back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Sonetet e Uran Kostrecit, si triumf i Jetës mbi Vdekjen dhe i së Mirës mbi të Keqen… – nga Jozef Radi

Gazeta

Me Uranin, në Përkujtimore të Mid'hatit
Me Uranin, në Përkujtimore të Mid’hatit 

Sonetet e Uran Kostrecit, si triumf i Jetës

mbi Vdekjen dhe i së Mirës mbi të Keqen…

nga Jozef Radi

shkëputur nga parathënia e Soneteve që do të botohen së shpejti
.
Rrallë herë qëllon që njeriu ta rinisë jetën nga e para edhe përtej të 80-ve. Sepse rrallë herë qëllon që një njeriu mbasi i kanë shkatërruar rininë, ëndrrat, energjinë, ciklet e jetës, fizikun… mbasi e kanë burgosur, riburgosur në burg, internuar e ridënuar në internim me burg; mbasi s’i kanë lënë asnjë alternativë të ketë një shtëpi, të varrosë prindët, të besojë në dashuri, të krijojë një familje e të marrë përdore fëmijët, e t’u tregonte atyre se njeriu mund të ketë ëndrra, edhe kur ëndrrave s’u duket gjurma… t’u dëshmojë besimin te jeta, kur pjesën më të madhe të viteve i ka brenda mureve të antijetës, sepse mbas arrestimeve, hetuesive barbare, burgjeve, në veçanti ai i Burrelit, ku duhej t’u nënshtroheshe birucave, dhunës fizike e psiqike, prekjes herë mbas here me cakun e vdekjes, makina e hatashme e diktaturës dhe postdiktaturës më së fundmi kishte besuar se Uran Kostreci, ishte një vjetërsirë, një hedhurina e zezonës së saj, një asgjë që s’i vlente më askujt e aq më pak vetes…
Përbindshat gjithnjë besojnë se gjithçka shkelet nga panxha e përbindshme e tyre merr fund, edhe Golia biblik gjithçka mund të besonte, po kurrë vdekjen prej një çunaku si Davidi…
Kështu më ka ndodhur edhe mua, edhe shumë të tjerëve, në qindra biseda që kemi bërë më njeriun legjendë, aq sa nuk arrin ta besosh se si mundet që të jetë gjallë, si mundet ai të qeshë e të gëzojë, si mundet ai njeri që bën murgun vetmitar edhe mes rrëmujës dhe zhurmnajës së metropolit, si mundet ky njeri që në tavolinën e tij, me cigaret dhe kafen përpara, te qoshja e tij ku e gjen përditë, të mos lejojë askënd t’i japë një kafe; si mundet ky njeri, ky prodhimtar nikoqir i poezisë klasike të mos rreshtë një ditë së shkruari, ndër fletë që ndjekin njëra-tjetrën drejt përsosjes, me atë shkrimin energjik e deri nervoz, kur vargu s’i bindet, ashtu siç ai dëshiron, dhe ai vazhdon sërish e sërish pa u epur… Po ku e gjen forcën ky njeri, që tashmë na është pjesë e botës virtuale dhe komunikimit të përditshëm, me miq po edhe te panjohur, në gjithë skajet e botës; që s’ka organizim ku të përkujtohet një figurë apo nje ngjarje, dhe ai të mos jetë e të mos e thotë ashtu me pathos e sintetikisht fjalën dhe dhimbjen e tij; si është e mundur që ky njeri në atë vetmine e tij solemne, te mbaje brenda gjithë mirësinë e kësaj bote që shtiret e shthuret…
Më thoni si është e mundur; si mund të jetë e mundur… si mund të bëhet e besueshme për ne që e njohim dhe për ata që s’e njohën kurrë…
.
Me Uranin, te qoshja e tij te Piazza, mbas një bisede plot humor
Me Uranin, te qoshja e tij te Piazza, mbas një bisede plot humor
***
Në të përditshmen e kryeqytetit, ai është padyshim personazhi më me dritë, edhe pse kostumet dhe veshjet e tij janë gjithnje të errta. Ai tashmë është një ikonë, të cilën do ta lakmonte çdo kishë e xhami, po edhe çdo teqe nga e ka thellësinë, shpirti i tij fetar…
Dhe ecën ashtu i përhumbur në mendje të vet e ndër botë të largëta, me atë çantën e zezë gjithnjë plot, a thua se ka brenda tapitë e qiellit, dhe banesat e ëndrrave, mbasi asgjë e kësaj toke as i intereson më… Veç mos e harroni se dinjitetin e tij s’ka ar që e blen dhe shpirtin e tij të lirisë s’ka dhunë që ia shkel…
Ky është Uran Kostreci, një statujë e shetitëse, një hero pa asnjë betejë, po gjithnjë në ballë të betejës së madhe të jetës; një njeri që vetminë e tij, na e shfaq si një livadh lulesh të egra e të lashta… që na bën të gjithëve ta duam lexojmë, ta vuajmë fatin e tij si tonin; ti jetojmë pranverat e tij si të merrnim prej tyre, t’i lexojmë vargjet e tij, e të ndjehemi sikur gjejmë veten ndër rreshta, e ti vlerësojmë sonetet e tij si më modernet e klasikes e sërish të rrudhim buzët e të themi, është e pabesueshme pak ditë më parë, ai na dhuroi një tjetër perlë…
Ja pra, ku njeri i imët si bari e i mprehtë si majë lapsi, përmbys ligjet e natyrës dhe njeriut, dhe na rri si pasqyrë, përballë veteve tona me një pikëpyetje të madhe…
A e shihni çdo të thotë shpirt shqiptari?!
.
Korrik 2020
.


Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Nga spitali Nënë Tereza, ku gjendet i shtruar prej ditës së djeshme zoti Uran Kostreci, të afërm dhe miq të tij, më njoftuan se shëndeti i tij ka përmirësime të dukshme. Tashmë ai ka dalë nga koma dhe ka nisur rregullisht komunikimin. Mjekët e kanë gjendjen e tij nën kontroll, po gjithsesi priten analizat e mëtejme dhe diagrama e ecurisë shëndetsore.
    Ndër të paktat gjëra që ka kërkuar, ka qenë duhani…!!
    Urojmë që shëndeti i tij të përmirësohet dhe të kthehet në atë vetminë e tij solemne, rrethuar prej mijra njerëzve që e duan vërtet…
    Pjesa që paraqes, është shkëputur nga parathënia e Soneteve të tij… që është edhe amaneti i tij…!
    Xhaxha, të përqafoj fort!

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.