back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Skeda e Lazër Radit dhe Gjyqi Special (13 prill 1945)

Gazeta

Pamja e sallës së Gjyqit Special
Pamja e sallës së Gjyqit Special (L.Radi ne fund)

Skeda e Lazër Radit në Gjyqin Special (13 prill 1945)

Deklarata të Prokurorit të Gjyqit Special Bedri Spahiu

Gjyq i posaçëm Special (1945) u bë me të arrestuarit e listës së rekomanduar nga Jalta. Ky është vendimi i qeverisë së parë komuniste që posa kishte hyrë në Tiranë. N’atë kohë në Shqipëri s’kishte as Prokurori dhe as Gjykatë, por mjaftoi një vendim qeverie për të ngarkuar si kryetar të këtij procesi të jashtëzakonshëm, Koçi Xoxen (me katër klasë fillore) dhe prokuror të tij, Bedri Spahiun (pa asnji njohuri jurisprudence!).
Ishin plot 60 personalitete: ushtarakë, intelektualë, ministra, gazetarë, ballistë, zogistë dhe të tjerë të akuzuar si “kuislingë”, të cilët u përballën me akuzat e prokurorit Spahiu si tradhtarë të kombit. 17 vetë, mes tyre edhe Bahri Omari, e pritën me gjakftohtësi dënimin me vdekje. 41 prej tyre u dënuan nga 2 deri në 101 vjet burg, ndërsa dy u liruan në sallën e gjyqit.
Me grupin në të cilin do të gjykohej edhe Bahri Omari, nuk ishin më shumë se 7-10 vetë. Ishte fundi i ‘45-ës, kur ata, të arrestuar që prej një viti, do të përballeshin me akuzat e parapërgatitura të prokurorit. Gjyqi do të fillonte në orën 09:00 të paradites, pikërisht në kinema ‘Kosova’,  ku sot është godina e Teatrit Popullor.
Prokurori i caktuar për të përfaqësuar akuzën në proceset speciale ndaj njerëzve që vendoseshin në bankë si kuislingë, e kishte disi të vështirë punën, pasi ai nuk mund të nënvleftësonte aftësitë intelektuale të atyre që akuzonte.

Kush është tradhtari?
Prokurori Bedri Spahiu (që më pas u bë dhe prokuror i përgjithshëm, e më pas “armik i popullit!”), lëshoi akuzën vdekjeprurëse duke thënë në mënyrë të prerë dhe me ton ushtarak:
“Të pandehur! 
 Veprimtaria juaj e këtyre viteve ka përbërë tradhti ndaj fateve të popullit dhe atdheut. Ju keni përdhosur cilësitë e larta patriotike të vendit duke e njollosur emrin tuaj me atë të tradhtarit…!” Këtë akuzë ai e bëri duke u drejtuar nga i pandehuri Kol Tromara. Për çudinë e të gjithëve, Kol Tromara jo vetëm s’u frikësua, por me qetësi iu kthye prokurorit: “Se kush është tradhtar, këtë herët a vonë do ta mësojë populli!!”. (prill 1945)

“…unë Bedri Spahiu, i shpallur “Armik i Popullit”, ”fashist” dhe “Armiku më i pabindshëm që ka kaluar në gjyqet e Republikës”, ndihem sot i lirë të shpërthej publikisht dhe populli e komunistët të ndërgjegjësohen më shumë për disa ngjarje të rëndësishme të partisë. Presidiumi i Kuvendit Popullor vendosi me unanimitet që unë të bëhesha Prokuror i Gjyqit Special, që të mbroja para këtij gjyqi çështjen e popullit. Ngjan se këto çështje si fitimtar unë i mbrojta mirë. Por, duke krijuar këto 46 vjet terrori, mizorie, mjerimi që ka kaluar populli im, mua më vjen turp që kam qenë prokuror i atij Gjyqi Special. Kam revizionuar veten, idealet dhe gjithçka të shenjtë që kam pasur në jetën time. Nuk jam më ai prokuror që nxorri lufta Nacional-çlirimtare, as përkrahës i utopisë komuniste më të lemeritshme që nxorri gjenerata jonë…” (gazeta Republika qershor 1991)

I pari gjyq Special në Shqipëri
Lazer Radi – I pari gjyq Special në Shqipëri

Dokumenti 2 (i pandehuri Lazër Radi)

32 – U thirr i pandehuri Lazër Radi, i biri Çupit dhe i Ganxhe Vila, vjeç 28, i lindun në Prizren banues në Tiranë, i martuam me dy fëmijë, me arsim të Naltë (Drejtësi në Romë), i padënuem ndonjëherë. Ju kënduen të pandehurit akuzat e formulueme prej Komisionit Qëndruer për zbulimin e krimeve dhe kriminelave të luftës dhe armiq të Popullit, me akt-akuzën datë 24. II. 1945, thuhet:
I)Ka qenë vegël e ndërgjegjëshme e propagandës armike si propagandist dhe publicist
II)Organizator i Brufshit (Bashkimi i Rinisë Universitare Fashiste Shqiptare).
U pyet i pandehuri të përgjigjet në akuzat e sipërme tha: Isha në fillim të jetës s’eme praktike dhe si njeri ende i pa-eksperiencë duke mos ditur jetën e vërtetë dhe prapaskenat politike, i gënjyem nga format e jashtme të Fashizmit që proklamonte me pompozitet e solemitet përkrahjen e punëtorit, luftën kundra kapitalit t’eksagjeruar, lirinë e turmave, u gënjeva e kam shkrue në “Fashizmi-n” nji seri artikujsh prej 30-40 gjithsejt, të cilat i kam pasë botue mandej në nji broshurë. Duke parë udhën e gabueme më vonë e ndërpreva kët aktivitet duke u tërheqë nga shtypi në kohën e fashizmit Italian.
-Mbasi mbarova studimet universitare më emnuen si nëpunës pranë Komisionit për shtëpitë e nëpunesavet ku kam qëndrue deri në kapitullimin e Italisë! “Mandej duke mbetur pa punë dhe me qenë se nevojat e shumta familjare më shtrëngojshin me gjetë punë, mbasi prej meje e prisnin kafshatën e bukës 12 veta në shtëpi, dhe duke parë se s’kisha tjetër mundësi pune veçse në Ministrinë e Kulturës Popullore: më thanë dhe me propozuen se shkruej artikuj në gazetë, se përndryshe nuk kishte punë për mue. Kështu që duke qenë në Ministrinë e Kulturës Popullore kam shkruejtë pak artikuj në gazetën “Bashkimi i Kombit. Kam shkrue edhe artikuj që përmbajnë disa pasazhe kundra lëvizjes Nacional-Çlirimtare, porse këto i korigjonte vetë Zyra e Shtypit në Ministrinë e Kulturës Popullore dhe ata që i korigjonin kanë qenë Mas’har Sopoti dhe Xhelal Mitrovica. -
P. P
Unë i kreva më në fund studimet universitare me bursën e Luogotencës duke qenë i përkrahun prej famullitarit të Durrësit. Për nji kohë të shkurtër kam besue në fashizmin, por më vonë e pashë se isha i gabuar. Artikujt e mi kanë qenë pa randësi dhe prandaj dilnin në faqe e 3 të gazetës.
-Kam qenë Këshilltar ligjur pranë Drejtorisë së Policisë dhe kjo s’ka qenë nji detyrë e zorshme dhe me randësi, vetëm se u ngarkova me përpunue Kodin e Policisë, duke i hapur termat e kohës së Fashizmit. -
P. P.
Nuk asht e vërtetë të kem qenë fiduciar i Guf-it dhe çuditem pse m’akuzojnë me këtë vepër. Asht e vërtetë se nji ditë në akapamentin e studentëve në Romë, duke u ndodhur unë si kryetar i Rojës u ngarkova prej shokëve të mbajë pak fjali përshëndetse për Jacomoni-n. Ato kanë qenë krejt fjalë të rastit. -
P. P.

Deponim me shkrim ndaj Lazër Radit
Deponim me shkrim ndaj Lazër Radit

Artikulli i botuem në gazetën “Bashkimi i Kombit” me titullin “Bota e jonë politike” me datë 26. I. 1944 asht ba duke u korigjue disa pasazhe prej Ministrisë së Kulturës Popullore: (U këndue ky artikull)
-Asht e vërtetë se në kët artikull kritikon, në disa pasazhe botëkuptimin e lëvizjes nacional-çlirimtare, por siç thashë janë modifikue në zyrën e shtypit prej Mas’har Sopotit dhe Xhelal Mitrovicës. Për modifikimet që ata u banin artikujve mund të pyeten sekretarët e shtypit si dhe ish-gazetës Z. Akile Tasi. Këtë që kam shkrue ne gazetën e “Bashkimit Kombëtar” e kam bërë nga nevoja e jetesës se unë kam punue për nji minimum jetese.
-U pyet i pandehuri Akile Tasi a tha: Po asht e vërtetë se zyra e shtypit në Ministrinë e Kulturës Popullore shumë herë artikujt politikë i ndryshonte dhe ata që i ndryshonin ishin Xhelal Mitrovica e Mas’har Sopoti, jo vetëm artikujt e këtij por dhe të tjerë.
– Unë në gazetë kamë qenë si drejtor teknik.
-
Ju kënduen deponimet e bame para Komisionit Hetimor me datë 27. XII. 1944, të cilat i pandehuri i vërtetoj. Avokat M. Pipa paraqiti dy copa deklarata në gjuhën italishte ku i pandehuri Lazër Radi në vitin 1938, prej Melonit konsiderohesh si komunist.
Tiranë, më 17.III.1945

Avokatët e Gjyqit Special
Avokatët e Gjyqit Special

Vendimi i Gjyqit Special… (13 prill 1945)

Qeverija Demokratike e Shqipnisë
Gjykata Speciale e Tiranës

Vendim
Në emër të Popullit Shqiptar
Gjykata Speciale e Tiranës, e formuar prej:
Koçi Xoxe, Kryetar Gjeneral Lieutenant;
Halim Budo, anëtar, Gjyqtar;
Gaqo Floqi, anëtar, Gjyqtar;
Hysni Kapo, anëtar, Kolonel;
Beqir Balluku, anëtar, N/Kolonel;
Dr. Medar Shtylla anëtar;
Faik Shehu, anëtar,
Bilbil Klosi, anëtar, N/Kolonel;
Gjon Banushi, anëtar, Major;

Me asistencën e sekretarëve Kozma Taçi dhe Mustafa Çizme; duke qenë prezent Prokurori i Popullit Gjeneral Major, Bedri Spahiu, u mblodh në sallën e gjykimeve, për të gjukuar të pandehurit: Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Aqif Përmeti, Gustav Myrdacz, Hilmi Leka, Reshat Merlika, Javer Hrushiti, Beqir Valteri, Zef Kadarja, Kol Tromara, Bahri Omari, Dik Cami, Daut Çarçani, Ismail Golemi, Tahsim Bishqemi, Kostandin Kote, Shyqyri Borshi, Xhevat Korça, Qemal Vrioni, Ibrahim Biçakçiu, Bajram Pustina,Rifat Begolli, Shuk Gurakuqi, Xhavit Leskoviku, Koço Tasi, Koço Kota, Sokrat Dodbiba, Et’hem Cara, Sulejman Vuçiterni, Lazër Radi, Ndoc Naraçi, Mihal Zallari, Sami Koka, Fiqiri Llagami, Anton Kozmaçi. Akile Tasi, Teufik Mborja, Gjergj Bubani, Jakov Milaj, Rrok Kolaj, Bilal Nivica, Ismet Kryeziu, Nedim Kokona, Rifat Tartari, Rrok Gera, Vangjel Goxhomani, Ihsan Libohova, Zef Benussi, Mahmut Golemi, Zija Bejleri, Emin Toro, Manush Peshkëpia, Ded Jakova, Zejnel Prodani, Samim Visoka, Abedin Xhiku, Zef Shiroka, Luigj Filaj, Abdurrahman Telqiu, të përfaqsuar prej avokatëve Kristo Çevi, Kristaq Niçe, Muzafer Pipa, Ilia Çipi , Haki Karapici, Spiro Stringa, Suat Asllani, Vasil Bidoshi, Aristidh Totozani, Vasil Xhai, të cilët simbas akuzave të veçanta të Komisionit Qëndror për zbulimin e krimeve dhe kriminelëve të Luftës dhe armiq të Popullit dhe aktakuzës së përgjithshme të Prokurorit të Popullit, akuzohen në bazë të neneve 15 dhe 16 të ligjës mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake, si Kriminel Lufte ose armiq të Popullit.
Në rrjedhim të gjyqit botërisht dhe faqësisht, Prokurori i Popullit me pretencën e tij përfundimtare, duke ekspozuar, duke ekspozuar vepimtarinë antikombetare e antipopullore te te pandehurve të lartpërmendur si para datës 7 prill në pregaditjen e terrenit për okupacionin e Shqipërisë prej forcave të Italisë Fashiste ashtu dhe gjatë okupacionit të huaj Italian e gjerman, duke vënë në dukje vijën politike të klikave reaksionare e tradhëtorë të vendit, në bashkëpunim me okupatorin dhe në luftë kontër lëvizjes së Popullit Shqiptar, duke radhitur provat dhe fakte të njohura botërisht dhe të provuara në një seri dokumentesh të ndodhura ndër akte si dhe me deponimet e dëshmitarëve të dëgjuar para gjyqit, duke prekur mprojtjen e njëllojtë të të pandehurve dhe vënë përballë faktit se, pohimet dhe kundërshtimet e tyre në lidhje me njëri tjetrin, ose me deponimet e tyre të bëra para Komisionit Hetues, duke rrëzuar deponimet e dëshmitarëve të mprojtjes që konsistojnë në tregimin e disa shërbimeve ose ndihmave që të pandehurit kanë bërë për shumë arsye, personave të ndyshëm, kërkoj deklarimin e fajtorësisë të 58 të pandehurve të parë si kriminelë lufte ose Armiq të Popullit dhe ndëshkimit kapital të  pandehurve: Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Kol Tromara, Bahri Omari, Javer Hrushiti, Hilmi Leka, Kostandin Kote, Zef Kadarja, Ismail Golemi, Reshit Merlika, Shyqyri Borshi, Tahsim Bishqemi, Dik Cami, Beqir Valteri,  Daut Çarçani, Gustav Myrdacz, Mihal Zallari, Aqif Përmeti, Ibrahim Biçakçiu, Qemal Vrioni, Xhevat Korça, Koço Kota, Teufik Mborja;
Me burgim të përjetshëm: Rifat Begolli, Sokrat Dodbiba, Et’hem Cara, Anton Kozmaçi, Xhavit Leskoviku, Koço Tasi, Bajram Pustina, Sulejman Vuçiterni;
Me 30 vjet burgim Fiqiri Llagami, Shuk Gurakuqi, Lazër Radi, Mihal Sherko, Ndoc Naraçi, Rrok Gera, Ismet Kryeziu, Gjergj Bubani,
Me 15 vjet burgim për të pandehurit: Jakov Milaj, Akile Tasi, Vangjel Goxhomani, Nedim Kokona, Rrok Kolaj, Zef Benussi, Emin Toro, Rifat Tartari, Bilal Nivica, Manush Peshkëpia, Mahmut Golemi, Zef Shiroka;
Me 5 vjet burgim për të pandehurit: Samim Visoka, Zija Bejleri, Abedin Xhiku, Zejnel Prodani, Ded Jakova, Ihsan Libohova,
Lirimi për mungesë provash të të pandehurve Abdurrahman Telqiu dhe Luigj Filaj.
Avokatët mprojtës në përgjithësi kërkuan pafajsinë e të pandehurve ose në rast të kundër lehtësimin e ndëshkimeve.

Gjykata:
mbasi studjoi proceset e mbajtura prej Komisionit Hetues të kriminelëve të luftës, mbasi dëgjoi apologjinë e të pandehurve; mbasi studjoi dokumentet me karakter të përgjithshëm si dhe atë… (mungon tekst në dokument); Mbasi mori parasysh para Komisonit Hetues dhe apologjinë e të pandehurve si dhe të gjitha faktet dhe arsyet që përmbahen hollësisht për çdo të pandehur në pjesë anekse të këtij vendimi; Mbasi dëgjoi pretencën e Prokurorisë; Mbasi dëgjoi Mbrojtejn e avokatëve si dhe fjalën e fundit të të pandehurve;

Konstaton:
se të pandehurit Kol Tromara, Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Javer Hurshiti, Bahri Omari, Kostandin Kota, Qemal Vrioni, Xhevat Korça, Tefik Mborja, Reshit Merlika, Jakov Milaj, Shuk Gurakuqi, kanë përgatitur, lehtësuar ose ndihmuar okupatorin fashist më 7 Prill 1939: nga brënda me lidhjen e akordave politike (akordi i Tiranës etj.), ekonomike (koncesione të ndryshme si shoq. SVEA, AGIP, minierat e Kuçovës, Selenicës, Banka Kombëtare, etj.) me lejimin e penetracionit të organizatave të ndryshme si ushtria ashtu edhe në organizata jashtë shkollore, me lënien fushë të lirë të propagandës fashiste; nga jashtë me marrëveshjen e 1938-s, lidhur me ndërmarrjen e Mustafa Krujës dhe delegatëve të Bashkimit Kombëtar (Ali Këlcyra, Qazim Koculi); për vendosjen e një pushteti fashist në Shqipëri, dhe zëvëndësimin e Zogut me një princ Italian prej shtëpisë Savoja. Kjo marrveshje është përfundimi logjik i vijës së tyre politike.
Se të pandehurit Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Javer Hurshiti, Bahri Omari, Kostandin Kota, Qemal Vrioni, Xhevat Korça, Tefik Mborja, Reshit Merlika, Jakov Milaj, Shuk Gurakuqi, Sulejman Vuçiterni, Sami Koka, Bilal Nivica, kanë sabotuar rezistencën e popullit shqiptar kundër okupatorit fashist në ditët e para të Prillit 1939. Mbasi nuk muarnë vendim për rezistencë ose nuk organizuan rezistencë, sabotuan direkt rezistencën e popullit duke lëshuar parrulla disfatiste e çorganizuar njësitë ushtarake si dhe duke i refuzuar armë popullit, pritë okupatorit fashist si forcë çlirimtare. Disa prej tyre duke qenë oficerë të naltë nuk kanë bërë detyrën që u përkiste për mbrojtjen e atdheut.
Se të pandehurit Kol Tromara, Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Bahri Omari, Javer Hurshiti, Hilmi Leka, Kostandin Kote, Zef Kadareja, Ismail Golemi, Reshit Merlika, Shyqyri Borshi, Tahsim Bishqemi, Dik Cami, Beqir Valteri, Daut Çarçani, Gustav Myrdacz, Mihal Zallari, Aqif Përmeti, Ibrahim Biçakçiu, Qemal Vrioni, Xhevat Korça, Koço Kota, Teufik Mborja, Refat Begolli, Sokrat Dodbiba, Ethem Cara, Andon Kozmaçi, Xhavit Leskoviku, Koço Tasi, Bajram Pustina, Sulejman Vuçitërni, Fiqiri Llagami, Shuk Gurakuqi, Lazër Radi, Mihal Sherko, Ndoc Naraçi, Rrok Gera, Ismet Kryeziu, Gjergj Bubani Jakov Nilaj, Akile Tasi, Vangjel Goxhamani, Nedim Kokona, Rrok Kolaj, Zef Benussi, Emin Toro, Rifat Tatari, Bilal Nivica, Manush Peshkëpia, Mahmut Golemi, Zef Shiroka, Xhiku, Zejnel Prodani, Dedë Jakova, Ihsan Libohova, mbas datës 7 Prill 1939, kanë bashkëpunuar aktivisht me okupatorin fashist Italian: pranuan aneksimin e Shqipërisë, nën formën e unionit personal, krijuan qeveritë kukull, fashistizuan vendin, në mënyra të ndryshme (agjitacion, propagandë, etj.) Vunë në dispozicion të armikut të gjithë forcat e armatosura shqiptare, mobilizuan popullin shqiptar në luftën kundër shteteve fqinje dhe demokracive të mëdha. Të pandehurit e naltpërmendun, sa më shumë zgjerohej lufta N.Çl., sa më shumë populli kishte nevojë për bashkim në luftën kundër okupatorit, aq më tepër këta shtrëngojnë radhët me okupatorin dhe së bashku me ta aq më të egër bëhen kundra popullit dhe ushtrisë së tij: krijuan organizatën tradhëtare “Balli Kombëtar”, përçanë popullin dhe shkaktuan vëllavrasjen, sabotuan luftën dhe bashkëpunuan ushtarakisht me armikun kundra lëvizjes dhe ushtrisë N.Çl., bënë vrasje, varje, masakrime, internime, burgime, shpërngulje në masë, djegie, shkatërrime dhe plaçkitje.
Se kur populli shqiptar dhe ushtria e tij N.Çl., gjendej në përleshje me nji okupator të ri më të egër, të pandehurit Kol Tromara, Fejzi Alizoti, Javer Hrushiti, Bahri Omari, Zef Kadarja, Isah Golemi, Shyqyri Borshi, Tahsim Bishqemi, Dik Cami, Beqir Valteri, Daut Çarçani, Gustav Myrdacz, Mihal Zallari, Aqif Përmeti, Ibrahim Biçakçiu, Bjram Pustina, Rifat Begolli, Shuk Gurakuqi, Koço Tasi, Sokrat Dodbiba, Ethem Cara, Ndoc Naraçi, Lazër Radi, Sami Koka, Andon Kozmaçi, Akile Tasi, Rifat Tatari, Nedin Kokona, Rrok Grea, Vangjel Goxhamani, Ismet Kryeziu, Mahmut Golemi, Zija Bejleri, Manush Peshkëpia, Ded Jakova, Sami Visoka, Gjergj Bubani; Bilal Nivica, bashkëpunojnë me Armikun duke shkaktur popullit dëme të pariparueshme dhe duke dëmtuar njëkohësisht kauzën e aleatëve.
Me parrulla të dala nga Gestapo-ja si p.sh. “Shqipëri indipendente” dhe “neutrale” u përpoqën të largonin popullin shqiptar nga lufta me okupatorin. Ngritën qeveri kuislinge, regjencën t’ashtuquajturën “asamble” dhe formuan organizatën tradhëtare të “Legalitetit” me anë të të cilave mobilizuan forca dhe i hodhën në luftë krah për krah me ushtrinë gjermane kundër ushtrisë N.Çl. (dy ofensivat e mëdha: operacioni i dimrit dhe ai i verës 1944). Ushtruan terror të pashembëllt mbi popullin si ay i (4 dhe 27 shkurtit, masakrat e Kukësit e të Prishtinës, masakrat në zonat e lira etj.) dogjën, plaçkitën krahina të gjëra.
Të pandehurit Kol Tromara, Bahri Omari, Koço Kota, Xhavit Leskoviku, Koço Tasi, me marrëveshjen e Selanikut, mbeten dakord në parim me reaksionin grek për një “7 Prill të 2-të, i cili nuk u realizua për shkaqe të pamvarura nga vullneti i tyre.
Se të pandehurit në përgjithësi nuk i përgjigjen thirrjeve të ngritura dhe të posaçme të Kryesisë së Këshillit antifashist për t’u larguar nga radhët e okupatorit dhe duke u bashkuar me luftën e popullit.
Nga analizimi i deponimeve të dëshmitarëve të mbrojtjes në përgjithësi, Gjykata konstaton se kjo paraqitet e anëshme, jo e plotë dhe ose një natyrë që të lehtësoj aktet penale të panumërta të të pandehurvet duket qartas se këto janë bërë për arsye miqësie, lidhje familjare ose oportuniteti. Nga ana tjetër të pandehurit për të zgjeruar rrethin e tyre si dhe për të justifikuar kolaboracionin e tyre tradhtar si dhe me qëllim oportuniteti, kanë bërë ndërmjetësime ose lehtësime të ralla për personat që bijshin viktima të sistemit që ata vetë kishin ngritur.
Pretendimi i avokatit mbrojtës për të pandehurin Beqir Valterin se ky ka një dozë anomalie, rrëzohet kryekëput siç shpjegohet me hollësi në vendimin e posaçëm që i përket këtij.

Prandaj:
gjykata për arsyet e mësipërme dhe ato që kallzon me hollësi në pjesën e anekse të këtij vendimi, në bazë të neneve 14-15 e 18 të ligjës mbi organizimin dhe funksionimin e Gjykatave Ushtarake Nr. 41, datë 23 Janar 45, të botuar në fletoren zyrtare Nr. 3 bis,

Vendosi:
Fajtorinë e të pandehurve me cilësitë e ndëshkimit si vijojnë:
1)Ndëshkimin me vdekje të kriminelëve të luftës: Fejzi Alizoti, Terenc Toçi, Aqif Përmeti, Gustav Mirdaszc, Kostandin Kote, Hilmi Leka, Reshit Merlika, Beqir Valteri, Javer Hrushiti, Dik Cami, Ismail Golemi, Zef Kadareja, Tahsim Bishqemi, Shyqyri Borshi, Daut Çarçani, Kol Tromara, Bahri Omari, Qemal Vrioni, Tefik Mborja. Por në bazë nenit 16 të ligjës naltpërmendun në kundërshtim me kërkimin e prokurorit, krimineli i luftës Qemal Vrioni, duke u dorëzuar brenda afatit të caktuar në shpalljen e Kryesisë së Këshillit Antifashist Na.Çl. dhe të Komitetit antifashis N.Çl., datë 22 Shtator 1944, përfiton nga shkaqet lehtësore dhe ndëshkimi i tij i kthehet në burgim të përjetshëm dhe me punë të rëndë e të detyrueshme; Tefik Mborja, mbas rënies së kabinetit Sh. Vërlaci, që më 1941, është tërhequr kryekëput nga jeta politike dhe nga bashkëpunimi në çdo formë me qeveritë Kuislinge të njëpasnjëshme që kanë ardhur pas kësaj date, me gjithëqë i janë bërë presione të shpeshta për të marrë pjesë në kabinetet e ndryshme dhe organizatat tradhtare të ndryshme. Nga ana tjetër edhe gjatë kohës që ka qenë si ministër ka dhënë dy herë dorëheqien si shenjë proteste kundra masave shtypëse fashiste dhe mbas koferencës së Pezës ka simpatizue lëvizjen tue e ndihmue herë pas here në mënyra të ndryshme; përfiton nga shkaqet lehtësore dhe ndëshkimi i tij me vdekje i kthehet në 30 vjet burgim me punë të detyrueshme.
2)Për armiqtë e popullit: Koço Kota, Xhavit Leskoviku, Koço Tasi dhe kriminelët e luftës: Ibrahim Biçakçiu, Xhevat Korça, Rifat Begolli, Bojram Pustina, Shuk Gurakuqi: Ndëshkimin e tyre me burgim të përjetshëm dhe punë të detyrueshme.
3)Për kriminelët e luftës ose armiq e popullit: Sokrat Dodbiba, Mihal Zallari, Ethem Cara, Ndoc Naraçi, Andon Kozmaçi, Lazër Radi, Sami Koka, Sulejman Vuçiterni: nga 30 vjet burg e punë të detyrueshme.
4)Për armiqtë e popullit: Mihal Sherko, Akile Tasi, Fiqiri Llagami: nga 20 vjet burg e punë të detyrueshme.
5)Për armiqtë e popullit ose kriminelë lufte: Gjergj Bubani, Rrok Kolaj, Bilal Nivica, Ismet Kryeziu, Jakov Milaj: nga 15 vjet burg e punë të detyrueshme.
6)Për armiqtë e popullit: Rrok Gera, Nedim Kokona, Rifat Tutari, Ihsan Libohova, Vangjel Goxhomani: nga 10 vjet burg e punë të detyrueshme.
7)Për amiqtë popullit: Emin Toro, Zef Benusi, Mahmut Golemi, Zija Bejleri, Manush Peshkëpia: nga 5 vjet burg e punë të detyrueshme.
8)Për armiqtë popullit: Zejnel Prodani, Sami Visoka: nga 3 vjet burg e punë të detyrueshme.
9)Për armikun e popullit Zef Shiroka: 2 vjet burg, po, mbasi është tërheqë nga jeta politike dhe gjatë kohës që ka qenë Ministër nuk ka treguar aktivitet, përfiton nga shkaqet lehtësonjëse të nenit 16 dhe vuajtja e ndëshkimit i pezullohet me konditë që brenda 5 vjetësh të mbaj një qëndrim politik të denjë.
10)Për armiqtë popullit: Dedë Jakova, Abedin Xhiku: me 1 vjet burgim, duke pezulluar vuajtjen e ndëshkimit me konditë që për 5 vjet të mbajnë një qëndrim politik të denjë.
Për të pandehurit Luigj Filaj e Abdurrahman Telqiu vendosi pafajsinë për mungesa provash.
Urdhërohet lirimi nga burgu i Luigj Filaj, Abdurrahman Telqiu, Ded Jakova, Zef Shiroka dhe Abedin Xhiku.
Për të gjithë fajtorët që kanë ndërshkime me të tepërta se pesë vjet burgim, urdhërohet konfiskimi i pasurisë së lujtshme dhe të paluajtshme në konformitet me dispozitat ligjore në fuqi dhe humbjen e të drejtave civile politike.
Ky vendim është i prerë.
Tiranë, më 13 Prill 1945
Shënim: Arkiva e Ministrisë së Brendshme, dosja e Gjyqit Special. Gjuha e tekstit dhe drejtshkrimi i saj janë ruajtur sipas origjinalit, me ndonjë korigjim të vogël në gabimet drejtshkrimore…

 

 

Related Images:

More articles

4 KOMENTET

  1. Ilir Prifti
    Jozef, po na i pasuron edhe më shumë skenat e rrëfyera nga At Zef Pllumi… Ndiej dhimbje t’papërshkrueshme për këto vite tragjike të Shqipërisë. Nderim t’lartë për shpirtërat dhe mendjet atyre njerëzve, midis t’cilëve ishte dhe yt at. (marrw nga fb.16.08.13)
    I nderuar Ilir,
    Kjo dosje është e marrë nga materialet e Ministrisë së Brendëshme mbi Gjyqin Special, duke u ruajtur integriteti i dokumenteve, pa bërë asnji ndërhyrje… Për ta bërë më të plotë, më vonë, do të botojmë edhe pjesë nga shënimet e autorit për kët gjyq… si edhe atmosferën e asaj kohe… Të falenderoj për vlersimin…jr

  2. Gjyqi Special mbetet nga spektaklet me të trishta të shfaqjes së komunizmit në Shqipëri tashmë si pushtet legjitim… Shqiptarët, si zakonisht kur është fjala për ndëshkime, kanë gjithmonë primatin, Gjyqi Special u zhvillua para Gjyqit të Nurembergut, ku do të dënoheshin ata që kishin mbajtur krejt barrën Luftës së Dytë Botërore genocidin dhe miliona të vrarët… u dënuan vetëm 11 vetë, Gjyqi Special i parapriu si shembull duke dënuar me vdekje 17… ku asnjerit nuk iu provua qofte edhe një vrasje e vetme…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.