back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Sistem mazhoritar apo proporcional? nga Gëzim Zilja

Gazeta

Gezim Zilja
Gezim Zilja

Sistem mazhoritar apo proporcional?

nga Gëzim Zilja

Duke filluar nga viti 1996 përfundimet e zgjedhjeve në Shqipëri janë kundërshtuar rregullisht nga pala humbëse. Plot njëzetedy vjet më vonë situata është po ajo. Ngrihen komisione, caktohen detyra, bëhen betime e merren angazhime po asgjë nuk ndryshon. Komisionet e ngritura për reformën zgjedhore ose dështojnë qysh në fillim ose i zvarrisin punët pambarim e sërish çdo gjë fillon nga e para. Zgjedhjet e vitit 2017, vazhdojnë të kundërshtohen nga opozita me preteksin e shitblerjes dhe manipulimit të votës. Duhet të kujtojmë se opozita i vendosi kushtet si dëshironte (mori gjashtë ministra, disa zëvëndës ministra, drejtorë, etj) po përfundimi ishte i njëjtë: votat u vodhën me paratë e drogës. Katër muaj pas zgjedhjeve të qershorit më 13.10.2017 u formua me “daulle e gërnetë” Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Realizimin e Reformës Zgjedhore, që do të shqyrtonte problematikat e dala nga zgjedhjet e viteve 2013, 2015 dhe 2017. Më 14.02. 2018 ky Komision hartoi Planin e Punës që do të përfundonte aty nga qershori 2018, me gjashtë pika (personalisht jam i sigurt që asnjë nga këto pika nuk ka për t’u përmbushur) ku më të rëndësishme ishin: Votimi i emigrantëve, Blerja dhe shitja e votës, Futja e teknologjive të reja, Rekomandimet e OSBE- ODHIR. Papritmas në dakordësi të plotë, me vendimin nr. 102/2018, Komisioni e shtyu afatin e veprimtarisë për ta rihapur në qershor 2018. Me gjasë komisioni mund të fillojë punë “seriozisht” me kësmet andej nga shtatori. Qershor 2017, qershor 2018 Komisioni i Posaçëm me të djathtë e të majtë ka bërë “zero lekë” punë.
Edhe kur komisioni u mblodh ditë më parë, pa u ulur në karrige fillon sherri. Asnjë forcë politike nuk shkon të paktën me një draft të gatshëm por vetëm kundërshton ato që diskutohen. Dinë po nuk duan, dinë po nuk u intereson, dinë po e lënë gjendjen varur, që në rast se humbasin të ngrenë sërish problemin e vjedhjes e blerjes së votës, pa marrë kurrë përgjegjësi mbi vete mbi shkaqet e vërteta të humbjes.
Por mund të ndryshojë diçka, që forcat politike deri tani janë plotësisht dakord me njëra-tjetrën dhe nuk e zenë kurrë në gojë: sistemi mazhoritar, pra i listave që është i dëshirueshëm për të dy palët. Ky sistem u jep fuqi absolute kryetarëve të partive dhe i kthen ata në diktatorë në partitë e tyre. Kjo bën që pushteti të qendërzohet në një dorë. Demokracia në fund të fundit është shpërndarja e pushteteve. Po këtu kryeministri bën gjithçka: jep leje legalizimi, punëson njerëz, zgjidh probleme të gjykatave, prokurorive e policisë, jep tendera me ligj e pa ligj, prish e ndreq çfarë të dojë, gënjen ditën me diell dhe kundërshtimi brenda qeverisë e partisë nuk ekziston. Nga ana tjetër kryetarët e partive të opozitës i kanë braktisur dhe injoruar me kohë forumet partiake. Lidhje janë vertikale dhe cicërima më e vogël, ndryshe nga kënga e gjel-kryetarit ndëshkohet. Afër partive në shumicë mblidhen turli njerëzish pa parime, servilë, të gatshëm të përshtaten me veprimet e kryetarit. Përshtatja e robëron dhe e shëmton mendjen e intelektualit. Veçanërisht të rinjtë e universiteteve në vend të jenë në vijën e parë të luftës për demokraci, përshtaten e përshtaten, shtrëmbërohen e shtrembërohen, sa as vetë nuk e dinë më, se ç’janë e ç’përfaqësojnë. Le të kujtojmë pa koment grupimin G99 (Spiropali e quajti kryetarin e vet Skënderbe!?) apo KOP-in. Me ndonjë përjashtim u bënë shërbëtor të pushtetit. Kush mundi bëri lekë dhe u zhduk nga qarkullimi, të tjerët vazhdojnë të bëjnë lekakulon e liderit. Prandaj Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore, që e ka dështimin e rradhës të sigurt, duhet të shtojë në program ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional. Dhe jo vetëm kaq. Por të vendos me ligj që zgjedhësit të kenë të drejtë t’ia heqin mandatin deputetit nëse ky nuk plotëson detyrat, që i kanë ngarkuar. Kështu vota e tyre do të ketë vlerë. Le të shkojnë politikanët e të kërkojnë votat drejtpërdrejt në popull, në zonën e caktuar, se kanë njëzet vjet që fshihen prapa listës. Vitet e fundit kanë dalë në skenë miliarderët e rinj, që paguajnë para për t’u bërë deputet, (vihen në krye të listave) me “qëllimin e lartë” të ndihmojnë demokracinë!? E nëse populli i voton edhe kur nuk i ka parë kurrë, dakord, le t’i mbajë e t’i gëzojë! Por kohët kanë ndryshuar. Një kandidat për deputet, trafikant, me diplomë false, analfabet, hajdut e sharlatan, ose i rekomanduar nga lart si mik i kryetarit, vështirë se votohet drejtpërdrejt në zonën e caktuar. Sidoqoftë rivendosja e sistemit të pastër proporcional në zgjedhjet parlamentare do të shënojë një hap para për demokracinë shqiptare. Votuesit e të gjitha forcave politike duhet ta kërkojnë këtë.
Një tufë korbash ndjellin kob, ndjellin zi, një tufë pëllumbash sjellin mirësi, sjellin paqe. Le të shpresojmë që pëllumbat e parlamentit sepse ka ende të tillë tek-tuk, (korbi nuk bëhet kurrë pëllumb dhe korbi, korbit s’ja nxjerr sytë) do të marrin parasysh ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kthimin e tij në proporcional.
Marrë nga Muri i FB i Gëzim Zilja, 14 qershor 2018

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.