back to top
19.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Simon Jubani (1927-2011) – Pjesë nga autobiografia “Burgjet e Mija”.

Gazeta

Dom Simon Jubani (1927-2011)
Dom Simon Jubani (1927-2011)

Simon Jubani (1927-2011)

Pjesë nga autobiografia e don Simon Jubanit,

nga libri “Burgjet e Mija”

E publikojme këtë autobiografi interesante
edhe si homazh për një klerik të përndjekur
nga regjimi totalitar i Enver Hoxhës,
edhe si një dëshmi e denoncim i fortë që i bëhet atij regjimi.
Mund të mos bie dakord me idetë e tij
(fjala vjen me idetë kreacioniste, të cilat e bëjnë të përqeshë gjimnazet e shtetit,
ku nxënësve u mësojnë se njeriu është majmun pa qime),
por nuk mund të mos vlerësoj tek Simon Jubani
sensin kritik, ndershmërinë intelektuale dhe pastërtinë e besimit.
 
Dom SimonJubani - Mesha e Rrmajit 4 nantor 1990
Dom Simon Jubani – Mesha e Rrmajit 4 nantor 1990
Linda në Shkodër, me 8 mars 1927. Prindet e mi, Zefi e Çilja, katolikë të devotshëm, i falën Kishës e Atdheut nji martir intelektual, dom Lazër Jubani, helmue me arsenik nga policia sekrete komuniste me 1982.
Në moshën 16-vjeçare, i thirrun prej Zotit, hyna ne Shkollen Apostolike për t’u ba jezuit. Në marc të vjetës 1946, kur komunistat shqiptarë, nga frika e një përmbysjeje të shpejtë, suprimuen, sekuestruen e shkatërruen të gjitha shkollat katolike tradicionale, prej të cilave ka mësue me shkrue e me lexue mbarë Kombi, m’u desht me ndërrue vend e bankë. U ula, pa dashtë, në bankat e Gjimnazit të Shtetit, ku ende sot mësohet se njeriu asht majmun pa qime. Në vijim u transferova në Tiranë, ku kreva një kurs radio-rontgen. Mbasi punova për pak kohë në spitalin ushtarak të kryeqytetit, u mobilizova në ushtri. Mue, që dëshirojshe aq shumë me u ba jezuit, misionar, predikator i paqes ungjillore, m’u desht me veshë uniformën e gjelbër, me ngjeshë armën vrastare e me u nisë drejt kufinit jugor. Shpëtova gjallë nga konflikti civil në Greqi ku, me 1949, më vunë para si bagtinë për të luftue krah-për-krah me komunistat e gjeneral Markosit, kundër koalicionit të Athinës. Mbas tri vjet vuejtjesh në ushtri, që në kujtesën teme mbeten njëlloj të tmerrshme, si ato të burgut, ktheva rishtas në Shkodër, ku u paraqita menjëherë të Imzot Ernest Çoba, të cilit iu luta me me shugurue meshtar. Ipeshkvi shejt e martir më këshilloi të pres. M’u desht ta rifillojshe, për me fitue bukën e gojës, profesionin në radiologjinë e Sanatoriumit të Shkodrës, ndërsa për ta mbajtë trupin në formë, sportin që më pëlqente më shumë: atletikën e lehtë e jo ma pak edhe futbollin.
Me pranuen menjiherë si antar të ekipit të Vllaznisë e, ma vonë, edhe të ekipit kombëtar të futbollit, ku ishte trainer Aputin Boris, i trashi sovjetik me rrogë mujore 33.000 lekë, në një kohë kur nëpunësi ma i mirë shqiptar merrte vetëm 3000. Në vjetën 1957-58, mora urdhnat e meshtarisë dhe u nisa në Mirditë si famullitar, për me përmbajtë gjallë në kambë fenë dhe kishat e dhetueme nga ateizmi. Tue pase kenë gjithmonë arrë gungçe, iu kushtova apostullimit të hapun, sepse nuk më ka pëlqye kurrë me luejtë rolet mbas kuintave. Por çka më pëlqente mue, nuk i pëlqente komunistave, të cilët më vunë prangat e më banë me u nisë për një rrugë të gjatë e të mundimshme, tue e lanë Mirditën me katër meshtarë.
.
Dom Simoni në Varrezat e Rrmajit
Dom Simoni në Varrezat e Rrmajit

Në këtë rrugë do të përshkohesha për 26 vjet me rradhë, tue lanë kudo gjurmë gjaku. Gjithnjë militant aktiv, ballë për ballë katilëve e spijujve të Burrelit, u lirova me 13 prill 1989, bashkë me klerikë të tjerë, në sajë të perestrojkës, tue i mbetë borxh 14 vjet burgim Komitetit Qendror. Me çka thonë faktet, nuk jam aspak i sigurt nëse ky borxh tashtma asht falë e s’ka me m’u dashtë me e pague deri me nji…

U ktheva përsëri gjallë. Në shtëpinë teme të vjetër, rranzë mureve të Rrëmajit, nën hijen e çinarëve e të selvive. Kjo shtëpi u ba menjiherë Kishë, ashtu si ishin ba edhe banesat e 27 meshtarëve, teprue prej shpatës gjithnji të mprehun të Enverit (të cilit po të mos isha meshtar katolik, do t’ia kisha shkrue edhe emnin me të vogël).
Derisa të marrë frymë, njeriu jeton herë në dritë, herë në hije, herë në të zezë, herë në të bardhë, herë në thellësi humnerash e herë ndër rrethe të qiellës. Nëse ndonji piktori do t’i tekej me e pikturue simbolikisht jetën teme, do t’i duhej me ble një kale bojë të zezë. Pa harrue veç edhe ngjyrën e arit, sepse kudo që kam marrë frymë terri asht ça gjithmonë nga rrezja e përditshme e Hostes së shejtë.
Gjithsesi, me më pyetë, cila asht dita ma e zezë, kisha me u përgjegjë pa u mendue dy herë: asht dita kur mora lajmin se më kishte dekë nana, mbasi kishte kja dom Lazrin e helmueme për djalin e vogël, lidhun me zinxhirë, mbyllë në birucë të largët, ku s’kishte mujtë kurrë me hy. Ma vonë me treguen se rrinte gjatë në dritore, zhytë në heshtim, tue shikjue malet që e ndajshin prej djalit të vët të vogël, të hekuruem veç pse besonte në Zotin, e shpallte me za të naltë të drejtat e liritë e njeriut, nëpërkambë prej sundimtarëve të djeshëm, bash njatyne që po na sundojnë edhe sot pa u shqetësue fare me i mbyllë plagët e vjetra, madje tue mundue me hapë sa ma shumë plagë të reja.
Sa do të ishte gëzue, po të kishte qenë gjallë deri me 4 nanduer 1990, e të më kishte pa në kapelën e djegun të vorrezave të Rrëmajit, të sekuestrueme, të dhunueme e të shpalluna tashti monument kombëtar, ndriçue prej dritës së zbehte të qirave të purgatorëve, tue kremtue të parën Meshë publike në prani të 200-300 besimtarëve. Ishte nji ditë e zymtë nandori. Cikërronte shi. Piklat rrëshqiteshin si lot nëpër petalet e luleve vjeshtarake mbi vorre. S’ishin ma lot morti, po lot gëzimi. Lajmërojshin epokën e re, lirinë e fesë, që filloi me një fjalim të improvizuem të një meshtari të laskaruem burgjesh, të kundërshtuem prej të huejve e prej të vetëve, i cili kishte në qafë vetëm stolën e breme tejet e në dorë, misalinë vjetër latinisht. Kështu fillonte lidhja e fijes së këputun!
Java do të zhdukej me shpejtësinë e vetëtimës, për të afrue sa ma shpejt ngjarjen e madhe: 11 nandorin. Gjithnji kapelen e Rrëmajit e rishtas në mjedis të terrorit komunist, kur dihej e s’dihej çka po ndodhte, sidomos, çka mund të ndodhte, kremtova Meshën e dytë publike, kët herë me një fjalim të mirëpregatitun, programatik, që thente heshtjen 23 vjeçare të katakombeve.
Erdhën mbas kësaj date ditë të bukura e të zymta. Liria, që besuem se ishte fitue, filloi me u tallë me vetvedin. Klasa politike shënoi edhe analet e historisë së këtyne vjetëve, vetëm shëmtime. Prandaj, ndoshta, atmosfera e Meshës së parë mbeti e paharrueshme në zemrën e popullit, që po zgjohej. E ndoshta prandaj përmendet me nderim të thellë e me lot ndër sy prej të gjithëve.
Për këtë kontribut të çmueshëm mbarëkombëtar, që Zoti ma besoi mue, të padenjit, tue me ngarkue me barrën e kësaj sfide të rrezikshme, Universiteti i San Franciscos në Kaliforni në vjetin 1991, më akordoi diplomën “doctor honoris causa” në shkenca humane, me motivacionin: “Protagonist i një epoke së re në Shqipni”. Ishte një nderim që i bahej klerit katolik të martirizuem në Shqipni, një çmim që meriton të vehet mbi vorret e martirëve të Kishës. Pak ma vonë, në korrik 1996, shteti i Michiganit më nderoi me diplomë të posaçme. Motivacioni: “Nismëtar i lirisë së fjalës dhe i shtypit katolik, që e ka zanafillën e vet në fletushkën e 20 dhetorit 1990, në prag të Krishtlindjes; përshpejtues i gjitha veprimtarive, qi ia hapën shqiptarëve dyert e perëndimit; ndërtues i urave ndërmjet Tiranës e Vatikanit; ideator i misionarëve të parë, i bursave të studimit dhe ndihmave të para nga jashtë; meshtar që me fjalimet e veta sensibilizoi mbarë globin, tue ba të njoftuna vuejtjet dhe rezistencën e popullit shqiptar kundër komunizmit dhe anarkisë që e pasoi”.
.
Dom Simon Jubani - Nëntor 1990
Dom Simon Jubani – Nëntor 1990

Jam i pari shqiptar i mbas perestrojkës, që asht thirrë në audiencë nga Papa Gjon Pali II, e që asht takue me shumë personalitete botnore, si mbreti i Belgjikës, Andreotti, senatorë, kongresmenë, ministra, etje.

Jam i pari klerik pa kurrfarë gradet, që ftohej dy herë nga administrata amerikane në Uashington, një herë nga parlamenti rus, shumë herë nga Franca, Italia, Belgjika, Gjermania, një herë nga Spanja, Izraeli, Egjipti, Turqia, dersa kam refuzue me vizitue Kinën, Taivanin, Meksikën, Argjentinën, sepse mendoj se tashma roli em jashtë shteti në mbrojtje të lirive e të drejtave të popullit shqitar nuk ka kuptim, përderisa nëpër kanceleritë fjalën e fundit e thonë Klintoni me të shoqen e tashti Bushi jr. Kur isha në birucë, pata besue se bota ndigjon ma shumë të martirizuemet për kauzën e drejtsisë, sesa katilat. Përvoja e daljes nga biruca nëpër shtigjet e mbarë botës, më bani, fatkeqësisht, me ndërrue mendim!
Vijoj të shtegtoj me knaqësi ndër Kishat motra dhe institucionet tjera jo të krishtena, të përhapuna kudo nëpër glob, e vijoj të punoj me gjitha forcat për Kishën katolike në Shqipni, si ushtar i thjesht i Krishtit. Më thanë të drejtën, kur kaloj disa ditë ndër vendet shejtë përhapun kudo nëpër botë, rinohem se paku dhjetë vjet, ndërsa pa u kthye mirë në Shqipni, plakem së paku njëzet vjet. E kështu, rinue plaku, zhyt e mbyt, po rrokullisen ditët e fundit të jetës seme…
.
P.S.- Mos harroni, se çdo popull meriton qeverinë që toleron
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.