back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

S’ia luen kush kufijit Prek Calit

Gazeta

Legjenda e Kelmendit - Prek Pjeter Cali
Legjenda e Kelmendit – Prek Pjeter Cali

Legjenda e kangve e mbetun ndër Lahuta

Shpesh historia jonë,
duke mos pasë as libra të ku shkruhej e as biblioteka ku të ruhej,
duke i mungue kronikanët e historianët që t’i përcillnin ngjarjet dhe personazhet,
duke qenë nën pushtime e kërcënime te perhershme,
ka mbetun e gdhendun ma së shumti ndër kangë…
Prandej, nji pjesë e randsishme e krejt historisë shqiptare
duhet kërkue ndër kangët e përcjelluna brez mbas brezi,
të cilat megjithë ngjyrosjen artistike që mund të kenë  pasë (si kangë),
në thelbin e tyne kanë ruejtun t’vërtetën e madhe të nji kohe,
të nji ngjarje dhe të nji ose shumë personazheve bashkë…
Kam përzgjedhë dy kangë të vjetra popullore, sigurisht të këndueme me lahutë,
për Legjendën e Malsisë dhe të Kelmendit, Prek Calit…
Dy kangë të jashtzakonshme
midis pafundësisë së kangëve që ruejnë mbrenda tyne historinë tonë…
jozef radi
Legjenda e Malsise Prek Cali (1872-1945)
Legjenda e Malsise Prek Cali (1872-1945)

S’ia luen kush kufijit Prek Calit

Bash ku rrine shqipet e malit/ Ka pas ken kulla e Preke Calit
Ka pas ken nji kulle e bardhe/ S’thonë kot malet derë e parë
Derë kreshnish ku knohet lahuta/ Hije i ka pas sofra dhe pushka
Mhyri i gishtit o prej trimnive/ I pat shtat vulat e kralnive
Kur Kongresi o i Berlinit/ Ne na i dau o foshnjet prej gjinit
Trupin tonë o e ndau me mur/ Qysh se ndau o shqipen flamur
Njaj Preke Cali u del perball/ Nuk t’i lshoj këto bjeshkë për t’gjallë
Ky Kelmend kreu i Malsisë/ Kurr nuk ndahet prej Shqipnisë
Za po i lshueka o mali malit/ çilja i herë shtegun Prek Calit
Paskan ardhë krajlat e vjetër/ Duen me vu nji kufi tjetër
Shtyjnë, me pllam shtyjne me përçik/ Duen me e çue n’Veleçik
Krahun shqipes o mos m’ja ngre/ Flakë do t’marrin  tanë ky dhe
Gjeth e bar përjetë le te thahet/ Gjallë pa dek Shqipnia s’ndahet!
Ka nxanë ven mali me pyje/ Ka nxanë ven qielli me yje
N’bjeshkt e nalta kanë zan ven gurrat/ Po nigiojnë se ç’ka thonë burrat
Za po i lshueka o mali malit/ O s’ia luen kush o kufijt Prek Calit!
Si zanë malit në këto male/ Legjendar i Malsisë s’Madhe
Ruejt i ka trojet shqiptare/ Jane çue n’kambë Fuqit e Mdha
Këtë Shqipni copash me ba/ Me coptua kombsine shqyptare
Na e përzunë Dibrën e Madhe/ Muerën Çamrin edhe Kosovën
Malazezt ma kanë zgiatë dorën/ Me përzanë Malësi e Shkodër
Përgjysë Hotin na e kanë da/ Kanë marre Grudën e Traboinin
Pllam kaj pllam e duen këtë vend/ Sharra n’gozhde u has n’Kelmend
Porsi bishe ka m’sy Mark Gali/ Si harushe a çua Prek Cali
Shtatë krahinat hallet m’i kjajnë/ Qi n’Kelmend nuk kem çka bajmë
N’kjoft Prek Calin nuk e vrasim/ O këta kufij gjallë s’i përkasim
Po ai Prek Cali ish ken me orë/ M’jau ka kap pushkën n’dorë
Janë tund malet me gjithë borë/ S’kemi pa me sy malësorë
Shtatë krajlnitë tha le t’nigiojnë/ Se Bjeshkt e Kuqe gjallë s’i lshojmë
Qet Prek Cali flakë prej gojet/ Gjallë s’i lshon Kelmendi trojet…

Prek Cali i ri
Prek Cali i ri

Për mbrojtjen e Kufijvet

Ty, o Zot, të kjoshim falë/ ç’po gjimon mali me mal,
Kah shkumbohej ‘i trim Kelmendit,/ Tuj’u dal zot kujfijve t’vendit!
Syt i qesin flakë e shkndija,/ Zani i tij porsi duhija.
Ishte ‘i burr me mende t’hollë,/ Për pa e pas’ kurr nji dit’ shkollë:
Njaj Prek Cali, trimi i trimit,/ Then Kuvendin e Berlinit,
Kur pat marr’ vendim Europa,/ M’e da Shqipen copa-copa…!
Me Uc Turkun bajn kuvend:/ “Sot, o kurr, për njiket vend!”
Mirë u shkon n’mend Ded Gjo’ Luli,/ Kur flamurin n’Deçiq e nguli:
“Njashtu, pra, na m’u bashkue,/ Gjithmonë or’n e kem’ pas’ çue,
Kurr ‘i huej s’na ka sundue!/ Kur t’jem’ Nji, jem’ porsi shkambi,/ Ku thej qafën mbar’ Nizami.
Nji bashkim me forc’ t’çelikut,/ Ia pëlset dy sytë anmikut,
E, kur t’ndeshet rreth kufinit,/ I del për hunde tambli i gjinit;
E prandej n’ia pashin giasën,/ Le t’e pvesin “Kjamet Pashën”
Qi “Kjamet” ia pat njit vedit:/ Prej s’rrethuemit kje gjue shkrepit,
Kur pat ardh me sa taborre,/ E zu vend nëpër llogore;
Mb’Suk’ t’Mkushit e t’Toletës,/ Porsi miza n’ulish’ t’bletës.
Ishte koha e “Hyrrjetit”,/ Na pat msye ushtrija e “Mbretit”
Porsi sot, kushtrimi i vendit/ I çoi n’kamb’ djelt e Kelmendit:
E t’u lshuen n’për ato pisha/ Sikur dhenvet u bjen bisha,
Njata djelm i ran’ Nizamit/ N’p’r ato qeta i qiten shkambit.
Turqit keqas na jan thye,/ N’Gusi Pasha kenka kthye,
Edhe aty na kenka strukë,/ Porsi pul’ prej hutit ndukë…
Nuk vonoi e u kthyen n’Turki:/ Tash ndërsen Malin e Zi
Qi, si nanë po ka Rusinë./ N’at uzdaj’ tash lyp’ Malsinë…!
Po kjo nderë nuk do t’i hecin:/ N’fyt Kelmendi do t’i ngecin!
Njaj Prek Cali – i trim drangue,/ Si ‘i selvi, në kambë, asht çue:
N’Grabom ra me nja dhet’ vete,/ Trimat t’lidhun për me dekë.
Ktu kish ardhum ai komisjoni/ Simbas fjal’s qi tha Uilsoni.
Fjala s’ngiatë e u xu kuvendi:/ “Ktu – tha Preka – nuk asht vendi
Me ngul’ gur, me vu kufi!/ Ky asht dheu i t’parve t’mij;
E, pa mbet’ n’gra e fmij,/ Rrehet keqas kush mendon,
Se ato maje i kalon!/ Kujtou mir’ ti Komisjon,
Se Kelmendi asht betue”/ T’tanë me dekë e m’u farue,
Nji pllamb’ kuj mos me ia lshue.”/ Nji ingleze, i grue fisnike,
Kah i ndigjon kto fjal’ kreshnike,/ Si me mall e paska pvete:

Edit Durham - e quejtun Krajlica e Malsorve
Edit Durham – e quejtun Krajlica e Malsorve

“Pse, ti Cali, kaq me t’xetë,/ Po i del zot k’ti vendit t’shkretë?”
“Moj fisnike, t’u ngiat jeta!/ Mos kujto: s’jan’ male t’shkreta,
Po me pyje me kullota,/ Kund ma t’bukura s’i ka bota!
Brez mbas brezit, un e dij,/ Se ktu lenë t’part e mij.
T’huejit ju banë përher’ mur,/ T’tan me eshtën tuj e thurë…!
Edhe mue m’erdh sot dita:/ Kuj t’e msyej, me iu ba prita,
E n’kje Zoti se e ka shkrue,/ Njektu jetën m’e mbarue!”
Komisjoni ra n’mendim,/ Shpejt e shpejt e muer vendim:
Gjithka shkoi Preka tue prij/ Njaty u ngul gur e kufi.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.