back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Sindromi i Stokholmit

Gazeta

Stockholm Syndrome
Stockholm Syndrome

Sindromi i Stokholmit

Më 23 gusht 1973, një person me emrin Jan-Erik Olsson, tenton të kryejë grabitjen e një dege banke në një nga sheshet kryesore të Stokholmit, në Suedi. Mirëpo gjërat nuk shkojnë sipas planit. Dikush pranë derës së bankës arrin të njoftojë policinë dhe pak minuta më vonë Olsson do ta shohë veten të shkëmbejë zjarr me ruajtësit e rendit, zjarr nga i cili mbetet i plagosur një punonjës uniformave blu. Që pas këtij momenti dhe për katër ditë në vijim, Olsson do të mbante peng brenda ambienteve të bankës katër qytetarë: tri gra dhe një burrë. Pikërisht nga kjo histori do të lindë edhe miti i famshëm i “Sindromit të Stokholmit”. I shpjeguar me një fjali të thjeshtë, ky sindrom le të kuptojë se në kushte të caktuara, një person i marrë peng dashurohet me pengmarrësin dhe i kundërvihet atyre që tentojnë ta shpëtojnë.
Duke u kthyer tek ngjarja reale, që në momentin që nis ngujimi në ambientet e bankës, Olsson i bën të qartë kërkesat e tij: t’i vihet në dispozicion një makinë e shpejtë, 3 milionë korona suedeze, dy pistoleta, xhup antiplumb, si edhe t’i sillej shoku i tij Clark Olofsson, i cili në atë kohë ndodhej në burg. Autoritetet suedeze i plotësojnë vetëm kushtin e fundit, duke i dërguar të burgosurin së bashku me një telefon për të mundësuar negociata të mëtejshme. Oloffsson kishte precedent të rrezikshëm kriminal, pasi ashtu si Olsson, ai kishte tentuar më parë një grabitje të dhunshme me armë. Megjithatë, i futur tashmë në bankë, çuditërisht, sipas edhe rrëfimeve të pengjeve, ai nuk shfaq ndonjë zell apo entuziazëm për situatën e krijuar. Duket sikur ai nuk ka ndonjë dëshirë të veçantë të gjendet në atë situatë, dhe mundohet me sa mundet t’u gjendet pranë pengjeve. Do të jetë pikërisht prania e tij pika e kthesës në të gjithë këtë histori.
Që në ditën e parë të rrëmbimit u duk që në atë ambient kishte diçka të pazakontë. Një nga tre gratë e marra peng, me emrin Elizabeth, kërkon të shkojë në tualet, që ishte fare pranë daljes. Çuditërisht Jan-Erik Olsson pranon, dhe po çuditërisht Elizabeth nuk tenton të arratiset, edhe pse liria ishte vetëm dy hapa larg.
Më e çuditshme ishte situata në ditën e dytë, kur Olsson komunikon në telefon me kryeministrin e kohës, Olof Palme. Ai e kërcënon kryeministrin se nëse nuk i plotësohen të gjitha kërkesat, do fillojë të vrasë pengjet, dhe në çast rrëmben prej fyti një vajzë tjetër, Kristin Enmark, britmat e së cilës mbërrijnë nëpërmjet kabllit të telefonit tek veshët e Palmes. Ditën më pas Kristin Enmark lidhet sërish në telefon me autoritetet suedeze dhe për habinë e të gjithëve kërkon ndjesë për britmat e lëshuara një ditë më parë në telefon, dhe ndër të tjera akuzon policinë për acarim të negociatave dhe se po tenton të hyjë me forcë, dhe në fund bën një apel që kërkesat e pengmarrësve të plotësohen sa më parë. Por ndërkohë policia suedeze kishte arritur nëpërmjet disa tubave të ajrimit mbi tavanin e degës së bankës, të penetronte nëpërmjet dy punonjësve të saj, njëri prej të cilëve i përkiste policisë shkencore dhe mbante me vete një aparat fotografik për të fiksuar rrethanat e situatës.
Në çastin që Olsson kupton se nga tavani po vinin zhurma, qëllon me pistoletë dhe plagos në dorë dhe fytyrë policin me aparat fotografik, por ndërkaq ai dhe kolegu i tij arrijnë të tërhiqen në kohë. I gjendur në këtë situatë, për t’i mbrojtur nga çdo tentativë lëshimi gazi gjumëvënës, Olsson u vendos katër pengjeve edhe nga një shall rreth gojës. Por kjo nuk do të mjaftojë, pasi në ditën e pestë, atëherë kur durimi i autoriteve suedeze sos, në ambientet e bankës së marrë peng lëshohet gaz paralizues dhe pengmarrja mbyllet me aq. Olsson arrestohet dhe dënohet me dhjetë vite burg. Pas kryerjes së dënimit ai do të merrej me shitje makinash, do të martohej me një shtetase tailandeze e do të sillnin në jetë nëntë fëmijë.
Clark Olofsson, që në fakt është personazhi kryesor i kësaj historie, do të çlirohej nga çdo akuzë. Ai, sipas dëshmive të katër pengjeve, jo vetëm që nuk mori pjesë aktive në pengmarrje, por përkundrazi, me sjelljen e tij të ngrohtë, zbuti, pse jo edhe zeroi ankthin dhe armiqësinë që ekziston në përgjithësi mes pengmarrësit dhe pengjeve. Kristin Enmark, vajza që pësoi transformim në reagimet e saj, do të krijonte një miqësi – në atë kohë disa media spekuluan se bëhej fjalë edhe për një lidhje sentimentale – pikërisht me Clark Olofsson, por që ishte thjesht miqësi. Sidoqoftë Olofsson në atë kohë mori shumë letra dhe telefonata edhe nga vajza të ndryshme që e vlerësuan sjelljen e tij fisnike në një situatë kaq delikate. Pikërisht me njërën prej tyre ai do të krijonte një lidhje.
Pas kësaj ngjarjeje, dëshmitë e katër pengjeve rreth sjelljes së bashkëpunëtorit të pengmarrësit, Olofsson, duke u bërë publike në media, prekën mijëra njerëz. Gjithashtu zërat spekulativë se mes tij dhe një prej vajzave të marra peng po lindte një ndjenjë, bënë që kriminologu suedez, Nils Bejerot, duke mbledhur këto të dhëna, të fuste në qarkullim për herë të parë termin “Sindrom i Stokholmit”. Në një intervistë televizive pak kohë pas ngjarjes, ai do të risillte në vëmendje faktin se pas një momenti të caktuar, pengjet ishin ndjerë më të kërcënuar nga një ndërhyrje e dhunshme e policisë, sesa nga pengmarrësi. Madje njëri prej tyre i kishte kërkuar Olsson-it që ky i fundit ta qëllonte në këmbë, mjaft që policia të dorëzohej dhe t’i plotësonte kërkesat. 
Sindromi i Stokholmit përshkruhet në fakt si një situatë paradoksale gjatë së cilës tek pengjet krijohen ndjenja apo ndjesi pozitive ndaj pengmarrësit, e kapërcejnë frikën se do dhunohen nga ai dhe i marrin aktet e mungesës së dhunës kundrejt tyre si akte mirësjelljeje, respekti apo afeksioni. Kësisoj mes tyre mund të lindë një kimi apo një dëshirë bashkëpunimi. Nisur nga këto të dhëna, FBI për shembull i stërvit negociatorët e situatave të pengmarrjeve që të mundohen ta induktojnë këtë lloj sjelljeje tek pengmarrësit, duke shpresuar se kjo do rrisë mundësinë që pengjet të mbijetojnë. Ata shpeshherë u kërkojnë pengmarrësve që t’u përcjellin mesazhe shprese dhe qetësimi pengjeve, duke menduar se kur pengmarrësi u përcjell fjalë të buta nga goja e tij pengjeve, kjo do ndikojë sigurisht për mirë. 
Në të vërtetë, Sindromi i Stokholmit nuk përfshihet në asnjë manual psikologjie dhe është bërë objekt studimi vetëm në një numër të kufizuar hulumtimesh shkencore. Psikologët bien dakort vetëm në një pikë, që ky sindrom paraqet një rast realisht të veçantë, jashtë rregullit, kur midis dy personave me potenciale të kundërta, dhunuesit dhe të dhunuarit, lind një kundërforcë që jo vetëm neutralizon ankthet dhe ngarkesat negative emocionale, por madje kalon edhe në anën tjetër, atë të solidarizimit reciprok.
.

Marre nga muri i Fb i Elis Kulos, 11 Mars 2021

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.