mësuesi kujdestar, kishte jo vetëm emrin po edhe mbiemrin tim… Por që në mes na ndante një oqean! Ai qe mësues – Komisar Drite… Unë një fëmijë kulaku – Armik Populli… (Ende s’mundem ta kuptoj se si një mësues mund të bëjë luftë klasash me fëmijët, kur ka përsipër rolin e edukatorit. Ky veprim i shumë prej tyre e tejkalonte edhe genocidin e pushtetit ndaj kundërshtarëve të vet politikë!!)
E megjithatë unë dashuroja librat!
Ishte bota e librave që më bënte të ndjehesha i lirë… Sa hyja ndër faqet e librave çlirohesha prej asaj jetë të ndotur që më rrethonte… Më dukej vetja sikur bëhesha personazh i librave që lexoja… Më dukej sikur vishja rroba të bukura dhe këpucë që ndrisnin… herë më bëhej sikur luftoja dhe herë sikur mblidhja lule… apo i ftuar në tavolina të shtruara bukur shihja gjithandej mish, fruta dhe pijë… gjithnji në vartësi të librit që lexoja… dhe trishtohesha shumë, kur mbrrija fundin e një libri të bukur dhe isha i detyruar ta braktisja…
Në shkollë kishim një bibliotekë dhe ndodhte që edhe aty të merrja ndonjë libër.
O Zot, çfarë kënaqësie!
Kisha gjithë botën timen, kur adashi im mësues, më jepte ndonjë libër.
Në letërsi isha më i miri, po ai asnjëherë nuk më vuri ndonjë 10. Ndonjë nëntë ndodhte, po pjesa tjetër ishin vetëm teta! Përgjithësisht mësuesit më rrinin ftohtë dhe nuk më jepnin muhabet, ndërsa unë gjithnjë në bankën e fundit… me botën time të librave dhe personazheve… dhe mendimin e përhumbur se çfarë duhej të shkruaja në darkë, për ta rifituar atë përqafimin dhe puthjen e radhës të nënës sime të ëmbël. I vetmi kompensim dashurie për poezitë e mia të mjera…

Kujtim Cekani
Kujtim Cekani

Ndodhte, që kur mbaronte mësimi, adashi im mësues më ndalonte dhe, me duar në xhepa vinte drejt meje e më thoshte:
-Hëëëë mor ti, a do ndonjë libër?
-Po – i thoshja gjithë qejf – Dua.
-Po ndonjë fjalë italisht ke mësuar apo jo?
-Italisht?! Po si ta mësoj, se nuk di!
-Po ja – më thoshte – mëso nga Radioja.
-Joooo, – i thoja – nuk dëgjoj italisht se nuk e di as çfarë është.
Dhe vazhdonte me pyetje që më bënin me djersë, se nuk dija ç’ti thoja! Ndërsa ai më shihte nga maja e kokës te çizmet e mia të grisura… dhe befas shpërthente:
-Diiiiiil jaaashttttëëë!
Dhe unë ia fusja vrapit duke u përplasur nëpër bankat. Dilja nga dera dhe vrapoja derisa lodhesha. Rrugës ikja dhe mendoja: “Po ky njeri ç’pati? Pse ulëriti si i ndërkryer?!”… Ikja dhe mendoja! Po italishtja…?! ç’ne unë italisht…!? Mirë që nuk më shpëtoi goja të thoja që “Zëri i Amerikës” flet vetëm shqip… Po babai më pat thënë se po na zbuluan që ne dëgjojmë “Zërin e Amerikës”, të gjithëve do na çojnë në burg! S’ka shpëtim! Nuk duhej ta flisnim me askënd kët gjë… Dhe ndjeja të më mbulonin djersët… sepse për pak sa nuk i kisha treguar Adashit tim kurreshtar.
Të nesërmen po i njejti avaz.
Në bankën e fundit me kushërirën time! Edhe ajo me biografi jo fort të mirë. E kisha kushërirë nga nëna. Edhe ajo mësonte shumë… po rrallë e shihte dhjetën me sy. Ato i merrnin nja dy-tre goca e djem komunistësh.
Në shkollë kishim një mësues matematike nga Elbasani, mësues Lavdoshin. Unë kisha aftësinë të memorizoja gjithçka që mësuesi shpjegonte gjatë orës së mësimit… dhe kaq ishte… Në shtëpi vetëm sa i hidhja një sy mësimit. Çfarëdo lënde që të ishte në shkollë e përpija. Me ngriti njëherë në mësim mësues Lavdoshi… dhe mbasi më pyeti me hollësi më tha:
-Dhjetë, Kujtim!
Nuk mund ta merrni me mënd gëzimin tim. Diçka e pajetuar ndonjëherë. Nuk më kishte vënë askush dhjetë deri atëhere… Po si gjithë lumturitë, edhe ajo nuk zgjati shumë. Mbas ca ditësh më thirri dhe më tha: “Kujtim nuk mund të vë më 10! Unë nuk e dija se ti je Kulak… Më vjen shumë keq, por nuk mundem…”
Dhe kështu, ditë mbas dite, muaj mbas muaji e shtyja shkollën time me ata libra të pakët që më binin në dorë e që më lumturonin më shumë se pyetjet e çuditëshme të mësuesve të mi…
Sa dhimbje ndjej për fëmijërinë time…
E vetmja gjë që më ka mbetur janë ëndrrat e mia letrare dhe ai shpërblim me të puthurat e Nënës sime…

Libri... si Zemra e Jetes
Libri… si Zemra e Jetes

Kohë më vonë, fletoret e mia të vjershave, përfunduan në Librazhd, në duart e një spiuni, posa kisha mbaruar klasën e 8-të…
Ëndërroja të vazhdoja shkollën e mesme dhe një ditë duke qarë shkoj në Komitetin Ekzekutiv në zyrën e Salie Kuklit… Nuk arrita as të hyja brenda, sepse më kapën për rreckash më nxorrën jashtë… Bashkë me fletoret e mia e pashë veten në trotuar… ku m’u afrua një burrë me kollare të zezë…
Isha vetëm 14 vjeç dhe qaja nga dëshpërimi… Më kishin grisur edhe trikon që kisha veshur… por shtrëngoja fort fletoret e poezive të mia…
M’u afrua dhe më pyeti pse qaja. I shpjegova arsyen se doja të vazhdoja shkollën…
I thashë që më thonë se jam kulak. Po ç’faj kam unë, që vetëm mësoj dhe shkruaj… dhe dua të vazhdoj shkollën. “Ja – i thashë – edhe këto fletoret i kam me poezitë e mia…!”
Kur i thashë që jam kulak, ai pa njëherë përqark… i lëpiu buzët… dhe m’i mbajti fletoret. Prej atij çasti, u ndava përgjithmonë me fletoret e mia të poezive. Burri me kostum dhe kollare të zezë më tha se quhej Koçi Petriti… U ndamë me premtimin se do të më ndihmonte… Kur mbas dy-tri ditësh vjen në fshat makina e Degës dhe më thërrasin që të jepja ca shpjegime. Prej asaj dite nis ndjekja ime këmba-këmbës, derisa një ditë, ende adoleshent, guxova të arratisem nga Shqipëria!
Shumë vite më vonë mësova se mësuesi që kishte emrin edhe mbiemrin tim kishte qenë thjesht një spiun… o si u thonin atëhere kësaj kategorie “Njëmijë e dyqindësh”!
Ja këto janë pak kujtime të fëmijërisë sime. Gjithsesi të puthurat e nënës dhe ai shkëlqimi i syve të sajë më kanë mbetur si rreze drite në shpirtin tim, duke ma ndriçuar gjithnjë atë pjesë të errët jete… Ashtu si Rruga e Qumështit përndrit qiellin e errët… e sa më e thellë bëhet Nata aq më shumë shëndrisin Yjet…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.