back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Si u rrita brenda një nate… Alma N. Liço – Kujtim nga koha e interrnimeve

Gazeta

Alma N. Liço
Alma N. Liço

Si u rrita brenda një nate…

Alma N. Liço – Kujtim nga koha e interrnimeve

(Marre nga libri “Krahë të Këputur)

Tre fëmijë… tre krijesa të pafajshme do të ngarkoheshin si plehra
për t’u degdisur në një fshat të humbur në kodrat e xhveshura të Dumresë.
Atyre iu desh të vuanin për 23 vite internimin, për “fajin” e vetëm
se gjyshi i tyre kish studiuar jurisprudence ne Harward të SHBA,
dhe për këtë do të ekzekutohej nga regjimi komunist…
Fatkeqsisht e kam të qartë se fakte të tilla makabre
impresionojnë gjithnjë e më pak njerëz, dhe mendoj se kjo
është fatkeqësia më e madhe e kësaj
farse demokratike në të cilën jetojmë.
.
Alma. N. Liço dhe një urim për fëmijën e saj
Alma. N. Liço dhe një urim për fëmijën e saj
Nuk mbaj mend me saktësi sa orë zgjati ai udhëtim drejt ferrit.
E hipur majë dengjeve, ndjeja lëkundjet e pamëshirshme të asaj makine të zezë në rrugët e pashtruara, me gropa e gurë, mes atyre kodrave me shkurre të përzhitura nga vapa e verës që ishte në ditët e fundit të saj.
Në të ngrysur mbrritëm në fshatin që ishte caktuar për familjen time, diku mes kodrave të Dumresë. Makina ndaloi në mes të fshatit dhe rreth saj u afruan disa banorë të tij. Me një kuriozitet të natyrshëm, por dhe me një gëzim të lig se “armiqtë” kishin marrë “ndëshkimin e merituar”, u munduan ta orientojnë shoferin të vijonte dhe disa metra më tutje drejt asaj kasolleje që ishte caktuar për ne. Nuk kisha parë kurrë diçka të tillë më parë. Ishte vërtet një kasolle e ndërtuar me shkarpa dhe e mbuluar me kashtë. Dyshemeja me dhe. Ngjitur me atë vrimë që quhej derë, ishte një gur i stërmadh me forma të çrregullta, dhe unë nuk e kuptova kurrë si dhe pse ai gur qe vendosur aty. Ndoshta ishte shkëputur nga kodrat përreth dhe kasollja ngjitur me të ishte ndërtuar shumë kohë më pas. Ndoshta. Deri në atë kohë kisha besuar se të tilla kasolle ngrihen për kafshët shtëpiake, dhe më kishte ndodhur të shihja të tilla edhe në ndonjë film për jetën e fiseve dhe tribuve të Afrikës. Jo, nuk isha në ëndërr dhe as në kinema. Ajo kasolle ishte e vërtetë dhe ne duhej të banonim aty. Ishim të gjithë të mpirë. Mama nuk e mbajti dot më veten, dhe ia plasi të qarit. Motra ime e vogël vazhdonte të shtrëngonte kukullat e saj, ndërsa kaçurrelat e verdha i ishin ngjitur në fytyrë nga djersët dhe vuajtjet e rrugës. Sytë e kaltër, më të bukura se qielli pranveror, e kishin humbur shkëlqimin e tyre. Ajo krijesë e vogël kishte inteligjencën dhe intuitën të mos kërkonte asgjë, nuk kërkoi të hante, nuk kërkoi të flinte, vetëm na vështronte me rradhë, si për të kuptuar shkaqet e asaj situate të panatyrshme.
Me shpejtësi dengjet u hodhën në rrugë, para deriçkës së kasolles. Ndihmoi dhe shoferi për këtë gjë. Ai nxitonte të mbaronte sa më parë këtë punë, pasi po e zinte nata në atë humbëtirë dhe i duhej të kthehej pranë familjes së tij në Tiranë. Nuk mund ta dija nëse ai shofer kish asistuar më parë në monstruozitete të tilla, por më është fiksuar fytyra e tij deri diku e tronditur që po përjetonte një ngjarje aq çnjerëzore. Madje, në një moment dobësie, me zë të ulët i tha tim eti, se nëse dëshironim ai mund të na kthente sërish në Tiranë. Sigurisht që nuk mund të imagjinohej një rebelim i tillë. Pas kësaj ishte mëse e sigurtë se tim atë e priste burgu, dhe mbijetesa në atë ferr do ishte edhe më e vështirë.
Pas refuzimit të mekur të tim eti, makina u kthye me zhurmë duke ngritur një pluhur mbytës nëpër atë rrugë me gurë dhe gropa. Më kujtohet se u futëm në kasollen e pandriçuar, dhe prindërit e mi hapën një deng, ku ne fëmijët u shtrimë dhe fjetëm si në kllapi. Kutërbonte aromë e padurueshme nga të katër anët, gjë që të bënte të mendoje se në mungesë të banorëve të saj, ajo kasolle kishte shërbyer si banjo publike për fshatarët. Askush nuk ndjente uri. Ndërsa prindërit e mi e gdhinë tërë natën majë një dengu, ku bisedonin me zë të ulët dhe pinin cigare pa fund…

.

Fëmijët e pafajshëm të interrnimeve
Këta tre fëmijë… dy vjet pas kësaj fotoje u degdisen ne nje fshat
 të humbur të Dumresë. Ata duhej të vuanin për 23 vite internim,
për “fajin” e vetëm se gjyshi i tyre kish studiuar jurisprudencë në SHBA,
dhe per kete do të ekzekutohej nga regjimi komunist.
Erdhi mëngjesi. U zgjova e para nga ai gjum-kllapi. Kisha shpresuar se ajo që ngjau një ditë më parë të ishte një ëndërr e shëmtuar, por jo, gjithçka ishte e vërtetë. Mbi kokën time vareshin tufat e kashtës, të cilat lëshonin një erë mbytëse. Herë pas here binin insekte të ndryshme, të cilat ndjeheshin të bezdisura nga prania jonë. Pse ta mohoj, kisha frikë prej tyre. Ishte hera e parë që shihja krijesa të tilla. Nuk kishte asnjë dritare, dhe në mes të asaj që quhej dhomë ishte vendosur një shtyllë druri, e cila mbështeste atë që quhej çati. Sipërfaqja e saj ishte e mbuluar me vrima të vogla të cilat herë pas here lëshonin një pluhur të çuditshëm. Zhurma karakteristike e disa krimbave të vegjël më bëri të kuptoja se ky pluhur ishte produkt i punës së tyre. Ndryshe nga insektet e tjera, ata nuk u ndikuan aspak nga prania jonë. Vazhduan të qetë të “bluanin” shtyllën, duke rrezikuar që një ditë së bashku me çatinë prej kashte të shembej mbi kokat tona. Për banjo nuk bëhej fjalë. Prapa kasolleve të tjera të banuara nga familje të internuara, të cilat kishin mbërritur aty disa javë para nesh, ndodhej një si kafaz apo kotec prej llamarine të ndryshkur, me një gropë nga pas, që shërbente si nevojtore. Përveç erës së tmerrshme që vinte nga këto biçim banjosh, mijëra miza, grerëza dhe krimba shëtisnin në atë ambjent. Këta ishin padronët e vërtetë të asaj lemerie.
Aty ndesha në vështrimin e pashpresë të prindërve të mi. I pashë të shkatërruar. Sytë e tyre ishin përhumbur poshtë rrathëve të zinj. Im atë me ftoi të afrohesha pranë dhe për herë të parë në jetën e tij më shpjegoi atë që po na ndodhte dhe shkaqet e saj. Më foli për diktaturën e proletariatit, për luftën e klasave, për të atin e tij intelektual të ekzekutuar nga komunistët dhe se ne duhej të paguanim ende për këtë. Duhej të paguanim të gjithë, madje dhe motra ime e vogël trevjeçare që ende flinte. Ndërkohë gjumin e saj të pafajshëm dhe ëngjëllor po e prishnin mizat dhe grerëzat që ardhja e ditës i kishte gjallëruar. Në agresivitetin e tyre dhe ato krijesa të vogla të natyrës ishin kundër nesh. E gjithë kjo ishte shumë për mua.
Një ditë më parë kisha mbushur dhjetë vjeç. Deri aso kohe isha indoktrinuar dhe unë nga propaganda komuniste. Në shkollë më kishin mësuar të isha e lumtur për Partinë dhe xhaxhin Enver, “se Partia ishte nëna e të gjithë fëmijëve”. Më kishin mësuar se fëmijët shqiptarë “ishin më të lumturit në botë”, e të tjera broçkulla si këto. Sa e sa vjersha për Partinë kisha mësuar dhe recituar… Im atë nuk po fliste më me një fëmijë dhjetë vjeç, por me një të rritur, që duhej të ndërgjegjësohej për atë që e priste. U ndjeva aq konfuze, sa nuk isha në gjendje të bëja asnjë pyetje. Vetëm përpiqesha të kuptoja. U përfshiva nga një dhimbje e gjithanshme. Po më shembej bota nën këmbë. Brenda tri ditëve, çdo gjë ndryshoi në atë që ishte jeta ime, çdo gjë që kisha besuar apo dëshiruar në ëndrrat e mia fëminore nuk ekzistonte më. Ndonëse kisha vetëm një ditë që isha larguar nga Tirana, ndjeva një mall sfilitës ndaj çdo gjëje që kisha lënë pas. Më dukej se kisha një shekull që isha ndarë prej tyre. Më mungonte rrugica me kalldrëm, fëmijët e padjallëzuar të lagjes me lojërat e tyre, shkolla dhe mësuesja ime. Më mungonte shoqja, mikja ime e dashur Rita. Më mungonte gjyshja, e cila mbeti e vetme në Tiranë. Ndonëse isha vetëm një fëmijë, rrëfimi i jashtëzakonshëm dhe emocional i tim eti për atë që po ndodhte më bëri të ndjehesha menjëherë e rritur. E kuptova se fëmijëria ime kish marrë fund, dhe se do të më duhej të përshtatesha me këtë realitet të shëmtuar, do të më duhej të ndihmoja prindët në përballimin e asaj jete të vështirë në atë skëterrë. Isha fëmija e parë e familjes. A isha gati për këtë? A duhet të pranoja se nuk e kisha më “luksin” të sillesha si një vajzë dhjetëvjeçare? A duhej të zëvendësoja kujdesin prindëror për vëllain dhe motrën më të vogël, pasi prindërit e mi duhej të përballonin punën skllavëruese dhe me orë të zgjatura në kodrat e Dumresë? Sigurisht që duhej….
8 maj 2017

.

Alma N. Liço - Krahë të Këputur
Alma N. Liço – Krahë të Këputur

Marrëdhënia e vështirë me mësuesen…

Ndërsa marrëdhëniet me fëmijët e tjerë po ecnin drejt normalitetit, nuk mund të them të njëjtën gjë për mësuesen. E krahasoja me mësuesen time të mrekullueshme në Tiranë dhe ndjeja se ajo nuk donte t’ia dinte fare për ata fëmijë, që ndonëse frekuentonin shkollën, ishin pothuajse analfabetë.
Ndryshe nga ata, unë kisha patur fatin të më rrinin mbi kokë tre mësues në shtëpi. Sigurisht, këtu përfshij edhe gjyshen. Prindërit e atyre të ngratëve gdhiheshin e ngryseshin arave për të siguruar bukën për fëmijët e shumtë që sillnin në jetë.
Në shenjë hakmarrjeje, me pushtoi dëshira ta sfidoja. Ishte një formë rebelimi. Veçanërisht në orën e matematikës, që ishte lënda ime e preferuar. I bëja pyetje me të cilat e vija në vështirësi. Madje, ndjeja një lloj kënaqësie të pakuptueshme, kur asaj i ndryshonte ngjyra e fytyrës. Kishte raste kur i kërkoja mënyrat alternative për zgjidhjen e disa problemave. Duke kërcitur dhëmbët, ajo e duroi disa ditë këtë situatë, por një ditë në pamundësi për t’iu përgjigjur pyetjes sime, në kulmin e tërbimit më tha:
“Mëso sa të duash, kazma të pret”.
Alma N. Liço
Alma N. Liço – Sa e gënjeshtërt pamja që ofron fotoja!
Në të vërtetë nuk dija ç’të bëja me 16 vitet e mia,
të marra peng nga mizoria e diktaturës.
Ky shpërthim ndodhi në klasë, në sy të gjithë fëmijëve, të cilët shihnin të habitur herë mua, herë mësuesen. Unë vërtet e kisha pritur një reagim prej saj, por kurrë kaq të pamëshirshëm dhe vrasës të shpresës dhe ëndrrave. Isha aq e mpirë, gati të qaja.
Në atë regjim çnjerëzor kishe ndrojtje edhe të qaje… Lotët mund të konsideroheshin pakënaqësi dhe sfidë për sistemin. Lotët e pafajshëm të një krenarie të vrarë ishin kërcënim. Ka disa momente në jetë që lënë gjurmë të thella dhe ky ishte një prej tyre. Ndjeva të ndahesha në copëza të brishta e të dëshpëruara, të cilat më zbehën besimin se një ditë do të arrija t’i mblidhja e t’i ngjisja sërish.
E urreva me gjithë shpirt atë mësuese. Është një nga personat e paktë që kam urryer. Jo se kanë qenë të paktë ata që më kanë lënduar, por isha unë që më pas u mundova ta përjashtoja urrejtjen nga bota e ndjenjave të mia. Nuk më linte të jetoja. Ishte shumë sfilitëse si ndjenjë, gërryese, aq sa më zinte frymën. Unë e doja aq shumë shkollën dhe kisha thurrur ëndrra se çfarë doja të bëhesha kur të rritesha. Pas kësaj nuk u mora më me mësuesen, as ajo me mua. U vendos një “paqe” e akullt.
Një vit më pas mësuesja ime u përdhunua nga disa ushtarë të cilët e zunë atë në befasi, teksa po kthehej në fshatin ku banonte familja e saj. Në atë moshë nuk arrija ta kuptoja çfarë ishte përdhunimi, dija vetëm se asaj i kishte ndodhur diçka shumë e keqe dhe e turpshme. Madje në fshat thuhej “e kapën me zor”. Ushtarët paguan me burg për këtë, ndërsa mësuesja u transferua përgjithmonë nga shkolla e atij fshati. Nuk ndjeva asnjë keqardhje për mësuesen time. Më shumë më erdhi keq për veten që isha katandisur në një qenie aq të pandjeshme sa të mendoja se ajo e kish merituar diçka të tillë. Tek rikujtova këtë episod të jetës, më erdhi në mendje një ndër mesazhet e lamtumirës së Gabriel Garcia Marquez, drejtuar miqve të tij, pak para se të largohej nga kjo botë: “Nëse Zoti do më jepte një copë jetë, do të vishesha thjesht, do të shtrihesha përballë diellit duke e lënë të pambuluar, jo vetëm trupin tim, por edhe shpirtin tim. Zoti im, nëse do të mundesha, do të shkruaja urrejtjen time mbi akull dhe do të prisja të dilte dielli…”
9 maj 2017

.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.