back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Skënderbeu është njohur si Mbret i Shqipërisë dhe Maqedonisë qysh në vitin1458 nga Violeta Murati

Gazeta

Gjergj Kastrioti mbi kale (Spiro Xega)
Gjergj Kastrioti mbi kale (Spiro Xega) 

Skënderbeu është njohur si Mbret i Shqipërisë

dhe Maqedonisë qysh në vitin 1458

nga Violeta Murati

Vatikani zbulon një dëshmi sekrete të historisë shqiptare. Për herë të parë del në dritë dokumenti ku është shpallur Skënderbeu mbret. Një akt diplomatik, mandat, në të cilin emërohet Martin Muzaka – ambasador i Skënderbeut. është një letër origjinale në pergamenë me një vulë shteterorë të varur, i cili ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit në fondin; Miscellanease, volumi XXXIX, dokumenti 2398, nga viti 1458. Pikërisht në këtë mandat, Skënderbeu cilësohet “mbret”.
Ka qenë dr. Musa Ahmeti, një hulumtues i ka kohshëm i arkivave të Vatikanit që ka publikuar disa ditë më parë, në internet, mandatin e Mbretërisë Shqiptare.

Vula e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut
Vula e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut

Si u gjet vula e mbretit?

Hulumtimet nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, kanë mundësuar zbulime të reja të këtyre akteve, për të cilat më parë është menduar se janë zhdukur apo nuk kanë ekzistuar fare. Duke u nisur nga këto hulumtime, të kohëve të fundit (viti 2000), studiuesi nga Zagrebi, Ahmeti, në Arkivin Sekret të Vatikanit, në fondin: Miscellaneae, viti 1458, zbulon një mandat (akt diplomatik) origjinal të Skënderbeut, me të cilin emërohet Martin Muzaka si përfaqësues i tij “legjitim dhe legal”.
“Dokumenti është i shkruar në pergamenë. është i ruajtur mjaft mirë”, – pohon Ahmeti. Dokumenti ka dimensione: 68 x 92.5 cm. Në të janë varura edhe dy vula origjinale. E para vula shtetërore e Skënderbeut dhe e dyta ajo e notarit Johannes Borcius de Grillis. “Ne na është bërë e njohur edhe një kopje e këtij mandati që ruhet po ashtu ne Arkivin Sekret të Vatikanit, në Vatikan në Fondin: Diversa Cameralia, vëll. 30, f. 134r-v. Kjo kopje është e saktë dhe tepër besnike, pa asnjë lëshim nga ana e përshkruesit”, pohon studiuesi Ahmeti.

Kur u bë Skënderbeu mbret?

Ishte zgjedhur Rodoni, në Shqipërinë e Mesme, për të nënshkruar mandatin e mbretit. Sic shënohet nga origjinali, mandati është lëshuar me 28 tetor të vitit 1458. I drejtohet Papës Piu i II-të, i cili kishte më pak se dy muaj që kishte filluar pontifikatin e tij (Piu i II-të fillon pontifikatin me 3 shtator të vitit 1458 dhe vdes me 15 gusht 1464). “Papa Piu njihej si luftëtar i rreptë për mbrojtjen e fesë së krishterë edhe kur ishte kardinal”, – shkruan studiuesi Ahmeti. Një moment tjetër i rëndësishëm që tërheq vëmendjen te ky mandat është edhe pohimi i notarit publik Johannes Borcius de Grillis se: “ai me urdhër dhe autorizim të mbretit…” dmth Skënderbeun e quan Mbret. “Ky moment është tepër domethenës ngase edhe në vulën shtetërore të varur që e shoqëron këtë dokument e gjejmë të shkruar tekstin: Sigil (um)o Regni(ae) o Macedonia(e)o et o Albania(e) që në gjuhën shqipe do të ishte: Vula e Mbretërisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë”.

Gjergj Kastrioti - Skenderbeu (1405-1468)
Gjergj Kastrioti – Skenderbeu (1405-1468)

Skënderbeu trashëgon zyrën nga i ati, Gjoni

Nga dokumentat mendohet që zyra kancelarike që ishte pranë Skënderbeut të ishte vazhdimësi e së njejtës zyrë, e cila funksiononte te i ati Gjon Kastrioti. Sipas Ahmetit, flitet që kjo zyrë daton në shek. XIV dhe fillimi i shek. XV. “Natyrisht që kancelaria e Skënderbeut ishte shumë më moderne dhe ju ishte përshtatur rrethanave dhe kohës kur vepronte.
Sipas hulumtimeve të bëra, kemi në dorë një të dhënë tepër interesante, se nga zyra e Skënderbeut, ka ndodhur që mbrenda një dite të nxirren 13 akte të ndryshme diplomatike, të shkruara në 5 gjuhë. Kjo e dhënë tregon se cili ishte komunikimi i Heroit tonë Kombëtar me shtetet tjera mesjetare dhe me fqinjët, si dhe roli shumë i rëndësishëm që luante kjo diplomaci në ruajtjen e pavarësisë shteterore dhe territoriale”, shpjegon studiusi Ahmeti.

Historia e kancelarive shqiptare

Gjatë Mesjetës, sundimtarët dhe princat shqiptarë kishin zyrat e tyre të kancelarive në nivele të ndryshme si noterë, sekretarë apo përkthyes. Këto zyra ishin mjaft të zhvilluara dhe mund të renditen në radhën e kancelarive të ngjashme më të njohura, në Europë, gjë që tregonte për nivelin e lartë të zhvillimit dhe kujdesit që tregonin sunduesit shqiptarë në komunikim me sundimtarët tjerë. Nga këto zyra dolën akte, diploma, mandate dhe dokumente nga më të ndryshmet, në disa gjuhë që në atë kohë ishin në përdorim zyrtar. Porse deri më sot ka pak njohur të mbledhura dhe që ekzistojnë për këto dokumenta orgjinale. Pjesa dërmuese e tyre sic duket janë zhdukur përgjithmonë; pjesa tjetër pret hulumtuesit që ato t’i nxjerrin në dritë dhe t’i botojnë. Ndërsa vetëm në këto vite po hyhet në këtë mister dëshmishë historike ku disa fakte të zbuluara rishtazi. Sipas studiuesit Ahmeti, karakteristikë e përgjithshme e këtyre akteve të botuara është se ato nuk ndryshojnë nga ato të sundimtarëve të tjerë, fqinjë apo europianë. Zakonisht në këto kancelari janë përdorur gjuhët kulturore të kohës si: latine, greke, sllave, italiane, osmane dhe ndonjë tjetër. Ndërsa ende nuk ka asnjë dokument që është shkruar në gjuhën shqipe nga aktet noteriale.

Gjergj Kastrioti (1405-1468)
Gjergj Kastrioti (1405-1468)

Hidhet poshtë datimi i studiuesve shqiptarë

Përmbyset një nga datimet e nxjerra nga studiuesit shqiptarë. Me zbulimin e mandatit të Skëndërbeut nga Arkivat sekrete të Vatikanit, hidhet poshtë data e shkruar deri më tani për këtë dokument. Viti 1463, i vënë nga studiuesit shqiptarë nuk vlen më. Kjo datë thuhet se është vendosur pa pasur në dorë dokumentin, as origjinalin dhe kopjen. Ndaj argumentohet gabim ky datim. Me daljen e mandatin të Skënderbeut nga Vatikani kjo datë kalon rreth pesë vitë më përpara, pra në vitin 1458, pra koha kur Gjergj Kastrioti shpallet mbret. Sic vërehet nga origjinali, mandati është lëshuar në Rodon të Shqipërisë me 28 tetor të vitit 1458. I drejtohet Papës Piu i II-të, i cili kishte më pak se dy muaj që kishte filluar pontifikatin e tij (Piu i II-të fillon pontifikatin me 3 shtator të vitit 1458 dhe vdes me 15 gusht 1464) dhe njihej si luftëtar i rreptë për mbrojtjen e fesë së krishterë edhe kur ishte kardinal.
(Marrë nga http://www.lirenti.com/threads/19774)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.