Skeda Biografike Petro Zheji (Wikipedia)

Petro Zheji (1929)

Petro Zheji (1929)

Skeda Biografike Petro Zheji

(Wikipedia)

Petro Zheji ka lindur në Gjirokastër më 16 tetor 19291], jeton në Tiranë. Ka qenë arsimtar, përkthyes i sprovuar dhe gjuhëtar me erudicion. Vëllai i tij, Gjergj Zheji ka qenë një personalitet me peshën e vet në fushën e letrave.

Jeta
I biri i Spiro Ballos, i lindur më 1903 në Gjirokastër (me origjinë nga Zheji i Zagorisë) dhe i Theodorës së Niko Petridhit. I ati ka qenë oficer i shkolluar në Itali gjatë kohës së Mbretnisë, i graduar më vonë si major-kolonel. Në një bibliografi që pasqyron një libër që ka qenë i të atit të Petros, jepet grada dhe banesa, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit2]. I ati u grish nga Spiro Moisiu për me marrë pjesë në rezistencën kundër gjermanëve. Përndiqet në fund të viteve ’40 nga regjimi i rishtë komunist dhe i sekuestrohen pronat në Tiranë.
Petrua studion matematikë në Tiranë, jep mësim në gjimnazin “Qemal Stafa”3] dhe vajti me dhanë mësim në gjimnazin e Gjirokastrës, më tej studion për gjuhë shqipe në Universitetin e Tiranës. Punon pranë ndërmarrjes së botimit “8 nëntori”, ku botoheshin libra politiko-shoqërorë dhe si përkthyes me normë4] pranë shtëpisë botuese “Naim Frashëri” në kryeqytet. Martohet me aktoren gjakovare Besa Imami, martesë nga e cila më 1961, u lind djali i vetëm, Arturi. Pas 15 vjetësh martesë u ndanë5] dhe Petrua mbas viteve ’90 largohet drejt ShBA-së.
Me kthimin e tij vendoset në Tiranë. Me mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 5 të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi dhënien e një shtese pensioni të posaçëm shtetëror 14 personaliteteve, ndër ‘to edhe Petro Zheji6]

Spiro Balli e Gjergj Zheji

Spiro Balli e Gjergj Zheji

Përkthime
I përfolur si një nga përkthyesit më elitarë, cilësia e tij është në përpjestim të drejtë me vëllimin e punës së bërë. Në një artikull kulturor më 2008, botuesi i përkthimit më të mbramë të tij (“Jeta e Galileit” e Bertolt Brehtit) Mehmet Gëzhilli kumton se Zheji mund të ketë 13 mijë faqe përkthim të botuara. Përkthimi i tij i parë daton më 1958, dhe ka qenë vëllimi i parë i romanit “Bruski” të Fedor Panferov; përkthyer së bashku me të vëllanë, Gjergjin.7] Titujt më të shquar nga lista e gjatë e përkthimeve janë “Vuajtjet e djaloshit Verter” të Gëtes, “Sojliu mendjemprehtë – Don Kishoti i Mançës” nga Servantes, “Nipi i Ramonit” nga Didero, “Vilet e zemërimit” të Shtajnbek, “Njeriu i padukshëm” i Herbert Uells; si dhe shumë e shumë tituj tjerë nga letërsia gjermane, spanjole, australiane, estoneze, rumune, ruse, kineze, nordike8]. Duke u radhitur me emrat e tjerë elitarë të përkthimit si Dhimitër Pasko, Klio Evangjeli, Jusuf Vrioni, Vedat Kokona, Gjon Shllaku, Pashk Gjeçi, etj.
Përkthyesja amerikane e veprës “Rrno vetëm për me tregue”, Kathleen Schank, e ka falënderuar për ndihmën që i ka dhënë për prurjen në anglisht të dëshmisë së Át Zef Pllumit9]. Përpjekje kjo që Zheji e kishte ndërmarrë qysh në të gjallë të fratit10].

Vepra
Atij nuk iu dha kurrë mundësia e botimit për krijimet e veta të përshkuara nga fryma e simbolizmit11]. Punimet e Petros “Kristologjia”, “Hyrja në Algoritëm”, “Paraqitja e Algoritmit” përcaktojnë në raportin botkuptimor dhe fizik të njeriut me natyrën, që është filluar e vazhduar nga Etërit e Kishës që nga Shën Pali e deri më sot, e që pasqyron në sferën racionale dhe shoqërore, atë përmbysje, plotësim e sintezë që bëri Krishti në anën shpirtërore dhe individuale. Bëhet i mundshëm logjikisht tërëkuptimi rivlerësues i trashëgimisë së qytetërimit, nëpërmjet trashendimit të epokës teknologjike, që del si relika e fundit e idolatrisë antike. Aty ndihet mrekullia e fillimit të realizimit të ëndrrës së herojve të tillë të mendimit si Niçja dhe Frojdi, Ainshtajni, Hajzenbergu, etj. Për gjuhën shqipe dhe për kombin shqiptar dhe rilindësit e tij, punime si “Shqipja dhe Sanskritishtja” (1996, 2001, 2011), “Gjuhët e vjetra dhe shqipja”, “ Gjuhët moderne dhe shqipja”, “Universaliteti i gjuhës shqipe”, “Libri i Aforizmave” (2012) shënojnë një ringjallje dhe rivlerësim të Rilindjes Kombëtare. Me punën e tyre rilindasit tanë, bënë çvarrosjen e kombit tonë dhe rilindjen e kristalizimin e gjuhës shqipe. Punime si të mësipërmet, tej çvarrosjes, fillojnë të ngjallin realisht kombin shqiptar në përmasat e tij primordiale e pellazgjike dhe realizojnë ëndrrën e rilindësve tanë De Rada, S. Frashëri, Fan Noli, Át Sh. Gjeçovi, Át Gjergj Fishta, etj, e madje e ndërkombëtarizojnë dhe e racionalizojnë tërësisht atë. Këto punime janë në botim e sipër. Figura si Martin Camaj, Robert Elsie, etj., kanë vlerësuar lart përmbajtjen e këtyre punimeve12].

Petro Zheji - Shqipja dhe Sanskritishtja

Petro Zheji – Shqipja dhe Sanskritishtja

Burime

1.Elsie R., “Histori e letërsisë shqiptare” (1995), përkthyer nga Abdurrahim Myftiu. Tiranë; sh.b. Pejë: Dukagjini, 1997.
2.Vozga R., “Libri Shqip 1555-1915″, Biblioteka Kombëtare, Tiranë, 2010 fq. 318 – ISBN: 978-99927-731-7-8. Citimi i plotë: Togger Spiro Zheji, Ajutanti i Kumandës fuqisë Armate Tiranë. Ndë rrugë të Durrësit. Shtëpija e tij mbë krahë të shtëpisë Kristo Luarasit.
3.Këlliçi S., “Don Kishoti” i Petro Zhejit – pasurim i mëtejshëm i gjuhës shqipe, Republika, 17 gusht 2012.
4.Demo E., Pa jetë private, Shekulli. Përkthyesi Afrim Koçi thotë: Kishte përkthyes si Petro Zheji që nuk e pranonte këtë kriter, – nuk i vihet normë shkrimtarit, thoshte, sepse përkthyesin e konsideronte një lloj shkrimtari.
5.Canaj A., Si po e pres 80 vjetorin tim të lindjes: flet aktorja Besa Imami, Panorama. – Nr. 2099, 3 gusht, 2008, f. 18 – 19.
6.Shteti u garanton pension të posaçëm 14 personaliteteve, Metropol, 3 mars 2011.
7.Demo E., Galilei i Petro Zhejit, gazeta Shekulli, 24 nëntor 2008.
8.Mbështetur mbi një qëmtim në fondin e Bibliotekës Kombëtare e Shqipërisë (bksh.al) me emrin kyç Petro Zheji, rezultojnë të paktën mbi 30 tituj të përkthyer. Me ndihmën e Google-it përkthimet e Petros arrijnë në 41 tituj.
9.Demo E., Kathleen Schank: Ç’na mëson miku ynë, at Zefi, Shekulli. – p. 2387, 24 gusht, 2008, fq. 11.
10.Demo E., Kurrgjë më shumë se liria: [intervista e fundit e At Zef Pllumit], Shekulli. – Nr. 2061, 27 shtator, 2007, f. 14 – 15.
11.Elsie R., “Një fund dhe një fillim – Vëzhgime mbi letërsinë dhe kulturën shqiptare bashkëkohore”, p. Abdyrrahim Myftiu, sh.b. botuese Globus R, Tiranë 1995; shtëpia botuese Buzuku, Prishtinë 1995.
12.Qafoku Ll., Shëmbull i madh shqiptar i heroizmit mendor, aafhsite.com, 28 dhjetor 2013.
(Krejt materiali i kësaj skede u punue nga Sait Saiti)

2 Përgjigje
  1. shehi lola Tha:

    Sa shumë gjëra që mora vesh nga ky shkrim, i njihja ca figura kështu thjesht si emra më vete, por s’i dija lidhjet mes tyre… Sa mirë vazhdoni t’i botoni… dhe unë do t’i lexoj me kurreshtje të madhe!

  2. Jozef Radi Tha:

    PETRO ZHEJI (1929) – Skeda Biografike (Wikipedia)
    Nji skedë biografike mjaft e ngjeshur në informacion dhe burime për nji figurë shumplanëshe si ajo Petro Zhejit, e punuar me mjaft kujdes prej Sait Saitit për Wikipedian… Sikur ndokush (institucion o shoqatë) të mendonte se nji punë e tillë duhet bërë në mënyrë më sistematike dhe më të mbështetur, sigurisht që Wikipedia Shqiptare nuk do të ishte në at gjendje të mjeruar, ku informacionet jo vetëm lënë pë të dëshiruar, por janë për faqe të zezë, mbasi shumë prej figurave dhe ngjarjeve më të rëndësishme tonat as figurojnë fare në të… Radiandradi ka marrë përsipër t’i paraqesë krejt skedat e punuara me skrupolozitet të admirueshëm nga Sait Saiti dhe mbetet i hapur ndaj kujdo që e merr përsipër nji angazhim të tillë serioz… ashtu si zoti Saiti!

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook