back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Skëterrë ’43 dhe Spaç ’73 – nga Maks Rakipaj

Gazeta

Burgjet shqiptare - Burgu i Spaçit
Burgjet shqiptare – Burgu i Spaçit

Skëterrë ’43 dhe Spaç ’73

nga Maks Rakipaj

Revolta e Spaçit ’73 është unike në të gjithë historinë e burgjeve për të gjithë botën komuniste, për nga përmasat, idetë dhe heronjtë e saj. Kanë shkruar shumë për të. Pjesëmarrës të revoltës kanë shkruar. Kanë shkruar edhe ata që s’kanë qënë në Spaç në atë kohë.
Unë vetë nuk kam qënë në Spaç kohën e Revoltës. Shkova në Spaç në korrik ’79, por fryma e revoltës ndihej ende, e mbante gjallë atë frymë shpirti i të pushkatuarve, të ridënuarit e revoltës, që ishin të shumtë. Nuk do t’i përmend me emër, janë shumë dhe unë nuk i di të gjithë emrat. Por njohja me shumë prej tyre të jepte forca për të përballuar tmerret e jetës së përditshme, të jepte forcë për të shpresuar në një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, të jepte forcë për ta dashur jetën, familjen, të dashurit që nuk t’u ndanë. Të jepte forcë për ta përbuzur vdekjen. Kjo ishte çka u dha revolta spaçianëve. Dhe kupola komuniste e dinte mirë, e ndjente forcën e spaçianëve të vërtetë. Ndaj ndëmori masat e saj.
Për pesë vite me radhë, asnjë ditë pushim, as për të diela e as për ditë festash. U dyfishuan normat në minierë. U përkeqësua ushqimi në mencë. U ndaluan të gjithë llojet e lojrave dhe librave, deri në vitin ’79. Por, u ndaluan edhe rrahjet e policisë ndaj të burgosurve,”me urdhër nga lart”. I biri i kryeministrit të atëhershëm, Bashkim Shehu, bëri edhe një film atë vit. Filmi titullohej “Skëterrë ’43” dhe i kushtohej kampit të Porto-Romanos, një kamp internimi i ngritur nga fashistët italianë gjatë luftës për të mbajtur aty kundërshtarët e fashizmit. Ne e pamë në TV me shumë interes. Kuptohet, që kishte shumë teprime. Si gjithë filmat dhe historia që shkruhet nga fitimtarët pas lufte por, megjithatë, dhuna fashiste e filmit ishte shumë larg nga dhuna e kryer nga komunistët shqiptarë, kundër shqiptarëve që nuk e donin komunizmin. Por konceptet për komandimin e kampit ishin të njëjta. Fashizmi dhe komunizmi janë vëllezër, por komunizmi është edhe më gjakësor.
Bedri Blloshmi "Revolta e Spaçit"
Bedri Blloshmi “Revolta e Spaçit”
Filmi, me sa më kujtohet fillon me një bisedë midis një specialisti të kuesturës fashiste për burgjet dhe një drejtuesi të lartë partie, ku i pari shtjellon idenë e funksionimit të kampit: “Bërthamën e kampit do ta përbëjnë ata që ne do të thyejmë në hetuesi – këta janë minjtë dhe do të jenë shembull për të tjerët; pastaj do të jenë kuajt e punës, nuk ka rëndësi rendimenti që sjellin, mjafton të punojnë që të mos u ngelet kohë për të menduar. Pastaj do të shtojmë edhe plot njerëz me moral të ulët, ordinerë etj. Do t’u ngulim në tru se këta nuk janë njerëz, por vemje, krimba, do t’i bëjmë që të mos kenë repekt për vlerat njerëzore dhe për veten e tyre…”
Kjo qe, me sa më kujtohet, ideja fashiste për drejtimin e një kampi me të dënuar politikë. Sipas djalit të kryeministrit komunisto-fashist Mehmet Shehu. Nuk di a qe vërtet kjo ideja fashiste për drejtimin e një kampi politik, pse nuk është detyra ime të merrem me këtë gjë. Por e kam provuar në lëkurën time, unë dhe 1200 burra në Spaç, se ky qe koncepti i komunistëve shqiptarë për drejtimin e kampeve politike shqiptare, sidomos pas revoltës së Spaçit. “Minj” kishte në Spaç; këta ishin në punët më të zgjedhura; nëpër zyra, brigadierë, normistë, guzhinierë, llogaritarë etj., dhe të tjera punë që ishin të privilegjuara dhe me pagesë të garantuar. Por këta ishin turpi i Spaçit, që për çudi, u bënë edhe të preferuarit e PD-së, kur kësaj partie iu dorëzua pushteti në ato rrethana pak a shumë misterioze në fillimet e viteve ’90. Por kjo është një tjetër temë, sepse pati dhe ka edhe djem të mirë ende të rreshtuar në atë Parti. Por më vjen keq, që megjithë mundësitë që kanë në shtypin e shkruar dhe TV, ende nuk luajnë rolin që u takon, nuk japin atë çka pritet prej tyre. Por edhe kjo është një tjetër temë.
Të paktën, në ato vite, kështu menduan ta sundojnë ata Spaçin, por nuk ja arritën asnjëherë ta thyejnë frymën e Spaçit ’73; “minjtë” shiheshin me përbuzje dhe e ndjenin këtë; “kuajt” jo vetëm punonin, por edhe studionin, shkruanin, mësonin gjuhë të huaja, diskutonin, mendonin me kokën e tyre dhe nuk u bënë vemje, krimba, si dëshironte PPSH. Ordinerët që u sollën në Spaç, hajdutë xhepash etj., i harruan veset e tyre; vjedhjet ishin pothuaj inegzistente, filluan edhe ata të mendonin me kokën e tyre.
.
Pllaka Përkujtimore e Revoltës së Spacit
Pllaka Përkujtimore e Revoltës së Spacit
Më erdhën në mend këto ide duke ndjekur një diskutim për filmat e kohës së komunizmit dhe sakrificat e komunistëve, bëmat dhe heroizmat e tyre në ato vite. Nderoj luftën e tyre kundër pushtuesit, por ajo luftë u shndërrua në vllavrasje; dhe ata nuk deshën ta ndalin gjakderdhjen, por e vazhduan atë edhe pas lufte, kur fuqitë e mëdha nëpër konferenca paqeje pas ’45 e hodhën Shqipërinë në kampin komunist. Ata, komunistët e thjeshtë shqiptarë, nuk kishin asgjë në dorë, veç t’i bindeshin verbërisht tiranit, ose përndryshe vinin në Ballsh, Spaç ose Burrel dhe atje kuptonin me vonesë që janë shqiptarë dhe jemi vëllezër, pavarësisht bindjeve politike. Dhe ia hidhnin fajin Enver Hoxhës kur vinin në burg, duke harruar që deri dje patën qënë vegla në duart e një krimineli sadist.
.
Shkëputur nga libri “Gjallë pas mbytjes së Anijes” i Maks Rakipajt ose “I mbijetuar” (ripunim)
 
 
 


 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.